– Me rastin e 55 vjetorit të ndarjes nga jeta të Imzot Fan S. Noli-13 Mars 1965- Mars 2020-/
Nga Lindita Komani*/
Zhvillimet shqiptare dhe kuadri i vështirë ndërkombëtar brenda të cilit ato po ndodhin, tregojnë se ndoshta si kurrë më parë në historinë tonë sot ka nevojë për një njohje më nga afër të figurës së Nolit e trashëgimisë së shumëfishtë që ai la pas.
Në një kohë kur Shqipëria po zbrazet, kur mediat cilësohen si kazanë nga kryepushteti, kur qytetari është pa pikë fuqie përballë padrejtësisë së ligjzbatuesve dhe pa mundësi për të gjetur mbrojtje e drejtësi në gjykata, mendja intelektuale është e nevojshme të thërrasë në kujtesë vlera e të ngrejë zërin sa mundet e aty ku mundet. Dikush do të dëgjojë.
Kjo trajtesë e kthen Nolin në bosht për trajtimin e një sërë temash që nisin me përkthimet e Shekspirit si bazë për fillesat e Teatrit shqiptar dhe jo vetëm dhe introduktat për këto vepra, protestën për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, kthyer në një përpjekje për shpëtimin e demokracisë, emigrimin masiv të shqiptarëve dhe vijojnë më tej me krahasimin mes zhvillimeve të sotme me ato të 95 viteve më parë në kohën e revolucionit të vitit 1924, gjendjen e njerëzve të kulturës sot në Shqipëri me kokën ulur e thuajse të nënshtruar përballë realitetit të mjerueshëm, nevojën për përfshirjen më domethënëse e më cilësore të Diasporës në gjithë këto zhvillime që janë pjesë e procesit të shtetformimit, proces që te ne shqiptarët është ende i pambyllur. Si mund të rritet kjo përfshirje në domethënie e cilësi? Krijimi i një Lidhjeje mes komuniteteve e organizatave të Diasporës shpërndarë nëpër botë mund të ishte një rrugë e mirë, duke marrë shembuj nga popuj të tjerë, konkretisht nga hebrenjtë sikurse paraqitet në tekst.
Dy teza parashtrohen, ndër të cilat e dyta e ka ende mundësinë të provohet nëse qëndron: cilësia e diasporës është përcaktuese në cilësinë e shtetit shqiptar. Në mbyllje, Noli vjen në mënyrë dokumentare me fjalën e tij plot humor dhe kulturën historike për të na dhënë një vizion për shqiptarinë e zgjuar e të urtë, një lloj shqiptarie të cilën është mirë të mësojmë ta kultivojmë masivisht e cilësisht për të bërë përpara me sukses në botën moderne.
1.E para ishte fjala. Mbi të, për të e me të u rrit ngrehina, ku ajo të strehohet e të kultivohet. Kështu edhe teatri, ai që ekzistoi para se ndërtesat të ngriheshin e vula t’u vihej përmbi: ti je teatër dhe vetëm teatër do të jesh. Kjo është ndërtesa e teatrit Globe. Kjo është ndërtesa e Teatrit Kombëtar Shqiptar. Kjo e para të ruhet në përjetësi. Kjo tjetra të rrëzohet. Të rrëzohet? Të rrëzohet.
Teatri shqiptar zanafillën mbreselënëse të vetën e ka ndoshta me shijen e përcjellë në fjalën e shkruar shqip në përkthimet e Nolit. I frymëzuar si për revolucionin që nuk u mbyll dot me sukses por që me sukses ndihmoi në një shkundje të mirë për shoqërinë pasotomane shqiptare, Noli përktheu e përktheu, me një vrull e cilësi që ende sot mbeten të patejkaluara. Kushdo që synon ta vërë në pozitë si përkthyes jo të mirë, apo edhe më tej ta lërë në harresë Nolin si përkthyes, sikurse edhe janë shprehur kritika e dëshira publikisht në vite, është i lutur ta sfidojë atë një orë e më parë. Jo më vonë. Me vepra, jo me fjalë. Le të fillojë me Otellon, që ishte e para ndër tragjeditë e përkthyera, e pastaj dhjetë vjet më pas sikurse edhe ndodhi, apo edhe më herët, le të vijojë me Hamletin, Jul Qesarin dhe Makbethin, pikërisht në renditjen që veprat erdhën bukurisht nën penën e tij.
Kushdo që ka përkthyer jo për detyrim por për pasion, e di se sa me rëndësi është që tekstin ta ndiesh e kuptosh thellësisht; sesi më tej të bëhesh një me secilin personazh, me ngjarjen e përshkruar, figurat e zgjedhura për erëmimin e dhënien e shijes pikante e fine, është një domosdoshmëri e natyrshme. Veprat e sjella nga Noli në shqip të bëjnë ta perceptosh këtë në çdo aspekt. Ndoshta në orët e tij si sufler, personazhet e Shekspirit pjesërisht kanë qenë dhe buka e tij e përditshme dhe ai si djalë i ri dhe me personalitet në formim i ka përbrendësuar, gjë që më vonë mund të ketë qenë ndihmesë edhe për trajtimin e materialit në përkthimin e tij.
Ky përbrendësim i ndodhur, gjatë leximit përftohet jo vetëm në gjuhën e përcjellë nolisht. Për ta konfirmuar këtë vlen të lexohen, kuptohen e analizohen introduktat që Noli shkroi për secilën vepër, që në vetvete e jashtë gjuhës e aktit të rëndësishëm të pasurimit të kulturës kombëtare me veprat e Shekspirit, përbëjnë: (1) mendimin ndoshta të parë të vërtetë të shprehur shqip për karakteret e njeriut e veçanërisht për karakteret e burrave të shtetit apo të atyre të destinuar për të qenë të tillë, (2) sidhe analizën e parë psikologjike të personazheve parë në një kontekst specifik social. Me një lexim të vëmendshëm kuptohet që kjo analizë e shprehur më mire në kuadër të introduktave për përkthimet është e perceptuar për të ngritur disa shtylla mbajtëse apo etalone edhe në realitetin shqiptar.
