
Rafaela Prifti/
Asambleja e Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë vote rezolutën për t’i dhënë “më shumë të drejta dhe privilegje Palestinës”.
Rezoluta u miratua me 143 vota pro, 9 kundër dhe 25 abstenime.
Asambleja i drejtoi sot Këshillit të Sigurimit thirrjen që ta vlerësojë pozitivisht kërkesën e Palestinës për anëtarësim në Organizatën Botërore.
Në 18 prill Shtetet e Bashkuara vendosën veton në lidhje me rezolutën, që kishte përkrahje të gjerë nga vendet anëtare, për të hapur mundësinë e anëtarësimit të plotë të Palestinës – një synim i kahmotshëm i palestinezëve, të cilin izraelitët kanë punuar vazhdimisht të mos e lejojnë.
Amerika votoi kundra rezolutës sot. Përfaqësuesit e Misionit Amerikan thanë se qëndrimi i administratës Biden ka qenë i qartë në këtë pikë. “Në vend që të ndjekë procesin për anëtarësim, rezoluta arabe-palestineze tenton që ta anashkalojë atë,” tha zëvendës Ambasadori i Misionit amerikan të OKB-së, Robert Wood. Diplomati amerikan tha se për të arritur anëtarësimin rruga e vetme janë negociatat me Izraelin.
Palestina u pranua në OKB si vend me status obzervues në vitin 2012.