
DR. ALBERT KURTI/
Iliria shquhet për një trashëgimi të pasur krishtere, e cila evidentohet nga ndërtimi i kishave të para në Europë dhe trashëgimia e emrave të vendbanimeve, maleve, kodrave, etj. Pothuajse në Iliri gjejmë lehtësisht emrat që lidhen me përhapësit e besimit të krishterë në Iliri dhe kishat më të vjetra në Europë. Duke qenë se Iliria e Antikitetit kishte shtrirje shumë herë më të madhe se Shqipëria sot, në këtë artikull të shkurtër do ndalemi te vlerat e trashëgimisë kulturore të krishterë në zonën e Pajovës.
Pajova është njësi administrative që shtrihet në lindje të bashkisë Peqin, në Shqipërinë e Mesme. Edhe pse ka një sipërfaqe të vogël, afërsisht 69 km2, kultura e hershme e krishtere përfaqësohet nga kishat paleokristiane dhe emrat e vendbanimeve e të kodrave.
Gjatë antikitetit aty ku shtrihet Pajova dhe fshatrat e saj, ushtronin aktivitetet e tyre jetësore fisi i fuqishëm ilir i Parthinëve. Ata ngritën qytetin e Saragut, në shekullin e XV Para Lindjes së Krishtit, që u bë i njohur gjatë kohës së Perandorisë Romake, për shkak të betejës së Çezarit kundër Pompeut.
Shumë shekuj më vonë në lindje të Sarakut, përkatësisht në shekullin e parë Pas Lindjes së Krishtit u ngrit një tjetër vendbanim që do quhej Kodër Qytet apo Kodër Kishë, në fshatin Leqit: ky vendbanim shquhet për kishat e vjetra.
Ndërmjet Saragut e kodër Shkujkë (në lindje të Kodër Kishë) mendohet te jenë 5 ndërtesa kishtare të hershme nga të cilat 2 prej tyre janë zbuluar: Kisha e Shën Mërisë dhe Kisha e Shën Ndreut. Zbulimet e fundit arkeologjike tregojnë që njëra nga kishat daton në periudhën e nisjes së Krishtërimit në vendin tonë (në Iliri).
Foto: Kisha e Shën Marisë dhe Kisha e Shën Ndreut
Kishat e Pajovës kanë vlera të jashtëzakonshme për trashëgiminë kulturore shqiptare dhe krishtere. Pikërsisht në Kishën e Shën Ndreut është gjetur kryqi, ku skocezët e kanë vendosur në flamurin e tyre kombëtar.
Jo vetëm kishat, por edhe emrat e vendbanime dhe kodrave (përmendëm më lart) janë pjesë e trashëgimisë së krishtere. Pali, apostopulli i parë që shkeli në Iliri ka kaluar edhe në Pajovë, Përparim, etj. Kjo identifikohet edhe me origjinën e emrave të disa fshatrave që kanë lidhje me emrin e këtij apostopulli, si: Pajova (Paljova), Paulesh (Paul ose Pal), Palaj në njësinë administrative Përparim, pjesë e bashkisë Peqin.