Në këtë realitet shqiptar në të cilin çdo gjë do të duhej të ngrihej nga e para, duke përfshirë këtu botëkuptimin, shtyllat përbërëse të shoqërisë, kulturën, shtetin, por duke nisur pikësëpari me vetë individin, vlente të njiheshin qartë e mira dhe e keqja, të kuptohej dallimi mes të dyjave dhe të kuptohej se kur e si dallimi mund të zhbëhej, se kur e si zhbërja aktive e dallimit mes të mirës e së keqes ishte e pranueshme dhe e justifikueshme moralisht dhe kur jo, në asnjë mënyrë jo. Të gjitha këto i gjen te Otello, Hamleti, Jul Qesari, Makbethi. Një manual për burrin e shtetit, për burrin, për gruan, për njeriun si duhet të jetë dhe mos të jetë, në kushte sulmi dhe mbrojtjeje si për tragjedi. Të gjitha i gjen po ashtu në introduktat e Nolit për Otellon, Hamletin, Jul Qesarin, Makbethin, ato që fare qartë paraqesin botëkuptimin e Nolit, aftësinë e kapacitetin e tij si artist, si mendimtar, si mësues e intelektual në një shoqëri të mbetur pas jo detyrimisht për fajin e vet.
Përkthimet e Shekspirit nisën si një projekt i përbashkët i Konicës dhe i tij sikurse shprehet studiuesi Alfred Uçi. Por Konica shpejt hoqi dorë. I mungonte ndoshta durimi, durimi që i duhet përkthyesit njëkohësisht shkrimtar për t’i shkuar deri në fund sfidës. Dhe ndërkohë që për mungesën e durimit të Konicës mësojmë nga një nga fjalimet e mbajtura prej Nolit para komunitetit shqiptar në Amerikë, për Nolin vetë, duke parë dhe rezultatet e punës së tij, mund të thuhet se durimi ka qenë një cilësi përcaktuese.
2.Po qe se trupi i tij do të ishte aq durues e rezistues sa të tejkalonte pengesat fizike e kufijtë e jetëgjatësisë normale dhe Noli të rronte sot e kësaj dite në shëndet të mirë, arritur në fazën e urtisë me gjithë përvojën e shumanshme jetësore që fitoi, ai me gjasa të mira, me po aq përkushtim do të vazhdonte të përkthente, rriste e edukonte një komunitet të madh në Amerikë, e pse jo do të përgatiste revolucionin e vërtetë e të shëndetshëm të llojit amerikan në Shqipëri. Revolucioni i vitit 1924 ishte i hershëm, ishte një shekull më i hershëm se mund ta mbante gjendja jonë shoqërore e kohës. Pikëpyetje mbeten për atë revolucion, pikëpyetje legjitime të cilat ndoshta edhe mund të jenë ngritur në vite, por të cilave për shkak të polarizimit të shoqërisë as nuk u është shkuar në fund. Edhe sot mund të vihet re që kur flitet për Nolin, mendimi intelektual ndahet shpejt në atë të majtë që i del atij në mbrojtje dhe në atë të djathtë që përgjithësisht i del atij kundër. Them se kjo ndodh për një arsye të rëndësishme: Noli nuk është kuptuar dhe as revolucioni i 1924-ës nuk është kuptuar. Ndoshta jo për faj të atyre që nuk e kuptuan por sepse, sikurse shkruante më vonë një diplomat italian, Noli ishte „një personazh mjaft piktoresk“, gjithashtu „inteligjent e i kulturuar dhe me ide politike socializante… por jo fort i qartë“[1].
Një revolucion që synon sjelljen e modelit demokratik perëndimor, veçanërisht frymëzuar nga demokracia amerikane, por në kuadër të të cilit nuk ndihet e nevojshme që përmbajtja dhe elita e tij të legjitimohet me zgjedhje demokratike? „Fan Noli, një idealist, refuzoi kërkesat për zgjedhje të reja me arsyetimin që Shqipëria kishte nevojë për një qeveri “paternaliste”“, thuhet në një studim amerikan për Shqipërinë, me redaktorë Raymond Zickel dhe Walter R. Iwaskiw, botim i vitit 1994. Përse Shqipëria duhet të kishte nevojë për këtë paternalizëm të palegjitimuar? Kjo është një pikëpyetje që vlen të trajtohet edhe sot.
Para revolucionit, Shqipëria ende përjetonte mbetje të sistemit feudal, sikurse argumentonte një studim zyrtar britanik i kohës. Sipas studimit, pronarët e tokave ishin përgjithësisht pasardhës të zyrtarëve nga koha e perandorisë osmane dhe ishin joprogresivë dhe jopopullorë. Nga ana tjetër fshatarët punonin në kushtet e varfërisë ekstreme dhe duhet t’u jepnin bejlerëve 1/3 e prodhimit e shtetit 1/10 e tij. Ndërkohë në manifestin e revolucionit, bëhej thirrje për heqjen e feudalizmit[2]. Sigurisht që në këtë aspekt fryma që sillej ishte përparimtare dhe për t’u mirëpritur edhe në botën perëndimore që e kishte hequr me kohë feudalizmin dhe shihte me kureshtje se ç’do të ndodhte në Shqipëri.
Për t’u shquar vlen veçanërisht një fakt që përdorej nga Noli edhe si argument në favor për frymën që po sillej me revolucionin. Nuk u derdh gjak në të. Përkundrazi.
Në përgjithësi pati mbështetje për revolucionin deri edhe nga vetë njësi të forcave të ushtrisë[3], të cilat po ashtu si e përkrahën edhe u distancuan prej tij[4]. Kjo ndodhi kur në krye të disa muajve u pa që si nga brenda ashtu edhe nga jashtë revolucioni nuk po prodhonte ato që premtoi. Përmendet veçanërisht si negativ fakti që qeveria vendosi marrëdhënie diplomatike me bolshevikët. „Fan Noli, do të qortonte ato ditë gazeta e Londrës „Daily Telegraph“, do të pendohet që u shpejtua të vendoste marrëdhënie të plota diplomatike me qeverinë sovjetike.“[5] Në këtë aspekt, si shqetësues ndoshta mund të përmendet edhe kalimi me gjykatë speciale i vendimeve për dënim me vdekje në mungesë si dhe konfiskimi i pronës për drejtuesit e rrëzuar të shtetit.
3.Ndoshta parë në total mund të thuhet që sikurse ka ndodhur në shumë raste me Shqipërinë, që është një produkt fatkeq i historisë, revolucioni i 1924-ës ishte një eksperiment i ngjeshur dhe shumë i guxuar, që pati synime të mira në periudhën e pjekjes disavjeçare që kulmoi me të dhe që nga ana politike arriti të përfshinte „një rang të gjerë njerëzish që lobonin për çdo gjë nisur nga Islami konservativ e deri te ëndrrat e Nolit për modernizim të shpejtë“[6].
