• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Zemërimi që vret gra

March 4, 2023 by s p


Një reflektim pas tragjedisë më të fundit shqiptare.


Nga Lindita KomaniTiranë/

Emocioni i zemërimit mund të shfrytëzohet në mënyrë virtuoze sikurse mëson Tomas Akuini dhe të përdoret për të vënë në vend padrejtësi. Por emocioni i zemërimit është njëkohësisht ai që shtyn edhe drejt vrasjes të një njeriu. 
Tendenca për ta pasur këtë emocion është e trashëgueshme në masën rreth 50%. Masa tjetër prej 50% varet nga kushtet rrethuese: familja, edukimi në shkollë, shoqëria, kultura.
Zemërimi i pavënë nën kontroll nga personi vetë mund të shpërthejë në çaste të pamenduara, kur ka qenë i mbledhur në kohë, ose kur ka përsëritje të një situate të ngjashme të ndodhur në të shkuarën. Zemërimi mësohet të vihet nën kontroll që në periudhën e zhvillimit nga fëmijëria deri në moshë madhore, me ndihmën e edukimit nga prindërit, nga mësuesit dhe kultura që mbizotëron në një shoqëri. Fëmija kopjon prindërit në sjellje, kopjon të afërmit, kopjon mësuesit, kopjon shokët.
Çdo herë që ndodh një vrasje gruaje në Shqipëri bëhet e qartë që sistemi i edukimit të vetëkontrollit për atë burrë ka dështuar plotësisht. E kundërta ndodh shumë më rrallë, pra të rralla janë gratë që vrasin burra, ndoshta thjesht sepse nuk kanë fuqi fizike për ta përballuar një akt vrasjeje, por edhe sepse u është mësuar vetëkontrolli shumë më tepër se burrave.
Kultura shqiptare ka të stabilizuar modelin e pushtetit të burrit mbi gruan dhe ky model me gjithë ndryshimet që kanë ndodhur në këta tridhjetë vjet, përsëri mbetet mbizotërues. Kjo hedh benzinë mbi zjarrin e zemërimit dhe tërbimit burrëror. Këtë pushtet burri që ka probleme personaliteti synon ta vendosë që në çastin kur e di që e ka lidhur pas vetes gruan/partneren dhe mendon se ka të drejtën ta mbajë sa të dojë. Kultura do shumë kohë të ndryshojë dhe ndryshimi i saj nuk bëhet me dhunë por në mënyrë evolutive dalëngadalë. 
Tani situata është më ndryshe sesa para 30 vitesh dhe pas 30 vitesh të tjerë mund të jetë ndryshe nga ç’është tani. Në raport me të shkuarën ndryshim ka ndodhur në raport me pushtetin e gruas në familje dhe shoqëri, por jo në mbrojtjen e saj fizike dhe mendore. Përkundrazi, në këtë drejtim ka një keqzhvillim të theksuar, i cili edhe më i keq do të bëhet sa më shumë do të liberalizohet shoqëria dhe gruaja të përparojë, dhe kjo jo sepse gruaja duhet të mbetet e prapambetur që të mos vritet, por sepse burri duhet të mësojë vetëpërmbajtjen me patjetër.
Sa i përket të ardhmes së dhunës, logjika bazuar në faktet që shoh, më bën të mendoj që ajo vetëm se do të shtohet për aq kohë sa çoroditja shoqërore do të vijojë. Kultura e dhunës po na mësohet dhe imponohet nga ekrani. Fëmijët që të vegjël janë të çoroditur. Po shohim skena dhune mes vajzash që rrihen mes njëra-tjetrës. Kemi parë për raste përdhunimi dhe abuzimi seksual mbi vajza që mbahen në presion me video intime. Fëmijë të vegjël sillen si të rritur të çoroditur nga sa shohin në ekrane televizive dhe kompjuterike, ushtrojnë seksualitetin që në moshë para adoleshence, krijojnë varësi nga dobësitë e tyre. Të dhënat për përdorimin e drogës nga të rinjtë janë të frikshme. Këta fëmijë e adoleshentë për 10-15 vjet do të jenë të rritur. 
Mendoj që do të mund të kishte një qetësim të situatës nëse do të kishte një përqendrim tek e mira, tek familja dhe tek e përbashkëta. Jo tek vendosja e vetes në qendër të një bote të vockël egoiste ku ushtron instinktet duke harruar që je njeri dhe jo kafshë. Jo tek jeta e shfrenuar seksuale që promovohet përmes ekraneve televizive dhe kompjuterike. Jo tek shfrytëzimi i personit tjetër si vegël dhe mostrajtimi si njeri. Jo tek mosrepektimi i tjetrit. Jo tek mospranimi i të drejtës për mendim ndryshe. Gjithashtu mendoj që do të kishte një qetësim të gjendjes sikur situata ekonomike, politike dhe shoqërore të ishte më e qetë dhe e begatë. Dhe së fundmi, por ndoshta e para për nga rëndësia, nëse në familjet tona Zoti do të ishte udhëheqësi i jetës shpirtërore.

Filed Under: Analiza Tagged With: Lindita Komani

Veprimtaria diplomatike e Midhat Frashërit në mbështetje të Kosovës

November 20, 2021 by s p

Nga Lindita Komani

Nëntor 2021

Mbështetja dhe mendimi për Kosovën. Në një letërkëmbim me Bedri Pejanin, i cili mesa duket i ishte kundërvënë lidhur me qëndrimin që Midhati kishte për Kosovën (letra e Pejanit nuk është e ruajtur), Midhati parashtron në mënyrë konçize qëndrimin e tij për rrugën e vetme sesi Shqipëria mund t’i ndihmojë Kosovës, ndaj edhe i theksonte në këtë mënyrë arsyen se pse ai nuk mund të ishte demagog dhe të premtonte për kosovarët gjëra të pamundura. Ai i shkruante (21 mars 1921):

“Po ti e di se nuk jam demagog prej atyre që rrejnë dhe japin fjalë edhe shpresa të kota. Pra të thom:

1. Kosova asht tokë Shqiptare. 2. Kosova nuk e shpëton Shqipninë, Shqipnia e shpëton Kosovën. 3. Ne dimë me e shpëtue Kosovën, por duhet ma parë me forcue Shqipninë, se anija do nji hu që të lidhet. 4. Për me forcue Shqipninë, duhet që të ketë paqe. 5. Për me pas paqe, duhet me jetue mirë me fqinjët. 6. E shoh nji punë kriminale me u dhanë kosovarvet shpresë të kotë dhe me i marr në qafë. 7. Duhet me i bind Kosovarët si me jetue urtë e me ruejtë interesat e tyne në rrugë të nomit.”

Mbështetja për çamët. Në një letër të Hajredin Bakos, nga shoqata Çamëria në SHBA (15 janar 1921) kuptohet që anëtarët dhe drejtuesit e saj e kishin Midhat Frashërin si pikë reference për të marrë këshilla mbi bazat e veprimtarisë që duhet të kishte kjo shoqëri. Midhati pra ishte një burim frymëzues si për djelmërinë kosovare sikurse u paraqit në letrën e Mehmet Vokshit ashtu edhe për çamët të cilët qoftë edhe në distancë dëshironin të mbanin qëndrimin e tyre mbi çështjen e Çamërisë. 

Çështja Avni Rustemi. Një nga gjetjet më interesante gjatë leximit është e lidhur me qëndrimin e Midhat Frashërit për Avni Rustemin. Në kohën kur Esad Pasha ishte bërë një rrezik i vërtetë dhe konkret për përpjekjet e Shqipërisë në Konferencën e Paqes, vrasja e tij ndodhi dhe Avni Rustemi u gjend përballë drejtësisë franceze. Por në këtë përballje Avni Rustemi nuk ishte vetëm, ai kishte mbështetjen e Midhat Frashërit, gjë që shprehet qartë në letërkëmbim me përpjekjet që Midhati ka zhvilluar në shumë drejtime për ta shpëtuar Avni Rustemin nga gjykimi dhe burgosja në Francë.

Në një letër për Arif Dinon, student në Zvicër (25 korrik 1920), Midhati i bën të ditur se e kishte njohur Avniun në Romë gjashtë muaj më parë dhe se e kishte takuar edhe në Paris. Për këtë ishte thirrur madje “nga gjykatësi hetues Z.Driou për të thënë gjithë sa dija për Avniun”. Në një letër të mëhershme për Arif dhe Ali Dinon, ai u kishte kërkuar atyre, që në emër të studentëve shqiptarë të Zvicrës të dërgonin një letër në adresë të ministrisë së drejtësisë dhe kryeministrisë në Francë, ku t’i dilnin krah Avni Rustemit. Të njëjtën gjë ai i kërkoi Asdrenit në një letër të 30 korrikut 1920, ku i shkruante se “gazetat italiane thonë se studentët shqiptarë t’Amerikës i bënë një lutje ministrit të Drejtësisë këtu në Paris, për vrasësin e Esadit, Avni Rustemin”. Ai u mor drejtpërdrejt me koordinimin me avokatin e Rustemit sikurse shprehet në letrën e 12 gushtit drejtuar Asdrenit: “Po të çoj këtu një model si duhet ajo shkresë për Rustemin, se avokati që e mori përsipër punën e tij, e gjen fort të nevojshme. Pra, në e kini për ta bërë, çojeni shpejt me postë si edhe mua një kopje.” Pas njoftimit që kishte çuar në Amerikë me rastin e shpalljes së pafajshëm të Rustemit nga gjykata franceze, Andrea Pandele nga Federata Vatra i dërgon këto rreshta (3 dhjetor 1920) që dëshmojnë edhe mbështetjen e madhe që Vatra dha për Rustemin: 

“I dashur Zot,

Muarmë kabllon tuaj, me anën e së cilës na lajmëronit për Avninë, që gjyqi e nxori të pafajshëm. U gëzuam pa masë për lirimin e trimit tone, i cili çliroi Shqipërinë nga një kuçedër. Sipas porosisë suaj, iu kablluan sot 2000 dollarë (franga 33 058) nga fondi i mbledhur për Avninë. U dërguan me anën e bankës së atyshme Guaranty Trust Co.”

Dhe ja sesi e shprehu Avni Rustemi vlerësimin për Midhatin me rastin e largimit nga Franca (10 dhjetor 1920):

“I ndershmi Midhat be,

Unë sonte do të shkoj. Erdha në Delegasion, po mjerisht nuk ju gjeta për t’ju thënë me shëndet. Ju lë, atëherë, këtë letër si për shenjë të ndjenjave më të shquara q’ushqej për Zotërinë Tuaj, se jinni udhëheqësit e idealit kombëtar dhe Djalëria q’është djalëri, këtë gjë e ka njohur, e njeh dhe do ta njohë; edhe gëzohet e nderohet ajo Djalëri, kur sheh se Dera e Frashërit jua ka lënë Zotërisë tuaj trashëgimin e idealit kombëtar, q’i përkitte në kohërat më të errëta të regjimit despotik.”

Midhati përballë Nolit. Në letërkëmim janë të ruajtura vetëm letra që Midhati i ka dërguar Nolit (21 shkurt dhe 13 korrik 1921). Në to perceptojmë një qëndrim të kujdesshëm dhe vlerësues të Midhatit për Nolin. Megjithatë, duke lexuar edhe letra të tjera për të cilat do të referojmë si vijon, vëmë re që një lloj rivaliteti kishte lindur mes këtyre dy figurave që në vitin 1920 dhe nuk ishte Midhati ai që e kishte nisur atë.

Nëpërmjet një letre të Pandeli Evangjelit për Midhatin (15 tetor 1920), mësojmë se Noli kishte dalë kundër misionit të Midhatit në emër të qeverisë shqiptare për të nënshkruar huanë e brendshme. Evangjeli shkruan: “Na ka ardhur shumë keq për ato që ngjanë me sërën e Peshkopit Noli, të vullnetarëve dhe me propagandën e keqe që bëhet atje.” Dhe pak më poshtë: “Duhet të kemi shpresë se ky incident do të marrë fund dhe do të pendojë armiqtë tanë të përfitojnë nga çarjet tona.” Dhe më tej: “N’është se qeveria e bëri këtë çap, se ashtu e ka dashu nevoja dhe interesi i politikës së sotme të Shqipërisë, duke u ndodhur përpara një dileme të rëndë, atëherë duhet të shkelim edhe ne përmbi zemrat, si mundet që kanë bërë edhe qeveritarët; nuk është për të besuar që atje poshtë, në atë Shqipëri të vogël sundon një qeveri antipatriotike. Në qoftë puna kështu, duhet që për interesin e Shqipërisë dhe ne të tjerët shqiptarë si dhe Peshkopi, t’i durojmë të gjitha hidhërimet.” Një gjë që nuk kishte kuptim, sepse sikurse e dëshmon historia e çdo shteti të botës, bonot e thesarit që lëshohen nga qeveria janë forma bazë me të cilën shteti financon veprimtarinë e vet, sidomos në periudha kyçe siç është ajo e fillimit të veprimtarisë së saj. Ç’të keqe do të kishte sikur sa më shumë shqiptarë nga diaspora në Amerikë të angazhoheshin duke blerë bono të shtetit shqiptar? Përkundrazi, kjo do të konsolidonte lidhjen e tyre si individë dhe diasporës shqiptare në tërësi me shtetin shqiptar dhe do ta bënte më të vetëkuptueshme nevojën për punë serioze nga ana e qeverisë për ta shlyer këtë borxh.

