Besnik Imeri/
Shikojmë disa të dhëna interesante për fortifikimin pellazgjik të Olympes, i cili ndodhet në fshatin Mavrovë të rrethit të Vlorës. Qytetin e Olympes, pa e identifikuar me këtë emër, e ka përmendur edhe Ugolini, gjatë kohës që ndodhej në një vështrim të shpejtë të rrënojave të Amantias pranë fshatit Plloçë. Ai tregon:
“Të bollshme janë mbetjet arkeologjike që gjenden në perëndim të fshatit Ploçë, në një largësi më së shumti dy orë (bëhet fjalë për ecje më këmbë ose me kalë). Në qytet (që vendasit e quajnë “gjutet”), lokalitet që gjëndet rreth një orë rrugë në perëndim të Plloçës, gjenden të shpërndara aty-këtu nëpër tokë blloqe kuadratikë, të të njëjtit tip me të cilat janë ndërtuar muret e Plloçës. Sipas gjithë gjasave, ato i përkisnin murit mbrojtës ose ndërtesave të mëdha të këtij “qyteti”. Ka blloqe të tjera të të njëjtit tip, të shpërndara nëpër tokë në qafë të Bosit (mund të jetë qafa e Buallarit), që gjendet pranë po këtij vendi…”
Nga ky përshkrim i Ugolinit nënkuptohet që mund të bëhet fjalë për fortifikimin antik që ndodhet në fshatin Mavrovë, e identifikuar nga arkeologu Burhan Dautaj me Olympen e lashtë, në perëndim të fshatit Plloçë dhe të fortifikimit antik të Amanties. Mbetja e toponimit “qytet” tek vendasit brez pas breezi, ashtu siç e pranon edhe Ugolini, tregon për një qytet të lashtë.
Burhan Dautaj, arkeologu që ka zhvilluar tre ekspedita aty: në vitin 1961, 1974 dhe 1979, si dhe zbuluesi i identitetit të Olimpes, thotë se se ajo fillesat e banimit të saj i ka në periudhën e bronzit. Ndjekim disa nga pohimet e tij:
“…Kodra e kalasë, mbi të cilën shtrihet qyteti antik ilir i Mavrovës ka formën e një trapezi të çrregullt me zgjatje nga perëndimi e jug-perëndimi në një varg taracash të sheshta, që sot zihet nga lagja Çakallovoj. Në vazhdim të platformës nga verilindja ngrihet një kaki e quajtur nga vendasit “Maja e Zanit”, e cila në antikitet me sa duket ka luajtur rolin e akropolit…Sipërfaqja e kalasë brenda mureve rrethuese arrin rreth 15 ha…Në fazën e hershme të ngritjes së këtij vendbanimi të fortifikuar, ai kapte majën e Rrethunit (kuota 284 m), ndërsa me zhvillimin e qytetit sipërfaqja e tij gati dyfishohet…
Mure të fuqishme me gjatësi rreth 1300 m mbronin pothuajse nga të gjitha anët qytetin, veçanërisht nga ana perëndimore, që janë dhe faqet më të buta të kodrës…Në skajin jug-lindor të tij aty ku ndërpritet rënia shkëmbore…nga ky trakt duken vetëm dy rradhë gurësh (lartësi 1.20 m dhe gjatësi 3 m) me blloqe gëlqeror të punuara me forma katërkëndore të gufuara nga faqja e dukshme e tyre…Një trakt muri në pjesën veri-perëndimore të kalasë 21 m i gjatë, 3.25 i lartë dhe 2.80 m i gjërë…ka blloqe guri trapezoidale dhe katërkëndore (1.80 m x 0.60 m). Në rreshtin e tretë nga fundi, shfaqen gurëlidhësat tërthorë, që lëvizin nga 2.85 deri në 3 m. Themeli i ngritur nga gurë të papunuar, ku duken qartë gjurmët e nxjerrjes së tyre është lënë si thëmbratë (xokolaturë)…”
Përsa i përket kronologjisë së këtij fortifikimi arkeologu Burhan Dautaj dallon dy periudha ndërtimi, ku e para, përfaqësohet nga muri i brendshëm rrethues me blloqe trapezoidalë dhe faqe të papunuara e të fryra. Kjo periudhë ndërtimi ka të bëjë me fazën më të hershme të këtij vendbanimi të fortifikuar.
