“Përfaqësuesi Special Matthew Palmer foli për atë se si Kosova mund të shtrojë rrugën drejt paqes përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë”, theksohet njëjtë në të dy komunikatat e dërguara – nga Presidenca e Kosovës dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës/

PRISHTINË, 1 Nëntor 2019-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/
Mbërriti sot në Kosovë Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit të Shtetit i SHBA-ve, njëherësh Përfaqësues Special i Sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer. Ka zhvilluar takime me drejtues institucionalë e politikë, ndërsa ka folur para një publiku të përbërë nga studentë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë/
“Përfaqësuesi Special Matthew Palmer foli për atë se si Kosova mund të shtrojë rrugën drejt paqes përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë”, theksohet njëjtë në të dy komunikatat e dërguara – nga Presidenca e Kosovës dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
KOMUNIKATA NGA PRESIDENCA E KOSOVËS – DEPARTAMENTI I INFORMACIONIT DHE KOMUNIKIMIT ME PUBLIKUN:
Presidenti Thaçi priti Përfaqësuesin Special të SHBA-së, Matthew Palmer
Prishtinë, 1 nëntor 2019 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot të ngarkuarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.
Presidenti Thaçi dhe i ngarkuari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor kanë biseduar për zhvillimet e fundit dhe për nevojën e krijimit të shpejt të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova është e bekuar që ka mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së.
“Kosova është një demokraci e konsoliduar, e dëshmuar në zgjedhjet e fundit. Ka institucione të pavarura të fuqishme, profesionale, të pavarura dhe liri të shprehjes”, ka thënë presidenti Thaçi.
Përfaqësuesi Special, Matthew Palmer, foli për atë se si Kosova mund të shtrojë rrugën drejt paqes përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë.
Presidenti Thaçi shtoi se Kosova mbetet e përkushtuar për vazhdimin e reformave për rend dhe ligj, për forcimin e të ardhmes euroatlantike, për reformat demokratike dhe do të angazhohet maksimalisht për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, e cila forcon paqen jo vetëm brenda dy vendeve, por në tërë Ballkanin Perëndimor.
KOMUNIKATA NGA LDK – ZYRA PËR INFORMIM:
Kryetari Mustafa dhe nënkryetarja Osmani takojnë zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Matthew Palmer
Prishtinë, 11 nëntor 2019
Sot, kryetari i LDK-së, Akademik Isa Mustafa, së bashku me nënkryetaren, Dr. Vjosa Osmani, takuan zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Matthew Palmer në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
Gjatë këtij takimi shumë produktiv, u diskutua lidhur me çështjet që LDK i sheh si prioritet për institucionet e ardhshme që lidhen me agjendën e brendshme si dhe politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, siç janë sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik dhe dialogu Kosovë-Serbi.
Kryetari Mustafa e falënderoi Zv. Ndihmës Sekretarin Palmer për angazhimin shumë aktiv dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara si dhe për angazhimin e tij personal për ta përkrahur Kosovën në të gjitha prioritetet dhe sfidat që na presin.
Përfaqësuesi Special Matthew Palmer foli për atë se si Kosova mund të shtrojë rrugën drejt paqes përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë.