Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri-Përmes faqeve të internetit, u njoha me një “xhevahir të rrallë”. Aty lexova informacionin në vijim:
“Lajmi se SPAK ka nisur arrestimet për manipulimet zgjedhore në kuadër të dosjes 339, u shfry shumë shpejt një ditë më parë. Kurse sot, e gjithë historia u bë qesharake, pasi u mësua se SPAK u ka dërguar urdhërarresti dy komisionerëve që kishin dy vite të vdekur. Bashkëshortet e Kasem Lalës dhe Besim Bregut thonë se janë ndierë të fyera kur kanë mësuar se do të vijnë t’u arrestojnë burrat. Kurse rrjeti ka shpërthyer në meme e batuta…” (Citohet sipas: “Plas ironia me SPAK / Nuk vdiqën komisionerët, vdiq reforma…”. Faqja e internetit “Syri”. 29 korrik 2020).
Ky informacion tingëllon sa tragjik, aq edhe komik.
Si qytetar me gjak shqiptari, dëshiroj t’ju drejtohem me disa pyetje gjithë socialistëve të ndershëm, pa përjashtim, pavarësisht nga gjendja sociale që kanë, të cilët jetën e vet e kanë ndërtuar me djersën e ballit, duke mos u molepsur kurrë nga virusi i korrupsionit. Këto janë pyetjet në vijim:
Si shpjegohet që njeriu që keni në krye të partisë, dikur, kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, një pasdite tetori të vitit 2005, para forumit të lartë të partisë, pati paraqitur platformën për t’u zgjedhur kryetar, të cilën forumi ia hodhi poshtë, kurse të nesërmen, si me magji, e zgjodhi kryetar? A dini gjë se cila ishte ajo magji që ndikoi drejtpërsëdrejti në ngritjen e tij në postin e kryetarit të partisë?
A e keni pasur informacionin e duhur para se ta zgjidhnit në krye të partisë? A e keni lexuar letrën e avokatit Ilir Malindi që ia pati dërguar Presidentit para do kohësh dhe që titullohet “Edi Rama një i sëmurë psiqik tepër i rrezikshëm. Ka diagnozën “skizofren agresiv””, të botuar në faqen e internetit “Kosova sot” të datës 22 maj 2020?
A e dini që Martin Henze, këshilltar për çështjet ekonomike pranë partisë së kancelares gjermane Angela Merkel, CDU, nëpërmjet një postimi në Twitter, i ka bërë një pyetje të thjeshtë kryetarit tuaj?
“A jeni arrestuar dhe burgosur në Francë në vitin 1994 dhe a keni bërë tregti, me ikona të vjedhura?”. (Citohet sipas: Poli Hoxha. “4 dëshmi: A ka qenë Edi (Edvin) Rama i arrestuar në Francë dhe pse e ndryshoi emrin pas akuzës së Nanos?!”. Faqja e internetit “VOAL”. 20 dhjetor 2019).
A e keni ndjekur informacionin e Gjegji Thimos në studion e gazetarit Adi Krasta, ku deklaroi si më poshtë?
“Numri i Ramës i burgosur në Paris AL.1961138/a (Citohet sipas deklaratës së tij në studion e Tv “Syri”, i ftuar nga gazetari Adi Krasta. 30 qershor 2020).
Pra, a e keni ditur që në krye të partisë keni një njeri me probleme mendore dhe që paska qenë i burgosur në Francë, çka nuk e ka deklaruar në kartelën për pastërtinë e figurës?
A jeni të bindur se kryetari juaj nuk gëzon kurrfarë respekti në Kosovë dhe se kjo mungesë respekti ka parahistorinë e vet, për të cilën prof.dr. Enver Bytyçi ka deklaruar si më poshtë?
“Publicistika e tij antiKosovë e viteve 1990 dhe kundërshtimet ndaj Rrugës së Kombit ruheshin në kujtesën e shqiptarëve në Kosovë, ndaj dhe respekti ndaj tij ishte përtokë” (Citohet sipas: Prof.dr. Enver Bytyçi. “Edi Rama është hero i kombit, popullit dhe shtetit të Serbisë”. Faqja e internetit “Kosova. Info”. 04 janar 2020).