Me një letër të 30 dhjetorit 1920, kryeministri Vrioni e njoftonte Midhatin, i cili që prej një muaji ishte emëruar nga Këshilli i Ministrave si kryetar i delegacionit në Paris dhe kishte zëvendësuar Nolin në këtë detyrë, që “Fan Noli ka mendimin që duhet shkatërruar Delegata e Parisit dhe duhet rishikuar përfaqësimi në Paris e në Londër”. Por edhe Midhati disa muaj më vonë duket se i mbajti qëndrim Nolit pas këtyre dy sulmeve që ai i bëri. Më 16 maj 1921, Midhat Frashëri i shprehte Iliaz Vrionit idenë që Vatra të mos përzihej në politikën e brendshme në Shqipëri, por të përqendrohej tek veprimtaria e saj për promovimin e kulturës shqiptare si dhe të ndihmonte emigrantët e rinj të integroheshin në Amerikë.  

Vajtja e Midhatit në SHBA u shoqërua me entuziazëm shumë të lartë në komunitetin shqiptar që vërehet në numrin e madh të letrave që ai ka pritur nga shumë veprimtarë të Vatrës. Kjo mund të ketë shkaktuar ndoshta pasiguri tek Noli. Si person me ambicie politike që shpejt u dëshmua se ishte e nivelit më të lartë, Noli ndoshta i druhej Midhatit për shkak të prejardhjes familjare që ai kishte. Mendojmë që vendosja përballë e këtyre dy figurave meriton një studim më vete, sepse të dy i kanë përkitur të njëjtit grupim intelektualësh të përndritur që kanë synuar një zhvillim të ri social për Shqipërinë dhe fokus të ri në marrëdhëniet diplomatike, por me përqasje të ndryshme.. 

  1. Rindërtimi i veprimtarisë së Midhatit në Konferencën e Paqes dhe në raport me Lidhjen e Kombeve

Diplomacia ashtu si edhe politika cilësohen si art i së mundurës. Shqipëria që nga Lufta I Botërore nuk doli si vend fitues, por si një vend i pushtuar nga Austro-Hungaria, e kishte pranuar këtë pushtim dhe ishte përpjekur të ndërtonte aq sa ishte e mundur ekzistencën e saj të brishtë që u cënua shumë shpejt pas pavarësisë. Duke i shtuar këtyre rrethanave faktin që fondet në dispozicion për të mbështetur veprimtari lobimi dhe diplomatike ishin shumë të ulta, vlen të theksojmë sesa e jashtëzakonshme ka qenë veprimtaria e intelektualëve shqiptarë kudo ku ata jetonin, për të nxitur mbrojtjen e të drejtës së shqiptarëve për një shtet të pavarur dhe për të arritur të paktën në kufijtë që ishin caktuar pas Konferencës së Londrës në 1913. Shtete si Britania e Madhe dhe Franca që nuk shquheshin si mbrojtëse të Shqipërisë duhet të ndryshonin qëndrim për të. Ndërkohë Austro-Hungaria nuk ekzistonte më si e tillë dhe lavdia e perandorisë që kishte ndihmuar shqiptarët në 1912 dhe 1913 po copëtohej pas humbjes së luftës. Kjo është një arsye e fortë, pse ky libër ka vlerë të madhe dhe duhet të studiohet me seriozitet nga historianë e diplomatë dhe një sintezë e tij në formë të thjeshtësuar të pëfshihet sa më shpejt në librat e historisë për të plotësuar njohuritë që u jepen të rinjve lidhur me vlerën e diplomacisë të atyre tre viteve shumë intensive të jetës shqiptare (1919-1921).

Rrugëtimi diplomatik i Midhat Frashërit nis plot vizion me kontaktimin e personaliteteve të larta politike dhe diplomatike në tre shtete europiane: Britani e Madhe, Francë dhe Itali. Do të njihemi si vijon me emrat dhe përmbajtjen e këtyre shkëmbimeve të rëndësishme.

Pichon dhe Harry Lamb

Vetëm 9 ditë pas mbarimit zyrtar të Luftës së I Botërore, Dr.Turtulli dhe Midhat Frashëri në emër të Vatrës paraqitën kërkesën në adresë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës dhe Foreign Office të Britanisë së Madhe për të fituar të drejtën e vajtjes në Francë dhe Britaninë e Madhe me qëllim parashtrimin e ankesave dhe dëshirave të kësaj organizate pranë qeverive respektive. Ministrit francez Pichot i përmendën Esadin si një person i urryer nga krejt shqiptarët dhe i cili nuk mund të jetë përfaqësues i tyre, ndërsa britanikut Harry Lamb i përmendën faktin që 60 000 shqiptarët që ata të dy përfaqësonin jetonin të lirë si banorë të një vendi liberal. Me këto dy finesa diplomatike fillon veprimtaria madhështore e Midhatit në diplomacinë e periudhës së Konferencës së Paqes dhe fillimit të Lidhjes së Kombeve. 

Kontaktet në Itali

Disa ditë më vonë ai dërgoi letër për kolonelin Castoldi nga Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë (27 nëntor 1918), më vonë për disa deputetë italianë (23 shkurt 1920). Gjithashtu ai zhvilloi letërkëmbim me deputetin e Venecias C.Alessandri (12 mars 1919) nga i cili ruhet edhe përgjigja që e dërguar (30 prill 1919). Në këto letra mbahet qëndrim për Vlorën, Korçën, Gjirokastrën dhe iu bëhet thirrje shtetarëve italianë në emër të parimeve të drejtësisë e lirisë.

Presidenti Wilson

Ndër letrat më të rëndësishme ishte ajo drejtuar në formë telegrafi Presidentit amerikan Wilson (13 maj 1919) nënshkruar bashkë me tre veprimtarë të tjerë me banim në Zvicër, në të cilën i bëhet e qartë presidentit amerikan se shqiptarët i kanë vendosur të gjitha shpresat tek ai, por njëkohësisht mbajnë qëndrim ndaj një pasazhi lidhur me Vlorën në Memorandumin që Wilson i kishte drejtuar Delegacionit Italian. Ata shprehin që po “të sakrifikohet Vlora, do të thotë që pavarësia e Shqipërisë të jetë një iluzion, kjo do të shkonte deri në rrezikimin e ekzistencës së popullit shqiptar” (cit. Telegram 13 maj 1919). Një tjetër telegraf i 10 janarit 1920 drejtuar Vatrës bënte me dije se Midhati i kishte telegrafuar Wilson-it dhe Lansingut për Korçën dhe Gjirokastrën dhe me këtë rast i kërkonte Vatrës që të vepronte energjikisht në Uashington.

Roli i miqve të çmuar britanikë

Vëmendje të posaçme meritojnë tre veprimtarë britanikë: kolonel Audrey Herbert, antropologja Edith Durham, major I.S.Barnes, të cilët me Shqipërinë dhe shqiptarët kishin lidhur një pjesë të ekzistencës së tyre. Përmes angazhimit individual, po aq sa edhe në grup me njëri-tjetrin dhe të tjerë, ata ia dolën që të kthejnë pikëpamjen e qeverisë britanike në favor të Shqipërisë së pavarur me të njëjtët kufij si para Luftës së I Botërore, diçka shumë larg të qënit e vetëkuptueshme. Të tre ishin miq të mirë dhe bashkëpunëtorë të afërt të Midhatit në të mirë të çështjes shqiptare. 

Pengimi për të shkuar në Paris si pjesë e Delegacionit Shqiptar

I përgatitur për të qenë pjesë e delegacionit shqiptar në Paris, si pjesë e përfaqësimit zyrtar të shtetit, Midhati, në atë kohë pjesë e qeverisë shqiptare, u përball me befasinë e parë të hidhur: pengimin nga kryeministri Turhan Pasha që ai të ishte pjesë e delegacionit. Për këtë ai shpjegohet hollësisht në letrën që i dërgon presidentit të Vatrës, Kolë Tromara (8 mars 1919). Tri ditë para se të merrnin pasaportat me lejet e udhëtimit në Francë si grupi i parë nga qeveria e Shqipërisë i përbërë nga Turhan Pasha, Mehmed Konica dhe Midhat Frashëri, Turhani i tregoi një program të nënshkruar nga anëtarët e qeverisë së përkohshme në Durrës, por që ende nuk ishte firmosur nga Turhani si kryeministër dhe Mehmedi si delegat për punët e jashtme. Sikurse shpjegon Midhati, ky program përmbante disa çështje dhe njëra prej tyre kishte të bënte me rolin që do t’i jepej Italisë në vijim, përkatësisht “Italia duhet të dërgojë trupa në kufijtë shqiptarë dhe gjithë organizuesit e degëve administrative duhet të vihen nga Italia”. Shqipëria pra hynte me kërkesën e saj nën protektorat Italian. Midhati shkruan:

“I thashë Turhanit që nuk kisha kundërshtime ndaj këtij programi, por që nuk mund ta kuptoja nevojën për nënshkrimin e tij, në dritën e faktit që, sapo të ishim në Paris, ne duhej të silleshim në përputhje me rrethanat (me çka nënkuptoja – interesat e vërteta të vendit tonë). Gjithsesi, shmanga hyrjen në debat përsa i përket hollësive, ngaqë nuk doja që mendimet e mia të bëheshin të ditura, për sa kohë që ishim në tokën Italiane, por Turhani nuk më besoi, pasi më kishte qortuar disa herë për pavarësinë time të veprimit dhe të mendimit dhe për mungesë të simpatisë për politikën italiane.” 

Megjithatë, sikurse e përmendëm më herët, këtë kohë të “burgosjes në Romë” Midhati e shfrytëzoi për t’u takuar me konsullin amerikan në Torino, z.Emerson Haven, gjë e cila patjetër që ka pasur efektin e vet.

Veprimtaria publicistike e vitit 1919 dhe ndihma nga jashtë për Delegacionin Shqiptar

Vendosja në Zvicër dhe mospërfshirja prej fillimit në delegacionin shqiptar, i dha mundësinë Midhatit që të përqendrohej në veprimtarinë shumë të dashur prejt tij: shkrimin në të mirë të çështjes kombëtare. Si rezultat i kësaj pune, panë dritën e botimit në frëngjisht libra si: Rivendikimet shqiptare, Rilindja shqiptare, Shqiptarët dhe sllavët, Shqiptarët, Për Shqipërinë, për shpërndarjen e të cilëve u angazhuan edhe shumë shqiptarë e të huaj që mbështesnin të mirën e Shqipërisë në Konferencën e Paqes.

Një veprimtari tjetër e rëndësishme e Midhatit në periudhën që ende nuk i ish bashkuar delegacionit si përfaqësues i Vatrës, ishte mbajtja e letërkëmbimit me përfaqësues shqiptarë në Konferencën e Paqes për të qenë i përditësuar lidhur me çfarë ndodhte jo vetëm në Konferencë, por edhe mes shqiptarëve vetë, të cilët sikurse e paraqitëm më lart me letrat e Mihal Gramenos, ishin të përçarë. Midhat Frashëri ndërhyri nga larg për të sheshuar mosmarrëveshjet dhe përçarjen mes delegacioneve shqiptare. Për suksesin në këtë drejtim, Mehmed Konica e njofton Midhatin në një letër të 3 gushtit 1919 ku i shkruan:

“Falë sugjerimeve tuaja plot urtësi dhe përpjekjeve të bëra nga Fuad Be, kemi arritur në një pajtim e në një marrëveshje të plotë midis nesh dhe midis krejt delegacioneve shqiptare që ndodhen në Paris.” 

Me përfshirjen e tij si delegat i Vatrës dhe sidomos pas caktimit të tij në krye të delegacionit shqiptar në fund të vitit 1920, Midhat Frashëri ka pasur letërkëmbim të rregullt edhe me drejtuesit e Konferencës së Paqes, Sekretarin e Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve Eric Drummod dhe Kryetarin e Konferencës së Ambasadorëve Jules Cambon. 