Burhan Dautaj, nisur nga objektet arkeologjike të gjendura brenda mureve të rrethimit të kalasë, është i mendimit se ajo nuk e kalon shek. VI p.e.s: “Brenda mureve të kalasë gjurmët e jetës sot për sot (vitet 70-të të shekullit të kaluar) nuk shkojnë përtej shek.VI p.e.s. Këtë e vërteton qeramika arkaike, disa fragmente skyfosash korintik si dhe disa fragmente enës të pikturuara të tipit devollit. Kjo etapë lidhet me karakterin para e protourban të këtij vendbanimi…”
Por ekzistenca e blloqeve të gurëve gjigandë (ciklopikë) deri në 3 m gjatësi në muret e këtij fortifikimi, flasin për një periudhë shumë më të hershme të këtij vendbanimi të fortifikuar. Ndërsa gjetja e një shpate bronzi, e cila njihet si e shek, XI-X p.e.s, e përforcon këtë hershmëri:
“Objekti më i hershëm që ka të bëjë me periudhën paraurbane të banimit të kësaj zone është një shpatë bronzi e gjatë 0.67 m. Ajo është gjetur pas prishjes së një tume në vendin e quajtur “sirokëmbë” në perëndim të fshatit Mavrovë dhe jo shumë larg tij, buzë lumit Shushicë. Si tip shpate është…e njohur gjërësisht në tërë Europën që nga veriu i saj deri në Mesdhe dhe si kohë kap fundin e bronzit dhe fillimin e hekurit, shek. XI-X p.e.s. Ngjashmërinë më të madhe kjo shpatë e ka me shpatën e Matit, të Pazhokut dhe sidomos me atë të Vajzës…”
Prandaj, Burhan Dautaj është i detyruar të pranojë një hershmëri më të madhe të jetës në zonën pranë kalasë, të paktën deri në pesë shekuj më parë, kur pohon:
“Fillimet e jetës në zonën përreth kalasë së Mavrovës, duhen kërkuar qysh në fundin e epokës së bronzit, të dokumentuar me shpatën e gjetur në tumën e sirokëmbës.”
Por, ne këtu kemi të drejtë të dyshojmë se kjo shpatë ka qënë e një komandanti apo drejtuesi të trupave mbrojtëse të kalasë së Olympes, se përndryshe, nuk do të varrosej me gjithë shpatën. Vetë ekzistenca e tumës pranë këtij fortifikimi, nuk bën gjë tjetër veçse vërteton në mënyrë të njëkohshme edhe ekzistencën e tij. Prandaj, mund të pohojmë pa frikë, se fortifikimi i Olympes i ka fillimet e tij në periudhën e bronzit. Në ndihmë të këtij pohimi na vijnë edhe blloqet gjigandë (ciklopikë) të gurëve të murit në pjesën juglindore, jugperëndimore dhe perëndimore të këtij fortifikimi, të cilat dallojnë me gjatësinë e tyre deri në 3 m.
Trakt muri pellazgjik. Olimpe në Mavrovë të Vlorës. Foto.B.Dautaj.