A ju ka ardhur zor nga qëndrimi i kryetarit tuaj kundër ndërtimit të Rrugës së Kombit, qëndrim që e pati shprehur hapur jo vetëm personalisht, por organizoi edhe korin socialist kundër ndërtimit të saj, kur mes atij kori ushtonin zërat e kryeservilëve të tij, si Arben Isaraj, Erion Braçe dhe Fatmir Toçi? Madje deputeti i Vlorës Arben Isaraj lëshoi një deklaratë vetëposhtëruese. Me këtë rast, publicisti i njohur Rexhep Shahu thekson:
““Më pështyni mua në rast se ndërtohet kjo rrugë!”, -thotë me sigurinë e një bastexhiu zoti Isaraj. E kush do të denjonte ta pështynte deputetin e Partisë Socialiste Arben Isarajin tani? Askush. Por autostrada u bë. U bë një vit para afatit të parashikuar. Ai i gjori mbase pret ndokënd që të shkojë e ta pështyjë” (Citohet sipas: Rexhep Shahu. “Dashuria e vonuar e Edi Ramës për Udhën e Kombit”. Faqja e internetit e gazetës “Bota sot”. 20 qershor 2020).
A e keni pasur bindjen e plotë se merita kryesore për ndërtimin e Rrugës së Kombit i takon Kryeministrit Sali Berisha asokohe, për të cilin një ish-deputet dhe ish-ministër socialist qe shprehur dikur nën zë se ajo Rrugë u ndërtua pikërisht falë këmbënguljes së tij?
A keni pasur kundërshtime për vendosjen e taksës për atë Rrugë nga ana e kryetarit tuaj dhe a shërbeu ajo taksë si një arsye e fortë për lindjen e një mërie të heshtur ndaj kryetarit tuaj nga ana e qytetarëve të Republikës së Kosovës?
A ju pati bërë përshtypje dhe a duhej të revoltoheshit ndaj kryetarit tuaj pas deklaratës në vijim të ish-deputetit, të ndjerit Dritan Prifti, nga foltorja e Kuvendit? Ja deklarata e tij:
“A ka shqiptar, që beson se zoti Edi Rama është i pastrehë? Ai në deklaratën e tij të pasurisë thotë që është i pastrehë dhe ne të gjithë e dimë që Edi Rama është pronar i fshehtë i mbi 200 apartamenteve në Tiranë, sepse flasin ndërtuesit. Taksa e tij e jashtëligjshme është 30 euro metër katror për çdo leje ndërtimi që ka dhënë nga viti 2000 e deri sot. A ka shqiptar që e beson këtë gjë qesharake, që Edi Rama nuk ka shtëpi, që jeton me nënën e vet?” (Citohet sipas: Dritan Prifti. “Edi Rama vetëm me hundë thith tre mijë euro në ditë”. Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 10 korrik 2010).
A e keni ndier veten ngushtë kur mësuat faktet me përgjime për vjedhjen e votave në vitin 2017, fakte, të cilat i bëri publike gazeta gjermane “BILD”, dhe mes bisedave të përgjuara u dëgjua edhe zëri i kryetarit tuaj?
Si shpjegohet që kryetari juaj, megjithëse ngriti një padi paradoksale kundër gazetarit të gazetës “BILD” për botimin e atyre përgjimeve, më pas mblodhi bishtin dhe u tërhoq?
A jeni alarmuar ndopak kur keni marrë informacionin me titull “Gazeta Gjermane BILD “ekzekuton” Ramën: Shqipëria, vendi në duart e një gangsteri”? (Citohet sipas faqes së internetit “Koha Islame”, 15 maj 2019).