Drejtuesit e Konferencës së Paqes

Një letër tjetër e rëndësishme që vlen të përmendet është ajo e datës 9 qershor 1920 drejtuar Kryetarit të Konferencës së Paqes dhe për dijeni katë kryetarëve të Fuqive të Mëdha. Në të, duke iu referuar një note të Imzot Bumçit, asokohe kryetar i Delegacionit Shqiptar që ndodhej në Londër, drejtuar Zotit Lloyd George, kryetar i Këshillit të Lartë, Midhat Frashëri kthente vëmendjen tek veprimet e qeverisë greke. 

Një letër tjetër e rëndësishme drejtuar anëtarëve të Këshillit të Lartë të Konferencës së Paqes mbledhur në Londër (Lloyd George, Aristide Briand, Conte Sforza dhe Baron Hayashi) është ajo e 2 marsit 1921, nëpërmjet së cilës Midhat Frashëri u kërkon shkëlqesive që të kenë “mirësinë të këshillojë mjetet për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike” midis qeverisë shqiptare dhe atyre të vendeve respektive që ata përfaqësonin, në po atë nivel që kishin dikur. 

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve Eric Drummond 

Një tjetër letërkëmbim i rëndësishëm me Drummond është ai nëpërmjet të cilit Midhat Frashëri paraqet tek Anëtarët e Këshillit një notë të 3 marsit 1921 lidhur me gjendjen e minoriteteve shqiptare në territorin grek dhe serb. Në këtë notë bëhet një paraqitje e situatës dhe e shkeljes nga ana e qeverisë greke e zotimeve që ajo kishte marrë në Traktatin e Sevrës si dhe e shkeljes nga ana e qeverisë serbe të zotimeve që ajo kishte marrë në Traktatin e Saint Germain. Në të dyja rastet, qeveritë si greke ashtu edhe ajo serbe nuk lejonin ushtrimin e të drejtave si minoritet për shqiptarët në territoret e aneksuara. 

Kryetari i Konferencës së Ambasadorëve

Një tjetër letërkëmbim i rëndësishëm është ai i zhvilluar me Kryetarin e Konferencës së Ambasadorëve në Paris, Jules Cambon në nëntor 1921. 

Më 9 nëntor 1921, z.Cambon i paraqiti zyrtarisht Midhat Frashërit rezolutën e votuar njëzëri nga Asambleja e Shoqërisë të Kombeve në Gjenevë që “mori shënim zyrtarisht “faktin që shteti serbo-kroato-slloven dhe Greqia njohën Fuqitë Kryesore aleate dhe të shoqërizuara si organi kompetent për të shqyrtuar kufijtë e Shqipërisë” si dhe t’i rekomandojë Shqipërisë të pranojë, pas kësaj, vendimin e Fuqive Kryesore aleate dhe të shoqërizuara”. Gjithashtu përmes kësaj letre z.Cambon paraqiti bashkangjitur vendimin, nëpërmjet të cilit Perandoria Britanike, Franca, Italia dhe Japonia kishin përcaktuar, mbi bazën e autoritetit të tyre, kufijtë e Shqipërisë. 

Më 18 nëntor 1921, z.Cambon njofton Midhat Frashërin se Konferenca e Ambasadorëve mbajti shënim deklaratën e Shqipërisë se ajo i nënshtrohet vendimit të Fuqive Kryesore Aleate për përcaktimin e kufijve të Shqipërisë dhe në vijim “u mor gjithë preokuptim me çështjen sesi të lehtësohet evakuimi i shpejtë i territorit shqiptar”. Konferenca vlerësoi si të domosdoshme krijimin e një zone demarkacioni dhe në vijim të letrës ata paraqesin vendimin sesi do të duket kjo vijë demarkacioni.

Hyrja në Lidhjen e Kombeve 

Përpjekjet për hyrjen e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve kishin nisur nga Pandeli Evangjeli me hartimin e një koncepti që ai e kishte dërguar tek kolonel Audrey Herbert. Sikurse Evangjeli e njofton për këtë lëvizje Midhatin në një letër të 15 tetorit 1920, kërkesa e hartuar do t’i jepej sekretarit të Lidhjes, që ishte në Londër.

Dr.Butka bën një përmbledhje të kontributeve në pranimin e Shqipërisë si anëtar shok i Lidhjes së Kombeve më 17 dhjetor 1920 dhe vlerëson që Delegacioni shqiptar i kryesuar nga Fan Noli ka meritë për këtë sukses të parë diplomatik. Ndërsa kontributi konkret i Midhatit sipas tij është në punën e gjithanshme që ai kishte bërë në gjithë vendet e Europës, sidomos në Angli, për njohjen dhe pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Gjithashtu, një rol të madh ai njeh për mikun e Midhatit, lordin Robert Cecil, i cili propozoi pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (fq.330). Të gjitha këto pohime mund të konstatohen gjatë  leximit të letërkëmbimit të Midhatit dhe veprimtarisë së  tij sidomos me britanikët dhe francezët.

Përgatitja për Konferencën e Ambasadorëve në korrik 1921

E gjithë veprimtaria prej anëtarësimit të Shqipërisë në Lidhje më 17 dhjetor 1920 e deri në mbajtjen e Konferencës së Ambasadorëve më 8 korrik 1921, ishte në funksion të përfaqësimit sa më solid të kërkesave dhe qëndrimit të Shqipërisë për të arritur maksimumin e mundshëm në rrethanat në të cilat u gjend vendi pas Luftës I Botërore. Gjatë kësaj periudhe përgatitore, ka një letërkëmbim të dendur dhe të rëndësishëm të Midhat Frashërit si kryetar i delegacionit shqiptar me kryeministrin e Shqipërisë Iliaz Vrioni dhe z.Mehmed Konica.

Bashkëpunimi me Konicën në këtë periudhë ka qenë shumë i afërt për të ushtruar sa më shumë ndikim mbi Foreign Office. Duket qartë nga letrat që të dy, Frashëri dhe Konica punonin si një ekip në bashkëpunim me miqtë britanikë, veçanërisht Audrey Herbert, Edith Durham, I.S.Barnes dhe lordin Cecil.

Letërkëmbim me kryeministrin Iliaz Vrioni është i fokusuar tek raportimi që Midhati bënte për gjithë zhvillimet e reja në Paris dhe Londër. Ai kulmon me një letër të 10 korrikut 1921 në të cilën Midhati i raporton me hollësi për pyetjet që iu bënë nga Komisioni i Ekspertëve në Konferencën e Ambasadorëve si dhe përgjigjet që dha ai. 

Konferenca e Ambasadorëve në korrik 1921

Sikurse e përmbledh Dr.Butka (fq.521), Midhati në këtë konferencë “bëri një ekspoze dhe mbrojtje të admirueshme të çështjes shqiptare dhe kërkoi që Statusi i 1913 dhe integriteti i Shqipërisë së pavarur të ishin të padiskutueshëm, si dhe hodhi poshtë pretendimet territorial të Serbisë dhe Greqisë, në një kohë që provoi të kundërtën: rivendikimet e drejta shqiptare dhe vënien në vend të padrejtësive të vulosura me protokollin e Firences më 1913”. 

Para diplomatëve të Fuqive të Mëdha, Midhat Frashëri sikurse i bën me dije kryeministrit Iliaz Vrioni në një letër të 10 korrikut 1921, pohoi se: qeveria shqiptare e kishte gjithë tokën shqiptare nën administrim, veç atyre viseve të zëna nga serbët dhe grekët; kufijtë shiheshin si të paprekshëm; minoriteti grek ishte i paktë në numër ndërsa vllehët bëjnë “cause commune” me shqiptarët dhe nuk kanë pretendime; zona si Nikaj dhe Thethi po pranojnë pushtetin qendror dhe Mirdita po ashtu është pjesë e Shqipërisë. 

Këshilli i Lartë i Konferencës së Ambasadorëve, mbledhur në nëntor 1921

Një tjetër arenë ku Midhat Frashëri shkëlqeu si një mbrojtës i zoti i interesave të Shqipërisë ishte në sesionin e jashtëzakonshëm të Këshillit në datat 16-19 nëntor 1921, përshkruar në mënyrë mjeshtërore nga Roger Lévy në një artikull me titullin “Çështja e Shqipërisë”. Sipas Levy, sesioni ishte “një pjesë teatrore me tre akte dhe një prelud”. Shkak për këtë sesion ishte bërë mospranimi nga ana e Serbisë i vijës kufitare të përcaktuar nga komisioni i ekspertëve të angazhuar nga Konferenca e Ambasadorëve.

Vetë fryma e shkrimit të Lévy tregon se shqiptarët përmes Midhat Frashërit kishin arritur të fitonin zemrat e ambasadorëve që shqyrtonin çështjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Serbisë, e cila nuk e pranonte kufirin e përcaktuar nga Komisioni i Konferencës së Ambasadorëve. Ky përbën një shembull të mrekullueshëm të diplomacisë së suksesshme që mund të bëjnë shqiptarët dhe që kanë qenë ta bëjnë që njëqind vjet më parë. Kjo diplomaci në vitet 1919-1921 pati zërin, fytyrën, mendjen dhe emrin e Midhat Frashërit, të cilin historiografia shqiptare e sabotoi për një kohë shumë të gjatë, me vetëm një arritje: gjymtimin e kujtesës shqiptare lidhur me Konferencën e Paqes dhe Lidhjen e Kombeve, një kujtesë që më në fund ka mundësinë e mrekullueshme që të ndreqet përmes letërkëmbimeve të Midhatit, botuar në vëllimin VI të veprës së tij nga Instituti “Lumo Skëndo”.  

Filed Under: Politike Tagged With: Lindita Komani

Veprimtaria diplomatike e Midhat Frashërit në Konferencën e Paqes në Paris dhe Lidhjen e Kombeve

November 19, 2021 by s p

Nga Lindita Komani

Nëntor 2021/

Rindërtimi i kontributit të Midhat Frashërit në letra, kulturë, politikë dhe diplomaci po ndodh që prej disa vitesh përmes punës së palodhur të Dr.Uran Butkës dhe bashkëpunëtorëve të Institutit “Lumo Skëndo” në Tiranë. 

Mbërritur në vëllimin VI që sjell një pjesë të leterkëmbimit të Midhatit prej vitit 1896 deri në korrik të vitit 1921, njihemi dhe përjetojmë zërin më intim, më të thellë, më elokuent dhe njëkohësisht më të rreptë të tij si një personalitet i epërm i botës shqiptare. Ia ndiejmë më të fortë dhe më të afërt shqetësimin për zhvillimet kombëtare, për shpalljen e pavarësisë, qeveritë e krijuara pas shpalljes të pavarësisë, për luftën dhe paqen, për ngjarjet e ditës, për hulumtimet në zhvillim e sipër, për informacionin e munguar nga Shqipëria, për përpjekjet e përditshme për të çuar përpara çështjen shqiptare në marrëdhënie me miq e personalitete të huaja dhe shqiptare. Ia ndiejmë butësinë dhe finesën e spikatur në marrëdhënie me njerëzit më të afërt, të familjes, të dashurat në disa vende të Europës, miqtë në ideale. 

Në vëmendje të këtij punimi qëndron rindërtimi i veprimtarisë diplomatike së Midhat Frashërit në marrëdhënie me Konferencën e Paqes dhe Lidhjen e Kombeve në vitet 1919 – 1921. Për këtë qëllim shqyrtuam letërkëmbimin që nis më 20 nëntor 1918 me letrat dërguar Zotit Pichon, Ministër i Punëve të Jashtme të Francës dhe Zotit Harry Lamb nga Foreign Office në Londër, në vijim Zonjës Edith Durham dhe kolonelit Audrey Herbert dhe mbyllet në vitin 1922 me disa letra që në fakt do të publikohen sipas kronologjisë në vëllimin e shtatë të veprës së Midhatit, por që na u vunë në dispozicion nga Dr.Butka për qëllim të këtij punimi.

Punimi është i përbërë nga tri pjesë. Në pjesën e parë bëjmë një sistemim dhe grupim të letërkëmbimit. Në pjesën e dytë paraqesim disa karakteristika të Midhat Frashërit dhe çështje që dalin në pah gjatë leximit e hulumtimit të letërkëmbimit. Në pjesën e tretë rindërtojmë veprimtarinë diplomatike të Midhat Frashërit në periudhën e viteve 1919-1921.

