ARISTOTEL SPIRO/
ose LE TA MBROJMË PËRKTHIMIN NGA SHQIPËRIMI!
O Zot i Fjalës Shqipe,
O Perëndi Ligjërate!
Shpëtona kumtet e largëta prej gjuhësh të pakuptueshme!
Përkthimin mbroje nga tundimi i shqipërimit!
Bëhu shtrat që të shoh përmes teje mrekullitë e mendjes njerëzore,
çka shtrihet përtej gjuhës amtare.
Bëhu ti monument mbi piedestale veprash të përbotshme,
veç kurrë piedestal narcizist shqipërimi.
O shqipërues,
në qofsh i zoti të shprehësh shqip çdo fjalë e frazë të huaj,
shqipen nderoje duke i dhënë dashuri shkrimit të bujtur,
bëna të ngjitemi bashkë shtigjesh të panjohura mendimi.
Shpëtoje veten nga tundimi i krenarisë ligjëruese;
përmbaje dalldinë,
shelbona nga egoizmi i shqipëruesit,
bëhu më në fund i vërtetë
bëhu përkthyes
dhe t’u falshin mëkatet e vogla kuptimore,
sikundër ti ua fale përkthyesve të gjuhës sonë shtegtare.
o Zot i Fjalës Shqipe,
o Perëndi Ligjërate!
30 shtator 2022