Shkruan: Erion Borova/
Të hënën demokratët do të shkojnë për herë të parë në jetën e tyre në kutitë e votimit për të votuar drejtpërdrejt kryetarin e tyre të ardhëm. Dhe për herë të dytë në historinë e Partisë Demokratike ata do të zgjedhin një kryetar të ri, krejt në mënyrë demokratike e transparente. Po prej kaq ditësh diskutimet vijojnë të shfaqen përmes dilemës: Kush duhet e kushdo të jetë kryetar i ri i Partisë Demokratike, Basha, apo Olldashi? Natyrshëm, secili bën një bilanc, bën një përshkrim të asaj që shikon, përcepton e ndjen dhe më në fund, të hënën secili do t’i japë fund kësaj dileme. Demokratët do të kenë kryetarin e tyre të ri.
Megjithatë, në këtë rast bëhen përpjekje që t’i jepet përgjigje pyetjes kush duhet të jetë kryetar i Partisë Demokratike, cili prej dy kandidatëve mund ta çojë PD-në në fitore dhe mund ta bëjë atë të aftë të bëjë opozitën moderne e fituese? Dikush më tha: Unë votoj Bashën dhe jo Olldashin. Kur e pyeta pse, ai më shpjegoi disa argumente. Si në çdo rast tjetër, edhe argumentet janë subjektivë. Si çdo gjë tjetër, edhe argumenti gjithmonë është relativ. Megjithatë le t’i shqyrtojmë një e nga një.
Argumenti i parë lidhet me formimin e secilit prej kandidatëve. Basha është formuar e kultivuar me kulturën politike si dhe me kulturë të përgjithshme anglo-saksone. Ai jo vetëm ka jetuar për shumë vite në mjedis kulture të tillë, por është aktivizuar në organizata të shumta ndërkombëtare, deri në Gjykatën Ndërkombëtare Penale të Hagës, duke kryer detyra të rëndësishme me përgjegjësinë që të dikton kultura anglo-saksone. Ai e ka shfaqur me mjeshtri kulturën e tij politike në fushatën elektorale për zgjedhje të Përgjithshme më 2005-ën e 2009-ën si dhe të zgjedhjeve lokale të 2011-ës, por edhe në detyrat që ka kryer, veçmas si shef i diplomacisë shqiptare. Po Olldashi? Ai është formuar me kulturë ballkanike, me pak ndikim nga kultura mesdhetare. Ai nuk ndryshon aspak nga modeli i kulturës politike shqiptare. Madje ai ka shumë anë të përbashkëta me vetë të majtën, të cilën e godet më shumë sesa Basha, pikërisht për të fshehur lidhjet konceptuale politike me të majtën. Ndërkaq të djathtës, por edhe politikës shqiptare i duhen personalitete me formim dhe vizion perendimor, mundësisht anglo-sakson. Basha e plotëson këtë kusht më shumë se kushdo tjetër në PD e jashtë PD-së.
Argumenti i dytë: Kontributet në Partinë Demokratike. Olldashi thotë se ka 23 vite në PD, duke dashur të godasë Bashën, i cili ka ardhur më vonë se Olldashi në këtë parti. Për të qenë korrekt Olldashi nuk thotë të vërtetën, sepse ai ka e shumta 18 vite në PD, jo 23 vite. Pesë vitet e fillimit që ai i shton ka qenë madje në formacione politike rinore ose partiake kundër PD-së. Por kjo s’ka rëndësi. Me rëndësi është se kush është i përkushtuar më shumë për Partinë Demokratike dhe anëtarët e saj. Gjatë tetë viteve Basha ka dëshmuar respekt për çdo demokrat, ka dëshmuar përkushtim për t’u gjendur pranë tyre. Ndërsa Olldashi ka krijuar një rreth vicioz rreth vetes dhe e përdor klanin e tij kundër demokratëve të tjerë. Për këtë shkak janë larguar me qindra demokratë nga partia, së cilës ata i patën besuar. Basha ndjek filoozofinë e bashkimit e të unifikimit, Olldashi në përgjithësi atë të ndarjes e të punëve nën rrogoz. Ky është një dallim i madh midis tyre. Për të mos thënë faktin tjetër që kur Olldashi erdhi në PD-në e Berishës, Basha ishte në Lidhjen Demokratike të Rugovës. Pra të dy demokratë ishin që në fillim. Pamundësia për të jetuar në Shqipëri e bënte Bashën të gjendej në një parti tjetër demokratike, madje shqiptare e me emër, simotër të PDSH.