  1. Sistemimi dhe grupimi i letërkëmbimit 

Janë mbi 250 letra të ruajtura nga periudha 1919-1921, të cilat vijnë në sytë tanë përmes këtij vëllimi. Sistemuar në mënyrë kronologjike, të fusin në ritmin e kohës dhe të ngjarjeve, të lidhjeve dhe përpjekjeve që Midhati zhvillonte paralelisht dhe në vijimësi në shumë drejtime e me shumë personalitete të kohës: politikanë, diplomatë, studiues intelektualë, veprimtarë të huaj dhe shqiptarë. Është një vendim me vend nga ana e redaktorit që ka zgjedhur kronologjinë kohore si kriter për sistemimin, sepse aty ku përjeton Midhat si diplomat, politikan, studiues dhe intelektual, e përjeton edhe si njeri me pasione dhe kujdes për njerëzit e afërt dhe miqtë e idealit kombëtar.

Nga këndvështrimi i sotëm ndoshta 250 letra nuk të japin përshtypjen e një veprimtarie aq të madhe, për shkak se teknologjitë moderne i kanë dhënë politikës, diplomacisë dhe komunikimit publik një ritëm shumë më të shpejtë, si në veprim, ashtu edhe në reagim dhe pasqyrim e komentim mediatik të zhvillimeve. Por në kohën për të cilën flasim, sidomos duke pasur parasysh që Midhati vepronte si individ, pa një ekip nga pas, dhe pa pasur informacione të përditësuara çdo ditë, ritmi që përftojmë përmes leximit tregon për një angazhim personal të jashtëzakonshëm nga ana e tij, si në periudhën kur iu pengua përfshirja në Delegacionin Shqiptar në Konferencën e Paqes ashtu edhe në vijim kur përfaqësoi pranë tij Vatrën, ashtu edhe kur u zgjodh kryetar këtij delegacioni nga qeveria e Shqipërisë nën drejtimin e Iliaz Vrionit.  

Sistemimi që kemi bërë me rastin e këtij punimi na lejon që ta lexojmë këtë letërkëmbim duke i grupuar letrat në:

  • Letërkëmbimi me diplomatë dhe politikanë kyçë të kohës, në funksion të Konferencës së Paqes dhe Lidhjes së Kombeve.
  • Letërkëmbimi me qeverinë e Shqipërisë.
  • Letërkëmbimi me bashkëpunëtorët e afërt në punën e tij diplomatike ku bën pjesë: letërkëmbimi me Mehmed Konicën, Dhimitër Beratin, i cili pas përpjekjeve të përsëritura të Midhatit u bë sekretar i delegacionit në Paris dhe ndihmës i afërt i tij, Asdrenin, Fan Nolin.
  • Letërkëmbimi me miqtë e idealit ku bën pjesë: letërkëmbimi me Rexhep Mitrovicën, Eshref Frashërin, Bedri Pejanin, me të cilët i lidhte jo vetëm cështja shqiptare por edhe qëndrimet e afërta politike dhe miqësi edhe përtej politikës me përkujdesje gati vëllazërore. Janë këta miq që në kohën kur Midhati u zgjodh deputet i Gjirokastrës (1921) i bënin vërejtje dhe thirrje të përsëritura për t’u kthyer nga Parisi në Shqipëri dhe për t’u angazhuar politikisht në vend, gjë për të cilën Midhatit iu desh të jepte edhe sqarimet e veta se pse nuk mund të ndodhte. 
  • Letërkëmbimi me miqtë e mëdhenj britanikë: me Audrey Herbert, Edith Durham dhe I.S.Barnes, pa ndihmën dhe përkushtimin e madh të të cilëve qeveria britanike mbase do të kishte mbajtur tjetër qëndrim për Shqipërinë, sidomos për kufijtë e saj, duke pasur parasysh punën e fortë propoganduese të fqinjëve tanë.
  • Letërkëmbimi me personalitete studiues, intelektualë dhe veprimtarë të huaj me funksion lobimin për çështjen shqiptare ku bën pjesë: letërkëmbimi me Eugene Pittard (antropolog zviceran), Louis Doufour (hartues i një metode për mësimin e gjuhës shqipe nga francezët), Margaret Hasluck (etnologe, gjuhëtare, antropologe skoceze), Leon Lamouche (ushtarak dhe erudit francez), irlandezin La Rive Bourchier, britanikun Burton, Administratorin e Shkollës së Gjuhëve Orientale në Paris, misionarin protestant amerikan Charles Telford Erickson, drejtorin e shoqërisë “Paqe me anë të së drejtës” Th. Rinpse, Lidhjen e të Drejtave të Njeriut, Dr.Marie Rusecko nga Zyra Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Popujve, Evan MacRury nga Komiteti Anglo-Shqiptar në Londër.
  • Letërkëmbimi me shtypin e kohës sidomos atë francez, ku bëjnë pjesë letra drejtuar drejtorëve, kryeredaktorëve botuar në këto organe shtypi: L’Europe Nouvelle, La Petite Republique, L’Humanité, L’Ere Nouvelle, Le Temps, Information, Paqe nëpër drejtësinë. 
  • Njoftimet e Bureau de Presse Albanaise, për të cilat duhet thënë se bazoheshin në informacione të siguruara me vështirësi përmes letrave të miqve ndoshta më shumë sesa letrave zyrtare të qeverisë, si dhe përmes leximit të gazetave të huaja, një mangësi që shërben si shenjë e fortë treguese që shteti shqiptar ende ishte në fillesat e veta.
  • Letërkëmbimi me veprimtarë shqiptarë në Amerikë ku spikasin: letërkëmbimi me drejtuesit e Vatrës Kolë Tromara dhe Anastas Pandele si dhe shumë letra të dërguara nga veprimtarë në qytete të ndryshme të Amerikës pas vajtjes në SHBA të Midhat Frashërit në mision për llogari të qeverisë së Shqipërisë, për të “plasuar një pjesë të huasë kombëtare të brendshme midis shqiptarëve të atjeshëm, pa të cilën do të mos mundim të mbushim si duhet detyrën, që na ka vënë për barrë populli” (cit. letër e Mehmed Konicës, 27 gusht 1920).
  • Letërkëmbimi me veprimtarë të tjerë shqiptarë në Europë ku spikasin: letërkëmbimi me Dr.Ibrahim Temon (14 prill 1919), i cili e quajti gabim largimin e Midhat Frashërit për në Lozanë pas ndalimit nga Turhan Pasha dhe qeveria italiane që ai të shkonte në Paris bashkë me shokët e përfshirë në delegacionin shqiptar; Adhamidh Frashërin (1 gusht 1920), i cili i bën një raportim të detajuar të përpjekjeve e përparimeve të tij në raport me italianët; intelektualin, studiuesin dhe mësuesin kosovar Mehmet Vokshi, Ramiz Dacin, atdhetar dibran, senator i Këshillit Kombëtar në vitin 1920, i cili i kujton Midhatit çështjen e muhaxhirëve dibranë të cilët janë zhvendosur prej tokave të tyre për shkak se ato u pushtuan nga serbët.
  1. Karakteristika të Midhatit si diplomat e politikan, çështje me interes kërkimor që dalin në lexim

Është me vend që para se të kalojmë në rindërtimin e veprimtarisë diplomatike të Midhat Frashërit bazuar në letërkëmbimin e tij të ndalemi tek disa karakteristika të tij që i zbulojmë gjatë leximit dhe të cilat vlerësojmë se kanë drejtpërdrejt të bëjnë me punën dhe suksesin e tij si diplomat si dhe tek disa çështje që meritojnë hulumtim të mëtejshëm me studime të mëvetshme.

Shumë talente të mbledhura në një gjeni. Duhet të kemi parasysh që veprimtaria diplomatike shqiptare para 100 vitesh nuk e kishte luksin të mbështetej në financa që sot shqiptarët mund t’i kenë më të shumta në dispozicion. Pak fonde viheshin në dispozicion nga bujaria e emigrantëve shqiptarë në Amerikë e më pak në Europë. Shteti shqiptar sapo kishte nisur të funksiononte dhe kishte një barrë të madhe për të ngritur institucionet në vend. Ndaj, me një buxhet të kufizuar, Midhat Frashëri kryente punën e një ekipi të tërë: si gjurmues e hulumtues i lajmit, si përpunues i të dhënave dhe hartues raportesh, shkrimesh, reagimesh, notash proteste, si lobues pranë institucioneve, organizatave e intelektualëve, si studiues dhe redaktor librash studimorë mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, si përkthyes, si zëdhënës shtypi, si organizator i diasporës dhe anëtarëve të përçarë të delegacioneve shqiptare, dhe patjetër si diplomat.

Vetësakrifikues dhe jo oportunist. Karrierën e tij politike që mund ta kishte ngjitur shpejt në pozicionin e kryeministrit nisur nga të dhënat dhe prejardhja që kishte si bir i Abdyl Frashërit dhe nip i Naim dhe Sami Frashërit, ai e sakrifikoi në të mirë të çështjes kombëtare. Ndonëse u zgjodh deputet i Gjirokastrës, gjë që do t’i kishte dhënë mundësinë për një karriere në politikën e brendshme të Shqipërisë, që për shkak të aftësive të spikatura dhe prejardhjes tejet të vlerësuar, do t’i lejonte ngjitjen deri në nivelet më të larta shtetërore, ai qëndroi në Paris për të kryer atë punë për të cilën kishte më shumë nevojë: përfaqësimin dhe suksesin e Shqipërisë në Konferencën e Paqes. Pas kritikave të marra sidomos nga shokët e afërt të idealit, ai shprehej:

Letër Rexhep Mitrovicës (16 mars 1921):

“Mua më duket sikur po më qortoni tue më thane se nuk due me u nda nga Parisi. Po më duket se kam fillue nji punë dhe se dua me të vërtetë me hedh themelet e nji vepre pjellore, si politikisht dhe diplomatikisht. Kena me pasë kurdoherë nevojë për ndihmën morale dhe materiale të çdo Fuqie të Madhe e aq më tepër të Francës. Edhe nji punë sado e vogël që të jetë, nuk bëhet pa durim dhe perseverencë.”

Midhat Frashëri donte të gjithë shqiptarët, shqiptarët e donin dhe e pranonin të gjithë si figurë përbashkuese. Si diaspora e Amerikës, ashtu edhe ajo e Europës, si kosovarët, ashtu edhe çamët, e gjithë elita intelektuale e priste dhe e pranonte ndërhyrjen përbashkuese të Midhat Frashërit. Kjo karakteristikë e Midhatit shprehet më së miri në dy letra të Mihal Gramenos ku ai shpreh shqetësimin e thellë për gjendjen e përçarë të delegacionit: 

Mihal Grameno në një letër të 23 prillit 1919 i shkruante:

“Qenia jote këtu do të kish për të vënë një rregull veprimi të përgjithshëm…”

Në një letër të 14 majit, Mihal Grameno thekson përsëri:

“Nuk të kam shkruar, se ta tregova gjendjen, edhe cilido që shkruan ndryshe, të gënjen. E vërteta është që është një Babiloni midis shqiptarëve edhe kështu ka për të vazhduar, posa që udhëheqësit e sotmë s’kanë dhimkë për atdhe.

Ndalimi yt zgjedh nga të gjithë, se nuk duan honxho-bonxhot të jesh këtu, duke ditur simpatinë që ushqen për gjithë shqiptarët.”

Në një letër të 22 shkurtit 1921, veprimtari Kosovar Mehmet Vokshi i shkruante:

“Të falem nderit shumë për ndjenjat që i ruani gjithnjë për të shkretën Kosovë.

Kam më shumë siguri, që, sidomos na djelmëria e Kosovës, kemi me ua kthye me të mirë e me mos me i harrue ato mundimet, që z.jote i hjek e digjet ne zemër larg atdhet të dashun.”

Zgjidhës dhe jo krijues problemesh. Turhan Pasha e përzuri nga delegacioni në bashkëpunim me qeverinë italiane dhe ndonëse mund të kishte bërë skandal e ndoshta krijuar probleme të tjera, ai pavarësisht se u kritikua nga bashkëpunëtorët (sidomos Dr.Ibrahim Temo), u vendos në Zvicër dhe zgjidhi nga distanca dy probleme të mëdha: (1) shkroi brenda pak muajsh disa libra për Shqipërinë që u botuan me shpejtësi dhe u shpërndanë tek të gjithë delegatët në Konferencën e Paqes dhe kudo ku mund të bëhej lobim për Shqipërinë dhe shqiptarët; (2) bashkoi delegacionet shqiptare që ishin të përçarë dhe në bashkëpunim me disa veprimtarë (Rasih Dino, Sotir Kolea, Pandeli Cale dhe Hilmi Këlcyra) hartoi një apel drejtuar anëtarëve të delegacioneve shqiptare (9 maj 1919) nga i cili shkëpusim sa vijon:

“Dëshirat dhe synimet e populli tonë sot, përmblidhen në këto fjalë:

“Bashkim nën flamurin e lavdishëm të Skënderbeut për gjithë vëllezërit e një gjaku e të një gjuhe, në të gjitha tokat e banuara nga stërgjyshërit tanë – prej Tivari deri në Prevezë, nga Mitrovica në malin Pindus – në një shtet absolutisht dhe tërësisht i lirë, pa ndërhyrje në qeverinë tone, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë””.