A keni menduar ndonjëherë se kryetari juaj është frikacak, çka e dëshmoi më 21 janar 2011, kur i nxiti protestuesit të pushtonin kryeministrinë, mes të cilëve pati edhe ndonjë syresh që flamurin kombëtar e flaku në tokë, kurse vetë kryetari u fsheh në kullën përballë piramidës?
Mbyllja e kanalit televiziv “Agon Channel”, si opozitar ndaj kryetarit tuaj dhe e qeverisjes së tij, a nuk dëshmon për natyrën e tij frikacake? Natyrën e tij frikacake a nuk e dëshmon edhe mbyllja e kanalit televiziv “Ora News”, edhe ky opozitar me kryetarin tuaj dhe qeverinë e tij?
A mund të dyshohet se nesër-pasnesër ai mund ta mbyllë edhe kanalin televiziv “Syri”, meqenëse, po ashtu, është në opozitë me kryetarin tuaj?
A jeni të vetëdijshëm që shumën marramendëse prej 110 milionë eurosh, sipas vendimit të gjykatës së Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve të Investimit (ICSID), organ i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, vendim që u mor pas shpronësimit të kompanisë televizive “Agon Channel”, me pronar biznesmenin italian Françesko Beketi (Francesco Bechetti), duhet ta paguajë kryetari juaj dhe jo Banka e Shtetit Shqiptar?
A jeni shqetësuar që kryetari juaj, duke e shndërruar Shqipërinë në Kolumbi të Evropës, siç ka shkruar shtypi i huaj, duke e mbytur me plantacione droge, çka bëri që banorët e zonave fshatare të braktisin kultivimin e kulturave bujqësore, solli si pasojë që një pjesë jo të vogël të zgjedhësve t’i shndërrojë në jeniçerë të vet në pazarin e shitblerjes së votës?
A ju ka shqetësuar zbulimi i korrupsionit të madh dhe tenderi pa rivalë për Unazën e re, çka ishte një përgjegjësi shumë e rëndë që binte mbi kryetarin tuaj?
A mendoni se kryetari juaj e ka shndërruar Shqipërinë në tokën e premtuar të diplomatëve të huaj, të cilët sillen në Shqipëri si zot shtëpie dhe prandaj ndokush prej tyre arrin deri atje, saqë, me sjelljen e vet rrugaçërore, të fyejë rëndë shqiptarët, duke iu ngritur gishtin e mesit, siç veproi ndaj banorëve të Astirit ambasadori i OSBE-së Borchard? A e keni bindjen e plotë se ai diplomat faqezi duhej përzënë nga vendi ynë me teneqe një sahat e më parë, por nuk ka kush ta përzërë se Shqipëria është vend pa zot?
A e keni informacionin e duhur se kryetari juaj është takuar me Vuçiçin në Nish në vjeshtën e vitit 2016 dhe atje kanë biseduar në fshehtësi për ndarjen e Kosovës? A e dini që atë bisedë të fshehtë e ka denoncuar kryetarja e Komitetit të Helsinkit të Serbisë, Sonja Biserko, e cila ka deklaruar si më poshtë?
“Në 2016, në Nish, Vuçiç filloi bisedimet me Ramën për ndarjen e Kosovës…” (Citohet sipas: Sonja Biserko: “Jo Bolton as Grenell, ja kush filloi bisedimet më 2016 për ndarjen e Kosovës”. Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 06 korrik 2020).
A jeni në dijeni për informacionin që ka dhënë edhe ish-kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj për atë bisedë të fshehtë të kryetarit tuaj me Thaçin dhe Vuçiçin për copëtimin e Kosovës, kur ca muaj më parë ka deklaruar si më poshtë:
“Ndalova grabitjen e 10 miliardë eurove, që do të realizohej, nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës! Ky dhe ishte pikësynimi i fshehtë ekonomik, në planin e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thaçi, Vuçiç dhe Rama, ishin bashkëpuntorë në realizimin e kësaj skeme. Por unë e ndalova këtë grabitje dhe miniera e Trepçes, sot e prej dy muajsh, i përket vetëm Kosovës” (Citohet sipas: “Haradinaj “plas bombën”: Ndalova grabitjen e 10 miliardë eurove. Thaçi, Vuçiç dhe Rama janë bashkëpunëtorë!”. Faqja e internetit “dosja.al”. 17 tetor 2019).