Argumenti i tretë ka të bëjë me rezultatet e punës të secilit prej kandidatëve. Rezultate të mira kanë të dy, edhe Basha, edhe Olldashi. Por ka dhe dallime thelbësore midis tyre. Olldashi pati një rezultat të dukshëm në detyrën e ministrit të Brendshëm, por më pas, si ministër I transporteve ai thjesht ka realizuar projektet e Berishës e të Bashës, dmth ka qenë ingjinieri zbatues . Basha mbështeti me të gjitha forcat e mjetet ndërtimin e Rugës së Kombit. Si ministër i Jashtëm ai bëri të mundur nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. Negocoi me përkushtim për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe korri suksesin e duhur. Si ministër i Brendshëm kreu në kohë rekord të gjitha detyrimet për liberalizimin e vizave. Atë punë që nuk e kishin bërë një duzinë e paraardhësve të tij në 20 vite, ai e realizoi në një vit. Kjo do të thotë se Basha ka kredenciale më të shumta sesa Olldashi për ta merituar vendin e numrit një të Partisë Demokratike. Meritat, sukeset e rezultatet e tij të punës dëshmojnë aftësi më të mëdha sesa Olldashi.
Argumenti i katërt: Përballja me Edi Ramën. Në këtë aspekt nuk ka dilemë. Të dy, Olldashi dhe Basha janë përballur me Edi Ramën. Por Olldashi ka humbur me një rezultat më të ulët sesa Spartak Ngjela, ndërsa Basha e largoi Ramën nga zyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Janë dy pamje të ndryshme, madje të kundërta. Dhe motivi për të zgjedhur një kryetar të opozitës është aftësia e tij për t’u përballur me kreun e mazhorancës. Këtë aftësi e ka dëshmuar njëherë Lulzim Basha dhe nuk ka pse dikush dyshon se ai mund ta mundë në çdo raund Edi Ramën. Edhe filozofia e përballjes ndryshon midis Bashës dhe Olldashit. Ky i fundit e kërkon përballjen përmes konfliktit në aparencë dhe pazareve në prapaskenë. Njësoj si Rama, Olldashi është i teorisë së pazareve, në vend të filozofisë së zhvillimit të demokracisë reale në këtë vend. Ndërsa Basha di të përballet me një filozofi të re me kundërshtarin. Ai nuk është konfliktual, por paqësor. Nuk përdor retorikën, por argumentin në shërbim të poltikës. Kjo e ka bërë atë dhe do ta bëjë në të ardhmen konkurent të pakontestueshëm në një demokraci moderne. Olldashi është kultivuar me mentalitetin ballkanik të politikës. Pra, ose konflikt, ose kompromis! Ai është njeri I kompromiseve të pamoralshme dhe I luftës hakmarrëse politike, pra person i ekstremeve, pa një linjë të qartë konkuruese. Mbase kjo shërben për të bindur ndonjë militant fanatik të Partisë, por nuk i shërben qëllimit final, fitores së Partisë Demokratike dhe ardhjes së saj në pushtet.
Argumenti i pestë ka të bëjë me veset e virtytet. Edhe në këtë aspekt të dy kandidatët ndryshojnë shumë midis tyre. Olldashi afron në këtë pikëpamje më shumë me Edi Ramën dhe miqtë e tij, sesa me Sali Berishën dhe konceptet e tij për figurën morale të politikanit në Shqipëri. Basha, në të kundërt, ka të metat veta, por nuk ia njohim veset. Së paku ai nuk I praktikon veset e Olldashit. Partisë Demokratike i duhet një kryetar pa vese, edhe pse me të metat e veta. Të zgjedhësh një kryetar me vese, do të thotë që në nisje të fillosh e korrësh dështimin.
Argumenti i gjashtë duket se shkon në favor të Olldashit, por ndoshta nuk është kjo e vërteta. Olldashi thotë se ai është deputet, duke lënë të kuptohet se një kryetar jashtë parlamentit nuk është i përshtatshëm për Partinë Demokratike. Por dhe kjo pjesë ka relativitetin e saj. Basha është kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe Tirana është gjysma e Shqipërisë. Kjo do të thotë se Basha ka një shans më shumë se Olldashi të dëshmojë aftësitë e tij drejtuese e menaxhuese praktike, ndërkohë që Olldashi ka më shumë shanse të dëshmojë retorikën e tij në sallën e parlamentit. Ndërkaq Basha ka mundësi të shumta jashtë parlamentit të dëshmojë konkurencën politike për strategjinë e zhvillimit të Shqipërisë në të ardhmen. Dhe Olldashi, nëse e do Partinë Demokratike, edhe pse jo kryetar i saj mund ta luajë rolin e tij brenda parlamentit. Nuk e pengon qenia ose jo kryetar partie në këtë pjesë. Kështu të dy plotësojnë njëri-tjetrin.
Argumenti i fundit, Basha ka mbështetjen e mediave të qendrës e të së djathtës, Olldashi ka përkrahjen e mediave ekstremisht të majta. Çdo të thotë kjo? No koment!