Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
NUK HARROJ VLERAT E REXHEP QOSES SI AKADEMIK, AS NDERHYRJEN E TIJ NE ’91 AS VDEKJA ME VJEN PREJ SYVE TE TILLE…/
Dy ditë më parë, në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë, Akademik Rexhep Qosja i dha një intervistë nga studioja e tij në Prishtinë televizionit kombëtar Top Channel, i cili është selektiv me të zgjedhurit e tij. Por kjo është modë për gazetat e televizionet e Tiranës, po ashtu edhe në Prishtinë, ku gazetaria ka humbur fytyrën dhe është kthyer në një gazetari klienteliste, sipas sloganit„më jep, të jap“, duke shkaktuar një boshllëk të pazëvendësueshëm për fjalën e lirë, e cila duhet të jetë në shërbim të së vërtetës, opinionit publik dhe në mbrojtje të interesave të vendit. Gazetarët profesionistë dhe me integritet duhet të ndikojnë edhe tek vetë politikanët. Por integriteti është një fjalë e hequr nga fjalori i gjuhës shqipe, e cila është zëvendësuar e përçudnuar me: kush është maskara, ish-spiun dhe nëntëdhjetë e nëntësh është me integritet!Duke iu kthyer intervistës së Akademik Rexhep Qosjes, ajo kishte dy qasje, e para, e një Akademiku, kur fliste si historian i letërsisë, pasi Rilindasit ishin edhe shtetarët e parë të Shqipërisë të 28 Nëntorit; ndërsa qasja e dytë, e një militanti zemërak dhe emocional që shkonte deri aty sa i gjente të mira me bollëk diktaturës kriminale të Enver Hoxhës, merrni me mend deri në planin ekonomik, të zhdukjes të pronës private, kur vuri re se regjimi totalitarist i shpëtoi shqiptarët nga varfëria (!!!!) dhe nuk gjeti asgjë pozitive tek Sali Berisha. Deri sa mbante pozicionin e Akademikut të letërsisë, Rexhep Qosja ishte OK, bile shumë OK, kur kaloi në planin e avokatit të regjimit totalitarist dhe prokurorit të Berishës, sepse emocionet e bënë që t’iu ikte analizave shkencore, atëherë e humbi kredibilitetin dhe ra në pozitat e Saimir Tahirit apo Gramoz Ruçit do të thoshja. Këto rradhë i shkruaj me hidhërim, sepse shoh se nuk po gjendet një njeri, një burrë që të ndikojë në paqtimin e politikës shqiptare, e cila për çdo ditë e më tepër po bëhet më konfliktuale dhe më e rrezikshme për stabilitetin e vendit. Zemërata e Rexhep Qosjes merrte nismën edhe për faktin se nuk pati ftesë zyrtare me rastin e 100 vjetorit, diçka që e shoh të padrejtë, në frymën e përçarjes, një frymë e kohës së Sigurimit të Shtetit, e cila po ndihet sot deri në diasporë. Unë mendoj se Sali Berisha do t’i duhej t’i dërgonte ftesë Qosjes, pavarësisht marrëdhënieve shumë negative mes të dyve, qoftë qëndrimeve të gabuara të Qosjes, sepse Berisha po ashtu bën gabime sa të duash. Sepse dikush duhet të shtrijë dorën. Dhe ai njeri që di të shtrijë dorën na duhet ne sot!
Disa ditë më parë dëgjova një intervistë të këngëtares dhe aktores shkodrane Justina Aliaj, një talent shqiptar i djegur për së gjalli nga diktatura, e cila vuri në dukje se talentet nuk mund të jenë të imponuara nga politika apo nga mediumet e propagandës, siç bëhej dikur, sepse për ta vendos opinioni publik. Ky është standarti edhe në Perëndim. Profesionalizmi, aftësitë, kompetencat, talenti dhe integriteti. Edhe për gazetarinë. Gazetar i mirë është ai që lexohet dhe që vlerësohet nga opinioni publik,dhe kurrsesi jo ashtu si ndodh në Tiranë ku opinionit publik i imponohen një tufë opinionistësh pa integritet dhe me skeletë në sirtarë, të cilët veç kësaj janë mediokër dhe mjeranë. Në Shqipëri janë krijuar kushte të jashtëzakonshme për t’u mirëinformuar dhe për të shprehur mendimet, por kjo përparësi e revolucionit të Teknologjisë Informatike shpërdorohet dhe ka ndikim negativ tek opinioni publik, sa që e ka kthyer në domosdoshmëri komunikimin me anë të rrjeteve sociale siç janë Facebook dhe Twitter, ku qytetarët e zakonshëm shprehin mendimet e tyre në mënyrë të barabartë me politikanët, praktikë kjo që aplikohet shumë në Perëndim, ndërsa sa i përket komunitetit shqiptar të internetit ky komunitet është i mirëpopulluar nga shqiptarë të të gjitha trojeve, ku vend kyesor zë diaspora, ndërsa prania e politikanëve gati është inekzistente.Pra me pak fjalë, televizionet e Tiranës dhe Prishtinës nuk mund t’i diktojnë opinionit publik mendime apo qëndrime të ambalazhuara, që këta t’i gëlltisin si medikamente, sepse kështu opinioni publik kthehet në kukull. Ne njohim politikanë kukulla, gazetarë kukulla, ndryshe të njohur si yesmen, por opinion kukull në demokraci nuk ka.Me pak fjalë, opinioni publik kërkon të vërtetën, e cila është në shërbim të të gjithëve, përfshi edhe militantët dhe profiterët politikë, ndërsa militantëve dhe profiterëve politikë u interesojnë të vërtetat e shtrëmbëruara që t’i përdorin për interesat e tyre të çastit.Në këtë rrugë u orientua edhe Akademik Rexhep Qosja në intervistën e tij tek Top Channel. Dhe ka 20 vjet që segmentet okulte të Tiranës orientojnë konfliktualitet. Dhe nuk del një burrë që t’u thotë mor zotërinj mjaft më, le të jemi bashkë, mjaft me folklor politik dhe mjaft me konfliktualitet, le të bëjmë shtetin. Nuk jemi të parët. Pashko Vasa na e ka thënë me kohë, aleatët tanë sot po ashtu, ndërsa ju e keni kthyer komunikimin në artin e pamundësisë. Sidomos sot, me këtë zhvillim të mjeteve komunikimit, pseudoelitat shqiptare vazhdojnë stereotipin e periudhës staliniste, diçka që opinioni publik nuk e pranon dot kurrë.