…

“Ju, të nderuar Zotërinj, jeni ngarkuar me përpjekjen për integritetin dhe pavarësinë e vendit, që e kemi trashëguar prej kohërave që s’mbahen mend. Populli pret që përpjekjet Tuaja galopante do të sjellin çlirim për vëllezërit tanë trima të Kosovës dhe të Çamërisë, që po rënkojnë nën zgjedhën e të huajve.”

…

I bëjmë këto lutje nga thellësia e zemrave dhe duart tuaja janë shenjtëruar nga ne dhe nga ata që ju kanë besuar mandatet dhe me gjithë zemër ju urojmë: bashkim zemre, bashkim frymëzimit dhe bashkim për qëllimin e përparimit të Shqipërisë.”

Bindës dhe fitues në argument për shkak të zgjuarsisë, intelektit, elokuencës, oratorisë dhe frëngjishtes së përkryer. Kjo karakteristikë spikati jo vetëm në letërkëmbimin që ka pasur në këto vite me intelektualë, politikanë e diplomatë të huaj e shqiptarë por veçanërisht në Konferencën e Ambasadorëve që u mbajt në korrik dhe nëntor 1921 ku ai përfaqësoi Shqipërinë në përballje të drejtpërdrejtë me ambasadorët e Fuqive të Mëdha. 

Ja se si shkruan Roger Lévy për Midhatin në sesionin e jashtëzakonshëm të Këshillit të Lartë të Konferencës së Ambasadorëve, mbledhur me kërkesën e Britanisë së Madhe për shkak se Serbia nuk pranonte vijën kufitare të caktuar nga Konferenca:  

“Më pastaj ngrihet z.Midhat Frashëri, delegat shqiptar: zërin e ka elokuent, gjuhën frëngjishte të përkryer. Shpreh me fjalë që i dalin nga shpirti dhe mjaft prekëse, mjerimin e madh të Shqipërisë, ndryshimet që i janë bërë vijës kufitare që prej 1913-ës, “vijë etiketuar automobilistike, vijë elastike…vijë hipotetike!”.” 

Vizioni i tij për marrëdhëniet me jashtë. Midhati kërkonte vëmendje për nga SHBA dhe Britania e Madhe, shkëputje nga Italia dhe shkëputje të plotë dhe mbrojtje nga provokimet turke siç ishte rasti me deklaratat e Mustafa Kemalit, “sipas së cilave oficerë me origjinë shqiptare që shërbenin në ushtrinë turke na qenkan lejuar të kthehen në Shqipëri, me qëllim që të shkaktojnë konflikt midis këtij vendi dhe Greqisë” (cit. Njoftim i Zyrës Shqiptare të Shtypit, 24 qershor 1921).

Kohën e “burgosjes në Romë” (shkurt-prill 1919) Midhati e shfrytëzoi për t’u takuar me konsullin amerikan në Torino, z.Emerson Haven, i cili ishte edhe shkoi në mision në Shqipëri për të raportuar në vijim në Washington dhe në delegacionin amerikan në Paris. Në këto biseda, sikurse ai shkruan në letër, ka theksuar “se Amerikës i duhet bërë apel për ndihmë, mbështetje ushtarake në kufijtë e vendit, që të pengohet tradhtia greko-sllave; ky kontingjent i vogël amerikan, duhet të përforcohet nga shqiptarët, që kanë marrë pjesë në luftë në Francë, në radhët e amerikanëve” (cit. Letër për Kolë Tromarën, 8 mars 1919). Ky vizion i Midhatit lidhur me Amerikën gati tetëdhjetë para luftës së Kosovës apo edhe njëqind vjet nga viti 2021 kur politika shqiptare si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë e më gjerë në krejt rajonin thërret për vëmendje e mbështetje nga Amerika, e dëshmon qartë sesa shumë vizionar ka qenë Midhati.

Vizioni i tij përparimtar politik, por njëkohësisht kuptimi i tij i drejtë i shqiptarëve dhe mentalitetit të tyre. Me vizionin e tij ai ishte ekzaktësisht në qendër të spektrit politik, pak i anuar djathtas. Ky vizion shprehet thjesht e bukur në një letër që Midhati i dërgonte Morton Frederik Edenit, anëtar i komitetit anglo-shqiptar, konsull i Shqipërisë në Gjenevë, i cili kishte shprehur shqetësimin se në Shqipëri kishte një lëvizje bolshevike:

“Para së gjithash e quaj të nevojshme t’ju them se do të ishte gabim të mendohet se ka një lëvizje bolshevike në Shqipëri. Është kjo mendësi e mjerueshme të ngatërrosh liberalizmin, demokracinë për ndarjen e tokave, me sistemin e sovjetëve. Shqiptari është shumë konservator për t’u bërë bolshevik e leninist. Ndoshta, duhen shtuar, gjithashtu, edhe ndjenjat e të krishterëve kundër bejlerëve dhe agallarëve myslimanë, gjë shumë e natyrshme pas shembjes së regjimit turk e mysliman.”

Filed Under: Histori Tagged With: Lindita Komani

Edith Durham në letërkëmbim me Midhat Frashërin në vitet 1918-1920

November 15, 2021 by s p

Lindita Komani/

Edith Durham (8 dhjetor 1863 – 15 nëntor 1944) ishte e para ndër tre britanikët që përfshihen në letërkëmbim me Midhatin në vëllimin VI të veprës së tij, të cilën ai e kontaktoi për të filluar letërkëmbimet e natyrës diplomatike. Kjo ndodhi më 21 nëntor 1918, një ditë pasi ai bashkë me Dr.Turtullin kishin nisur zyrtarisht kërkesën tek Ministri i Jashtëm Francez dhe tek Foreign Office për të pasur të drejtën e prezantimit të çështjes shqiptare pranë këtyre institucioneve, që është shenjë e qartë treguese për peshën e madhe që kishte Edith Durham në angazhimin pro Shqipërisë e shqiptarëve. Ndonëse kishin 4 vjet pa komunikuar me njëri-tjetrin me letra, “biseda” mes Midhatit si shkrues dhe Durhamit si lexuese e saj, zhvillohet me ton miqësor, me vlerësimin që bën Midhati për veprimtarinë e gjerësishme të Durhamit për shqiptarët dhe gëzimin që Durham kuptohet që ndien teksa merr vesh me këtë rast që Midhati është mirë.Midhati e nis letërkëmbimin me: “Rreth 4 vjet më pare, në Sofje, mora letrën tuaj të fundit, në të cilën më thoshit se ishit e zënë në Francë në një spital, por kjo nuk ju bënte t’i harroni shqiptarët tuaj. Që prej asaj kohe di gjithë mbështetjen që i keni dhënë kauzës sonë dhe jam i lumtur që t’ju shpreh me këtë letër gjithë mirënjohjen time personale.”Durham e nis përgjigjen e parë (8 dhjetor 1918 që përkon të jetë edhe ditëlindja e saj) me: “Shumë herë gjatë këtyre dy viteve të fundit kam pyetur veten “po ku, pra, ndodhet vallë Mid’hat bej? A është ende gjallë?”. Sepse shumë nga miqtë tanë kanë vdekur në këtë luftë të kobshme. Me siguri keni vuajtur shumë. Shpresoj megjithatë të mbaheni mirë.”Në mënyrë vizionare, Midhati që në letrën e parë parashtron parashikimet e tij lidhur me shanset relativisht të mira që kishte Shqipëria me konstelacionin e ri që ishte krijuar. Ai shkruan:“Mendoj që gjendja e re e krijuar në Lindjen e Afërt nga rënia e Austrisë dhe Turqisë do t’i lehtësojë çështjet e Shqipërisë me anë të kompensimit që italianët, serbët dhe grekët do të jenë në gjendje ta gjejnë tjetërkund, pa patur nevojë të sulmojnë vendin tonë. Shpresoj gjithashtu që rënia e carizmit do ta bëjë Francën më favorizuese në këtë kohë. Përsa i përket Anglisë dhe Amerikës, jam i sigurt që kauza jonë do të gjejë jehonë pozitive atje.” Më 31 tetor 1919 Durham raporton se kishte qenë e ftuar nga The Balkan Committee. Ky komitet funksiononte brenda parlamentit britanik dhe pjesë e të cilit në vitin 1906, sipas të dhënave të gjetura nga ne, ishin 64 deputetë: 55 liberalë, 3 konservatorë dhe nga 6 laburistë [1] Durham shkruan:“[…] i paraqita Komitetit një ekspoze të gjatë për gjendjen shqiptare që nga viti 1913. Sidomos dhashë shpjegime për intrigat franceze, serbe, greke e italiane për të asgjësuar mundësinë e ekzistencës të një Shqipërie. Dhe tregova historinë e vërtetë të “revolucionit” kundër Wied. Pas diskutimesh të ndezura, Komiteti vendosi njëzëri të miratojë propozimin se duhen bërë përpjekje për të shpëtuar të drejtat e Shqipërisë të njohura me anë të traktatit të 1913-ës.”Me këtë rast ajo njofton se e zgjodhën anëtare të Komitetit dhe se ishte e kënaqur për këtë, sepse dikur e linin jashtë dhe Shqipëria nuk kishte përfaqësues. Qysh në këtë ditë, Durham shprehej se Italia nuk do ta kishte “as forcën, as mjetet për të plotësuar ëndrrat e saj imperialiste”. Me interes është edhe qëndrimi i saj për Serbinë. Në letrën e 31 tetorit 1919 ajo i shkruante Midhatit për një episod që duket me vlerë historike. Nga një bisedë me Lady Boyle, e cila gjatë luftës ishte marrë me refugjatët serbë, ajo kish mësuar se zonja në fjalë kishte njohur personalisht oficerin serb që u kishte futur në kokë idenë tre vrasësve të Franz Ferdinand që të shtinin me revolver. Oficeri serb ishte hapur për këtë në një darkë pasi kishte pirë mirë e mirë. Sipas Lady Boyle oficerët serbë në Korsikë ishin sjellë në mënyrë harbute dhe ajo nuk e gjente dot fjalën e fuqishme për t’i denoncuar. Këtë fjalë në fakt arrinte ta gjente shumë të fortë Durham, e cila i ishte përgjigjur si vijon Ledit Boyle:”Për Perëndi, e dija bukur fort një gjë të tillë që në çastin kur u bë krimi. Unë i kam denoncuar serbët qysh në fillim. Por nuk donin të ma vinin veshin.” Tani, veç kur dëgjoj nga burime të shumta se fati i “Serbisë së Madhe” është një anarki e plotë: se vetë serbët, veçanërisht të rinjtë, e shajnë Pashiqin, duke e etiketuar (sipas zakonit të lezetshëm të serbëve) me epitetet më të pista dhe të neveritshme; se kroatët e sllovenët e konsiderojnë despotizmin e Beogradit të patolerueshëm; se oficerët serbë i kamzhikosin egërsisht ushtarët e tyre (gjë e ndaluar me ligjin austriak) dhe i trajtojnë ata me një egërsi të paimagjinueshme; se, kur u vjen rasti, autoritetet civile tregohen edhe më mizore se ushtarakët.”Përsëri lidhur me serbët, më 23 maj 1920 Durham i raportonte e shqetësuar të rejat që ka marrë vesh nga terreni përmes kolonelit Audrey Herbert, i cili prej pak ditësh ishte kthyer në Angli. Serbët po ndërmerrnin një progagandë të egër në Veri dhe të ndihmuar nga Esadi po bënin gjithçka për të bindur popullin të pranonte Serbinë. Ajo në përgjithësi, në këtë datë në të cilën ka shkruar (23 maj), duket se shihte një situatë të trazuar për Shqipërinë, më së pari se shqiptarët nuk ishin të bashkuar, gjë që ia vështirësonte edhe asaj personalisht veprimtarinë në mbështetje të shqiptarëve. Gjithmonë duke iu referuar asaj që kishte mësuar nga koloneli Herbert, ajo shprehte se në atë kohë duhej zgjedhur: “1. Ose bashkim e italianizim; 2. ose copëtim dhe zhdukje në duart e grekëve dhe serbëve”.Ndonëse në letrën e parë për Midhatin Durham shprehej që mendonte që Italia nuk do t’i arrinte dot “ëndrrat e saj imperialiste”, duke ndjekur zhvillimet në terren dyshime kishin lindur brenda saj që ajo i shprehte në një letër të 30 dhjetorit 1919, ku ajo vinte në balancë shtetet që kishin interesa pushtuese ndaj Shqipërisë dhe mes tyre ajo ishte “e mendimit se Italia është njëmijë herë më e mirë se Serbia apo Greqia. Dhe se pavarësia tani është e pamundur, madje edhe vetëvrasje. Duhet punuar e mësuar.” Ajo vazhdonte më tej duke futur në lojë edhe Austrinë që nuk ishte më në hartë si fuqi e madhe dhe shpreh qëndrime që kanë qarkulluar si ndër të huajt ashtu edhe shqiptarët, si në kohën kur u shpall pavarësia ashtu edhe në vijim. Ajo shkruante:”Kudo në udhëtimet e mia më kanë thënë pareshtur: “Ah, sikur ndonjë Fuqi të kishte e të dëbonte turqit nga vendi ynë, të organizonte vendin, të bënte rrugë, etj. qoftë Austria, qoftë Italia, s’ka rëndësi”. Tani ja që po ndodh dhe mirë do të ishte të pranohej. Nuk shoh rrugë alternative. Faktet e 1913-ës treguan tepër qartë vështirësitë e pavarësisë. Madje pamundësinë, sepse vetë Dr.Turtulli më ka thënë se dëshironte të shihte të vinin në vend trupat e huaja. Përse? Për t’i detyruar shqiptarët të ishin të pavarur, apo për t’i ndihmuar të mos vriten mes tyre? Nën një qeverisje të huaj mbase shpresohet bashkimi. Megjithatë, kam bindjen e përhershme se kombi shqiptar nuk mund të shkatërrohet kurrë. U ka mbijetuar boll ngjarjeve.”Edhe në këtë letër që për nga toni ngjan krejt e dëshpëruar, Durham megjithatë nuk e kishte humbur shpresën por edhe prekjen dhe njohjen e mirë që kishte pasur për shqiptarët.Nuk janë të ruajtura përgjigjet që Midhat Frashëri mund t’i ketë dërguar Durhamit lidhur me shqetësimet që ajo ngrinte dhe sugjerimin që ajo bënte në raport me Italinë, por qëndrimin për temën e fundit ai e kishte shprehur qartë që në shkurt 1919, kur vendosi që të mos nënshkruante programin me të cilin delegacioni shqiptar do të paraqitej në Konferencën e Paqes e sipas të cilit “Italia duhet të dërgojë trupa në kufijtë shqiptarë dhe gjithë organizuesit e degëve administrative duhet të vihen nga Italia” (cit. nga letra për Kolë Tromarën, 8 mars 1919). Kjo i kushtoi Midhatit bllokimin si një lloj burgosjeje për gati 2 muaj në Itali, dhe më pas qëndrimin larg tij për muaj të tërë derisa Vatra e dërgoi aty si delegat të sajin.Në përmbyllje mund të themi se pavarësisht dyshimeve që mund të kenë pasur në harkun e viteve 1918-1921 si pasojë e zhvillimeve në Shqipëri dhe në kuadrin e Konferencës së Paqes dhe Lidhjes së Kombeve, vizioni fillestar i Midhatit lidhur me qëndrimin e Francës (21 nëntor 1918) ashtu edhe i Durhamit lidhur me Italinë (31 tetor 1919) në kuadër të Konferencës së Paqes, u realizuan. Me ndryshimet gjeostrategjike që ndodhën me Luftën I Botërore dhe rënien e Rusisë cariste, Franca e mbështeti Shqipërinë dhe nga ana tjetër Italia nuk i arriti “ëndrrat e saj imperialiste”. Kjo e dëshmon që të dy këta personalitete kanë pasur intuitë dhe njohje të mirë të kapaciteteve të shteteve si dhe të zhvillimeve gjeostrategjike të kohës.(Si pjesë e studimit për veprimtarinë diplomatike të Midhat Frashërit në Konferencën e Paqes dhe Lidhjen e Kombeve, bazuar në letërkëmbimin e tij në vitet 1918-1921)[1] Perkins, James Andrew, British liberalism and the Balkans, c. 1875-1925, PhD thesis, Birkbeck, University of London, fq.106.