Në periudha autoritarizmi është e arsyeshme që të krijohet një konglomerat arsyesh për të bërë opozitë, që në një platformë pa trajtë të caktuar ideologjike të mblidhen e rrihen ide të shumta nga njerëz me prejardhje e formim të ndryshëm. Larmishmëria e problemeve dhe dramave shoqërore, ekonomike e politike është ajo që i karakterizon kohët që mund të çojnë në lëvizje të mëdha shoqërore. Kjo mund të vërehet edhe sot në Shqipëri, dhe konkretisht mund të ndiqet në mënyrë të rregullt në fjalimet e mbajtura nga artistët, intelektualët, qytetarët në protestën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Ajo për të cilën diskutohet e protestohet pa ndalim që prej muajit shkurt 2018, është një dramë më e madhe se thjesht e teatrit, e kulturës. Ajo tashmë është kthyer në një dramë në të cilën në lojë është mbijetesa e demokracisë, e shtetit shqiptar dhe e drejta e qytetarëve për të mos qenë të detyruar të largohen në masë nga shtëpitë e tyre në drejtim të vendeve të huaja, një lloj dëbimi modern e i sofistikuar ky, për qëllimet e të cilit janë ngritur jo pak teori konspirative.
Mes dy kohëve dhe situatave shoqërore, ekonomike e politike të krijuara në to mund të ngrihen paralelizma habitëse ose jo.
Shoqëria e para 95 vitesh vuante nga padituria, mungesa e çdo mundësie edukimi dhe investimi për të ndërtuar një ekzistencë jashtë bujqësisë, tregtisë dhe administratës shtetërore. Shoqëria edhe sot lëviz kryesisht po kështu në këto tre fusha punëdhënieje. Është shtuar edhe turizmi si burim i përhershëm dhe industri të tjera të shërbimeve që punojnë për jashtë.
Elita ishte në rikrijim atëherë dhe është në rikrijim tani. Elita e re e atëhershme kërkonte një shkëputje nga osmanizmi dhe kthim përfundimisht të vëmendjes nga perëndimi, në aspekt të vlerave shoqërore, frymës dhe sistemit shtetëror. Elita e re e sotme është ende sporadikisht e individualisht e artikuluar, dhe kjo ndoshta më shumë për shkak se merret e nënkuptuar që Shqipëria tashmë është perëndim. Por edhe sot, duhet theksuar se ajo përgjithësisht aspiron në mënyrë të ngjashme si elita e re e para 95 vitesh, për një Shqipëri perëndimore e të përparuar e që zhvillohet nën parimet e iluminizmit.
Gjendja politike është ngjashëm e trazuar. Partitë politike nuk kanë ideologji të qartë por janë grupime njerëzish që i bashkon interesi pro apo kundër personave të caktuar që i udhëheqin ato. I ngjashëm është dhe fakti që ka grupe shumë të pasura interesi që mbajnë në këmbë të paktën njërin krah të politikës, atë që duhet të udhëheqë. Para 95 vitesh ky grup përbëhej nga pronarët e mëdhenj të tokave të cilët mbanin ende në këmbë mbetje të feudalizmit siç u konstatua edhe më herët. Sot ky grup përbëhet nga oligarkët e një tranzicioni të rëndë e të shëmtuar, të cilët kanë bërë pasuri marramendëse sidomos në 25 vitet e fundit pa u kuptuar qartë se si e kanë bërë. Pronarët e mëdhenj të tokave dikur kishin prirje më shumë për nga Lindja; oligarkët e sotshëm, një miks paskomunist shumë larg në ndjeshmëri e përqasje nga elita kulturore por edhe nga qytetarët, nuk është e qartë se ç’prirje kanë, por si njerëzit në biznes të përmasave të mëdha, përgjithësisht shohin mbi kufijtë e pak interes shfaqin për gjendjen e qytetarëve në vendin e tyre të origjinës sepse në bazë të ekzistencës së tyre është maksimizimi i fitimit dhe ruajtja e pushtetit që kanë mbi politikën.
Bota jashtë është ndoshta po aq e interesuar për Shqipërinë sa 95 vjet më parë. Balancat e forcave kanë ndryshuar dhe fuqia që pas Luftës I Botërore ishte në ngjitje ndërkombëtare sot udhëheq botën. Si atëherë ashtu edhe sot SHBA ndikon fort mbi shqiptarët e rajonin tonë në përgjithësi. Europa atëherë merrte veten nga Lufta I Botërore e përçarë e me armiqësira, Europa e Bashkuar sot përballet me sfidën e skepticizmit të popujve në shtetet anëtare të saj dhe të si do të vazhdojë më tej të zhvillohet si projekt ndërkombëtar mbishtetëror. Interesi për Shqipërinë e shqiptarët nuk mund të thuhet se është në mënyrë domethënëse më i lartë.
Me fqinjët problemet vazhdojnë por kanë pësuar zhvillime domethënëse. Nëse para 95 vitesh Bajram Curri, Hasan Prishtina e të tjerë kosovarë i dhanë peshë revolucionit duke kërkuar zgjidhje për Kosovën nga Shqipëria, Kosova sot është në gjendje t’i kërkojë zgjidhjet vetë në arenë ndërkombëtare. Ndihma nga Shqipëria është e mirëpritur, por dëmi nga Shqipëria jo. Por e ngjashme me 95 vjet më parë është që zgjidhjet si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë do të ishin më të mira, nëse forcat përparimtare, atdhedashëse, me frymë perëndimore si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri do të bashkëpunonin e do të bashkëvepronin për të dhënë dorën e fundit të shtetformimit që ende kuptohet se mungon. Çamëria ishte temë atëherë e është ende temë sot, atëherë shumë aktuale për shkak të shkëmbimit të popullsisë që po ndodhte mes Greqisë e Turqisë e sot për shkak se komuniteti çam dhe joçam në Shqipëri është më aktiv dhe i artikuluar për të kërkuar të drejtat. Ndërkohë, kuptohet që me kohën do të vijë patjetër si temë zyrtare edhe ajo e arvanitasve të shtypur aq sa të mos kenë të drejtën e lëvrimit të gjuhës dhe pasjes së të drejtës të minoritetit të paktën siç e kanë arbëreshët në Itali.
Një ndryshim i rëndësishëm është që para 95 vitesh përjetohej një valë e fuqishme kthimi emigrantësh nga Amerika, që interpretohet si një masë e besimit të shumë shqiptarëve në Shqipërinë e re të pavarur. Mes 20-30 mijë shqiptarëve që u kthyen në periudhën mes vitit 1919 dhe 1925 bënte pjesë edhe Noli, i cili ishte i mbrujtur dhe i ndikuar thellësisht nga idetë demokratike amerikane por i cili nga ana sociale dhe shoqërore ishte i distancuar nga realiteti shqiptar.[7] Sot me mijëra e mijëra shqiptarë largohen pa kthim drejt vendeve të BE-së ku mund të udhëtojnë pa viza e qindra mijëra aplikojnë çdo vit për lotarinë amerikane.
