Nga Fritz RADOVANI/Melburne, Australi/
Ka mjaft Shqiptarë që kur e ndigjojnë zanin e malokut tue vrritë… dhe tue kujtue kallximin e vjeter nuk ua venë veshin as atyne që thrrasin mes të Tiranës, edhe pse me të vertetë «u ka hy ujku nder dhên» që në dhjetorin e vitit 1945…
Kjo ngjet jo pse nuk besojnë se «ujku po prêt delet» po Shqiptarëve u asht krijue një indiferencë aq e madhe sa edhe me u thanë se asht ngjallë ujku i vjeter e po prêt prap «shokët e vet» si dikur, haje dreq se shkon kush me shpetue një nder tà…
U bane plot 21 vjet që nga kopetë e ujqëve njerzit mundohen me zgjedhë njenin që duket paksa ma ndryshej…e shpesh, mundohen me rrejtë veten dhe tjerët se «ky duket ma i miri», por kur vjen fundi ujku ujk se ujk… Fatkeqsisht shkelqimi i qimes nuk ngjet nga ndrrimi i vesit por nga pasunimi i xhepit… Porsa zen vend… të shkyen në fyt !
Pak gjak u ka mbetë Shqiptarëve me kujtue se janë prap Shqiptarë!
Çka nuk i ra me provue të shkretit Popull! As vorfnia as skami i skajshem nuk mund të njësohen me rrenen dhe nepërkamjen e Tij nga kopetë e ujqëve, dhelpnave dhe kobrave, që sa njeni e sa tjetri, veç mendojnë me mbushë xhepat e vet dhe turmat e vorfnueme veç tue pritë “a thue po del një politikan që po mendon per né!?”…
A thue kështu si Shqipnia asht San Marino, Luksemburgu apo Zvicrra?!
Persa i perket bankave e xhepave…ua kalojmë edhe atyne. Por, per tjerat..?!
– Nuk besoj! Ndoshta, edhe atyne fqinjtë ua kanë marrë ndonjë pllambë tokë, por nuk besoj se ajo copë tokë asht ma e madhe se ajo që perfaqson Shtetin e tyne…ashtu si ka ngja me né Shqiptarët… E mbasi na kanë marrë mezet e vendit, kanë gjetë edhe nga një “malok” me vrritë: “Oooo ujku ndër dhên bre burra!”…E Shqiptarët e shkretë, jo me ju afrue vâthës me pa ku asht ujku e me ba çmos me e mbytë…por secili tue mendue se si mund të shpetohet nga ujku e me ikë sa ma larg atij vendi të nêmun e të mallkuem… E pra, kështu komshija i keq gjeti edhe modelin e vet të veshun me petkun e tradhëtarit dhe e bani edhe “zot shtëpije”! Që në vitin 1925 Shqipnia sundohet nga sherbëtorët e t’huejt!
Vriten, priten, theren…shahen e shilohen njeni me tjetrin…vrasin kedo që u rrin mendja se mund t’ iu zanë vendin, por kurrë até që i mban zagar mbas vetes…një ditë pa pritmas mbështesin kryet në jastek dhe ngordhin… U prijnë dekoratat deri tek varri …
O Zot, po ku del tjetri diten e neserme edhe ma i poshter se ai që ngordhi dje?!
Rrin në krye të shtetit tue leh e ulëritë e sa vjen koha e “zgjedhjeve…” kerkon se cili nga armiqtë e Shtetit Shqiptar e paguen ma mirë tradhëtinë e tij…veç, kur e ndigjon tue vrritë “oooo ujku ndër dhên bre vëllezër!” e pa mbarue virrmen, veç kur ia behin pa pritë e pa u kujtue “vëllezërit e gjakut” nga Turqia, Arabia e Kaukazi…me qese në dorë: “Fol brè vëlla, sa do… veç me mbajtë nder Troje tueja sundimin me ujkun tonë!”…
U duhet me “ndrrue” parti…U duhet me “modifikue” programe… U duhet me vue “elemente të rijë”… U duhet me dijtë “gjuhë të hueja”… u duhet me njoh “monedhat”…
U duhet me kenë “agjentë”… U duhet me dijtë sesi me pritë e me qitë vëllezërit e gjakut… U duhet me kenë “besnikë të parimeve” kur “Populli do të vazhdojë të hanë bar”…
A e shihni pra, sa shumë “gjëra u duhej me dijtë” Fatosit, Saliut, Bujarit, Edit… “Nxënësve të shokut Ramiz”?! Si kujtoni, “është e thjeshtë tradhëtija?”…
E Populli Shqiptar pret kur po thrret: “Oooo ujku ndër shokët e vet…brè burra!”
Melbourne, 2013.
Kruja says
Je shumë i madh zoti Radovani u befsh 100 vjeç je serum per popullin shqipetare.