A jeni të vetëdijshëm se me flirtet e nxehta me armikun e egër të Kosovës, Aleksandër Vuçiçin, dhe me argatin e Beogradit Hashim Thaçi, kryetari juaj, ashtu si Enver Hoxha, ka hyrë në rrugën e tradhtisë kombëtare, aq më tepër që Vuçiçi, si ish-ministër i kriminelit Millosheviç, në bashkëpunim të ngushtë me Sheshelin dhe me Nikoliçin, ka qenë hartues i platformës për spastrimin etnik të Kosovës, dhe me nismën që pati ndërmarrë për krijimin e Minishengenit ballkanik, kërkon të krjojë Jugosllavinë e re, edhe me Shqipërinë, siç deklaroi në Beograd më 06 prill 2017? A ju kujtohet konkretisht se çfarë deklaroi Vuçiçi pikërisht në këtë datë? Nëse e keni lexuar në internet, po jua rikujtoj:
“Në intervistën e tij të parë si president, dhënë portalit amerikan “Politico”, në 6 prill, i pyetur nëse me planin e tij për një treg të përbashkët ballkanik ai po përpiqet të rikrijojë Jugosllavinë, Vuçiç përgjigjet pa hezituar dhe në mënyrë pohuese se “Është Jugosllavia e vjetër, plus Shqipërinë” (Citohet sipas: Shaban Murati. “Për të shkundur neojugosllavët e Tiranës”. Faqja e internetit “fax.al”. 10 tetor 2019).
A jeni të bindur se këtë deklaratë për përfshirjen e Shqipërisë në Jugosllavinë neotitiste, Vuçiçi nuk mund ta bënte publike pa miratimin e kryetarit tuaj në bisedat e fshehta që ka pasur me të?
Si i shpjegoni ju flirtet e kryetarit tuaj me argatin e Beogradit Hashim Thaçi? A e dini ju se çfarë ka deklaruar Vuçiçi për Thaçin? Nëse nuk e dini, më lejoni t’jua citoj:
“Radio serbe B92, duke përcjellë një lajm nga Tanjug, sjell deklaratën bombë të Presidentit të Serbisë, drejtuar Hashim Thaçit. Aleksandër Vuçiç e nxjerr zbuluar Hashim Thaçin! Presidenti i Serbisë ia tha këtë deklaratë Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi gjatë takimit të përbashkët në samitin e Brdo-Brijunit të zhvilluar në Tiranë, Shqipëri. Ja çfarë citon Tanjug t’i ketë thënë Vuçiç Hashim Thaçit:
“Ti Hashim varesh nga ne. Jam duke t’u lutur të flasësh, për të mos thënë atë që ti do apo atë që ti nuk do!”
Vuçiç përsëriti se ai nuk ka folur kurrë për zgjidhje por për arritjen e një marrëveshjeje” (Citohet sipas: “Deklarata e Aleksandër Vuçiçit: Hashimi varet nga ne! Nuk na ka kërkuar kurrë që Serbia ta njohë Kosovën…”. Faqja e internetit “Gazeta Impakt”. 12 maj 2019).
Ky bashkëpunim kaq i ngushtë i kryetarit tuaj me Vuçiçin, për ta shndërruar Shqipërinë në një koloni të Jugosllavisë së re serbiane, a nuk ju kujton bashkëpunimin e Enver Hoxhës me Beogradin, për ta kthyer Shqipërinë në koloni të Jugosllavisë titiste nën maskën e republikës së shtatë? A ju kujtohet fjala e tij në mbledhjen e Byrosë politike të 15 dhjetorit të vitit 1947, ku lexoi thirrjen e mëposhtme?