Si atëherë ashtu edhe sot çështja e autoqefalisë së kishës është temë, ndonëse sot ajo ka një hapësirë si Amerika ku të zhvillohet e plotë në shërbim të komunitetit të emigrantëve, ndërkohë që para 95 vitesh emigrantët erdhën bashkë me kishën me vete për ta ngritur autoqefalinë në atdhe. Mihal Grameno është shprehur që i kishte sugjeruar Nolit që të mos merrej me politikë por t’i kushtohej plotësisht çështjes së fesë dhe ngritjes e fuqizimit të kishës autoqefale shqiptare. Këtë mesa duket e kishin shpresuar edhe shumë miq e kundërshtarë të Nolit. Megjithatë qytetarët e Korçës e zgjodhën si përfaqësues të tyre e kjo bëri që Noli hyri në politikë.[8]
Një ndryshim tjetër i rëndësishëm është që para 95 vitesh kultura nuk ishte fare temë për diskutim sepse kultura lëvrohej nga të ndriturit e elitës që duhet të bënin edhe njeriun e kulturës, edhe intelektualin edhe politikanin. Sot kultura dëshmon të jetë një temë po aq e rëndësishme sa edhe gjithë të tjerat në dramën që po zhvillohet në vitin 2018. Teatri Kombëtar dhe rezistenca që po zhvillohet për mbrojtjen e tij është dëshmi e gjallë për këtë. Noli si shqipëruesi i kryepjesëve teatrore që i dhanë fillesë teatrit shqiptar, do të ishte krenar për përjetimin në çdo mbrëmje në shesh, aty ku shqiptarët luftojnë për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.
4.Njerëzit e artit dhe kulturës do të pritej që t’i paraprinin e ta udhëhiqnin përpjekjen qytetare shqiptare për dinjitet dhe shpresë, përpjekjen për moslargimin e detyruar nga vendlindja dhe për ristartimin (përdorur me konotacionin qëllimisht kompjuterik, ristartim si ndodh me kompjuterin e ngecur në vend nga programet e bllokuara) apo rifillimin e domosdoshëm të jetës shoqërore, ekonomike, politike e shpirtërore në vend. Megjithatë, vihet re një mospërfshirje e masës dërrmuese të këtij grupi shoqëror në diskur publik, mosmarrje pozicioni në ruajtjen e të drejtave themelore qytetare, mosmbrojtje madje edhe e vetë të drejtave të tyre si artistë e intelektualë, duke nisur me të drejtën e shprehjes pa u kërcënuar me humbjen e vendit të punës dhe duke vazhduar me të drejtën që materialisht mos të jenë të nëpërkëmbur apo edhe më rëndë të lënë në mëshirë të fatit me artin e tyre që bukë nuk u jep.
Ajo që vihet re se ndodh në masivitet është nënshtrimi, nënshtrimi ndaj frikës për moshumbjen e bukës për fëmijët, e një privilegji sado të vogël shoqëror, e një statusi të merituar ose jo. Ky nënshtrim mundëson që sot artistët e shkrimtarët nuk kanë status të njohur si të tillë, nuk kanë kushte të rregulluara ligjërisht për kontratat e tyre të punës, për honoraret e shpërblimit, për sigurimet shoqërore e shëndetësore, për mbrojtjen e të drejtave të autorit, për lehtësira sado të vogla që do t’ua bënin veprimtarinë e tyre krijuese më të lehtë.
Fatkeqësia e lidhur me statusin e munguar të artistit apo të shkrimtarit shkon edhe një hap më tej. Referenca e vetme pozitive që mund të gjendet është ajo nga koha e diktaturës komuniste kur lehtësirat e trajtimi më i mirë i artistëve dhe shkrimtarëve ishte i rregulluar nga shteti, ata kishin një Lidhje përmes së cilës kishin një lloj rregullimi të veprimtarisë krijuese e promovuese. Ata e ato që e kanë njohur atë lloj trajtimi dhe kanë kujtesë pozitive për të, i gjen sot të flasin me nostalgji. Të tjerët e të tjerat që kanë vetëm kujtesën e folësve në dispozicion, i gjen të dëgjojnë me habi.
Fatkeqësia shkon edhe një hap tjetër më tej kur si folësit ashtu edhe dëgjuesit që merren me kujtesën pozitive për statusin e artistit dhe shkrimtarit, qëndrojnë sot në individualizmin e tyre të heshtur, pa pasur gatishmërinë të angazhohen për të ndryshuar qoftë edhe këtë gjendje të tyre që krahasuar me atë të kolegëve në vende të zhvilluara të rajonit, Europës e më tej botës, mund të thuhet se është e mjeruar.
Pyetja mbetet të shtrohet me të drejtë. Çfarë kupton dhe çfarë nuk kupton sot artisti e shkrimtari shqiptar lidhur me gjendjen në të cilën ndodhet e pozicionin e tij në raport me veten dhe shoqërinë? Nëse artistët e shkrimtarët që supozohen se kanë shqisat e neuronet më aktive për të ndier, perceptuar e përpunuar atë që normalët e tjerë nuk janë në gjendje ta bëjnë, nuk bashkohen të shpëtojnë veten, çfarë mund të pritet nga të tjerët?
Me një vëzhgim që mund të bëhet në përpjekje për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, pikërisht duke e nisur me artistët e shkrimtarët, mund të kuptohet në plotësinë e vet ajo çka tranzicioni apo më mirë sistemi i tranzicionit shqiptar i bëri shqiptarit si qenie njerëzore, shoqërore, politike, ekonomike që merr frymë e ka shpirt. Atë që ishte e vyshku, atë që synonte të lindte e nuk ia doli të largohet prej këtu, e thau që në rrënjë, mund të thuhet ne nota pesimiste.
Por çudia ndodh në çdo mbrëmje në sheshin e Teatrit Kombëtar ku protesta vazhdon. Është si ai prushi që mbahet ngrohtë nën hirin e një zjarri që duket i shuar, hirin e zjarrit të një shoqërie që ndoshta ishte planifikuar që duhej të vdiste apo të tjetërsohej. Hiri aty është, por po aty është edhe prushi. Nën hirin, me shpirtin gjallë e plot karakter në qytetarinë me të cilën e përjeton ekzistencën e mundimshme, prushi mban në vete shpresën për ndryshim.