Filed Under: Kulture Tagged With: Lindita Komani

ALI PASHE TEPELENA I SABRI GODOS

November 1, 2021 by s p

Në 200-vjetorin e revolucionit të 1821, 

në prag të 200-vjetorit të vrasjes së Ali Pashë Tepelenës, 

në prag të 10-vjetorit të ndarjes nga jeta të Sabri Godos

Nga Lindita Komani

Mizoria e shumëpërfolur e Ali Pashë Tepelenës ka qenë ndër vite një arsye e fortë që më ka shtyrë të mos të dua ta njoh më nga afër figurën e tij. Pavëmendja ndaj zhvillimit të shqiptarëve, fakti që ai nuk vendosi shqipen si gjuhë bazë për rritjen e vetëdijes së shqiptarëve ishte arsyeja tjetër. Si mundej një prijës i përmasave të tij të mos kuptonte që trashëgiminë për të ardhmen ai mund ta linte vetëm gjysmake, nëse përkushtimi i tij ishte i plotë për pjesën greke të popullit që udhëhiqte dhe jo i njëjtë për atë shqiptare, sidomos duke pasur parasysh që ishte shqiptar në origjinëMegjithatë, rasti apo paracaktimi e pruri që librin Ali Pashë Tepelena të Sabri Godos ta lexoja pas udhëtimit tim të parë në Janinë dhe udhëtimeve në Gjirokastër, Kardhiq, Libohovë, Artë, Tepelenë, në zonën ku sundimi i tij u vendos, u forcua dhe i dha krahë atij për të synuar për më tej. 

Gjatë leximit të romanit “Ali Pashë Tepelena”, rishkruar për herë të fundit në vitin 2003, kuptohet që autori Godo ishte një adhurues i madh i Aliut: i Aliut me ëndrra dhe ambicie; Aliut të zgjuar e dinak; Aliut të goditur rëndë në dinjitet si bir i një gruaje të përdhunuar; Aliut të trembur nga përndjekja e që i shpëtoi për fije vdekjes në moshë të re; Aliut të tërbuar e të mbushur me vullnet për hakmarrje; Aliut të palodhur e me zemrën gati për sfida pas sfidash; Aliut trim dhe udhëheqës i pashoq; Aliut të pangopur deri në moskuptim që pangopja të çon në rrënim; Aliut shtypës e njëkohësisht më pranë popullit se kushdo tjetër, të paktën në periudhën e pushtetit osman; Aliut të tolerancës fetare të ndier si nevojë për një popull me disa fe; Aliut të infrastrukturës moderne dhe të mrekullueshme për kohën; Aliut të bashkëpunëtorëve më të ngushtë, besnikë me kokë; Aliut të shumë grave në harem (nga 150 deri në 600 sipas burimeve të ndryshme); Aliut të bashkëshortëve nga familjet e pasura; Aliut të Katerinës dhe Aliut të Vasiliqisë, Aliut të djemve që nuk u bënë si ai, që nuk i dolën zot dhe u shitën sapo iu dha rasti tek armiku i tij Sulltani; Aliut që është një nga heronjtë dhe mundësuesit financiarëdhe ushtarakë të revolucionit të 1820-1821; Aliut që meriton të jetë një nga figurat më të hulumtuara të historisë së Shqipërisë.

Një Ali Pashë pa disa cene si udhëheqës i përsosur për shqiptarët?

A mund të krijohet, nëse nuk është lindur ende, një udhëheqës i përsosur për shqiptarët? 

Duke i hequr mizorinë, centralizimin e plotë të pushtetit, pangopësinë në raport me grumbullimin e pasurisë, paaftësinë për të investuar dhe për të ngritur elementin shqiptar me gjuhën shqipe si bazë, Aliu mund të ishte modeli i një udhëheqësi të mirë për shqiptarët, në aspektinushtarak, politik, diplomatik, gjithmonë duke ia përshtatur sjelljen me kushtet e kohës në të cilën jetojmë sot që ka bërë bazë lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut. 

Duke ndjekur rrëfimin e Godos, kuptojmë që Aliu zbuloi gjatë rrugës forcën e vullnetit aftësinë që ka pushteti për të ndryshuar për mirë jetët e njerëzve përveçse për të forcuar pushtetarin, vlerën e vendosjes së drejtësisë në sytë e njerëzve të pambrojtur nga privilegje, fuqinë e zbutjes së ndasive fetare, rëndësinë e besnikërisë së plotë dykahëshe ndaj njerëzve më të afërt, sidomos bashkëluftëtarëve.

Ka shumë për të mbajtur mend dhe për të cituar nga ky libër i shkruar me pasion dhe kujdes, bazuar në hulumtime të thelluara, vizitim të vendeve ku Aliu jetoi, veproi dhe luftoi, aq sa është e pamundur të mos duash ta rilexosh dhe shijosh si një vepër e mrekullueshme letrare e njëkohësisht historike, historike e njëkohësisht letrare. Fakti që Godo e ka rikthyer disa herë në duar, për të sjellë deri edhe një variantin të tretë, tregon që ai ka qenë i bindur për potencialin që materiali historik e letrar dhe sidomos figura e Aliut ka pasur ende në vete për t’u shpalosur. Dhe unë mendoj që ka ende shumë potencial.  

Struktura e romanit ka si bazë kronologjinë historike dhe personazhet e ngjarjet e lidhura me të hyjnë në çastin që historia u ka rezervuar. Vëmendja kryesore është mbi ngjarjet ushtarake, politike e diplomatike. Megjithatë, gjen në çdo pjesë të tij përshkrime shumë të bukura si të qyteteve, fshatrave dhe kushteve e rrethanave që krijonte pushteti i Aliut në to ashtu edhe të njerëzve me të cilët ai kishte të bënte e që në libër kthehen në personazhe romani. Faqet e romanit mbizotërohen nga burrat, megjithatë vëmendje u kushtohet edhe grave në jetën e tij.

Gratë në jetën e Ali Pashës

Nëna Hanko është e para dhe me e rëndësishmja ndër to. Pa të, Aliu nuk do të kishte pasur atë hyrje në jetë dhe në karrierë sikurse pati. Motra Shanisha është gati e barazvlefshme me nënë Hankon. Ajo i qëndroi besnike deri në fund, më shumë se të bijtë të cilët për nga sjellja tradhtare, në lexim duket sikur nuk janë fare të tijtë. Për bashkëshortet shqiptare dhe atë greke, Godo ka marrë kohën dhe vëmendjen të dëgjojë zemrën e Aliut dhe të perceptojë me sytë e tij sesi secila kishte vendin e vet në jetën e tij. Një grua me emrin Katerina, një robinjë në haremin e tij përmendet si më e dashura ndër gratë e haremit deri kur ajo vdiq duke i dhënë jetë djalit të tretë të Aliut, Saliut.  

Roli i Vasiliqisë në vitet e fundit të jetës duket se ka qenë shumë i rëndësishëm. Ajo mund të kish mbetur thjesht një robinjë e dashur në haremin e tij, por ai e ngriti në bashkëshorte. Sipas paraqitjes së Godos i duhej t’u tregonte grekëve që ishte po aq i tyri sa i shqiptarëve. Megjithatë, kjo nuk mjaftoi dhe grekët e lanë vetëm atëherë kur ai kishte më shumë nevojë, në rrethimin 20-mujor të Janinës. Ai rrethim nuk ishte një sulm i beftë dhe vdekjeprurës që në goditjen e parë. Nuk bëhej fjalë në të as për një javë, as për një muaj dhe as për një stinë të vetme lufte, por për 20 muaj të rëndë. Ku ishin grekët? Për çudi, në asnjë çast nuk duket se Aliu në penën e Godos i fajëson dhe i mban mëri për këtë sjellje.  

Burrat në krah të Ali Pashës 

Burrat në krah të Aliut në përpjekjet e tij për pushtet, për qeverisje të mirë, për një rend të së drejtës alla Ali Pasha, për luftë kundër armiqve të ndryshëm me kulmim luftën kundër turqve në vitet 1820-1821 portretizohen bukur, disa vetëm me emër dhe të tjerë me kujdes por mbeten gjithmonë në sfond.