“…Duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin de fakto të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë socializmin, pa u bashkuar me Jugosllavinë…” (Citohet sipas: Mërgim Korça. “Ku gënjen Paskal Milo. Replikë me historianin “e nderuar”. Gazeta “Metropol”. 14 korrik 2012).
A jeni të bindur se kryetari juaj po ecën në gjurmët e Enver Hoxhës, i cili vendoste vetë për gjithçka, se populli, sipas tij, duhej të bënte vetëm atë që thoshte partia, prandaj s’ishte e nevojshme të vilej mendimi i tij, aq më tepër që komunistët nuk e dinin se nga bien me adresë referendumet mbarëpopullore?
A mendoni se kryetari juaj ishte i bindur që populli, përmes referendumit, do ta jepte pëlqimin e vet që Shqipëria të hynte në përbërjen e Jugosllavisë neotitiste të Vuçiçit?
Si i kuptoni dhe si i shpjegoni ju flirtet e kryetarit tuaj me Hashim Thaçin, i cili, siç deklaron Vuçiçi, është në shërbim të Serbisë, nuk ka kërkuar prej saj njohjen e Kosovës dhe prandaj, që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ai nuk mund ta padiste Serbinë për gjenocid në Kosvë? Këto flirte a nuk dëshmojnë më së miri se kryetari juaj është kundër ngritjes së padisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për ndëshkimin e Serbisë?
A jeni të bindur se gjatë qeverisjes së kryetarit tuaj, populli i thjeshtë është varfëruar deri në atë shkallë, saqë qindra mijë shqiptarë kanë braktisur vendin?
A ju kujtohet kur kryetari juaj, vitin e kaluar, ishte i ftuar në programin televiziv TG2 të RaiDue në Itali dhe analisti Italian Alberto Negri tha se “në vend qarkullojnë 2 miliardë euro para të krimit, që përbëjnë një rrezik,.. se nga vendi janë larguar 500 mijë njerëz”… Nëse njerëzit emigrojnë, do të thotë se aty gjërat nuk janë mirë”? (Citohet sipas: “Gazetari italian “gozhdon” Ramën: Ju jeni establishment, ish-ministri në trafik droge… ”. Faqja e internetit “Syri.net”. 28 shkurt 2019).
A kanë të drejtë njerëzit të dyshojnë se kryetari juaj, me qeverisjen e vet, ka ndikuar dhe vazhdon të ndikojë në rrudhosjen e popullsisë së vendit?
A ju ka shqetësuar informacioni i Departamentit të popullsisë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sipas të cilit, duke parë ritmet e ulëta të lindshmërisë dhe ritmet e larta të emigracionit, në vitin 2100 popullsia e Shqipërisë pritet të zbresë në 512 mijë banorë? A e dini se edhe në Kosovë ritmet e emigracionit janë edhe më alarmante po për të njëjtat arsye?
A kanë të drejtë të dyshojnë njerëzit se edhe kryetari juaj, edhe miku i tij Hashim Thaçi po ndikojnë drejtpërsëdrejti në shpopullimin e vendit, çka ka qenë interesi mbinjëshekullor i grekosllavizmit, me pikësynimin final shpërbërjen e kombit shqiptar?
A nuk ju tingëllojnë aktuale vargjet e Fishtës së Madh “O Perendi a ndjeve / Tradhtarët na lane pa Atdhé / E Ti rrin e gjuen me rrfé / Lisat n’për male kot!”?
A ju kujtohet ligji që aprovoi Kuvendi juaj me deputet njëpartiak, sipas të cilit në Shqipëri ekzistuakan 9 minoritete? A e kuptoni qëllimin djallëzor që fshihet pas këtij ligji me pasoja të gjëmshme kombëtare?
