Nga Rafael Floqi

Në majën e Tomorrit, atje ku mali, besimi dhe legjenda shqiptare janë ndërthurur prej shekujsh, Baba Mondi lutet. Lutet për paqe, për njerëzit, për bektashinjtë. Por në Shqipërinë e vitit 2026, satira politike mund t’i shtojë lutjes së tij edhe një kërkesë të pazakontë: Baba Mondi nga Tomorri lutet që Baba Aliu nga Tirana t’i bëjë shtetin.
“Baba Aliu”, natyrisht, është personazhi që ironia politike mund të krijojë nga Edi Rama – jo si klerik, por si kryeministri që ka marrë përsipër të realizojë një projekt që, deri dje, dukej pothuajse surrealist: krijimin e një entiteti sovran bektashi në zemër të Tiranës.
Kështu lind edhe paradoksi i memjes. Baba Mondi është Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, por çelësin politik të shtetit të tij nuk e mban ai. Atë e mban politika. Dhe në Shqipërinë e sotme, kur thuhet politika, shumë shpesh nënkuptohet një emër: Edi Rama.
Prandaj memja funksionon. Ajo nuk tallet vetëm me Baba Mondin dhe as vetëm me Ramën. Ajo tallet me mënyrën se si një ide që prek territorin, sovranitetin, Kushtetutën dhe marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe fesë mund të perceptohet sikur po ndërtohet nga vullneti i një njeriu.
Baba Mondi ka besimin, Baba Aliu ka votat
Këtu qëndron thelbi politik i ironisë.
Baba Mondi mund të ketë autoritetin shpirtëror. Mund të përfaqësojë Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Mund të flasë për traditën, tolerancën dhe historinë e bektashizmit shqiptar. Por Baba Mondi nuk mund ta shpallë vetë sovranitetin mbi një pjesë të Tiranës.
Për këtë duhen ligje. Duhen vota. Duhet Kuvendi. Duhet përcaktuar raporti me Kushtetutën.
Dhe, mbi të gjitha, duhet vullneti politik i pushtetit. Këtu hyn “Baba Aliu”.
Në imagjinatën e satirës shqiptare, Rama nuk shfaqet më thjesht si kryeministri që mbështet një projekt të Kryegjyshatës. Ai bëhet pothuajse themeluesi politik i shtetit të Baba Mondit.
Dhe pikërisht këtu humori fillon të bëhet analizë politike. Sepse në një republikë normale pyetja nuk duhet të jetë: A e do Rama shtetin bektashi?
Pyetja duhet të jetë: A e lejon Kushtetuta shqiptare?
Bektashizmi nuk ka nevojë të shpiket nga politika shqiptare. Ai është shumë më i vjetër se qeveritë e sotme, më i vjetër se tranzicioni dhe sigurisht shumë më i vjetër se mandati i Edi Ramës.
Tomorri është një nga simbolet më të fuqishme të kësaj tradite. Pelegrinazhi, figura e Abaz Aliut, teqetë dhe kultura bektashiane janë pjesë e historisë shpirtërore shqiptare.
Prandaj ironia bëhet edhe më interesante.
Për shekuj me radhë, bektashinjtë kishin malin, teqenë, besimin dhe komunitetin. Tani politika kërkon t’u japë edhe shtetin.
Por çfarë shteti?
Një Vatikan shqiptar?
Një mikro-shtet?
Një territor sovran?
Një zonë me ekstraterritorialitet?
Një entitet fetar me privilegje diplomatike?
Apo thjesht një konstruksion juridik të quajtur “shtet”, por që në praktikë do të funksionojë nën një marrëveshje të posaçme me Republikën e Shqipërisë?
Këto nuk janë hollësi teknike. Janë vetë thelbi i çështjes.
Sepse fjala “shtet” nuk është dekor politik.
Shteti nënkupton territor, juridiksion, institucione, shtetësi dhe marrëdhënie me shtetet e tjera. Nëse projekti synon vërtet sovranitet, atëherë pyetja bëhet shumë më serioze sesa dimensioni turistik apo promovimi ndërkombëtar i tolerancës fetare.