Thanas Vaja është njeriu më i afërt, vazhdimisht i përmendur si bashkëpunëtori më i ngushtë, ai që ndodhet pranë Aliut edhe në ishull kur turqit shkojnë për ta vrarë. Tahir Abazi dhe Jusuf Arapi janë po ashtu bashkëpunëtorë të ngushtë, kapedanë që drejtonin shpesh fushatat e trupave të Aliut. Odiseja, Diviunoti dhe Vernaqoti, ndër shumë nga ata që përmenden në faqet e librit dhe historisë, janë djemtë që spikatën si kapedanë dhe zmbrapsën një sulm të fortë të turqve në More. Për ta Aliu përmes Godos shprehet: “Aliu nënqeshi e tha se do t’i lutej Zotit pesë herë në ditë si më i miri mysliman, po t’i kishte djem të gjakut ata tre kapedanët e Termopileve. Po në vend të tyre Zoti i paskësh dhënë tre këlyshë tradhtarë me gjak të prishur.” (fq.409)  

Pavarësisht lutjeve të Aliut, Zoti i dha ata djem që i dha, Myftarin, Veliun dhe Saliun. Diku në libër, teksa përshkruhet sesi Aliu e caktoi Saliun 14-vjeçar qeveritar në Gjirokastrën e sapo marrë prej tij, duket sikur ai ishte me shpresën që pikërisht Saliu të vazhdonte rrugën e tij, meqë nga dy të parët kishte pësuar zhgënjim, zhgënjim i cili vetëm se iu thellua në vitet që pasuan e sidomos në kohën e përballjes me Sulltan Mahmutin II. Ajo që mbetet e paqartë në roman është fati i nipërve të Aliut që shpëtuan nga goditja e parë e drejtpërdrejtë e Sulltanit. A ka mbërritur dikush prej tyre në ditët e sotme? Këtë pyetje e shtroj sepse pasardhës të familjes Libohova që ka Shanishanë si mëmë të madhe jetojnë e përparojnë edhe sot në Shqipëri.

Me rëndësi në roman dhe histori janë suliotët, vazhdimisht përballë Aliut, në rezistencë ndaj tij, për të ruajtur atë liri që kishin, por të cilët në fund i bashkojnë forcat me Aliun kundër Sulltanit. Më të shquar në mes tyre Foto Xhavella dhe Marko Boçari. Në këtë përpjekje të përbashkët kundër Sulltanit, shfaqen për pak Bubulina dhe Kolokotroni. Shfaqet gjithashtu Mavrokordati, me ambicien për të udhëhequr qeverinë greke e në mbyllje edhe drejtues i qeverisë në Greqinë Perëndimore, teksa në kongresin ku u mblodhën për të marrë këtë vendim e ku Aliu dërgoi Tahir Abazin për ta përfaqësuar, Ali Pasha – financuesi dhe mbështetësi kryesor ushtarak i revolucionit, as nuk u përmend me emër nga Mavrokordati. 

Eteria, Vasiliqia dhe një dyshim për kush mund ta ketë dorëzuar te turqit

Një rol me rëndësi në periudhën përgatitore të revolucionit mori Eteria, një organizatë e fshehtë e themeluar në Odesa dhe e cila synonte shkëputjen e Greqisë nga Perandoria Osmane. Sikurse paraqitet nga Godo, pjesë e Eterisë u bë edhe Vasiliqia dhe gjithashtu edhe Ali Pasha, i cili sipas Godos brenda kësaj organizate identifikohej me nofkën “Vjehrri”. Ndonëse në roman thuhet se Aliu u bë anëtar i Eterisë pas Vasiliqisë, kjo duket pak e çuditshme. Nëse pesha e asaj vajze të re do të kishte qenë vërtet kaq e madhe, përveç përshkrimit që i bëhet figurës së saj në çastet kur Aliu e takoi për herë të parë teksa ajo në moshën 14 vjeçe sapo kish humbur babanë, lavdeve për bukurinë dhe mirësinë e saj, Vasiliqia do të kish merituar më shumë vëmendje në libër: në mendimet e Aliut, përpjekjet dhe qëndresën e tij kundër turqve në rrethimin 20-mujor të Janinës. Që prej kur përmendet si anëtare e Eterisë, Vasiliqia “zhduket” për t’u rishfaqur krejt në fund, kur Aliu shkon në ishull bashkë me të dhe Thanas Vajën dhe rrethohet nga turqit me qëllimin për ta vrarë. 

Godo, ndonëse vetëm me nota të lehta, e sjell për lexuesin dyshimin që turqit ishin të informuar mirë lidhur me ishullin dhe ky informim mund të kishte ndodhur vetëm nga njerëz që e njihnin atë shumë mirë. A mund të ishin këta informantë njerëz nga shpura e afërt e Aliut, njerëzit e tij më të afërt? 

Në libërthin “Kompleksi Muzeal i Ishullit të Janinës” me autor Fotis Rapakousis ngrihet si mundësi që Vasiliqia të ishte përfshirë në njëfarë mënyre në atë që ndodhi. Ajo mund të ketë qenë personi që dorëzoi tespihet prej diamanti të Aliut që iu çuan Selim Çamit, çka përbënte një sinjal që Aliu ishte falur nga Sulltani, jeta e tij nuk ishte në rrezik dhe Selim Çami nuk kishte pse ta hidhte në erë kështjellën dhe Janinën që jetonin mbi barut.

Pa e ditur që ajo ishte pjesë e Eterisë, si lexues as nuk ka pse të të shkojë ndërmend se pse ajo të ndihmonte në vrasjen e Aliut pikërisht në atë kohë kur ai po bënte aq shumë për të shpëtuar nga turqit. Por si pjesë e Eterisë, dyshimi edhe mund të ketë kuptim. Arritur në atë pikë të revolucionit i cili ishte sa grek aq edhe shqiptar, i financuar dhe mbështetur ushtarakisht nga Aliu, befas interesat greke nuk ishin të njëjtat me ato të Aliut. Në mbyllje të revolucionit, Aliu parashikonte krijimin e një mbretërie shqiptare që do të kishte brenda edhe Epirin e Thesalinë. Greqia do të mbështetej nga ai që të krijohej po ashtu si shtet, por do të ishte më vete dhe do të përfshinte tokat e tjera. Megjithatë, Godo nuk ngre gishtin kundër Vasiliqisë. Ajo deri në fund të librit shoqërohet si bashkëshorte që i qëndroi besnike Aliut edhe pas vdekjes. 

Dyshime janë ngritur edhe për mundësinë që ka qenë Thanas Vaja ai që e ka tradhëtuar Ali Pashën. Por as për këtë Godo nuk shprehet. Vrasje madhore si ajo e Ali Pashës, të rrezikshëm për forcat që kishin interesa të tjera për të ardhmen e Greqisë, janë si ato të vërtetat e mëdha për të cilat nuk mund të jepet kurrë siguri, por vetëm të ngrihen dyshime dhe të kryhen me kureshtje hulumtime. 

Diplomatët e huaj në një marrëdhënie interesante me Ali Pashën

Shpeshherë në roman flitet për përpjekjet e Aliut për një shtet shqiptar, një kërkesë të cilën ai sipas Godos ua shtronte vazhdimisht edhe diplomatëve të huaj rusë, francezë dhe anglezë, me të cilët zhvilloi negociata në harkun e mbi 30 viteve sundim, vazhdimisht në ekspansion. Këto pjesë janë veçanërisht me interes dhe të sjella bukur në formë letrare. Aliu kërkonte prej tyre që ta ndihmonin të merrte Pargën, Korfuzin, shtatë ishujt dhe nuk reshtte së manovruari sa me njërën palë e të tjerat për të arritur qëllimet e tij. Robërit francezë që mbeten nga përballja e fundit me francezët i integroi në oborrin mbretëror. 

Role marrin në roman gjithashtu personazhe si Napoleoni, Pukëvilli, Admirali Nelson, Bajroni apo Liku. Mediat ndërkombëtare ndihmojnë nga larg për ngritjen në piedestal të Aliut në çaste të rëndësishme të përpjekjeve të tij që krijuan terrenin e nevojshëm për revolucionin e viteve 1820-1821. Vlen të ritheksohet që ky revolucion ishte sa grek aq edhe shqiptar dhe ky libër është një dëshmi e jashtëzakonshme historike-letrare për këtë. 

Kuadri i romanit i përcaktuar nga prania e Sulltanit

Prania e Sulltanit është e vazhdueshme në roman. Ishte Sulltani që e bëri Aliun në Pasha, Vezir, Rumeli-valisi kur arriti të merrte Korfuzin bashkë me rusët e drejtuar nga Ushakovi dhe e shpalli Asllan kur arriti të merrte Himarën. Ishte po ashtu Sulltani ai që e zbriti nga lartësia ku ndodhej, e zhveshi nga titujt dhe i mori pasurinë pasi e vrau atë bashkë me djemtë e nipërit. Sulltan Mahmudi II përshkruhet dhe vlerësohet nga Godo si më i afti ndër sulltanët osmanë që jetuan pas Sulejmanit të Mrekullueshëm.

Hurshid Pasha, kundërshtari në terren dhe rrethuesi i Janinës, në penën e Godos sillet si të ishte një adhurues i madh i Aliut dhe në fakt, në rast përballjesh me kundërshtarë, janë pikërisht kundërshtarët ata që dijnë të çmojnë sa duhet vetitë dhe aftësitë e njëri-tjetrit, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të kuptojnë pikat e dobëta ku të godasin tjetrin apo të mirat e tjetrit nga të cilat të mund të mësojnë.  

Vlera e romanit në ripunimin e tij të tretë 

Për vlerën e librit ne ripunimin e tij të tretë, Godo është plotësisht i vetëdijshëm dhe e shpreh këtë që në hyrje përmes një shënimi drejtuar lexuesve:

“Ky botim është edhe ripunimi i tretë që i bëj “Ali Pashë Tepelenës”. Botimin e parë të vitit 1970, si dhe të dytin më 1992, që e rishkrova nga fillimi në fund, i kam bërë duke ecur symbullur, i bazuar në dokumente e në harta të vjetra, gjë e rrezikshme në një roman historik, sepse diku do të biesh në ndonjë gropë. Para se të nisja këtë botim të tretë, shkova e pashë vendet ku ka jetuar e qeverisur Aliu, pashë qytetet, kalatë e muzetë dhe kalova në duar lëndë të re, çka s’kisha mundur ta bëja më parë. Sfondi mori gjallëri dhe Aliu u bë më i afërt. Tani do të ndihesha i lumtur sikur të zhdukeshin nga qarkullimi dy botimet e para. E keqja me librin është se s’mund ta kapësh më pasi e lëshon nga dora.

Koha që jam marrë me Aliun, shtrihet në tridhjetë e pesë vjet, natyrisht, në periudha të caktuara. Për mua ka qenë një figure që nuk mposhtet dhe që gjithnjë të mbetet diçka pa thënë. Tani unë shpëtova prej tij, por edhe ai nga unë. Nuk u përpoqa ta sajoj figurën e tij, po të zbuloj të vërtetën. E vërteta është se sot nuk di të them ku mbaron dokumentimi historik e ku merr vrull krijimtaria ime, sepse në vetëdijen time këto janë shkrirë e bërë një. Arti dhe kërkimet historike s’kanë fund, por ky është libri që e kam dashur e që mund të shkruaja unë për Aliun; dhe në të s’kam ndonjë gjë për të hequr, as për të shtuar.”

Përfundimet e natyrës historike dhe politike sipas Godos 

Në mbyllje Godo i lejon vetes të shprehet jo vetëm si shkrimtar por edhe si studiues historie dhe politike. Ai nxjerr disa përfundime të rëndësishme:

Së pari, sipas Godos ideja e mbretërisë së pavarur sundonte në mënyrë të pavetëdijshme në shpirtin e Aliut që kur u nis nga Tepelena dhe mori formë kur u vendos në Janinë. Së dyti, Aliu i dha gjithë pashallëkut që drejtonte orientim europian dhe doli përpara kohës dhe si kushdo që del përpara kohës e pësoi, sepse sikurse u pa, u deshën edhe 100 vjet të tjerë që perandoria osmane të binte. Së treti, ai krijoi një frymë tolerance të madhe fetare, duke u hequr pushtetin gjyqësor klerikëve, duke zbutur dallimet fetare që dobësonin bashkimin e popujve dhe përkrahu njëlloj si kishat edhe xhamitë. U mësoi grekëve një mënyrë bashkëjetese ndërfetare, të cilët sikurse e dëshmoi shumë rëndë koha, ata nuk qenë në gjendje ta përbrendësojnë dhe ta vijojnë. Së katërti, Aliu u pasurua pa kufi dhe për ta mundësuar këtë ai i hapi rrugë zhvillimit të bujqësisë, tregtisë, artizanatit. Ai ishte njëkohësisht edhe bankë e të gjithëve. Shpenzoi miliona për armatim dhe për vepra publike. Dhe kur lufta erdhi, ai nuk mbajti asgjë për vete, por thesarin përrallor që sipas Godos ishte bërë objekt zilie deri edhe për Sulltanin vetë, e shkriu për të mbështetur revolucionin dhe përballjen me turqit, sikur të mos kishte asnjë vlerë për të. Dhe sikurse e thekson me të drejtë Godo, në këtë pikë ai veçohet nga mbretërit dhe sundimtarët e tjerë të kohës që nuk e bënë këtë sacrificë.

