Fejton nga Rafael Floqi
Karikatura AI qe Rama e pëlqen
Tiranë – Me duart që lartësohen automatikisht si flamuj partie dhe pa asnjë pikë kundërshtimi, këshilltarët bashkiakë të Partisë Socialiste miratuan me “po-në e komanduar” vendimin për shembjen e Pallatit të Kongreseve – një monument i historisë së diktaturës që tashmë duket se do t’i shërbejë diktaturës së ndërtimit.
Në vend të mureve të ftohta ku dikur jehonte “rroftë Partia”, së shpejti do të ngrihen kulla prej xhami, me ballkone nga ku do të shihet – ndoshta – Kulla tjetër që po ndërtohet. Arkitektura e re: “L’art i betonerisë moderne me bekimin e pushtetit”.
Vendimi erdhi pa debat, pa konsultim publik, pa ndonjë ide alternative. Vetëm një plan i qartë: më shumë kulla, më pak kujtesë. Historia? Po i thuhet “lamtumirë” me fadromë në emër të “zhvillimit”, që përkthehet: kullë për çdo mik të bindur.
Në një mëngjes të ndritshëm partie, kur dielli ngrihej mbi Tiranën me formën e një vinçi ndërtimi dhe hëna rrinte pezull mbi një plan zhvillimi urban, Këshilli Bashkiak mblodhi trupin e tij të lavdishëm për të votuar mbi fatin e një objekti modest, të vogël e pa shumë rëndësi kombëtare: Pallati i Kongreseve.
A e keni parasysh atë godinën e vjetër ku dikur mbaheshin festivalet, kongreset dhe ndonjëherë edhe ndonjë konkurs poezie për lavdinë e partisë? – pyeti një këshilltar që e kishte ngatërruar mikrofonin me ngrohësin e kafesë.
Ai nuk është më Pallat Kongresesh, por pallat i kujtimeve të kota! – thirri entuziast nënkryetarja Anuela Ristani, e cila e kishte studiuar urbanistikën në TikTok dhe ligjin në komentet e Facebook-ut.
Me një ton zyrtarisht të papërgatitur, ajo shpjegoi se nuk dinte çfarë do ndërtohej aty, sepse nuk është profete, por vetëm zëvendës-ndërtuese. “Mund të ndërtohet një qendër kongresesh në ajër të pastër, mund të bëhet një lavatriçe publike, ose thjesht një vatër energjetike për qytetarët e lodhur nga mungesa e qartësisë,” tha ajo, ndërsa shikonte nga dritarja për të parë nëse kishte ardhur ndonjë avion me planin urbanistik brenda.
Nga radhët e opozitës, Ilir Alimehmeti nguli këmbë për transparencë – koncept ky aq i huaj në sallë, sa që duhej përkthyes. “Çfarë do bëhet me këtë tokën 2,260 metra katrorë? Një kullë tjetër?”, pyeti ai, por përgjigjja që mori ishte një përzierje mes një fjalimi të Enverit dhe një statusi ironik në Instagram: “Ekspertiza do vendosë. Ne japim truallin, ata japin vizionin.”
Dhe kështu, në harmoni të plotë me himnin e ekskavatorit dhe flamurin e betonit, vendimi kaloi. Pallati do të rishpikej! Me të njëjtën “formulë” magjike që i dha kombit stadiumin “Air Albania” me kupola si hamburgerë, edhe Pallati i Kongreseve do rishfaqej në formë të re: më i ndritur, më i gjelbër (në projekt 3D), dhe patjetër më i shtrenjtë për t’u përdorur.
Disa thonë se godina ka vlerë historike. Por historia, shokë, nuk shet metra katrorë. Kulla po.
Por kjo histori s’është vetëm për një godinë. Është për një mani betoni, të kuruar me kujdes estetik nga mjeshtrit e arkitekturës import, në veçanti arkitektët italianë, të cilët kanë gjetur në Shqipëri jo thjesht një kantier ndërtimi – por një skenë ku diktati i estetikës së Ramës shndërrohet në ligj ndërtimi.
Nga Stefano Boeri e deri te Marco Casamonti – të preferuarit e kryeministrit – Tirana po projektohet si një ekspozitë e përhershme e egos urbane të Ramës, ku çdo kullë është pikturë me beton dhe çdo shembje është “modernizim”. E kush guxon të kundërshtojë, cilësohet si “i prapambetur”, “anti-zhvillim”, ose “filistin që s’e kupton artin”.
Pallati i Kongreseve, siç raportohet, do të shembet për t’i lënë vend një kompleksi të ri “ikonik”, që për hir të Rilindjes, do të ngjajë më shumë me një stacion metroje në Milano sesa me një hapësirë publike në Tiranë.
Dhe nuk është rasti i parë. Nga Piramida e rikonstruktuar si Google Campus, te Sheshi Skënderbej si beton-gjigant me yje, e deri te Teatri Kombëtar që u shemb me fadromë në agim – Rama po e betonizon historinë, me lejen e një qyteti që hesht dhe me ndihmën e një klientele arkitekturore që projektin e ka në Itali, por kontratën e ka në Shqipëri.
Dhe në katin e 27-të të kullës, mbi një sallon spa me emrin “Kongresi Wellness Lounge”, ndonjë ish-delegat do kujtojë me mall: “Lart me lart o shokë, kullat e kongresit”
Se historia, më mirë të mos na e kujtojë askush, përveçse kur kemi nevojë për propagandë.