Për identifikimin e fortifikimit të Mavrovës me Olympen antike, Burhan Dautaj jep fakte të pakundërshtueshme:
“…Përmendja e qytetit ilir Olympe në burimet e shkruara dhe veçanërisht prerja dhe hedhja në qarkullim e monedhave autonome prej bronzi me emrin e qytetit: OΛΥΜΠAΣΤAN, e verifikojnë këtë vendbanim të fortifikuar…8 monedhat e Olympes janë jo vetëm të rralla në llojin e tyre, por paraqesin një interesa të veçantë për historinë e lashtë të vendit tonë, sepse ndihmojnë për të rënë në gjurmët e mbeturinave antike të qytetit ilir të Olympes të kumtuar nga Stefan Bizantini. Në këto monedha, në përgjithësi të ruajtura mirë, lexohet në shpinë legjenda: OΛΥΜΠA – ΣΤAN (OLYMPA – STAN)…Ndeshja e monedhave të Olympes në një numër relativisht të konsiderueshëm në kalanë e Mavrovës, që ndodhet brenda trekëndëshit Apolloni-Orik-Amantia, jo vetëm përforcon mendimin e mësipërm, por ajo çka është më e rëndësishme, na jep mundësinë e identifikimit të rënojave antike të kalasë së Mavrovës në rrethin e Vlorës, me qytetin ilir të Olympes…Për lokalizimin e qytetit Olympe në kalanë e Mavrovës kemi dhe një të dhënë tjetër arkeologjike me shumë vlerë, vulën prej balte të pjekur që mban emrin OΛΥΜΠAΣ (OLYMPAS)…”
Pra, Olimpe, nisur nga fillesat e ndërtimit të saj, në periudhën e bronzit, periudhë e luzmimit të pellazgëve; ashtu siç tregohet edhe në fotot e mësipërme, por edhe nga këto përmasa të gurëve, mund të themi se, muret e saj janë ndërtuar nga pellazgët vendas. Gjithashtu, nga fotot e mësipërme vemë re se teknikat e punimit të mureve të Olympes janë të ndryshme, nëqoftëse disa trakte muresh janë të ngjashme me ato të Amanties dhe Matohasanajt, me mure poligonalë me kllapa dhe me “dhëmbë”, disa të tjerë janë të ngjashëm me ato të Foinikes, me gurë të mëdhenj, kuadratikë, kënddrejtë dhe me rreshta.
Trakt muri poligonalë. Olimpe në Mavrovë të Vlorës.
Trakt muri pellazgjik. Olimpe në Mavrovë të Vlorës.
Trakt muri pellazgjik. Olimpe në Mavrovë të Vlorës. Foto.B.Dautaj.
Për emrin e këtij qyteti janë shfaqur mendime të ndryshme: Disa e lidhin me emrin e Olimpes, nënën së Aleksandrit, të tjerë, përfshirë dhe zbuluesin e saj arkeologun B.Dautaj, e lidhin me vajzën e Pirros së Epirit, Olympen. Por, vetë B.Dautaj, kur analizon mbishkrimin e gjetur në Olympe është i mendimit se emri i saj vjen prej adhurimit të Zeusit. Ky supozim është më i qëndrueshëm, pasi në Amantia dhe Olympe adhurimi i Zeusit ka qënë shumë më i dukshëm se sa në qytetet e tjera të Epirit dhe Ilirisë, gjë që shfaqet qartë tek monedhat që këto dy qytete kanë prerë. Por adhurimi i Zeusit lidhet ngushtë edhe me Olimpin, vendqëndrimin e kryeperëndisë dhe perëndivetë tjera pellazge, prandaj dhe vetë qyteti ka marrë emrin Olympe.
