
Nga DANILO TAINO
“Corriere della Sera”, 27 tetor 2021 Përktheu: Eugjen Merlika/
Duket se Administrata Biden ka vendosur të ndihmojë Taivanin të dalë nga pozita e parias ndërkombëtare në të cilën është i lidhur prej katër dhjetëvjeçarësh. Të martën e shkuar sekretari i Shtetit amerikan Antony Blinken ka lëshuar një komunikatë në të cilën thotë se përjashtimi i Taipeit nga puna në shumë agjensi të Kombeve të Bashkuara “minon punën e rëndësishme të OKB e të organizmave të saj, të cilët të gjithë do të përfitonin shumë nga ndihmesat e tij”.
Kjo mbasi vetë Joe Biden kishte thënë se ishte i gatshëm të mbronte Taivanin në rastin kur t’ishte i sulmuar nga Pekini. Gjë që ngre disa pyetje.
A ka ardhur vallë çasti në të cilin Washingtoni të deklarojë se Kina nuk është një, siç ka pranuar të pohojë pesëdhjetë vite më parë, por që janë dy? A po i afrohemi fundit të “dykuptimësisë strategjike”, në bazë të së cilës Shtetet e Bashkuara nuk kanë bërë kurrë të qartë nëse do të kundërvepronin ndaj ripushtimit të ishullit nga ana e Pekinit? A po i avitemi vërtetë njohjes së Taivanit si Vënd tashmë i pavarur, mbasi u shkëput nga mëmëdheu kur komunistët morën fuqinë më 1949?
Taivani ka një territor; ka një popullsi që, në shumicën dërmuese, dëshëron të mbetet e pavarur; ka një sistem ligjor e një sistem politik demokratik prej tre dhjetëvjeçarësh. Për më tepër është, megjithëse ka vetëm 23,5 milion banorë, një fuqi ekonomike e teknologjike. Më 1951, kur Vëndi ishte në fakt i varur nga ndihmat amerikane, PPI për frymë ishte 154 dollarë. Në 2020 ka kaluar 28 mijë dollarët e nëse e masim në termat e fuqisë blerëse jemi në 55 mijë dollarë në 2019 (të dhëna të Fondit monetar ndërkombëtar) . Gjithënjë në terma të fuqisë blerëse, ajo e Taivanit është e njëzeta ekonomi e planetit.
Nga pikëpamja teknologjike, Taivani ka prodhime të domosdoshme në shkallë globale: në veçanti farkëton 63 % të mikroçipëve që përdoren në botë, të nevojshme në rreth njëmijë sektorë, nga kompiuterët tek autot, tek Mbrojtja. Me gjithë këto e megjithë shkencëtarët e tij Taivani nuk mund të jetë pjesë e OKB dhe as e shumë prej agjensive të saj. Të kërkohet që t’i hapen së paku disa dyer, siç duket të jetë prirja e Washingtonit, shpërthen kundërshtinë e ashpër e Pekinit: e quan një hap drejt sovraniteti të Taivanit.
“Corriere della Sera”, 27 tetor 2021 Përktheu Eugjen Merlika