“Fol, ja këtu nxirre qumështin e mëmës ose përndryshe vdiqe. Fol!…Fol!”/
“Rrno për me tregue”/ Torturat çnjerëzore në hetuesinë komuniste dhe mesazhi në murin e bugut që tmerroi At Zef Pllumin: “Un Dom Vlash Muçaj këtu më 22 korrik piva urinën time për mos me dekë etjet. U tmerrova. A thua njeriu arrin deri aty, ma keq se kafsha?”/
Nga Luljeta Progni/
Nesër më 5 nëtor, Shqipëria do të jetë sërish në vëmëndjen e mediave të huaja, pasi në Shkodër mbahet mesha për martirizimin e 38 klerikëve të Kishës Katolike, të vrarë gjatë sistemit komunist. Autoritete të larta të Vatikanit do të jenë nesër në Shkodër, për të marrë pjesë në këtë ngjarje shumë të rëndësishme për Shqipërinë, por edhe për kishën në tërësi.
Janë 38 histori tragjike të klerikëve shqiptarë që në të vërtetë përcjellin qindra të tjera të ngjashme të klerit katolik, por edhe të viktimave të sistemit komunist në Shqipëri. 27.al, ka zgjedhur një pjesë nga libri i At Zef Pllumbit për të përcjellë kalvarin e vuajtjeve të tyre. Kush më mirë se At Zef Pllumi, i përcjell mundimet e tij e të gjithë klerikëve e shqiptarëve të tjerë, që u persekutuan nga diktatura e egër komuniste. Është një rrëfim i ndjerë i At Zef Pllumit që përcjell disa ditë të jetës së tij, në toruturat komuniste, por edhe bashkëvujatësit e tij fatkeqë. Ai rrëfen një mesazh që kishte gjetur në murin e burgut, i shkruar nga një prift që ishte torturuar çnjerëzisht. Një mesazh që e kishte tmerruar At Zefin.
“Rrno për me tregue” nga At Zef Pllumi:
Dr. Paulin Pali, jurist. Ishte nji emën i ndigjuem për mirë, në të mbështeteshin shpresat e shumkuj prej atyne intelektualeve që thurrshin plane të bukura për të ardhmen e atdheut. E takova për të dytën herë aty ku nuk duhej.
Nën shkallë ishte WC-ja alaturka; ngjitun hamamxhiku i vogël; të dyjave u kishin hjekë dyert për t’i kontrollue polici edhe prej së largu. Aty në hamamxhikun e vogël ishte nji burrë i gjatë, i madh, me nji mjekër të zezë deri në gjoks. Kambët e zbathuna të shterngueme në zinxhirë kali me dry e të kapuna në murin mbrapa me nji hallkë, duerët të lidhuna para.
Kush je ti? – ndigjova zanin e tij, ndersa po i avitesha WC-së. Ai e persriti nen zâ emnin që i thashë.
– A të njofun ty?…
Vetëm kaq se pjesën tjetër e zuni zani i egër i gardjanit që bërtiti prej së largu: Paulin… Paulin, he derr as aty nuk rrin urtë, – dhe e mbylli frazen me nji të shame të turpshme. Gjithë natën e gjatë e kalova i varun aty n’atê pjeshkë, mes oborrit të vogël në cegmen e Dhetorit. Sytë i drejtoshem te ai burri në hamarnxhikun e vogël: A ishte ky Paulini?.. Për bishtin e shkurtë të trumës, aty pranë derës, nji tjetër i lidhun kambësh, në nji pozicion që as nuk rrinte drejt në kambë, as i ulur kacuk. Kushedi sa kohë ishte i lidhun ashtu, sepse lëshonte ulurima të tmerrshme, kishte kalue nga mendja dhe fliste fjalë të ndyta papushim. Mâ vonë e mora vesht se ai ishte Taipi. Perbrí meje disa tjerë largas njeni-tjetrit të shtrimë përtokë, të mbledhun palmuç të mbluem me nga nji batanije leckë; ndërsa, përballë me fëtyrë të sjellun nga muri kater tjerë, në kambë drejt qiri, të mbuluem me batanije leckë. Në atê heshtje nate të tronditej kryet nga hapat e randë të rojes që sillej aty me automatik ngrehë, dhe të gjamave, pshertimave e ulurimave t’atyne që vuejshin n’atê oborr dhe të disa tjerëve që nuk shiheshin se ku ishin.
