Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Mathhew Palmer (djathtas) dhe kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq./
Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Mathhew Palmer, tha se me emërimin e tij në këtë pozitë, SHBA-ja tregon se është sërish e përqendruar në rajonin e Ballkanit Perëndimor.Palmer i bëri këto komente të hënën në Podgoricë, në takim me kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq.
Sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e Markoviqit, Palmer tha se Mali i Zi është shteti më i suksesshëm multietnik në rajon dhe se “nuk është rastësi që Mali i Zi është shteti i parë që viziton pas marrjes së detyrës”.Palmer u emërua përfaqësues për Ballkanin nga Departamenti amerikan i Shtetit më 30 gusht.Duke e uruar për këtë post, Markoviq tha se vendimi për emërimin e Palmerit paraqet mundësi reale për përshpejtimin e realizimit të qëllimeve strategjike dhe se kontribuon në stabilitetin e gjithë rajonit.Markoviq e cilësoi Palmerin si “njohës të shkëlqyeshëm të Ballkanit”.Duke folur për Malin e Zi, Markoviq theksoi “suksesin e politikës ekonomike të Qeverisë”, e cila, sipas tij, jep “rezultate të shkëlqyeshme në zhvillim”.Palmer bisedoi edhe me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
***
Lexo edhe: Palmer ka synim kthimin e Kosovës dhe Serbisë në negociata
Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Mathhew Palmer, tha se synim i tij është që t’i kthejë Prishtinën dhe Beogradin sa më shpejt në tryezën e bisedimeve dhe të sigurojë një marrëveshje midis tyre.
Në një intervistë për mediat serbe, të cilën e transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, Palmer tha se mendon se mund të arrihet marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e cila, sipas tij, do ta transformonte gjithë Ballkanin, do t’i hapte rrugën evropiane Serbisë dhe Kosovës dhe do të ishte “një gjë pozitive për rajonin, Evropën dhe SHHBA-në”.
Kthimi i Beogradit dhe Prishtinës në tryezën e bisedimeve, tha Palmer, është një qëllim afatshkurtër për Shtetet e Bashkuara.
Dy palët i kanë pezulluar bisedimet prejse Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia, nëntorin e kaluar.
Përkundër kërkesave të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian për heqjen e kësaj mase, Kosova nuk ka vepruar.
Autoritetet serbe këmbëngulin se nuk do të vazhdojnë dialogun me Kosovën pa heqjen e taksës.(Kortezi-Evropa e lire)