Në rrjetet sociale nuk nevojiten analiza kushtetuese prej njëqind faqesh. Mjafton një fotografi.
Vendose Ramën me veshjen karakteristike bektashiane, shkruaj sipër “Baba Edi” ose “Baba Aliu” dhe poshtë vendos Baba Mondin që pret shtetin e tij.
Mesazhi kuptohet menjëherë.
Satira thotë:
Baba Mondi drejton fenë, por Baba Edi po i ndërton shtetin.
Kjo është arsyeja pse memet politike nganjëherë janë më therëse se editorialet. Ato heqin gjuhën burokratike dhe e reduktojnë problemin në absurditetin e tij më të dukshëm. Në këtë rast pyetja është e thjeshtë: si mund të krijohet një shtet brenda shtetit?
Dhe menjëherë pas saj vjen pyetja tjetër: kush e vendosi?
Nëse përgjigjja që krijohet në perceptimin publik është “Rama”, atëherë problemi nuk është vetëm shteti bektashi. Problemi është mënyra se si perceptohet funksionimi i vetë Republikës.
Shqipëria është republikë, jo pronë për t’u parcelizuar
Territori i Republikës së Shqipërisë nuk është pronë e një qeverie. As e një kryeministri.
As e një shumice parlamentare të përkohshme. Qeveritë administrojnë shtetin; nuk e zotërojnë atë.
Kjo është arsyeja pse çdo projekt që prek sovranitetin territorial duhet të trajtohet me një seriozitet shumë më të madh sesa një nismë e zakonshme qeveritare.
Nëse territori ku ndodhet Kryegjyshata do të marrë status sovran, atëherë duhet shpjeguar publikisht çfarë humbet dhe çfarë ruan juridiksioni shqiptar.
A do të zbatohet Kushtetuta shqiptare brenda tij?
A do të veprojë Policia e Shtetit?
Cilat gjykata do të kenë juridiksion?
Kush do të kontrollojë hyrjen dhe daljen?
A do të ketë shtetësi bektashiane?
Po pasaporta?
Po marrëdhëniet diplomatike?
Po taksat?
Po pronësia?
Po nëse një person kryen një vepër penale brenda territorit?
Dhe pyetja më e madhe: nëse ky është shtet sovran, cili është akti juridik me të cilin Republika e Shqipërisë heq dorë nga sovraniteti mbi atë territor?
Këtu mbaron memja.
Dhe fillon Kushtetuta.
Ekziston edhe një problem tjetër që nuk mund të shmanget.
Shqipëria është krenuar historikisht me bashkëjetesën ndërfetare. Pikërisht këtë argument përdorin edhe mbështetësit e projektit bektashi.
Por toleranca fetare mbështetet edhe mbi barazinë e komuniteteve fetare përpara shtetit.
Atëherë lind një pyetje legjitime: nëse një komuniteti fetar i jepet një territor me sovranitet të veçantë, mbi çfarë parimi juridik u mohohet e njëjta mundësi komuniteteve të tjera?
Natyrisht, historia dhe struktura ndërkombëtare e Kryegjyshatës Bektashiane janë specifike. Por pikërisht sepse rasti është specifik, argumenti juridik duhet të jetë jashtëzakonisht i fortë.
Nuk mjafton të thuhet se bektashizmi përfaqëson tolerancën shqiptare.
Sepse toleranca është një vlerë.
Sovraniteti është kategori kushtetuese.
Dhe këto dy gjëra nuk duhen ngatërruar.
Vatikani nuk u krijua me një meme
Krahasimi me Vatikanin është tërheqës, por historikisht i paplotë.
Vatikani nuk lindi sepse një kryeministër italian vendosi t’i dhuronte Papës disa hektarë për të promovuar tolerancën katolike. Statusi i tij është rezultat i një historie shumë të gjatë të Shteteve Papnore, konfliktit ndërmjet shtetit italian dhe Selisë së Shenjtë dhe Marrëveshjeve Laterane të vitit 1929.