O Zot i madh, – thashe me vedi, – a thue ndoshta kam dekw e gjindem n’atê ferrin real, “ku nuk ka tjeter, por vajë e kërcllim dhambësh”? N’atê moment mund ishte ora 1 mbas mesnate; po zbrisnin nga pvetjet apo torturat nji tjeter të mjerë. Kadale e ulnin shkallëve; rojet kqyren pjeshkën ku ishem i varun un, njani kthej vrap përpjetë, mandej zbriti. Atëherë të mjerin tjetër e lidhën afër WC- së ndër parmakët e shkallëve. E kishin sakatue. Gjithë naten gjimonte, ndërsa roja i avitej e kërcnonte dhe e shante me fjalët mâ të ndytat. Atê natë nuk pat asnji krismë automatiku.
Në mëngjes herët filloi radha për WC. Rojet u shtuan ndër të gjitha anët. Para orës 7 ra qetsi, mandej u ndrruen rojet. Kah ora 10 erdhën e më zgjidhën nga pjeshka. Kur kalova nga WC-ja përsri ai Paulini aty në hamamxhik, ndërsa ai i varuni ndër parmakët e shkallëve nuk ishte mâ i zoti me lshue kurrfare zani. Në krye të shkallve ishte nji salon, i cili shërbente për hymjen ndër kater dyer. Ndeja aty në kambë. Përballë meje ishin dy persona të lidhun, Cin Lezha dhe nji tjeter që nuk e njofta….
Vazhdoi nji heshtje, ndërsa ai sillej rrotull nëpër dhomë.
– Nuk don të flasësh?…
– Po shka të flas?
– Fol këtu, na trego përse të kemi arrestuar?
– Pse më keni arrestue, këtë e dini ju; un nuk dij gjâ, duhet të ma thoni ju mue.
– Si nuk ditke gjë? Kujt i thua ti? Mblidhe mendjen e fol!
– Po shka të flas? Ti më pvet shka don e un të përgjigjem.
– Ti të më përgjigjesh mua? Mejtohu mirë se këtu para meje kanë vdekur burra më të fortë se ti. – Fol, ja këtu nxirre qumshtin e mëmës ose përndryshe vdiqe. Fol!…Fol!…
– Nuk dij shka me folë.
– Nuk din ti ë?
Kapi shufren e hekurit, me të cilen shprishte zjarmin e sobës së ndezun dhe me të m’u versul mbi shpatulla, shpinë, kofshë e kambë. E vetmja fjale që thonte: Fol! Këtu nxirre qumshtin e mëmës!
Un nuk kishem shka me folë. Mbasi u lodh ai, edhe un ishem i dermuem, thirri kapterin dhe i tha: Merre. Kur më zbriti në oborr ajo pjeshka ishte e zanun, sepse kishin varë nji tjeter, atê që e kishin lanë ndër parmakët e shkallëve, e kështu mue më varen aty përballë WC-së e hamamxhikut. Paulini aty. Kqyrshim vazhdimisht shoqishojnë. Por gardjani sillej aty afer e nuk mund folej. Në murin e WC-së ishin shumë shkrime, pothuej të gjithë emna e data të grryeme në mur me prangat e duerve. Ajo që më mbeti e ngulun në mendje kje:
“Un, Dom Vlash Muçaj këtu më 22 korrik piva urinen time për mos me dekë etjet.”
U tmerrova.
A thua njeriu arrin deri aty, ma keq se kafsha? O Zot, mos na provo!
***