Atdhetarizmi sot është një vlerë përgjithësisht e përçmuar në rrethet e artit e kulturës, e më gjerë në rrethet intelektuale, politike e shoqërore që përcaktojnë jetën tonë. Disa pseudopatriotë që kanë qarkulluar këto vite e kanë dënuar edhe më tej si vlerë se e kanë veshur me shembujt më negativë të mundshëm. Atdhetarizmi sot në rastin më të mirë pranohet kur vjen nga Diaspora e re dhe e vjetër, në nota folklorike e nëntoriste. Dhe ndoshta pikërisht këtu nis e keqja e madhe në pronësi të të Keqit nga i cili Zoti nuk po na liron dhe ndoshta me të drejtë nuk po na liron, sepse të keqen e të Keqin që e ka në dorë dhe e ushtron atë, ne si njerëz të prekur, në masivitetin tonë nuk po e njohim me zë si të tillë, nuk po e dënojmë si të tillë, nuk po e luftojmë e nuk po bëjmë përpjekje të përbashkëta që ta dëbojmë nga nata e gjatë e shpirtit.
Mbetet vetëm të përfytyrohet sesi do të kishte qenë përfshirja në zhvillimet e moszhvillimet shoqërore shqiptare të sotme, e artistëve dhe shkrimtarëve të brezit të Nolit dhe shokëve të tij, po qe se do të ishin gjallë. Do të kishin qëndruar ata në heshtje, të izoluar, me prirje individualiste e kështu të linin historinë të ndodhte para syve të tyre pasivë? Nuk është rastësi mendoj që një pjesë e mirë e protestuesve në Mbrojtje të Teatrit që vijojnë me qëndresën e tyre, kanë përvojë të paktën afatshkurtër si studentë në vende të huaja dhe/apo profesionistë emigrantë.
5.Shifra e parë më sekrete në Shqipëri është ndoshta sot ajo që paraqet nivelin e vërtetë të borxhit publik. Në mos e para, e dyta duhet të jetë ajo që paraqet numrin e shqiptarëve pjesë e asaj që quhet Diaspora shqiptare.
Nëse historia do të kishte vazhduar për shqiptarët ashtu si filloi me themelimin e Shqipërisë si shtet i ndërtuar nga Diaspora, roli i Diasporës sot do të ishte i bazuar në meritën e shkruar pikërisht në analet e historisë, një rol i rëndësishëm, i pazëvendësueshëm. Dashur-padashur Shqipëria e shqiptaria përbëhet nga ajo që shqiptarët brenda e jashtë saj japin në unison, në aspekt shpirtëror e material, në kontribut politik po aq sa dhe ekonomik.
Reduktimi i rolit politik të diasporës është një krim i nisur dhe ushtruar ndaj saj sidomos gjatë diktaturës komuniste. Izolimi i shqiptarëve në atë kohë duhej të ishte i plotë. Edhe çdo letërkëmbim i tyre me familjarë që ndodheshin jashtë ishte e duhej të ishte i përgjuar. Të gjithë që ndodheshin mund të ishin armiqtë e radhës të popullit e vendit, mund të ishin zëdhënësit e rrezikshëm të imperializmit, mund të ishin diversantët që donin të rrëzonin pushtetin komunist. Pas rënies së sistemit komunist dhe ngritjes e fuqizimit të sistemit të tranzicionit, fjala “diasporë” mori dy konotacione të tjera. I pari ishte i llojit tallës. Dikush nga Diaspora mund të ishte vetëm injorant lidhur me si shkojnë punët vërtet në Shqipëri e pikërisht për këtë e sidomos duke pasur parasysh se jetonte në kushte më të mira ty ku ndodhej, nuk duhej të kishte të drejtë të fliste për Shqipërinë. Kjo ndodhte sidomos atëherë kur prononcimet që pjestarët e Diasporë mund të bënin ishin të llojit negativ (mosmbështetës për qeverinë e radhës në pushtet). I dyti ishte i llojit shfrytëzues. Dikush nga Diaspora mund të ishte vetëm një agjent ekonomik i rëndësishëm për t’u shfrytëzuar, për remitancat që dërgonte në familje e për vizitat e paratë që shpenzonte gjatë qëndrimit në atdhe: si turist apo blerës shtëpie/banese, sidhe produktesh e shërbimesh të tjera në treg. Por vetëm kaq, pa të drejtë për t’u përzier në politika e për të kritikuar e dhënë mend.
Moskërkimi aktiv dhe me ngulm nga ana e përfaqësuesve të Diasporës i rimarrjes së një roli të rëndësishëm në rifillimin e Shqipërisë e shqiptarisë, ashtu si do të ishte dashur, pas rënies së sistemit komunist, është ndoshta një nga shkaqet e rëndësishme se pse tranzicioni shqiptar u kthye në sistem të tranzicionit. Kjo është një tezë që ndoshta nuk mund të provohet për vërtetësinë e saj sepse historia e këtyre tri dekadave tranzicion u bë tashmë e nuk mund të zhbëhet, por duke e parë si u zhvillua Shqipëria në periudhën 1912 – 1939 me përfshirjen më të fortë të diasporës, mund të projektohet një rifillim ashtu si duhet i Shqipërisë pikërisht duke e bërë më të pranishme Diasporën dhe kjo me meritë të plotë.
Teza tjetër që mund të ngrihet dhe që ndryshe nga e para ka mundësinë të provohet është që: cilësia e diasporës është përcaktuese në cilësinë e shtetit shqiptar.
Në periudhën para Luftës II Botërore Diaspora shqiptare përbëhej kryesisht nga ajo e vendosur në Turqi, në Itali, në Rumani dhe më e reja e asaj kohe, ajo e vendosur në SHBA. Secila prej këtyre pjesëve përbërëse të Diasporës ka kontributin e vet të shquar në momente të caktuara të zhvillimit të shtetit në fazën e parë të shtetformimit. Nëse rolin shpirtëror e përcaktuan më fort diaspora nga Turqia dhe Italia, që u dallua veçanërisht në prirjet politike që u zhvilluan nga qeveritë shqiptare në vite dhe zhvillimi i shoqërisë si e tillë, rolin më revolucionar e pati diaspora shqiptare e SHBA-së. Shqiptarët e Amerikës mësuan stilin e ekonomisë private perëndimore, jetën individuale në liri e barazi, me mundësi për prosperitet e lumturi të siguruar nga një kushtetutë republike të konsoliduar dhe ata prej tyre që u kthyen në atdhe në periudhën e viteve 1920 e sollën atë në vendlindje. Ata sollën normat amerikane të jetesës që mund të aplikoheshin për shqiptarin e thjeshtë e jo vetëm për shqiptarin aristokrat e me mundësi ekonomike për të njohur elitarizmin europian. Ishte revolucioni më i shëndetshëm që mund të importohej në Shqipëri. Pa bolshevizma e pa gijotina. Një frymë e re hyri në vend, një frymë thellësisht përparimtare edhe në aspektin kulturor e intelektual. Vizionin që bartej përmes saj e përcillnin më së miri organe si Dielli i Vatrës e personalitete si Noli apo Konica, organe e personalitete shqiptaro-amerikane që duhet thënë që sot i mungojnë spektrit kulturor e shoqëror shqiptar. Zëri i Diellit nuk arrin sot i fortë deri në Shqipëri dhe personalitetet shqiptaro-amerikane si Noli apo Konica, edhe nëse ekzistojnë, nuk janë edhe aq të zëshëm. Ndoshta presin për diçka.
