Gëzim Zilja/
Vallja e Osman Takës, është nga më të bukurat dhe rrënjët e saj na çojnë shumë larg në thellësitë e shekujve. Vetë personazhi Osman Taka, emrin e të cilit ajo ka marrë, duke u nisur nga burime të këngëve autentike popullore çame, na shfaqet rreth viteve 1848-1877. Mendohet se është vrarë aty nga viti 1877. Në këngët, ai përshkruhet si një djalë i bukur, i shkathët, që dallonte nga të tjerët nga veshja e ecja, si valltar me nam dhe kaçak në kohën që jetoi.
Të bën përshtypje se në të gjitha këngët e vjetra, më shumë flitet për trimëritë e tij, si luftëtar kundër pushtuesve turq dhe për vrasjen e pabesë, sesa për cilësitë e tij të jashtëzakonshme si valltar. Kjo na bën të mendojmë se vlerat më të mëdha ai i ka patur si luftëtar, pavarësisht që të pavdekshëm e bëri vallja e famshme çame. Sigurisht duhet të ketë qenë një valltar i rrallë, se valle janë kërcyer në të gjitha trevat shqiptare si pjesë e pandashme e kulturës sonë, por që një valle të indentifikohet me njeriun që e kërcen (jo e krijon) dhe të marrë emrin e tij, ndoshta duhet të jetë unike në llojin e vet.
Ajde more Osman Takë,
Ajde more djalë i pakë,
Vet ka Konispoli,
Dajotë në Psakë.
Kemi një përcaktim të plotë e të qartë se Osman Taka, djalë i pakë (jo i bëshëm) është bir i Çamërisë me babanë nga Konispoli dhe nënën nga lagjja Psakë e Paramithisë. Çamëria na shpaloset një trevë unike në atë kohë dhe krushqitë nga të “dy anët” ishin një gjë normale. Osman Taka është shquar si pak djem të tjerë çamë në atë krahinë. Kënga vazhdon me portretizimin e tij, si një djalë i hedhur dhe qejfli:
Takë, ore Osman Takë,
Kur shkoje sokakut,
Me shami në dorë,
Mbushurë me mollë.
Unë të gjova njëzë,
Ti s’më dhe asnjëzë,
Preps te dije vetë….
Më tej portreti i tij fizik bëhet më i plotë me ecjen krenare dhe veshjen e veçantë, që nuk e gëzoi se jeta e tij u pre në mes.
Hajde more Osman Takë!
Kur shkoje sokakut,
Me skalca fanello,
Dizgjetë të kuqe,
Bota bëjnë shuqur,
Për djalin e bukur!
Një portretizim i tillë i pamjes së jashtme i jep goxha shtysë fantazisë së lexuesit, për një djalë të pashëm por edhe që ndjek modën e vishet si pak djem të tjerë, pra një djal sqimatar dhe të veçantë, që bie në sy edhe kur kalon rrugës. Kalcat (skalcat) që zakonisht janë prej shajaku të fortë të punuar me dorë, i kishte ndryshe nga të tjerët, prej fanellate, të punuara në Europë, e të lidhura me dizgje të kuqe.
Ajo që të bën përshtypje në këto këngë është se Osman Taka, ishte një luftëtar i lirisë, që kërkohej nga devleti turk. Mënyra sesi e vranë Osman Takën, ishte nga ato të përhapura në atë kohë në oborrin osman: paguheshin vrasës, që kryenin krimin dhe përfaqësuesit e pushtuesit turk përhapnin fjalë se e kanë vrarë “të tijtë”, për shkaqe personale. Në këtë rast përfaqësuesit e devletit dilnin të larë. Kënga thotë:
Vallë kush e vrau Osmanë?
Di shebekë e di zuzarë
Izeti me të vëllanë.
Në një këngë tjetër, përcaktohet dhe vendi ku u krye vrasja:
Atje poshtë ne Udh’ e Re,
Osman Taka o lule!
Të vranë, o Osman të vranë,
Di të liq e di zuzarë,
Izeti me të vëllanë,
Tetë martina të dhanë.
Osman Taka, nuk është vetëm një valltar i zoti siç njihet rëndom, që e kërcen vallen mbi “tepsi”, por dhe një luftëtar trim, që lufton për Shqipërinë, për vatanë, siç thuhet në vargje. Poeti anonim është i kursyer: në gjashtë vargjet e mëposhtëme ne kuptojmë se ai që merr përsipër të çlirojë vatanin lëviz kudo bashkë me vdekjen, “me qefin në kokë”, thotë një fjalë e urtë shqiptare. Këtë e dinë të gjithë bashkëfshatarët e tij, e di dhe Osman Taka, ashtu si e di dhe nëna e vet.
Vanë nanës e i thanë:
Shko nane dhe shtro divanë,
Se Osmanin tij ta vranë.
Mirë bënë që vranë,
Se trimat ashtu e kanë,
Kur lëftojnë për vatanë!
Këto vargje meritojnë respekt; ndoshta janë dhe të çuditshme për ndonjë lexues, sesi një nënë mund të shprehet: mirë bënë që ia vranë të birin, por po të shohim dy vargjet e tjera kuptojmë, që trimi Osman Taka, biri i asaj nëne çame, ishte nisur në një rruge pa kthim: ose një vatan pa turq ose vdekja mjaltë. Vargjet mirë bënë që e vranë kanë kuptimin absolut se ai nuk mund të kishte vdekje tjetër në jetën e tij. Pastaj dy vargje te tjere, që do t’i kisht zili çdo luftëtar që lufton e bie për atdheun:
Se trimat ashtu e kanë,
Kur lëftojnë për vatanë.
Gjithë popujt e kanë paguar me lumenj e dete gjaku, pavarësinë e tyre. Lufta për atdhenë të shenjtëron, të jep bekimin e Nënës dhe njëkohësisht, pavdekësinë. Ky është sipas meje, Osman Taka, i pari, që na vjen si luftëtar, që jep jetën për lirinë e vatanit, pavarësisht nëse vritet në fushë të betejes apo pabesisht nga dy zuzarë të paguar. Osmani tjetër, është ai që vishet me sqimë, është i pashëm aq sa bota bën shuqur për të dhe kërcen vallet shqiptare si askush tjetër, aq bukur, sa një valle aq e vjetër, e kërcyer nga parardhësit për qindra vite, merr emrin e tij. Ai nuk e shpiku, nuk e krijoi vet atë valle: ai e gjeti atë nga të parët e tij, por e kërceu aq bukur, i dha aq shumë jetë, sa edhe sot e kësaj dite ajo njihet si Vallja e Osman Takës.
Mund të ndodhë që të jesh një luftëtar për lirinë dhe të mbetesh i pavdekshëm në një valle trimash, aq sa t’i japësh asaj emrin tënd! Rast i rrallë ky, ashtu si vetë personazhi i Osman Takës! Por poeti popullor edhe në këtë rast e ka bërë detyrën e vet. Ndoshta është e vërtetë legjenda e përhapur, që atë e zunë me të pabesë aty rreth vitit 1876 dhe, si fjalë të fundit para ekzekutimit, kërkoi të hidhte një valle. Aq bukur e kërceu atë sa komandanti turk i mahnitur e fali, për ta vrarë më vonë, si thotë kënga, nga njerëz të paguar.