Por në Olympe, siç e kemi thënë më lart, ashtu si dhe në Amantie, adhuroheshin të gjitha perënditë e panteonit pellazg të Olimpit. Këtë e tregon edhe një gjetje e arkeologut Burhan Dautaj në nekropolin e këtij qyteti:
“…një Pelike prej balte ngjyrë okër rozë, me figura në reliev…trupi i pelikes ka trajtë konike…pllaka e vendosur në të dy faqet ballore të pelikes paraqet figurën e Hermesit lakuriq, me pelerinë krahëve. Me dorën e djathtë ai mban një kerykeion…Hermesi paraqitet i ulur në një terren shkëmbor…Qëndrimi i qetë i Hermesit në këtë pllakë është diçka e rrallë për këtë hyjni, i cili zakonisht paraqitet gjithnjë në lëvizje dhe aktivitet…Në të dyja pllakat kemi të njëjtën paraqitje të një çifti të rinjsh, ndoshta Afërdita me Adonisin. Që të dy janë në këmbë të zënë për dore. Femra mban një rrobë të gjatë deri në fund të këmbëve dhe të lidhur me një rrip në mes…djaloshi është paraqitur krejt lakuriq…”
Por edhe adhurimi i veçantë i kryeperëndisë pellazge, Zeusit, në Olympe dhe Amantie pranohet njëzëri nga mjaft arkeologë me emër, shqiptarë dhe të huaj:
“… K.Paçit si mbështetje për lokalizimin e Amantisë në Plloçë, i shërbeu edhe kulti i përhapur i Zeusit të Dodonës, të vrejtur tek monedhat…”
Ndërsa Skënder Anamali pohon: “Në ballë të perëndive të nderuara në Amaniti është Hyu, Zeusi. Në Amanti, Zeusi del në përgjithësi me tiparet e hyut dodonas…Zeusi i monedhave të amantëve…Hyu dodonas është parë edhe në një kokë prej guri gëlqeror të gjetur në Ploçë…Mbi flokë ai mban kurorë gjethesh dushku. Hyu është paraqitur me një pamje të qetë dhe njëkohësisht madhështore…” Koka e Zeusit me kurorë dushku është symbol i patjetërsueshëm i Zeusit të Dodonës.
Kurse arkeologu Burhan Dautaj pohon: “Që Zeusi ka qënë hyjnia më e adhuruar e Olympes e tregojnë edhe monedhat autonome prej bronzi me legjendën OΛΥΜΠA-ΣΤAN të prera e të hedhura në qarkullim nga qyteti. Tipi kryesor i këtyre monedhave mban në faqet kryet e Zeusit dhe në shpinë atributin e tij, rrufenë, të rrethuar me kurorë dushku…”
Burhan Dautaj, pas zbulimit të Olimpes pranë fshatit Mavrovë të Vlorës në vitin 1961, gjatë ekspeditës të vitit 1979, midis të tjerave zbuloi edhe 36 monedha; 13 të Lidhjes Epirote, 6 të Apollonisë, 6 të Amanties, 3 të Orikut, si dhe 8 monedha të vetë Olympes. Gjithashtu janë gjetur edhe 5 monedha të tjera të Olympes në vende të tjera, nga të cilat 3 në Amantie, duke e çuar në 13 numrin e monedhave të gjetura të Olimpes. Në këto monedha ndodhen fytyrat e perëndive pellazge apo simbolika pellazge.
Monedha të Amanties:
1) Kryet Zeusit me kurorë dushku, në shpinë Rrufe AMAN – TΩN; 2) Krenët e Zeusit dhe të Dionës, në shpinë gjarpër i rrotulluar (kutullaç), AMAN – TΩN, kurorë dushku; 3) Busti i Artemisës me stefane, në shpinë Flakëse AM-AN-TΩN, kurorë dafinash…
Monedha të Olympes:
-Tip Zeus-Rrufe, tre monedha; Faqe: Kryet e Zeusit me kurorë dushku; Shpinë: Rrufe, OΛΥΜΠA- ΣΤAN, kurorë dushku.
-Tipi Athina-Gjarpër, dy monedha; Faqe: Kryet e Athinasë me përkrenare korintike; Shpinë: Gjarpër i përdredhur rreth një shkopi, OΛΥΜΠA- ΣΤAN, kurorë dafine.
-Tipi Apollon-Obelisk, tre monedha; Faqe: Kryet e Apollonit me kurorë dafine: Shpinë: Obelisk, OΛΥΜΠA- ΣΤAN, kurorë dafine.
