
Sokol Paja/
Studimi i gazetarit Rafael Floqi “Noli dhe Konica nën dritën e ‘Diellit’” është një vepër e arrirë historiko-publicistike, e cila nxjerr në dritë, përmes shqyrtimeve dokumentare dhe bibliografike, dy nga figurat më të shquara, dominante dhe protagonistët absolutë të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Fan Noli dhe Faik Konica.
Ky studim mbart vlera historike, komunitare, mediatike, atdhetare dhe shoqërore, pasi përfshin një punë shumëvjeçare pasioni, përkushtimi dhe dedikimi ndaj këtyre kolosëve të kombit shqiptar. Në këtë studim serioz trajtohen në mënyrë të detajuar jo vetëm marrëdhëniet e ndërlikuara mes Nolit dhe Konicës, por edhe raportet e mërgatës shqiptare të Amerikës me atdheun.
Me një literaturë të pasur, gjuhë dhe stil të shkëlqyer, citime të bazuara në dokumente në disa gjuhë dhe dëshmi, informacion të imtësishëm dhe analizë të thelluar publicistiko-shkencore, si dhe me referenca nga burime amerikane dhe monitorim të kujdesshëm të artikujve të gazetës “Dielli”, autori dëshmon një punë hulumtuese disa-vjeçare, ndër më dinjitozet e botuara në dekadën e fundit mbi marrëdhënien e veçantë të miqve-“armiq” Fan Noli dhe Faik Konica, të parë në një prizëm paralel sa psikologjik aq dhe njerëzor dhe artistik.
Marrëdhënia ndërmjet Faik Konicës dhe Fan S. Nolit përbën në vetvete një nga raportet më të veçanta dhe më polemike të shekullit të kaluar dhe këndvështrimi i ri psikoanalitik është një zbulim dhe arritje në studimet historiko letrare dhe i veçantë në letërsinë dhe historinë shqipe dhe botërore, duke u nisur nga fakti tek përgjithësimi .
Rivalitet dhe afrim, ndarje dhe bashkime, aleanca dhe përçarje, polemika dhe akuza, ironi dhe sarkazëm, idealizëm dhe pragmatizëm, si dhe ambicie politike – të gjitha këto elemente ndërthuren në këtë libër. “Noli dhe Konica nën dritën e ‘Diellit’” ofron një analizë të shumëfishtë: historike, psikologjike, kulturore, letrare dhe mediatike.
Gazeta “Dielli” jo vetëm që pasqyron me detaje veprimtarinë e Nolit dhe Konicës në një prizëm krahasues, por mbi të gjitha dokumenton idetë, ndarjet dhe bashkimet, polemikat e zjarrta dhe konceptet mbi zhvillimin e Shqipërisë, si dhe rolin e Vatrës dhe të vetë “Diellit”.
Libri trajton në mënyrë të veçantë marrëdhënien dhe përplasjen e këtyre dy figurave kombëtare me Mbretin Zog, vizionet politike të Nolit dhe Konicës, konceptet e shtetndërtimit dhe shtetformimit, politikës, filozofisë, moralit, ndërgjegjes dhe zgjimit kombëtar. Noli dhe Konica, si dy figura të fuqishme të mendimit, frymëzimit dhe veprimit kombëtar, edhe pse larg Shqipërisë, themeluan një shkollë të kulturës, politikës, letërsisë, moralit publik dhe ndërgjegjes patriotike shqiptare.
Libri “Noli dhe Konica nën dritën e ‘Diellit’” na fton në thelb në një reflektim mbi amanetin moral, shpirtëror dhe kulturor të Nolit dhe Konicës, mbi rëndësinë e trashëgimisë dhe themeleve të “Diellit”, të Vatrës, të shtetit dhe të kombit shqiptar. Duke përshkruar konfliktin krijues dhe kundërshtues të këtyre kolosëve, vepra paraqet rolin e jashtëzakonshëm të Fan Nolit dhe Faik Konicës si dy pika referimi për historinë kombëtare, identitetin dhe kulturën shqiptare, ndërgjegjen atdhetare dhe veçanërisht trashëgiminë shqiptare në mërgatën e Amerikës.
Noli dhe Konica trajtohen imtësisht si subjekte superaktive mediatike, atdhetare, politike dhe kulturore, me ndikim të fuqishëm në shekullin e kaluar dhe, pa dyshim, edhe në shekullin që vjen. Konica si intelektual kritik dhe Noli si fenomen kulturor e politik patën një marrëdhënie që prodhoi përplasje, admirim, vlerësim, konkurrencë, bashkëpunim dhe kundërshti, të cilat përbëjnë boshtin themelor të këtij libri, të parë në prizmin psikologjik dhe historik e letrar.
Një meritë e veçantë e librit qëndron në faktin se dy figurat madhore të kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar, Noli dhe Konica, trajtohen edhe në dimensionin e tyre njerëzor, karakterial dhe shpirtëror.
Siç shprehet edhe vetë autori Rafael Floqi, Noli dhe Konica nuk ishin vetëm shkrimtarë apo politikanë; ata ishin arkitektë të një kombi që po dilte nga errësira osmane drejt dritës evropiane. Secilit i takoi një rol thelbësor: Nolit ndërtimi i frymës së kombit, Konicës ndërtimi i formës së tij.
Temat themelore të librit, ngjarjet në Vatër me Nolin dhe Konicën si protagonistë, polemikat përmes “Diellit”, marrëdhëniet e tyre me Mbretin Zog, zhvillimet politike në Shqipërinë e viteve ’20–’30, çështje të historisë, letërsisë, gjuhësisë dhe identitetit kombëtar, prirjet politike dhe mjeshtëritë individuale, periudha e regjimit diktatorial, si dhe veprimtaria dhe ndikimi i tyre kulturor e kombëtar, janë trajtuar nga gazetari Floqi me delikatesë, ndershmëri dhe elegancë, pa ngarkesë emocionale dhe me një distancë profesionale nga zjarri i përplasjeve të përjetshme.
Fan Noli dhe Faik Konica përbëjnë dy referenca të jashtë-zakonshme të kulturës shqiptare dhe të identitetit modern kombëtar. Studimi i gazetarit Rafael Floqi “Noli dhe Konica nën dritën e ‘Diellit’” është një kontribut i vyer historik jo vetëm për Federatën Vatra dhe gazetën Dielli, por për mbarë mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.