
Shani Pnishi/
Një organizatë e re jofitimprurëse e quajtur “Meshan Coni for Graceful Aging”, e themeluar në Nëntor të vitit të kaluar, që edhe pse shumëprej anetarëve janë së bashku prej vitesh, një numër i mirë i tyre janë të rinj, dhe po rritet nga takimi në takim.
Dikur këto zonja, së bashku me zonjë Meshan Cini, emrin e së cilës mban me krenari kjo organizatë mblidheshin nën ombrellën e “Northwood Neighbourhood Services” në Toronto së bashku me anëtarë të etniteteve të shumta të metropolit kanadez, ku zonja të njohura të komunitetit tonë kanë punuar ose shkuar vullnetarisht, si Diana Lika, Minire Omeri dhe Silva Tafaj. Por dëshira e frekuentuesve ishte të kishin grupin e tyre vetëm me shqiptare. Për ta mbajtur gjallë emrin e së ndjerës zonjës Meshan, e dashur dhe e nderuar nga të gjithë, e bija e saj Edlira Cini e bën të mundur dëshirën e tyre dhe themeloi këtë organizatë ku çdo të Martë mbledh këtë grupmoshë të tretë, dhe organizon aktivitete të ndryshme. Organizmet përfshinë gjimnastikë, vizatime, piktura, pyrography, vallëzime, shkëmbime recetash e librash, seminare nga te ftuar të ndryshëm etj. Një qëllim shumë i rëndësishëm që ka kjo organizatë është të angazhojë rininë përmes nismave mentoruese, duke përdorur rrjetet sociale dhe teknologjinë si urë kalimi për të kapërcyer hapësirën e gjeneratave dhe për të përmirësuar komunikimin. Duke promovuar këtë lidhje të rëndësishme, të rinjtë dhe të moshuarit mund të përfitojnë reciprokisht dhe të kontribuojnë në mirëqenien e njëri-tjetrit.
Si organizatë jofitimprurese, fondet janë të pakta. Qiraja javore e sallës paguhet nga vetë anëtarët dhe organizatorja, po s’kanë munguar dhe donatorët miq e familjarë.
Dje grupi kish më shumë arsye për të festuar; dy zonja të ardhura vizitore në familjet e tyre për disa muaj, do të kthehen në Shqipëri. Përveç dashurisë që morën nga familjet e tyre, ato në këtë grup krijuan një shoqëri të re, por dhe takuan mike të vjetra që kishin vite pa u parë. Dje të përlotura dhanë përshëndetjet e fundit për këtë vit me premtimin që do të shihen sërish.
Një zonjë tjetër, e re në grup, festoi ditëlindjen. Ishte një ditë e hareshme, mbushur me kujtime të bukura të stampuara me kujdes nëpërmjet videove dhe fotove të shumta.
Çfarë bije dukshëm në sy nëpërmjet fotografive dhe videove të postuara në faqen e tyre në Facebook është lumturia e ndjerë e anëtarëve në këto orë të bukura mesjavorshe. Dhe kjo lumturi e tyre, kalon çdo pengesë monetare. “Ku është dëshira, është edhe mundësia”- shprehet Edlira për gazetën “Dielli”, duke folur me krenari për organizatën e saj të re, si kujtim i bukur për nënën e saj.