A po ju shqetëson fakti që politika që po ndjek kryetari juaj në Tiranë dhe Thaçi në Prishtinë për shpopullimin shkallë-shkallë të vendit nëpërmjet varfërimit të vazhdueshëm të njerëzve, është duke bashkëpunuar ngushtë me antishkencën, pikërisht për shpërbërjen urtë e butë të kombit shqiptar? A e ndiqni emisionin televiziv “Gjuha Kozmike” të profesorit Agron Dalipaj? A jeni në dijeni që Anila Omari, bijë dhe mbesë komunistësh, ka botuar një libër me titull “Marrëdhëniet gjuhësore shqiptaro-serbe” dhe ka ardhur në përfundimin se 93% e Fjalorit të gjuhës shqipe është e huazuar? Në një takim, të organizuar nga Fondacioni “Albana” për mbrojtjen e gjuhës shqipe, Profesori Agron Dalipaj ka deklaruar:
“E njëjta gjë që bëhet me politikën kundër shqiptarëve, bëhet edhe në institucionet e gjuhës shqipe” (Citohet sipas: “Fjala emocionuese e studiuesit Agron Dalipaj”. YouTube. 04 tetor 2019).
Në atë takim, Profesori Agron Dalipaj njoftoi të pranishmit se çfarë i kishte thënë Anila Omarit kur e kishte takuar:
“Zonja Omari, deri tani keni arritur ta shpallni shqipen 93% të huazuar. Ka mbetur edhe 7% e Fjalorit pa u shkombëtarizuar. Thjesht çëshje kohe për ju. Ju punën tuaj me pasoja të rënda kundër kombit shqiptar gati e keni përfunduar dhe zyrtarizuar” (po aty).
A e dini se librin e Anila Omarit e ka hedhur në qarkullim Akademia Albanologjike? Po pse hesht Akademia e Shkencave? A jeni në gjendje ta shpjegoni se pse hesht? A e dini se pse kryetari juaj vendosi në krye të Akademisë një komunist të regjur, i cili ka pasur funksione të larta në kohën e diktaturës dhe, si matematicien, nuk ka kurrfarë lidhjeje me gjuhën shqipe dhe me gjuhësinë shqiptare, në vend që të vendoste një gjuhëtar, një historian apo një arkeolog? A duhet të dyshoni se çekani rreh me synim të largët: prania e 9 minoriteteve vërtetuaka se nuk ekzistuaka komb shqiptar, se nuk ekzistuaka gjuha shqipe, se të gjitha fjalët “ua paska vjedhur” gjuhëve të tjera?
Ju lutem miqësisht dhe me shumë çiltërsi, ndokush nga ju a mund ta pyes Anila Omarin se si t’ia bëjmë një figure të shquar të kulturës evropiane, dijetarit gjerman Leibnici (Gottfried Wilhelm Leibniz (1646 – 1716), i cili ka thënë:
“Në qoftë se duam të dimë historinë para Krishtit dhe shkencat e asaj kohe, duhet t’i drejtohemi gjuhës shqipe”?.
A e dini se në mbështetje të politikës antikombëtare të kryetarit tuaj dhe të antishkencës gjuhësore të Anila Omarit me mbështetjen e Akademisë Albanologjike, del Panajot Barka, daullja e shpuar e politikës shoviniste greke, i cili na paska botuar një libër, ku deklaruaka se shqiptarët na qenkan ardhacakë, të cilët otomanët na i paskan sjellë në këto troje. A mendoni se sikur Shqipëria të ishte vend me zot, Anila Omari dhe Panajot Barka duheshin marrë në ndjekje penale?
A jeni të vetëdijshëm se, duke e shndërruar partinë socialiste në pronë të vetën, kryetari juaj ka ndikuar drejtpërsëdrejti që në radhët e saj të lulëzojë arti i servilizmit të neveritshëm ndaj tij, çka ka sjellë si pasojë që krejt partia juaj të kthehet në një universitet servilizmi?