Në periudhën e paskomunizmit, nisur ndoshta pikërisht nga fakti që Diaspora shqiptare tashmë është e shpërndarë në shumë më tepër shtete, është e pakoordinuar, e padakordësuar në mes vedi dhe e pazëshme me një zë të përbashkët ngulmues, vizioni i saj nuk dihet se cili është. Gjithashtu ende mbetet e paqartë se roli i cilës Diasporë po e përcakton më fort vazhdimin e procesit të shtetformimit shqiptar. Si të koordinohen në mes tyre e cila Diasporë mund t’i japë fytyrën më bashkëkohore, përparimtare, domethënëse e ndihmuese kontributit shqiptar që vjen nga jashtë kufijve?
Një përpjekje e përbashkuar vetëdijësuese dhe ngulmim lobues pranë qeverive shqiptare në vijimësi, do të bënte që Diaspora shqiptare të përcillte shembullin e qytetarisë, kohezionit, mbipartishmërisë, e mbarëkombëtarizmit si tipare të domosdoshme për një kulturë shoqërore dhe shtetërore që nuk ka arritur të stabilizohet e të bëhet pjesë e kulturës sonë të shpërndarë anembanë në botë.
Një nismë shumëvjeçare e Diasporës, ambicioze e që qysh në fillesë u mendua si e tillë, me vizion mbarëkombëtar, mbipartiak, intelektual, mund të dëshmohet në kohët moderne që është ajo e Alb-Shkencës. Alb-Shkenca u krijua me qëllimin e bashkërendimit mes studiuesve shqiptarë në Diasporë e atyre në atdhe, për të ndihmuar në transferimin e qarkullimin e dijes, për të sjellë më të mirën e intelektit të emigruar shqiptar me synim dhënien e kontributit për zhvillimin në vend. Mosvendosja e moszhvillimi i saj fizik në asnjërën prej tre kryeqendrave në Ballkan, Tiranë, Prishtinë apo Shkup, ndikoi në mosrritjen e saj ashtu si ishte menduar fillimisht. Zhvillimi i saj virtual vazhdon por rezultatet nuk janë aq të dukshme sa ajo të shërbejë si një shembull që mund të ndiqet në fusha të tjera si shembull suksesi i padiskutueshëm. Megjithatë, Alb-Shkenca dëshmon se organizimi i padetyruar nga lart por me vullnet të të ngjashmëve që jetojnë e punojnë në vende të ndryshme në emigracion si Diasporë, është i mundshëm edhe me financa minimale. Ajo që kërkohet është përkushtim, vullnet për të gjetur emërues të përbashkët edhe kur duket i pamundur sidhe vizion të llojit të parashtruar më lart.
Që prej vitit 2005 e në vijim qeveritë në pushtet kanë shprehur më shumë vullnet dëgjues e përfillës përkundrejt Diasporës, megjithatë përfshirja politike e saj mbetet ende një premtim i parealizuar. Elementë të veçantë të “importuar” nga Diaspora janë bërë pjesë e vendimmarrjes, qeverive, botës akademike, fillimisht përmes programit “Brain Gain” dhe në vazhdimësi si prurje përmes njohjeve personale të krerëve të politikës, gjë që përbën një fillim por jo më shumë se kaq. Sot kemi edhe një Ministri që i kushtohet Diasporës dhe fatmirësisht kjo po ndodh paralelisht si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Por krahasuar me zhvillimet në periudhën 1912 – 1939, mbetemi ende mbrapa në këtë drejtim sepse përpjekjet nuk kanë sjellë ndryshime thelbësore në përfshirjen e angazhimin konkret të Diasporës në atdhe.
Është interesante që në disa aspekte të jetës së dy popujve respektivë, ka një ngjashmëri në mes punës që Diaspora hebreje ka bërë për Izraelin me punën që Diaspora shqiptare ka bërë për Shqipërinë, Kosovën e përgjithësisht shqiptarët në rajonin tonë. Interesante është gjithashtu që në vendosjen në emigracion e përfshirjen si pjesë e Diasporës, shqiptarët arrijnë më lehtësisht të kenë vizion mbarëshqiptar sesa kur mbeten të mbyllur në qytetin apo fshatin e tyre të origjinës në atdhe.
Duke pasur parasysh thyerjen e rëndë që ndodhi në karakterin e individit e të shtetit shqiptar me komunizmin, sigurisht që krahasimi tani është i vështirë, por ajo që mund të merret si një shembull i padiskutueshëm suksesi lidhur me angazhimin nga diasporat e popujve që kanë numër të madh emigrantësh të shpërndarë në vende të ndryshme të botës, është World Jewish Congress, që qysh në zanafillë, me kryeqendër në Gjenevë ku edhe u zhvilluan Kongreset për organizimin e hebrenjve me idenë e krijimit të Izrealit, u mendua si federatë ndërkombëtare e komuniteteve dhe organizatave hebreje në botë, me qëllim kryesor të vepronte si “krah diplomatik i popullit hebre”.
Vizioni i konsolidimit të Diasporës shqiptare për të ndikuar me cilësi më të lartë mbi zhvillimet shqiptare mund të ishte ai i krijimit të një lidhjeje ndërkombëtare të komuniteteve dhe organizatave shqiptare në botë, një lidhje që qendrën ta kishte aty ku shqiptarët janë më mirë të organizuar e ku mund të bëjnë lobim më të fortë për interesat shqiptare, sa më pranë vatrës së fuqisë ndërkombëtare që ndikon më së shumti për të ardhmen e shqiptarëve. Në këtë aspekt, si kryeqendër e parë e tillë mund të vinte në fjalë Washington DC, duke marrë si bazë tharmin e organizmave më të mirë shqiptaro-amerikane, nisur me Vatrën me përvojë mbi 1-shekullore, për të ngritur një strukturë që bazohet dhe promovon parimet që qëndrojnë në bazë të shtetit, demokracisë e ekonomisë më të konsoliduar të botës. Qendra të tjera organizative do të mund të ishin edhe Brukseli, Londra, Berlini, Vjena, Roma, Athina, Stambolli e pse jo edhe të tjerë qytete.