Adhurimi i Zeusit në Olimpe, përveç monedhave, identifikohet edhe në një mbishkrim të zbuluar rastësisht në vitin 1982 brenda rrethimit të akropolit, i shkruar në greqisht:
“Zeusit të Madh ia kushton politarhu Aiskinas, i biri i Simias dhe synarkontët Ksenuli i biri i Damarmemenit, Prauli i biri i Strabiut, Zoiri i biri i Antanorit, Arkelau i biri i Aleksandrit, si dhe gramateusi, Nikandri i biri i Adulit…
I kushtohet Hyjit më të preferuar që adhuronin olimpasit. Dhe kjo është e kuptueshme prej vetë emrit që gëzonte qyteti, banorët e të cilit, sipas traditës antike, e lidhin prejardhjen e tyre ndoshta prej këtij hyji…Që Zeusi ka qënë hyjnia më e adhuruar e Olympes e tregojnë edhe monedhat autonome prej bronzi me legjendën “OΛΥΜΠA- ΣΤAN” të prera dhe hedhur në qarkullim nga qyteti. Tipi kryesor i këtyre monedhave mban në faqe kryet e Zeusit dhe në shpinë atributet e tij, rrufenë, të rrethuar me kurorë dushku…Zbulimi i këtij mbishkrimi brenda mureve rrethuese të qytetit, më saktë në zonën e akropolit, lejon që të mendojmë që në të ardhmen, të biem edhe në gjurmët e ndonjë tempulli të ngritur nga Olympasit për nder të Zeusit.”
Pra, olympasit, adhurimin e veçantë ndaj Zeusit, të cilin e quajnë të Madh, e shprehin jo vetëm në monedha, por edhe në këtë mbishkrim në gur, dhe, ajo që thotë Burhan Dautaj, se ata e lidhin origjinën e tyre me këtë kryeperëndi, nuk është pa gjë.
Trakt muri pellazgjik. Olympe në Mavrovë të Vlorës. (Foto.Shtator-2021)
Në vërtetim të kësaj vjen një fakt interesant, mënyra e veçantë dhe forma e veçantë e qeverisjes së Olympes, madje ndryshe dhe nga Amantia dhjetë km larg saj, ashtu siç thotë edhe Burhan Dautaj, ndryshe nga qytetet e tjera në Iliri dhe Epir. Ndjekim B.Dautaj:
“Shfaqja e Politarhut në Olympe është një emërtim i ri që ndeshet për të parën herë në magistraturat e Ilirisë dhe të Epirit. Nga mbishkrime greqisht të zbuluara në vendin tonë për Dyrrahun, Apoloninë, Amantian, Bylisin, qytetin e Klosit (Nikaja) dhe Dimalen njihet Pritani si magistrat eponim, ndërsa për Buthrotin (koinimi i Prasaibëve) funksionari më i lartë cilësohet strategu. Përveç politarhut, gjithmonë për herë të parë, me emërtimin synarkonte, jepen edhe anëtarët e këshillit, emërtim ky që nuk e ndeshim në asnjë mbishkrim greqisht të botuar për qytetet tona antike ilire.”
Ndërsa Pier Kabane për këtë mbishkrim shprehet, se ai është nga të rrallët e gjetur në këtë vendbanim (Olympe), emri i të cilit është konfirmuar nga gjetja e tetë monedhave bronzi, prania e katër synarhontëve dhe një sekretar pranë politarhut tregon se qyteti ka ditur të ngrejë një organizim institucional të mirë strukturuar.
Por mjaft interesant është edhe emërtimi i këtij qyteti tek monedhat “Olympa – Stan”, ku prapashtesa “stan” do të thotë “vend”, pra vendi i Olympes. Sot e kësaj dite, kjo prapashtesë përdoret për të treguar vendet matanë detit Kaspik, Uzbeki-Stan, Kazaki-Stan, Kirgiz-Stan, Afgani-Stan, Paki-Stan, prapashtesë e cila mund të jetë e njëjtë me fjalën ‘vend’, pra, vendi i uzbekëve, vendi i kazakëve, vendi i kirgizëve, vendi i afganëve. Si rrjedhojë edhe emërtimi “Olympa-Stan” duhet të thotë vendi i Olympasve. Fjala ‘stan’ mund të jetë me të njëjtin kuptim si fjala ‘land’, landinë, lëndinë. Se çfarë lidhje ka kjo prapashtesë dhe këto vende me pellazgët e Kaukazit nuk e dimë? Por dimë gjithashtu, që në shqip “stan” do të thotë një vendbanim i barinjve, pra i një populli blegtor. Prandaj mund të hamendësojmë se edhe në këto vende, të përmendura më lart, në lashtësi kanë qënë shumë të përshtatshme për zhvillimin e blegtorisë, gjë që mendoj se nuk e kanë humbur edhe në kohën e sotme. E tillë ka qënë edhe Olympia në prehistori një fortifikim i barinjve. Por një fortifikim që mbronte stanet e Zeusit në Kaoni, pasi dihet që Kaonia, dhe në veçanti lugina e lumit që e përshkon atë fund e krye, janë një vend ideal për zhvillimin e blegtorisë. Që në këtë luginë të mrekullueshme, të lakmuar shumë sot nga të huajt, mund të ketë pasur kullotat dhe stanet Zeusi e tregon adhurimi spektakolar i tij tek olympasit e lashtë.