A jeni të vetëdijshëm se ish-deputeti Andis Harasani kishte të drejtë kur deklaronte si më poshtë:
“Në PS është bërë mbizotëruese filozofia e të qëndruarit sa më pranë kryetarit të radhës. Nëse do që të jesh në listë dhe në vend të mirë për deputet, duhet të jesh pranë kryetarit… Shkurt, nëse do të doje një histori vetjake suksesi në politikë, duhet të jesh pranë kryetarit… Në këtë kuptim, shumica e kolegëve të mi të PS-së, ndryshe mendojnë, ndryshe flasin, ndryshe flasin në publik dhe ndryshe flasin në kafene. Tek ata ka mbizotëruar filozofia e kryetarit që mendon se sa kohë ta mbajë trëndafilin në grusht, ka gjithmonë një shans për të ardhur në pushtet, dhe ndaj e shtrëngon aq fort e harron çdo gjë tjetër” (Citohet sipas: Andis Harasani. “Qumështi në diktaturë dhe PS-ja”. Gazeta “Panorama”. 24 qershor 2011).
A jeni të vetëdijshëm që me heshtjen tuaj keni lejuar që kryetari juaj të shndërrohet në një pronar pushtetplotë jo vetëm i partisë socialiste, por edhe i Republikës së Shqipërisë (siç rezulton nga bisedat e tij të fshehta me Vuçiçin), ndërkohë që vetë anëtarësia e partisë socialiste dhe të gjitha strukturat e saj, janë shndërruar në kopje të anëtarësisë dhe të strukturave të partisë së punës, të cilat rrinin sus para Enver Hoxhës?
Nëse jeni të vetëdijshëm për një gjë të tillë, a mendoni se kjo është një dukuri e shëmtuar që mund të shpjegohet vetëm me dy mënyra: ose korrupsioni në strukturat e larta të partisë suaj, duke filluar që nga kryetari, është kaq i lartë, saqë i ka katandisur të gjithë anëtarët e tyre të notojnë në një të tillë batak të përbashkët, ku është e pamundur që ndokush të guxojë të manifestojë individualitetin e vet, ose mes anëtarësisë së saj mbizotëron ideja enveriste e nënshtrimit pa kushte para njëshit të partisë?
A mendoni se me mënyrën se si i trajton strukturat e larta të partisë dhe sidomos grupin e deputetëve socialistë, të cilët i ka shndërruar në deledeputetë, kryetari juaj ka ndikuar që në atë parti të lindin ca dukuri negative, të dëmshme këto dhe me pasoja jo të mira për autoritetin e partisë socialiste, si anarshizmi, dyfytyrësia, hermetizmi, mosmirënjohja, pabesia, servilizmi, vulgariteti?
A mendoni se tingëllon aktual thelbi i përmbajtjes së një artikulli në vijim, të botur gati pesëmbëdhjetë vjet më parë:
“Partia Socialiste nuk është një formacion politik me ide. Është një grumbull i madh interesash që nuk kanë as filozofi, as ide, as ideologji, pra, asgjë. Partia Socialiste Shqiptare është vazhduesja e Partisë Komuniste. Pjesa më e madhe e anëtarësisë së saj janë komunistët që kanë si kult Enver Hoxhën, por kjo e vërtetë nuk thuhet asnjëherë. Ata janë aty, pra, në PS, sepse nuk e përtypin dot as sot përmbysjen e komunizmit në Shqipëri dhe as në Evropë…” (Citohet sipas: Ilir Yzeiri. “Edi Rama apo heroi pa objekt”. (Gazeta “Metropol”, 04 tetor 2005, f. 13).
Cili ka qenë qëndrimi juaj ndaj ish-deputetes Arta Dade, e cila, në gazetën “Telegraf” të datës 09 mars 2019, ka pasë hedhur idenë për rithemelimin e partisë socialiste? A mendoni se partia socialiste duhet rithemeluar apo duhet themeluar? Në të vërtetë, partia socialiste nuk ka datë themelimi, sepse data 12 qershor 1991 shërben si data e ndërrimit të emrit të partisë së punës në parti socialiste, jo si data e themelimit. Prandaj a e quani të arsyeshme se duhet të themelohet partia socialiste, në mënyrë që në krye të saj të dalë një njeri me integritet të lartë intelektual dhe moral, me vetëdije të lartë kombëtare, i panjollosur nga balta e korrupsionit, që, në postin e kryeministrit, të gëzojë autoritet në marrëdhëniet me fqinjët dhe me Brukselin, që rivalët politikë t’i vlerësojë si konkurrentë nëpër fushatat zgjedhore dhe jo si armiq, siç i ka trajtuar dhe vazhdon t’i trajtojë kryetari juaj, i cili ka luajtur një rol mjaft negativ në pakësimin e numrit të popullsisë, në përçarjen e popullit shqiptar dhe në varfërimin e tij?
