Aktori dhe producenti Erand Sojli në një rrëfim ekskluziv për gazetën “Dielli” organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra në New York, dhënë editorit Sokol Paja, analizon festivalin shqiptar të filmit “NOLI FILM FESTIVAL” që do të zhvillohet në Katedralen Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në Boston nga data 31 maj – 2 qershor 2024. Sipas Sojlit festivali eksporton te shoqëria amerikane vlerat tona kombëtare, është festival unik në bote pasi është i vetmi që zhvillohet në një katedrale dhe është një kompeticion dinjitoz artistik si një vatër reference për krijuesit, skenaristët, regjizorët, kompozitorët, operatorët shqiptarë që jetojnë në Amerikë.
“NOLI FILM FESTIVAL” NË BOSTON
Faleminderit fillimisht për vëmendjen që i kushtoni një ngjarjeje të tillë artistike. Është vështirë këtu në emigrim të thithësh vëmendjen e bashkombasve dhe aq më tepër mediave. Idea lindi nga një nevojë e brendshme shpirtërore për ti krijuar komunitetit shqiptaro-amerikan një lloj tjetër formati ku të kishin mundësi të eksportonin te shoqëria amerikane vlerat tona kombëtare të cilat shpërfaqen më së miri vetëm në krijimtarinë kinematografike. Gjithashtu ishte dhe propozimi i Bob Tochka, një nga eksponentët e shquar të Librarisë Fanolit dhe Kishës së Shën Gjergjit i cili më ofroi të bashkëpunonim për të promovuar vendin ose më saktë shtëpinë ku mori dritë dhe zanafilla e emigracionit shqiptar në Amerikë. Pra kishën dhe librarinë e themeluar prej tij. Në fillim biseduam për Nëntorin si një muaj i shqiptarëve ku çdo fundjavë do të organizonim nga një event kulturor. Më pas unë mendova se kjo gjë mund të kishte përmasë dhe me të madhe dhe i propozova Robert Tochkes bashkë me Dhimitër Demiraj një koreograf që mban gjallë traditën e komunitetit me vallet tradicionale, që ta bëjmë festival filmi. Dhe nëpërmjet filmave ti jepnim komunitetit shqiptaro-amerikan një panoramë të plotë të Shqipërisë në dekada ku të përmblidheshin të gjitha kohërat. Dhe më pas Bobi e përqafoi këtë ide dhe vendosëm ta bëjmë në Maj, pasi në nëntor nuk do ishim gati për një event kaq të rëndësishëm. Dhe që atëherë kemi punuar ngushtësisht për këtë qëllim dhe ja ku jemi sot. Të stresuar se si do shkojë ku mundi madh me qëllime të larta. Pikërisht për këtë arësye ne arritëm të bëjmë bashkë disa figura të rëndësishme të komunitetit që jetojnë dhe punojnë këtu si Bujar Alimani i cili është dhe Drejtori artistik i festivalit. Po kështu dhe disa shqiptaro-amerikanë të suksesshëm në karrierat e tyre që na u bashkuan pa asnjë mëdyshje duke marrë në dorë timonin e këtij festivali sipas kontekstit amerikan dhe duke na drejtuar për të marrë më të mirën tonë në organizim. Siç janë juristi i palodhur i kudondodhur Pavli Permeti. Producenti ekzekutiv Nikolin Gace, kordinatorja Elisabeta Andrea dhe i gjithë bordi i festivalit i përbërë nga njerëz me integritet profesional dhe kulturë të rralle. Jam shumë i lumtur që arritëm të bëjmë bashkë gjithë këta individë të suksesshëm të komunitetit për një qëllim kaq të madh siç është Festivali i Filmit Noli.
NOLI, KISHA DHE LIBRARIA E TIJ JANË SIMBOLI I SHQIPTARISË
Duke qenë se Noli, Kisha dhe libraria e tij janë simboli i shqiptarisë dhe integrimit në gjithë USA, dhe Noli si një figurë multidimensionale me kontribute sociale artistike letrare deri ato muzikore, të drejton vetvetiu me një nisëm të tillë. Dhe cila gjini do mund të ishte më ideale për të përfaqësuar dhe eksportuar të gjitha këto vlera njëherazi përveç kinematografisë? Pra emri i festivalit është në habitatin e vet.
NJË FESTIVAL PËR SHQIPTARËT NGA SHQIPËRIA, KOSOVA, MAQEDONIA E VERIUT, MALI I ZI DHE DIASPORA
Ne jemi ende në fazën e selektimit të filmave pasi kemi një dyndje të kërkesave për pjesëmarrje që nga regjisorët e mëdhenj shqiptar nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora sa që ende nuk i dijmë cilët filma do të fitojnë në këtë fazë të parë të selektimit. Pasi janë të gjithë shumë të veçantë dhe me tema të spikatura që është vështirë ti thuash jo.
ORGANIZATORËT, BASHKËPUNËTORËT DHE MBËSHTETËSIT E FESTIVALIT
Festivali do të zgjasë 3 ditë dhe do të mbahet në Katedralen Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit. Mbështesin festivalin Noli Libraria dhe Qendra kulturore Fan S Noli të mbështetur nga organizata shqiptare e mjekëve kundër kancerit ALBANIAN FIGHTING CANCER për të cilët do të shkojnë dhe të gjitha dhurimet duke e bërë edhe më të rëndësishëm këtë festival i cili kategorizohet si një festival unik në bote pasi është i vetmi që zhvillohet në një katedrale. Organizatorët e festivalit janë “SojliArt Production” në Amerikë dhe 90 Production. Sigurisht me mbështetjen e pakursyer të vullnetarëve që me thënë të drejtën na kanë ndihmuar shumë.
NJË FESTIVAL PËR KRIJUESIT SHQIPTARË TË AMERIKËS
Festivali “Noli Film Festival” në Boston sigurisht që synon të vazhdojë çdo vit dhe të jetë një kompeticion dinjitoz artistik i cili jo vetëm do të bëjë bashkë komunitetin por do të jetë dhe një vatër reference edhe për krijuesit, skenaristët, regjizorët, kompozitorët, operatorët shqiptarë që jetojnë në Amerikë.
“NOLI FILM FESTIVAL” NË PLOTËSIM TË AMANETIT TË FAN NOLIT
Thirrja nuk është e jona por e Nolit. Udha që ai nisi me fuqinë e tij intelektuale nuk duhet lënë në mes. Ne jemi artistë që kemi një mision dhe këtë mision mendoj që duhet ta përcjellim në format më të mira që transmetojnë kulturën identitetin dhe artistët tanë. Falë Zotit jemi në një vend që na jep mundësinë dhe lirinë të praktikojmë të gjitha vlerat tona më të mira pa u ndjerë emigrant pa u ndjerë të huaj. Zoti e bekoftë Amerikën.
PËR NJË TREG FILMIK SHQIPTAR NË AMERIKË
Amerika në këto kohë mban brenda një Shqipëri edhe më të madhe në vlera dhe në njerëz. Ndaj le të angazhohemi të krijojmë dhe ne tregun tonë filmik për ti përfaqësuar shqiptarët dhe sakrificat e tyre këtu. Do ishte shumë mirë që të krijonim një bërthamë kinematografike për projektet dhe të kërkonim mbështetje njëzëri për këto prodhime artistike.