Misioni i kësaj Lidhjeje mund të ishte: të ndikonte në mënyrë afatgjatë mbi zhvillimin e shteteve shqiptare në rajonin tonë, të koordinonte veprimtarinë lobuese në favor të zhvillimit të interesave shqiptare kudo në botë, të ishte një shtyllë mbështetëse për mbarëvajtjen dhe rritjen e ndikimit të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.
6.
Le t’i kthehemi në këtë pikë urtisë së Nolit, urtisë së tij në vitet e moshuara, kur fliste para komunitetit shqiptar të Vatrës në SHBA dhe të bëjmë një ekskurs këtu duke e sjellë në përmbyllje të kësaj trajtese në mënyrë dokumentare me nolishten e tij të folur plot humor.
Me fjalën e tij ai na lë trashëgimi të mendojmë pikërisht në drejtim të këtij angazhimi afatgjatë dhe të mençur të Diasporës shqiptare e të rolit të kulturës e njerëzve të kulturës e mendimit në këtë sipërmarrje të rëndësishme. Më tej, është shqiptaria e zgjuar dhe e angazhuar ajo që është e nevojshme të kultivojmë, mendja shqiptare që është në gjendje të hulumtojë dhe kuptojë botën e aktorët kyçë të saj para se historia të na ndodhë e ta pësojmë pa mundur ta ndikojmë.
Noli shprehej[9]:
„Shumë nga shqiptarët na qahen me këtë mënyrë: Ore, ç’keni bërë që lëvdoheni aq shumë?
Edhe kur ta thonë me këtë mënyrë, natyrisht që sikur ta presin gjuhën. Se s’kemi lënë kusur. I kemi bërë që të gjitha pothuaj.
Ç‘kishim në program?
Kishim në program një Shqipëri indipendente? E bëmë. Të mirë a të keqe, e bëmë. Nuku mund të presmë nga foshnja që t’i ketë të gjitha mirësitë. Foshnjës duhet t’i ipet kohë të rritet dhe të tregojë se ç’është. Si mund t’i qortosh prindërit, edhe t’u thuash: ç’kini bërë me këtë foshnjë këtu? Duhet të presë derisa të rritet foshnja, edhe të shikojë se ç’lule është.
Shqipërinë që kishim në program ta bënim, e bëmë. Bëmë një Shqipëri indipendente.
Kishim në programin tonë që të bënim një kishë autoqefale të Shqipërisë, e bëmë. Të mirë a të ligë, e bëmë. Ua lëmë si barrë të tjerëve që t’i mirësojnë. Ne e bëmë.
Tashi, pasi ta bëjmë këtë lëvdatë, duhet t’u heqim vërejtjen shokëve e t’u thom: që këto të gjitha nuk i bëmë nga e mosqena, nga hiçja. Për shembull, shumë thonë se shqiptarët s’kanë patur patriotizmë. Gjë më e gabuar se kjo s’ka.
…
[…} ne nuk e inventuam, nuk e shpikmë patriotizmën shqiptare. E gjetëm. E vetmja gjë që bëmë është që atë patriotizmë që ekzistonte mes shqiptarëve, u përpoqmë ta organizojmë, ta kanalizojmë.
Arsyeja pse na vajte puna mbarë, është se kishëm një popull që me të vërtetë e deshte Shqipërinë. Edhe një popull i cili jo vetëm kishte patriotizëm, virtutën e patriotizmës, por kishte edhe disa virtuta të tjera, nga të cilat do të numëroj vetëm një, të cilën na e kanë thënë të gjithë të huajtë që kanë vizituar Shqipërinë.
Kur hyri Shqipëria në Lidhjen e Kombeve, përfaqësonjësi i Hindit, i cili atëhere rastisi të ishte një muhamedan, Muhamed Aliu, bëri këtë lëvdatë shqiptarëve:
Sot, tha, bëmë punën më të bukur që qasëm Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve. Sikur të studioni historinë e gjithë kombeve që janë çliruar, nuk do të gjeni asnjë shembëll si këtë që shohëm sot në Shqipëri. Shqipëria është i vetmi vend, që tri fera të ndryshme, pasanikët e të cilave kudo theren me njëri-jatrin, janë bashkuar për të krijuar një shtet indipendent. Ky është i vetmi vend në botë, thotë, në të cilin muhamedanë, orthodoksë dhe katolikë, janë lidhur që të gjithë dhe kanë bërë një shtet indipendent. Ky nga sa di, shtoi, është i vetmi vend, i cili ka një shumicë muhamedane, edhe na dërgon këtu si përfaqësonjës një peshkop orthodoks.“
Më tej Noli vijon…
„Çdo problem i çdo kombi sot që është bërë bota një, e njëshme sot, është problem vetvetiu ndërkombëtar, që në krye gjer në fund. Problemi i Shqipërisë do të zgjidhet kur të zgjidhen të gjitha problemet e botës.
…
Qysh do ta zgjidhim këtë problem? Ka dy shkolla, dy sisteme mendimesh të cilët japin një zgjidhje.
…
[…] duket sikur bota është e ndarë në njëzet e tridhjetë -izma të ndryshme. Pas mendimit tim, gjithë këto shkolla mund të përmblidhen në dy kategori: shkolla e biçakçinjëve – ata që besojnë biçakun, jataganin, edhe shkolla e kalemxhinjve, po në kuptimin e shkollës – e mënyrave paqësore.
…
[…] ç’zgjidhje mund të japë biçaku dhe jatagani. Biçaku dhe jatagani e kanë patur fjalën që kur ka lindur njeriu edhe gjer më sot. Luftëra mbi luftëra, edhe jatagani ka lojtur më të djathtë e më të mëngjër, dhe ç’bëri jatagani? Luftë dhe luftë dhe luftë e s’jep ndonjë zgjidhje se jatagani di vetëm të presë, edhe sikur të priste lakra s’prishte punë, por pret kokë. Edhe nuk do të rrijë rehat gjersa të presë kokën e fundme të njeriut. Atë zgjidhje mund të japë jatagani.
Edhe kjo më kujton një mesele.
Njëherë ishim mbledhur në Tiranë, edhe po mejtonjeshim disa shokë, si mundim ta spastrojmë Tiranën. Ahere qe qelbur. Nuk di si është tashti se s’kam vajtur. Por atëhere kundërmonte. Cilido jepte mendimin e tij. Jo duhet bërë kështu, jo duhet bërë ashtu.