Deklarata e kryetarit tuaj pas “fitores” në zgjedhjet e qershorit 2013, a nuk dëshmon për rolin e tij përçarës në radhët e popullit shqiptar? Një publicist i njohur shqiptaro-amerikan shkruante asokohe:
“Ai na përsërit fitoren historike të qershorit 2013, duke i krahasuar votat që mori me “një milion topa, grushte apo shuplaka” që iu dhanë opozitarëve të sotëm. Por… qenë pikërisht ato zgjedhje që mbushën parlamentin me mediokër, por të pasur, hajdutë, kriminelë me precedentë penalë, të lidhur me trafiqe e të korruptuar, siç e kanë marrë vesh tashmë edhe kalamajt e kopshteve. (Citohet sipas: Andon Dede. “Kur gjykojmë qeverinë”. Faqja e internetit “alb.spirit”. 23 prill 2017).
A duhej të ishit revoltuar kundër asaj deklarate skandaloze? Sepse topat, grushtet dhe shuplakat përdoren kundër armiqve, jo kundër konkurrentëve politikë. Sepse të tilla mjete, krimineli Enver Hoxha i përdorte kundër shtresës së të përndjekurve politikë, të cilët i trajtonte si armiq të klasës.
Kur ktheni kokën prapa dhe vëreni se ku është katandisur vendi gjatë këtyre shtatë vjetëve që lamë pas, a nuk mendoni se kryetari juaj është shkaktari i një tragjikomedie, në të cilën vetë, nën heshtjen tuaj, ka luajtur tragjedinë, kurse ju keni soditur komedinë? Kjo gjendje më kujton një shprehje të bukur të shkrimtarit anglez Oldos Haksli (Aldous Huxley – 1894-1963), i cili ka thënë:
“Në tragjedi ne jemi pjesëmarrës, kurse komeditë vetëm rrimë dhe i soditim”.
Në fillim citova atë informacionin, i cili në titullin e tij përmban fjalinë “Nuk vdiqën komisionerët, vdiq reforma…”. Më vjen shumë keq që doli parashikimi im, të cilin e pata bërë më shumë se katër vjet e gjysmë më parë në një analizë me titull “Reforma në drejtësi: do të mbarset mali dhe do të pjellë një mi”, të botuar në internet më 28 janar 2016. Në atë analizë pata theksuar se refotma në drejtësi duhet të fillojë nga krerët e politikës, deputetët dhe mandej të zbresë në strukturat e sistemit gjyqësor. Kryetari juaj nuk deshi ta niste reformën në fjalë nga politikanët se, faktikisht, ishte kundër saj, prandaj dhe ajo nuk mund të mos dështonte. Gjatë këtyre më shumë se katër vjetëve, kryetari juaj, në bashkëpunim të ngushtë me sejmenët që ka rreth e rrotull vetes, kanë nanurisur popullin shqiptar për reformën në drejtësi, duke u marrë me llafte të kota, për të cilat filozofi gjerman Shopenhaueri (Arthur Schopenhauer 1788-1860) thotë:
“Në qoftë se llafet e kota, të cilat na qëllon rasti t’i dëgjojmë në bisedë e sipër, fillojnë të na bëhen të mërzitshme, duhet përfytyruar se është duke u luajtur një skenë komike mes dy gaztorëve. Ky është një mjet jashtëzakonisht i stërprovuar”.