Si ndërtohet shteti brenda shtetit në kushtet e një perandorie? Apo përfundimi i pestë historik nga vepra e Godos

Ndonëse Godo nuk e numëron si përfundim, e lë të kuptohet nëpër rreshta përgjatë gjithë romanit dhe diku e përmend edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë: 

“Më 1814 problemi i madh i Turqisë ishte Ali Pasha, shteti brenda shtetit.”

Pena e Godos e sistematizon dhe e paraqet me mjeshtri krijimin e këtij shteti brenda shtetit, i aftë që t’i mundësonte Aliut gjithçka pa i prerë kokën. 

Në kushtet kur një popull me kufizime demografike si shqiptarët vazhdimisht kalon nga një perandori në një tjetër, qoftë si pushtim i egër, apo i butë, apo me vetëheqje sovraniteti për të siguruar mbështetje ekonomike, politike, ushtarake siç ndodh në kohët e sotme, një lloj mjeshtërie  si kjo e Ali Pashës të cilën Godo ua përcjell shqiptarëve në ditët e sotme përmes këtij romani, nuk bën dëm të njihet.

Në 200-vjetorin e revolucionit të 1820-1821 dhe në prag të 200-vjetorit të vrasjes së Ali Pashës

Duhet të kthejmë në vëmendje faktin se revolucioni i 1820-1821 nuk do të kishte ndodhur pa Ali Pashën dhe gjithë forcën madhore financiare-ushtarake-politike që kishte ngritur ai me aparatin e tij shtetëror që përmbante shqiptarë dhe grekë. Ky revolucion në mënyrë arbitrare është përvetësuar nga grekët, duke nisur me faktin e thjeshtë që disa vjet më vonë ai u pasua nga themelimi i Greqisë si shtet dhe në atë kohë Ali Pashën e kishin vrarë dhe nuk kishte më mundësinë të ruante trashëgiminë. 

Në 200-vjetorin e këtij revolucioni dhe në prag të 200-vjetorit të vrasjes së Ali Pashë Tepelenës është e nevojshme që të vëmë në vend një padrejtësi që i kemi bërë historisë sonë: (1) duke i mohuar vitet 1820-1821 si vitet e një revolucioni që na ngren edhe ne si shqiptarë po aq lart sa grekët në përballje me Perandorinë Osmane dhe si pararojë në rrëzimin e saj; (2) duke i mohuar Ali Pashë Tepelenën si një personazh i cili ende është pak i njohur për ne.

Në 200-vjetorin e këtij revolucioni dhe në prag të 200-vjetorit të vrasjes së Ali Pashë Tepelenës është po ashtu e nevojshme që ne të bëjmë një përmbledhje të shkëmbimit shqiptaro-grek që prej kësaj periudhe. Para 200 vjetësh shqiptarët e grekët luftuan krah për krah dhe bashkëndanin një territor dhe një popullsi që rritej pa kombësi e shtetësi të formuar, por që bazohej në gjuhë, tradita dhe mirëkuptim për bashkëjetesë. 

Por ç’ndodhi me shqiptarët e këtij revolucioni? Me myslimanët dhe të krishterët që luftuan nën Ali Pashën por edhe me të tjerë? Si na e kthyen grekët mbështetjen që shqiptarët dhanë për revolucionin? 

Themelimin e Shqipërisë si shtet Greqia si shtet nuk e mbështeti. Prej atij themelimi e deri më sot vazhdon të merret me kufirin që na ndan, ndërkohë që po t’i kthehemi kohës dhe frymës së Ali Pashës, jo vetëm Epiri por edhe Thesalia e mbase edhe më shumë do të ishin nën mbretërinë shqiptare të tij dhe pasardhësve të tij. Çamët i vranë, i prenë dhe ata që mbetën gjallë sigurinë për jetën dhe mundësinë për mbijetesë e përparim e gjetën në Shqipërinë e pas Luftës II Botërore. Arvanitëve u hoqi dhe vazhdon t’u mohojë të drejtën e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe mësimin e saj nëpër shkolla. Çamëve nuk u lejon të marrin pronat e tyre dhe të rikthehen e të rivendosen në tokën e tyre. Në vitin 1997 mbeshteti përmbysjen e qeverisë dhe trazirat që ndodhën kudo në jug të Shqipërisë. Nuk heq dorë nga narrativa keqdashëse dhe mashtruese e Vorio-Epirit, duke përdorur edhe korruptimin financiar me ndarje pensionesh për njerëz që kurrë në origjinën e tyre nuk kanë qenë gjë tjetër përveçse shqiptarë. Me sajesat për eshtrat e ushtarëve të rënë në Shqipëri, të cilët në fakt ishin civilë shqiptarë nga fëmijë e deri të moshuar, u bë temë e një filmi komedi. Mban në këmbë Ligjin e Luftës. Po përpiqet me çmos të ndryshojnë kufirin detar me Shqipërinë në favorin e vet.

Megjithatë, vlen të përmendet pozitivisht mbështetja që shteti grek e gjithë populli grek ka dhënë për pranimin e emigrantëve shqiptarë të pas viteve ’90 dhe integrimin e tyre në ekonomi dhe shoqëri. Gjithashtu pozitivisht vlejnë të përmenden edhe përpjekje për projekte të përbashkëta në fushën ekonomike, qoftë me investime greke në Shqipëri ose me projekte që financohen me fondet e BE-së.   

Ali Pashë Tepelena veproi në një kohë kur multietniciteti ishte një element përcaktues i jetës ekonomike, shoqërore, ushtarake dhe politike në jetën e rajonit tonë dhe pashallëkut që ai drejtonte. Ai u vra pikërisht atëherë kur kjo kohë po merrte fund me ngut për t’i lënë vend shtetit komb. Me vdekjen e tij, popullsia që ai udhëhoqi nuk do e kishte më atë mundësi për të jetuar si multietnike. Gjithashtu në atë kohë nuk njiheshin mundësitë për një etni kryesore që udhëheq dhe bën vend në qeverisje për minoritetet dhe i jep atyre të drejta shoqërore, ekonomike, politike pa i detyruar për asimilim të domosdoshëm e të pashmangshëm. 

Në rast se revolucioni i 1820-1821 do të kishte ndodhur në shekullin XXI, Greqia si shtet do të ishte formuar të paktën si shtet me minoritet të fuqishëm shqiptar si Maqedonia e Veriut sot ose si shtet multietnik si klasifikohet Kosova. Shqiptarët do të kishin të drejtën e mësimit të gjuhës deri në rang universiteti, do të gëzonin gjithë të drejtat politike, do të kishin partitë e tyre, organizatat e tyre pjesë e shoqërisë civile, letërsinë e studimet gjuhësore të tyre, emërtimet e vendndodhjeve në zonën ku ata do të jetonin do të ishin dygjuhëshe. Çamët nuk do të ishin vrarë, dhunuar e dëbuar, por bashkë me shqiptarët e tjerë të krishterë arvanitë do të jetonin dhe zhvilloheshin krah për krah në tokat e tyre duke folur shqip.

Ndoshta kjo duhet të jetë përqasja kur ne trajtojmë kontributin e Ali Pashë Tepelenës në krye të pashallëkut të Janinës dhe kontributin e tij dhe gjithë shqiptarëve të Greqisë në revolucionin e 1821. Romani i Sabri Godos ndihmon shumë për ta bërë më të prekshme këtë përqasje.

Rivlerësimi i Godos si autor në 10-vjetorin e vdekjes së tij

Në skenën e sotme letrare ka shumë pak pena që i përkushtohen me seriozitet romanit historik, një zhanër i bukur por jo i lehtë. Përtej dhuntisë letrare për të krijuar romane cilësorë në këndvështrim letrar, ky zhanër kërkon kureshtje, mendje të hapur, njohuri të mira, aftësi të theksuar për hulumtim shkencor historik dhe një mprehtësi e finesë në një për të kombinuar rrëfimin letrar dhe historik në mënyrë të tillë që asnjëri të mos pengojë dhe të dëmtojë tjetrin. Ky kombinim jo aq i mirëqenë dhuntie dhe aftësish që duhet për të shkruar romane historikë, është ndoshta arsyeja se pse ky është një zhanër jo aq shumë i lëvruar në letërsinë tonë. Megjithatë, me Ali Pashë Tepelenën dhe gjithashtu me Skënderbeun e Sabri Godos kemi dy romane që mund të shërbejnë si etalon matës vlere, por njëkohësisht si një bazë për të mësuar sesi romane të tillë mund të ngrihen dhe të marrin gjithmonë e më shumë vlerë me kalimin e kohës.  

Ndërkohë që vëmendja për Godon, për shkak të angazhimit të tij politik me Partinë Republikane të Shqipërisë, është fokusuar kryesisht tek ky angazhim, vepra e tij në të cilën spikasin këta dy romane të jashtëzakonshëm është si e lënë në një kënd të harresës publike, jo vetëm të botës së letrave por më së pari nga qeveria. Harxhohen buxhete të konsiderueshme për gjithfarësoj veprimtarish, përfshi lexime publike, prezantime të letërsisë shqipe në panaire të huaja, ndërkohë që nuk është realizuar një veprimtari e vetme në këtë dhjetëvjetor të ndarjes nga jeta të Sabri Godos që t’i kushtohet promovimit të veprës së tij letrare. 

Nuk ka pasur dhe ende nuk ka një premtim vizionar për ta përkthyer dhe promovuar si Ali Pashë Tepelenën ashtu edhe Skënderbeun e tij në gjuhët kryesore të letërsisë por edhe diplomacisë ndërkombëtare. Nuk ka pasur dhe nuk ka ndonjë shenjë që Ministria e Arsimit t’i përfshijë këto vepra si pjesë e leximit të detyruar për formimin intelektual të nxënësve në shkollat tona. Le të shpresojmë që të paktën në 3 Dhjetorin e Godos të ketë një reflektim dhe vlerësim publik të denjë për këto dy vepra, për mundin e autorit dhe mbështetësve të tij në vite, familjarë, miq e bashkëpunëtorë. 

Tiranë, 31 Tetor 2021

Filed Under: LETERSI Tagged With: Lindita Komani

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NË TEQENË BEKTASHIANE SHQIPTARE NË MICHIGAN U FESTUA “SULLTAN NOVRUZI”
  • SHQIPTARËT E AMERIKËS MBLODHËN 140 MIJË E 500 USD PËR NDËRTIMIN E KËMBANARES SË KATEDRALES NËNË TEREZA NË PRISHTINË.
  • “DIELLI” ME SHQIPTARËT NË DANIMARKË
  • VATRA MICHIGAN SHTROI DARKË NDERIMI PËR PRINC LEKËN DHE KLERIN FETAR NË MICHIGAN
  • VATRA CHICAGO MORI PJESË NË PROMOVIMIN E LIBRIT “THE FLOWER OF VLORA” TË DR. ANNA KOHEN
  • “ARDIAN KOÇI DHE RINGJALLJA E FENOMENIT TË VETMBROJTJES POPULLORE”
  • Edhe shqiptarët duhet ta kenë Kërlezhën e tyre për të nxitur demokratizimin e shoqërisë serbe
  • Shën Patrik
  • PRANIMI I PROPOZIMIT EVROPIAN ËSHTË KOMPROMIS TJETËR I KOSOVËS
  • “Luba”, një dashuri që vërvitet mes kohrash dhe zhvesh sistemin diktatorial
  • SENJORIA E VENEDIKUT DHE RAPORTET E SAJ ME PRELATET KISHTAR E FAMILJET FINSIKE SHQIPTARE NË SHEKULLIN E XV-TË – KRYEIPESHKVI I DURRËSIT IMZOT PAL ENGJËLLI
  • Papa Klementi XI (Albani), një bibliofil me sqimë dhe themeluesi i Seksionit Oriental të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit
  • THE NEWTON GRAPHIC (1975) / “NJERIU DHE LËVIZJA” — EKSPOZITA FOTOGRAFIKE E GJON MILIT NË MUZEUN E SHKENCAVE TË BOSTONIT
  • MUZIKË QË PIKON NGA GISHTËRINJTË E FËMIJËVE…
  • VATRA PROMOVON “DIPLOMACIA NDËRKOMBËTARE DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS 1997-1999” MË 25 MARS 2023

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT