
Nga PAOLO MIELI-Përktheu Eugjen Merlika/
Taivani ka pak më shumë se një të tretën e banorëve që ka Italia (23 milionë e gjysmë, kundrejt 60 milionëve tanë. U godit nga Covidi pak a shumë në të njëjtën kohë kur pandemia u përhap tek neve, në fillim të vitit 2020. Por që atëherë ka patur një numur të infektuarish krejtësisht të papërfillshëm në krahasim me atë italian (1256 kundrejt 4milionë e 150 mijë) dhe një pjese shumë më të pakët sasie të vdekurish (12 kundrejt 125.000 tonëve). Për të krahasuar Taivanin dhe Italinë duhet të shumëzojmë për tre pozitivët e tyre (do t’ishin pak më pak se 4.000) dhe të vdekurit e tyre (do të ngriheshin deri në 36). Në çdp rast nuk mund të shmanget llogaria përfundimtare: Taivani ka patur një tregues infektimesh dhe vdekjesh pabesueshmërisht më t’ulët se ai italian (e i të gjithë Vëndeve perëndimore).
Sigurisht Taivani është një ishull, ka mësuar të mbrohet nga virusi që nga kohët e krizës Sars (2003), është i pajisur me një aftësi të madhe ravijëzimi, ka një sistem mjekësor të shkëlqyer. Por duhet thënë se nuk “gëzon“ një regjim komunist (që do të thotë një qëndrim mbikqyrjeje, tipik i sistemit të trashëguar nga Mao). Megjithatë i ka bërë ballë koronavirusit pa shpallur edhe një ditë të vetme mbylljeje.
Në një libër të rëndësishëm sapo të botuar, “Peshku i vogël. Një histori virusesh e sekretesh” (Feltrinelli), Françesco Zambon sjell një hollësi kërshëruese: Taivani nuk bën pjesë në Organizatën botërore të shëndetësisë; megjithatë ishte i pajisur me një plan për të përballuar pandeminë në çdo drejtim, më të mirë se ai i Vëndeve “të mbuluara” nga OBSH. Zamboni është ai funksionar i OBSH i shtrënguar një vit më parë të tërhiqte një raport të miratuar nga drejtuesit e Organizatës në të cilin zbulohej se plani pandemik italian – në ndryshim nga ai i Taivanit – nuk ishte përditësuar që nga viti i largët 2006. Kurrë. Ranieri Guerra, zëvendës i Kryetarit të Organizatës botërore të shëndetësisë – përgjegjës, edhe se jo i vetmi i atij përditësimi të munguar – u muar (së bashku me Hans Kluge, drejtor i OBSH për Evropën) me rastin në mënyrë të tillë për të mos i dhënë asnjë lloj keqardhjeje ministrit të Shëndetësisë Roberto Speranza e mbi të gjitha kryeministrit Giuseppe Conte që, në fundin e janarit, kishte shkuar në televizion për të lëvduar përshtatshmërinë e atij plani. Si? Sa hap e mbyll sytë raporti i Zambonit u zhduk nga qarkullimi; mbas kësaj autori i raportit i qortuar u shty të largohej nga OBSH. Por edhe Ranieri Guerra ka paguar një çmim: për maturi u ndje i detyruar të mungonte në ekranet e dashura televizive, nëpërmjet të cilëve duke u imponuar si njëri ndër më të zellshmit komentatorë të gjithë çështjes Covid.
Më vonë një rezolutë e Asamblesë botërore të shëndetit i ka besuar trembëdhjetë personaliteteve detyrën për të hetuar se përse koronavirusi ka vërshuar në Vendet e OBSH në mënyrë kaq rrënuese. Të trembëdhjetët (siç ka treguar ditë më parë Guido Santevecchi) kanë zbuluar se përgjegjësi të mëdha bien pikërisht mbi OBSH-në. “Jetojmë në shekullin e njëzetëenjëjtë, por sillemi si të ishim në Mesjetë”, ka paditur bashkëkryetarja e komisionit të hetimit, ish kryeministreja e Zelandës së Re, Helen Clark. Tjetra drejtuese e panelit të të trembëdhjetëve, ish presidentja e Liberisë, Ellen Johnson Sirleaf (Çmim Nobel për Paqen në 2011), ka paditur kryetarët e qeverive në fuqi më 2020 se nuk kanë marrë në konsideratë dosjet mbi krizat e mëparëshme shëndetësore dhe nuk e kanë ndjerë për detyrë të përshtasnin, në dritën e atyre dosjeve, planet pandemike.
Përgjegjësi i kësaj pengese të hatashme ka një emër e një mbiemër: Tedros Adhanom Ghebreyesus. Tedros ka qënë ministri tejet i kundërshtuar i shëndetit n’Etiopi nga 2005 deri më 2012; më 2017, në sajë të aftësisë së tij të manovrimit, u emërua drejtor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Vërtetoi menjëherë se ishte një politikan shumë i zoti, endës i madh i marrëdhënieve me qeveritë: sapo u ngjit në drejtim të OBSH-së – kujton Zamboni – emëroi diktatorin e Zimbabvet, Robert Mugabe (një zgjedhës i madh i tij), “Goodwill Ambassador për sëmundjet jo ngjitëse”. Dhe, për t’a përligjur emërimin, e përcaktoi Zimbabven “një Vend që ve në qëndrën e politikave të tij mbulesën shëndetësore universale dhe promovimin e shëndetit për t’i siguruar kura shëndetësore të gjithëve”. Në të vërtetë i mbilëvduari sistem shëndetësor i Mugabes, fatkeqësisht ishte i rrënuar dhe – sapo u muar vesh – Tedros u shtrëngua të tërheqë tinëz nderimin e despotit.
Por vazhdoi të bëjë për vete drejtuesit e Vëndeve të OBSH-së për të siguruar qëndrueshmërinë e tij e të funksionarëve në majë të organizatës. Qe paturpësisht sylesh me Kinën në muajt e parë të pandemisë dhe hyri në ndeshje për këtë me Donald Trump-in. Ajo që përbënte fatin e tij n’ata çaste ishte fakti se kundërtrampianët e tërë botës e falën në çast për çfarëdo shkujdesjeje, duke shfajësuar në të njëjtën kohë vetveten për veprime të padenja e të hapura si ato të paditura nga Zamboni.
Tani të gjithë Vëndet që kanë diçka për të fshehur (e për të kërkuar falje) sa i përket papregatitjes dhe moskokëçarjes me të cilën kanë përballuar pandeminë, bëhen gati për të rizgjedhur Tedrosin në drejtimin e OBSH. Dhe deri sa Tedros të qëndrojë në shalë, mund të jemi të sigurtë se Zambonëve të gjithë botës, pak a shumë në heshtje do t’u tregohet dera. N’atë pikë duhet vetëm të shpresojmë që virusi të mos paraqitet në trajtat e sotme apo në të tjera.
N’atë rast do t’ishte e këshillueshme që të merrej me kohë qëndrimi në Taivan. Edhe se ishulli – për inat të një fushate për t’a pranuar të Giulio Terzit dhe Matteo Angiolit n’emër të Komitetit global për shtetin e së drejtës ”Marco Panella” – nuk gëzon gjithsesi konsideratë nga ana e Organizatës botërore të shëndetësisë.
“Corriere della Sera”, 16 maj 2021 Përktheu Eugjen Merlika