
Nga Lindita Komani/
Ç’kemi kuptuar nga mënyra si mbështesin amerikanët zhvillimin e një shteti? 27 vjet angazhim i pjesshëm në Shqipëri dhe 19 vjet angazhim i plotë në Kosovë duhet të na kishin familjarizuar me këtë temë aq sa ta dinim në ajër se çfarë është e nevojshme për të pasur vëmendje dhe konsiderim nga ana e tyre kur jemi në nevojë.
Kushdo që ka punuar të paktën një herë me mentorë, punëdhënës, biznesmenë, investues, politikëbërës amerikanë, dashur-padashur e ka kuptuar që gjëja më e rëndësishme që amerikanët shohin teksa gjykojnë për seriozitetin e një partneri biznesi, biznesi të ri, apo edhe punonjësi, a të riu që ka nevojë për mentorim, është “ownership and will”. “Ownership” në sensin e zotërimit të temës që shqyrtohet nga ana e kapacitetit intelektual, financiar, politik si dhe gatishmërisë për të marrë përgjegjësi për temën dhe “will” në sensin e njohur, atë të vullnetit për t’i kryer gjërat. Amerika është një shtet që ka çliruar veten dhe është ngritur bazuar në pushtetin e kapacitetit, aftësisë për të marrë përgjegjësi dhe vullnetit për t’i çuar gjërat përpara, të qytetarëve të saj. Me këtë mentalitet janë rritur amerikanët që i njohim apo nuk i njohim. Industria e filmave përpiqet vazhdimisht ta përcjellë këtë mesazh përmes filmave që prodhon e promovon në nivel botëror, si ata me kaubojsa ashtu edhe të ditëve të sotshme, me qytetarë të thjeshtë, forca rendi, shkencëtarë, politikanë, heronj, të zhanrit realist apo fantashkencë, por siç duket nga filmat na pëlqen të marrim vetëm rrjedhën e cekët të një filmi dhe dukjen e aktorëve dhe jo më shumë.
Po të bëjmë një “state of nation” të parë nga syri amerikan, të tillë që të përfshijë edhe Shqipërinë edhe Kosovën ku shqiptarët e kanë shtetin në dorë, nuk është çudi që rezultati i vëzhgimit të jetë “lack of ownership and will”. Kaq i thjeshtë. Qytetarët në shtetet tona zgjedhin përgjithësisht qeveri që i mbajnë në vendnumëro ose i kthejnë mbrapsht në kohë. Në vend që të bëjnë, politikëbërësit zhbëjnë, flasin e fryhen, mashtrojnë. Fokusi në shoqëri dhe kjo ndikuar nga faktorë të ndryshëm, por me peshë më të madhe nga media, është te tema që nuk adresojnë gjëmat e shoqërisë, te ato të lehtat, të argëtimit pa fre, fitimit të lehtë të jetës. Qytetarët largohen, të lodhur e të varfëruar, vetëpërzihen, duke hequr dorë nga “ownership” dhe nga “will” për ta pasur shtetin të tyrin. Amerikanët në kushte lirie kurrë nuk do e linin veten të përziheshin nga Amerika siç kemi lënë ne veten në kushte lirie të përzihemi nga politikëbërësit tanë. Do t’i ngjisnin politikëbërësit në anije siç ndoshta mund ta kenë bërë në kohën e revolucionit të tyre, dhe do t’i degdisnin. Ky është ndryshimi thelbësor dhe ndoshta edhe kriteri kryesor që duhet të mbajmë në mendje kur gjykojmë nëse amerikanët na marrin apo s’na marrin seriozisht.
Ndoshta ngjashëm mund të ndodhë edhe nëse hedhim sytë më tej apo më afër për nga BE e të bëjmë një “state of union”. Pa u ndalur në tema të tjera që iu takon shtetasve të BE-së t’i hulumtojnë e kuptojnë, të paktën sa i përket temës së negociatave me Kosovës e Serbisë, ajo që mund të vëzhgohet është “lack of ownership and will”. Situatë e ngjashme me vitet ’90 kur nuk kishte qëndrim të fortë lidhur me sa po ndodhte në Kosovë, tema i shkiste për duarsh Europës dhe përgjegjësi ajo nuk mbante për paaftësinë e çuarjes përpara të axhendës. Që ndodhi për aq gjatë derisa Amerika u desh të drejtonte ndërhyrjen ushtarake përmes NATO-s që gjërat të merrnin një drejtim në Kosovën që po zbrazej nga shqiptarët të cilët po përziheshin masivisht me dhunë. Në atë kohë shqiptarët në Kosovë, në vazhdimësi dhe me ngulm, treguan si “ownership” ashtu edhe “will” dhe këtë në disa drejtime, me rezistencë të pashoqe paqësore në Kosovë, me diasporën me kontribute të jashtëzakonshme në lobim, në mbajtjen me financa të një qeverie që ushtronte veprimtari në mërgim e në arsimimin e të rinjve qoftë edhe në kushte të rënda, dhe me UÇK-në si forcë e gatshme për luftë në terren. Në atë kohë e për këtë temë të paktën edhe ne shqiptarët në Shqipëri treguam në vazhdimësi si “ownership” ashtu edhe will, me ndihmën për qeverinë e Kosovës, për mbështetjen e UÇK-së, për pritjen e qindra-mijëra njerëzve të përzënë nga shtëpitë e tyre, me lobim e diplomaci. Ndaj edhe u morëm seriozisht.
Kujtesën e kemi të freskët. Ndaj të kthehemi në ditën kur presidenti Thaçi doli me deklaratën gjëmuese lidhur me korrigjimin e kufirit, deklaratë të cilën ai nuk është lodhur ta korrigjojë disa herë deri tani se fjalët janë më të lehta të korrigjohen sesa veprat si kufiri, dy fakte domethënëse meritojnë të shquhen. Kryeministri Haradinaj zhvilloi një takim të gjatë me një gjeneral amerikan dhe ambasadorin amerikan, ndërkohë që në Tiranë u shpërnda lajmi se baza e Kuçovës do të bëhet bazë e NATO-s.
“Ownership and will”, ata që ishin faktori kryesor në çlirimin e Shqipërisë nga komunizmi dhe Kosovës nga Serbia po e tregojnë, edhe tani që duket sikur po kanë qëndrim të paqartë diplomatik. Por para se të tregojmë me gisht nga ata që po ndihmojnë dy shtetet tona që kanë forca ushtarake të pakta përballë fqinjësh shumë herë më të përgatitur për situatë konfliktesh e lufte, të shohim nga vetja e liderët tanë respektivë, të cilët zhvillojnë punë shtetërore në mënyrë private e japin premtime private për çështje shtetërore dhe lënë tema si kufiri i Kosovës të zgjidhen nga palë të treta të huaja jo-shtetërore e të cilat nuk kanë asnjë legjitimitet me pushtetin e votës së qytetarëve të dy shteteve të pavarura. Vlen të pyetet në këtë pikë se cilët përfaqësojnë presidenti Thaçi e kryeministri Rama aktualisht? Ç’legjitimitet kanë ata të dy të bëjnë atë që po bëjnë, në mënyrë të fshehtë? Vlen të shohim nga vetja dhe të vrasim mendjen e gjejmë mënyrën se si duke bashkuar forcat, si qytetarë të rrezikuar ta ushtrojmë “ownership and will” pa i çuar shtetet tona në katastrofë lufte. Vetëm kështu mund të na marrin seriozisht.