Prandaj modeli i Vatikanit nuk mund të importohet në Tiranë thjesht duke zvogëluar sipërfaqen.
Bektashizmi ka historinë e vet, autoritetin e vet shpirtëror dhe një qendër botërore në Shqipëri. Kjo mund të jetë një pasuri e jashtëzakonshme diplomatike dhe kulturore për vendin. Por nga kjo nuk rrjedh automatikisht domosdoshmëria e krijimit të një shteti.
Mund të krijohen statuse të posaçme, garanci, institucione ndërkombëtare, qendra kulturore dhe marrëveshje të veçanta pa ndryshuar domosdoshmërisht konceptin e sovranitetit territorial shqiptar.
Prandaj pyetja duhet të jetë jo vetëm “a mundemi?”, por edhe “pse duhet?”
Shteti i Baba Mondit apo projekti i Baba Edit?
Kjo është pika ku memja godet më fort.
Nëse shteti bektashi do të ishte produkt i një debati të gjatë institucional, i konsultimeve kushtetuese, i një konsensusi politik dhe shoqëror dhe i një projekti të argumentuar publikisht, personalizimi i tij do të ishte shumë më i vështirë.
Por kur projekti identifikohet kaq shumë me kryeministrin, satira e ka shumë të lehtë të ndërtojë figurën e “Baba Edit”.
Dhe atëherë ndodh përmbysja komike:
Baba Mondi bëhet aplikanti.
Baba Edi bëhet themeluesi.
Kryegjyshata sjell fenë.
Qeveria sjell territorin.
Kuvendi sjell votat.
Dhe popullit i mbetet memja.
Por Republika nuk duhet të funksionojë kështu.
Përpara se Shqipëria të krijojë një shtet të ri brenda territorit të saj, shqiptarët kanë të drejtë të dinë saktësisht se çfarë po krijohet.
Lutja nga Tomorri
Dhe kështu mund të rikthehemi te fotografia imagjinare me të cilën nisëm.
Në Tomorr, Baba Mondi sheh drejt Tiranës. Ndoshta lutja e tij është për bektashizmin, për paqen dhe për të ardhmen e Kryegjyshatës.
Por satira shqiptare ia përkthen ndryshe:
“O Baba Ali, na bëj një shtet!”
Dhe nga Tirana, “Baba Aliu” politik mund të përgjigjet:
“Shtetin ta bëj unë; Kushtetutën ta shohim më vonë.”
Pikërisht këtu e qeshura duhet të ndalet.
Sepse Shqipëria mund të jetë vendi i bektashinjve, myslimanëve, ortodoksëve, katolikëve dhe qytetarëve pa besim; mund të jetë vendi i harmonisë fetare dhe mund ta promovojë këtë traditë në të gjithë botën.
Por mbi të gjitha ajo është Republika e Shqipërisë.
Dhe Republika nuk është pronë që një kryeministër mund ta ndajë, dhurojë apo rikonfigurojë vetëm sepse ka votat për ta bërë.
Prandaj debati për shtetin bektashi nuk është në thelb debat kundër Baba Mondit dhe as kundër bektashizmit. Përkundrazi, respekti për bektashizmin kërkon që një çështje kaq serioze të mos reduktohet në marketing politik.
Rama thotë shteti Bektashi nuk do ketë dogana ose taksa , por do ketë monedhën ‘BeK
Shteti bektashi i cili nuk di sa “dervishë dhe teqe ka “ do ketë buxhetin e tij. Vërtet.
Pyetja është shumë më e madhe:
Kush ka të drejtë të ndryshojë sovranitetin e Shqipërisë dhe me çfarë procedure?
Sepse Baba Mondi mund të lutet nga Tomorri.
“Baba Edi” mund ta dëshirojë nga Tirana.
Kuvendi mund të ketë votat.
Por shteti nuk është i baballarëve. Shteti është i qytetarëve.
Nga këtu shprehja “ Ndalu “Bek” se ka hendek.