
Nga Rafael Floqi
Në çdo epokë të turbullt, lind një figurë që premton shpëtim. Në vitet e pasluftës, shqiptarët dëgjuan Enver Hoxhën të premtonte se do të hanin “me lugë floriri” — dhe përfunduan në një realitet të varfërisë, frikës dhe izolimit. Sot, në zemër të New York-ut, një version më modern i këtij premtimi po vjen nga krahët e majtë të politikës amerikane: Zohran Mamdani.
Në shekullin e mashtrimeve të sofistikuara, duket se qyteti ynë ka rënë sërish në grackën e “reformatorit me shpirt të pastër” që premton të çlirojë popullin nga zinxhirët e korrupsionit… ndërsa mpreh zinxhirët e vet. I paraqitur si simbol i ndershmërisë dhe si “zëri i njerëzve të thjeshtë”, Mamdani e ka kthyer fjalën “reformë” në mall të shtrenjtë elektoral. Por pas çdo slogani për “transport falas”, “banesa për të gjithë” dhe “shpresë për punëtorët”, qëndron e njëjta logjikë e rrezikshme e utopisë ideologjike: premtime të mëdha pa mekanizma reale për t’u mbajtur.
Nga protestat në politikë
Nga pankartat në rrugë tek fjalimet në podium, Mamdani ka ndërtuar figurën e “aktivistit që guxon”. Por në realitet, ai përfaqëson një brez të ri politikanësh që e ngatërrojnë idealizmin me aftësinë për të qeverisur. Çdo qytet mund të frymëzohet nga idealet, por asnjë qytet nuk mund të mbahet gjallë vetëm me to. Ai flet për “shpresë” dhe “drejtësi” me një pasion që ngjall simpati, por kur zbret në tokë, premtimet e tij duken të shkëputura nga realiteti ekonomik i qytetarëve. Nju Jorku nuk ka nevojë për poetë të sistemit, por për drejtues që kuptojnë se çdo ide ka një kosto, dhe çdo kosto bie mbi taksapaguesin.
Affordability – fjala që të gjithë e përdorin, por pak e kuptojnë
Në qendër të debatit politik amerikan qëndron një fjalë e vogël por e rëndë: affordability – përballueshmëria e jetesës. Në thelb, ajo nënkupton aftësinë e qytetarëve për të mbajtur një standard jetese të denjë, pa e kthyer çdo muaj në një betejë për mbijetesë. Republikanët dështuan në këtë drejtim sepse e reduktuan problemin në matematikë fiskale: ulja e taksave u paraqit si zgjidhje universale. Por tregu i lirë pa kontroll social nuk e bën jetën më të lirë – e bën më të ashpër. Ata harruan se affordability nuk është çështje ideologjie, por dinjiteti.
Në anën tjetër, progresistët si Mamdani bien në kurthin e kundërt: besojnë se çdo problem mund të zgjidhet me rritje shpenzimesh publike, pa analizuar pasojat ekonomike afatgjata. Nga një ekstrem në tjetrin, qytetari mbetet mes dy zjarreve — njëri që i ul taksat por i ngre çmimet, tjetri që i jep subvencione por i shtrëngon mundësitë.
Nga utopia tek realiteti
Historia ka treguar se ideologjitë që premtojnë barazi absolute përfundojnë duke krijuar një klasë të re privilegjuar. Premtimet për “transport falas” dhe “banesa për të gjithë” tingëllojnë bukur në slogane, por shpesh shndërrohen në varësi nga shteti dhe burokracia. Në Shqipërinë e Hoxhës, slogani i “lugës së floririt” solli dekada errësire dhe mungese. Në Nju Jorkun e sotëm, rreziku është ndryshe, por paralelizmi mbetet i njëjtë: premtime të ndritshme që fshehin pasoja të errëta.
Ideologjia si pasqyrë mashtruese
Politikanët si Mamdani nuk janë të korruptuar në mënyrën tradicionale. Ata janë të rrezikshëm sepse besojnë sinqerisht në iluzionin e tyre. Por sinqeriteti nuk është zëvendësim për kompetencën. Integriteti pa përvojë është si një fener pa dritë – frymëzon, por nuk ndriçon rrugën. Nëse republikanët humbën terren për shkak të arrogancës ekonomike, progresistët rrezikojnë ta humbasin për shkak të romantizmit ideologjik. Në të dy rastet, qytetari është ai që paguan çmimin – në taksa, në qira, dhe në shpresë të humbur.
Demokratët dhe kanioni Mamdani
Rasti Mamdani ka kthyer Partinë Demokrate në një arenë debati publik, ku kohezioni duket si një kujtim i largët. Disa e mbrojnë Mamdanin si një hero të drejtësisë, të tjerë kërkojnë shpejt masa disiplinore, duke e kthyer çështjen në një spektakël të hapur të mosmarrëveshjeve interne. Çarja midis fraksioneve progresiste dhe të moderuara nuk është thjesht një debat ideologjik; ajo tregon një mungesë të qartë udhëheqjeje dhe strategjie, duke lënë votuesit të hutuar dhe skeptikë për aftësinë e demokratëve për të menaxhuar çështje të ndjeshme. Në vend që të bashkohen rreth parimeve, partia duket e angazhuar më shumë në një lojë pushteti të brendshëm, duke i dhënë publikut imazhin e një organizate të shpërndarë dhe pa busull. Rasti Mamdani është reflektim i një dileme më të madhe: a mund demokratët të jenë një forcë e besueshme kur ndarjet e brendshme mbizotërojnë rendin publik?
Mësimi që nuk mësohet kurrë
Qytetet që harrojnë historinë janë të dënuara ta përsërisin atë në formë karikature.
Nju Jorku, me gjithë madhështinë dhe energjinë e tij, po rrezikon të bjerë në grackën e një idealizmi të vjetër me një fytyrë të re. Shpëtimtarët me slogane kanë kaluar shumë herë nga këtu. Disa kanë premtuar rend, të tjerë drejtësi, e të tjerë “revolucion”. Të gjithë, në fund, kanë lënë pas zhgënjim. Në fund të ditës, qytetarët nuk duan të hanë me lugë floriri. Ata duan të hanë me dinjitet, në një qytet ku premtimet maten me rezultate dhe jo me retorikë.