Por në një këndvështrim tjetër dhe për të krijuar një bindje më të plotë, emri Olympe i këtij fortifikimi pellazgjik mendoj se tregon, që kjo kala, së bashku me Amantien, kanë qënë fortifikimet fundore në mbrojtje të luginës kaone me një zhvillim të madh të blegtorisë (gjë që ka ardhur deri në ditët e sotme), e cila, hamendësojmë se ishte pronë e perëndive të Olimpit me në krye Zeusin, ku ata kishin edhe stanet e tyre. Vetë emri i Olympes: OΛΥΜΠA- ΣΤAN, fjalë për fjalë e vërteton këtë të dhënë, Stani i Olimpit. Prandaj, emri Olympe i këtij fortifikimi pellazgjik mendoj se tregon, që kjo kala ka qënë fortifikimi fundor në mbrojtje të kësaj lugine që ishte pronë e perëndive të Olimpit me në krye Zeusin.
Në këtë kuptim, duke kujtuar edhe adhurimin e jashtëzakonshëm të Zeusit në Olympe, të përshkruar nga ana jonë më lart, gjë që e shtyn B.Dautaj të mendojë se në akropolin e saj Zeusi mund të ketë pasur edhe një tempull; ndërsa në Amantie adhurimi i tij i dëshmuar në një basorelief guri, si dhe në monedhat e qytetit; mund të hamendësojmë se këto dy fortifikime mbronin stanet e Zeusit në këtë luginë të Kaonisë.
Hamendësojmë se kalaja e Olympes sëbashku me atë të Amanties janë dy fortifikime të kohës së lashtë të pellazgëve, të cilat mbyllnin dhe mbronin pjesën fundore të luginës së lumit, që sot njihet me emrin Shushicë, të banuar nga fisi luftarak i kaonëve. Po t’i shikosh sot nga pikëpamja strategjike: Olympe ndodhet në rrëzë të lumit Shushicë, në krah të djathtë të rrjedhjes së tij, ku përkundruar ka vargamalin që fillon në Kaninë të Vlorës dhe vazhdon deri në fshatin Kallarat e më tej, me dy maja të larta mbi 2000 m, atë të Qorres dhe atë të Çikës; Ndërsa Amantia ndodhet në rrëzë të malit të Kudhësit me një lartësi mbi 2000 metra. Pra në krah të këtyre dy qyteteve ka male të lartë me borë që shkrin vetëm në verë dhe të pakalueshëm nga reparte luftarake sulmuese; ndërsa midis tyre, në një distancë ajrore 10-12 km ka kodrina, pllaja të vogla dhe lugina. Një mësymje nga veriu, pjesa e poshtëme e luginës, i vendos kundërshtarët midis dy kalave si ‘sanduiç’. Kësaj po t’i shtojmë edhe kalatë e Kaninës, që ndodhet në veriperëndim të Olympes; atë të Hadërajt që ndodhet në veri, dhe atë të Amonicës që ndodhet në veriperëndim të Amanties, të cilat sëbashku krijojnë një kurorë mbrojtëse, atëhere hyrja në luginë bëhet mjaft e rrezikshme.
Besnik Imeri (marë nga libri “Epiri Pellazgjik”)