Askush nuk i vë përballë të vërtetave politikanët shqiptarë, të cilët për konsum propagandistik, paraqiten si njerëz paqësorë dhe shërbëtorë të përvuajtur të stabilitetit, dialogut dhe bashkëkomunikimit, të gatshëm t’i shtrijnë dorën çdokujt, dhe bëjnë mirë, ndërsa me njëri-tjetrin janë si kanibalë, armiq të përbetuar duke mbjellë këtë klimë monstruoze me pasoja për vendin dhe shqiptarët.
Para disa ditësh, kryeministri serb tha se “me Thaçin në kohë lufte ne do të vriteshim”, tani dialogojnë, Ok, jemi fqinj dhe në kushte të reja, integruese, mendojmë për të ardhmen, ndërsa mes shqiptarëve përse vazhdon lufta? Kur gjendet gjuha e përbashkët me Daçiqin e përse nuk gjendet midis nesh! Është shumë e mundur!
Edhe politikat përjashtuese janë staliniste dhe antishqiptare, të cilat i aplikojnë me aq sadizëm politikanët shqiptarë dhe sejmenët e tyre që janë televizionet dhe gazetat – deri tek ambasadat shqiptare në Perëndim – rrezikojnë stabilitetin. Mjaft më. Të lartësohen vlerat, e vërteta historike të jetë mbi baza shkencore, historiografia komuniste të hidhet në koshin e plehrave dhe opinionin publik të mos e ushqejnë me kronikën e zezë për ta sëmurur mendërisht dhe shpirtërisht, por ta orientojnë njerëz me integritet dhe integriteti të jetë emëruesi i përbashkët për politikën.
Sepse sot nuk mund të ecësh me spekulime dhe nuk mund të manipulohet opinioni publik, sepse rrenat nuk mbahen dot në këmbë. Kështu për shembull në intervistën tek Top Channel, Rexhep Qosja filloi të krijonte paralele midis regjimit diktatorial të Enver Hoxhës me atë të Titos. Titoja bënte kërdinë, tha ai, masakronte. Por, kur u hap diskutimi rreth intervistës së tij në Facebook, një koleg gazetar vendosi në mur, një shkrim vlerësues të Rexhep Qosjes me rastin e vdekjes të Marshallit Tito, ku Qosja paraqitej si një titist i flaktë. Atëherë lind pyetja, kë të besojmë ne opinioni publik, Rexhep Qosjen tek Rudina Xhunga apo atë që shkruante të zezën në të bardhë?! E përse nuk e pyeti Rudina Xhunga Akademik Qosjen për këtë shkrim panagjirik që ai kishte shkruar për Titon? Ky është profesionalizmi. Të tjerat janë pallavra, të cilat opinioni publik por edhe elitat e vërteta nuk do t’i pranojnë më.
Ndërkohë, unë nuk harroj as vlerat e Rexhep Qosjes si Akademik, nuk harroj as ndërhyrjen e tij më 25 tetor 1991 me rastin e largimit të Kadaresë, as „Vdekja më vjen prej syve të tillë“. Pra pika bashkuese ne kemi, na bashkon gjuha, e cila na fut në ata kufij që janë të përhershëm, siç po e pranojnë sot politikanët shqiptarë, gjuha na krijon mundësi komunikimi qytetar dhe intelektual, sepse, e them me bindje, pa dashur të cënoj askënd, por duke i ftuar të gjithë, se ka ardhur koha t’i jepet fund propagandës partiake militantiste me prejardhje staliniste që shërben për të sjellë në pushtet përmes manipulimit ata të cilët duhet të jenë jashtë politikës.
Vedat Shehu says
Ju po shprehni nje qendrim te drejte tuajin Znj.Buchpapaj, me te cilin une jam plotesisht dakord. Ketej me dele si nevoje objektive qe t’ju them se neve na duhet te ndajme arsyetimin shkencor ne rang shkrimtari, filozofi dhe eruditi prej arsyetimit logjik mbi nje premise politike te njeaneshme, per me teper shume subjektive, te deshtuar. Ne jemi te detyruar t’a veshtrojme Akademikun Rexhep Qose te dyzuar. Me “tezat” e veta politike te nxjerra ne interviste Akademiku erudit mohoi bazen e arsyetimeve te veta shkencore te dikurshme. Pra Rexhep Qosia na u paraqite me petkun e veshur se fundi politik. Me kete petke nuk paraqet asnje vlere logjika e tij formale shume e shendosh e ndritur mbi premisa te shtembera. Te shohim se me preemise do dale ne skene prap Akademiku Rexhep Qosia.