Miço Çekani (shënim LK: emri ndoshta nuk është i saktë sepse nuk dëgjohet mirë!) dha një mendim. Mendimi i tij ishte ky: si të spastrohet Tirana, të bëhet qytet i pastër…. të bëjmë, tha, një mur rretherrotull Tiranës, edhe pastaj t’i vëmë zjarr. Ta djegim.
Një nga ata u hodh: Po sikur të shpëtojë një jashtë?
Atëhere u prish tërë pllani.
…
[…] argumenti i madh i biçakçinjve, i atyre që janë në favor të jataganit është: si mund të fitohet gjë pa gjak dhe pa luftë? Ai s’mund të kuptojë gjë, pa jataganin, pa luftën.
Do të jap dy shembëlla që ta kuptoni menjëherë që luftërat më të mëdha të botës janë zgjidhur pa shkryer asnjë dyfek, edhe pa vrarë asnjë njeri.
…
Cilat janë këto luftëra?
Lufta e Krishtërimit. Krishtërimi e fitoi të tërë, në kohën e Shën Konstandinit e fitoi tërë botën. Nuk vrau njeri, me mënyra paqësore e arriti.
Do të thoni një tjatër shembëll. Shembëlla e Hindit. Hindia vajti pas Gandit. E pyetnë Gandin, si mundet ta çlironjë Hindin dhe u tha: ne me njëzet mijë veta, të cilët bëjnë ashtu siç i thom unë. Edhe do ta çlirojmë Hindin. Edhe nisi fushatën e tij. Pa përdorur mjete violente, edhe pa luftë, pa bërë kryengritje, pa shkryer dyfekë, dhe e çliroi Hindin.
[…] Gandi na tha mënyrën me të cilën e bëri, një tjatër mjet me të cilën e bëri. Më e mira mënyrë për ta thyer armikun, është t’ia kthesh mendjen, ta fitosh për veten tënde, ta konvertosh. Kur e godit armikun me grusht, tregon vetëm që je më i zoti, më i forti nga pikëpamja fizike. Kur e konverton dhe e fiton në mendim, atëherë i provon që je më i lartë se ay nga pikëpamja spirituale. Ajo është fitim i plotë. Ua mbushi kokën inglizëve që jemi 400 milion veta, edhe s’të duam, po të ikësh, të shporresh që këtej.
Më tej Noli vijon mbi „mënyrën e Shën Kostandinit“:
„Shën Kostandini ka patur dy periudha në jetën e tij. Periudhën para se të fitonte Romën, periudhën para se të bëhej i krishterë, kur ishte pagan. Shumë pak njerëz ndofta dinë që Shën Kostandini ka qenë një nga gjeneralët më të mëdhenj të Perandorisë Romane. Edhe kanë të drejtë, fare të drejtë. Gjeneralë të mëdhenj si Shën Kostandini prodhoi edhe shumë të tjerë Roma, edhe emrat e tyre kush i di, ndonjë historian budalla si unë që kam vënë tërë forcën në histori. Asnjeri nuk ua di emrin, as ua ka dëgjuar ndonjëherë. Shën Kostandinin e dine të gjithë. Përse? Jo si gjeneral që fitoi lufta me jatagan, po si gjeneral i cili imponoi krishtërimin mbi Romën. Domethënë e hodhi jataganin tutje, edhe mori ungjillin në dorë.
Një zgjidhje e tillë mund të vijë prapë. Bota njerëzore që lindi një njeri si Shën Kostandini mund të lindë edhe një tjatër Shën Kostandin, i cili të vijë dhe të na shpëtojë nga këto mjerime, të cilat do të na presin në qoftë se bëhet një luftë tjatër.
…
Mos harroni, Shën Kostandini ka qenë shqiptar, shqiptar nga raca. Kështu që s’është çudi që Shën Kostandini qe do të mund të vijë të na shpëtojë nga lufta, të jetë përsëri shqiptar. Po në mos qoftë shqiptar, duhet të përpiqemi që atij Shën Kostandini t’i japim ushtarë, edhe ushtarët do t’ia japim të dërguar djema në shkollë të mësojnë, edhe të përpiqen tok me Kostandinin e ri dhe gjithë Shën Kostandinët e shenjtorët e tjerë, në mënyra paqësore, të na shpëtojnë nga mjerimi më i madh që mund t’i ngjajë njerëzisë, nga Lufta e Tretë Mondiale.“
===
Autorja falenderon znj. Neka Doko, drejtuese e Bibliotekës së Nolit në Boston për vendosjen në dispozicion e skanimin e disa materialeve qe u shfrytëzuan si referenca për këtë shkrim.
REFERENCA:
– Alfred Uçi. Fan Noli dhe Shekspiri. Gazeta Shekulli, 16.02.2015 (URL: http://shekulli.com.al/fan-noli-dhe-shekspiri/) (lidhje e aksesuar më 20.10.2018)
– Edwin E. Jacques. The Albanians: an ethnic history from prehistoric times to the present. McFarland & Company, Inc. Publishers, 1995.
– Miranda Vickers. The Albanians: a modern history. I.B.Tauris, 1995.
– Nasho Jorgaqi. Në: Fan Noli kryeministër. Fondacioni Fan Noli. Botimet M&B, Tiranë 2015.
– Raymond Zickel dhe Walter R. Iwaskiw, editors. Albania: A Country Study. Washington: GPO for the Library of Congress, 1994.
* Tiranë, Mars 2019- Fituese e cmimit për essenë më të mirë në konkursin e
organizuar nga Vatra me rastin e 110-vjetorit të gazetës Dielli
[1] Cituar sipas Nasho Jorgaqit, në Fan Noli kryeministër, fq.33.
[2] Referuar sipas Miranda Vickers, në The Albanians, fq.112.
[3] Referuar sipas Miranda Vickers, në The Albanians, fq.112.
[4] Referuar sipas Miranda Vickers, në The Albanians, fq.114.
[5] Cituar nga Nasho Jorgaqi, në Fan Noli kryeministër, fq.33.
[6] Cituar nga Raymond Zickel dhe Walter R. Iwaskiw, 1994.
[7] Referuar sipas Miranda Vickers, në The Albanians, fq.111
[8] Referuar sipas Edwin Jacques, në The Albanians, fq.377.
[9] Pjesë e transkriptit nxjerrë me këtë rast nga një fjalim që ai ka mbajtur në vitin 1963 e që në internet mund të gjendet në Youtube nën titullin „Fan Noli, fjalim 1963 audio regjistrim (1) dhe (2).