
Përktheu Rafael Floqi/
Astronautët e misionit Artemis II tashmë kanë kaluar më shumë se gjysmën e rrugës drejt Hënës dhe kanë kapur pa mjet e para të anës së largët të saj.
Në një intervistë nga hapësira për NBC News, astronautja e NASA-s, Christina Koch, përshkroi momentin kur pa Hënën nga dritarja e kapsulës Orion dhe kuptoi se ajo dukej ndryshe nga ajo që ishte mësuar të shihte nga Toka.
“Pjesët më të errëta nuk janë tamam në vendin e duhur,” tha ajo. “Dhe diçka brenda teje e ndien që kjo nuk është Hëna që jam mësuar të shoh.”
Koch tregoi se ajo dhe kolegët e saj, astronautët e NASA-s Reid Wiseman dhe Victor Glover, si dhe astronauti kanadez Jeremy Hansen, krahasuan pamjet që shihnin me materialet e tyre studimore për të kuptuar më mirë atë që po shihnin.
“Kjo është ana e errët. Është diçka që nuk e kemi parë kurrë më parë,” tha Koch.
Wiseman, Koch, Glover dhe Hansen u nisën të mërkurën në një udhëtim 10-ditor rreth Hënës, duke u bërë njerëzit e parë që ndërmarrin një mision të tillë pas më shumë se 50 vitesh. Ata janë gjithashtu të parët që u nisën me raketën Space Launch System dhe kapsulën Orion të NASA-s. Që nga e enjtja në mbrëmje, ata janë zyrtarisht në rrugë drejt Hënës, pasi anija realizoi një ndezje të rëndësishme të motorit që e nxori kapsulën nga orbita e Tokës.
Wiseman e quajti fluturimin një “arritje madhështore” dhe tha se aftësia për të parë njëkohësisht Tokën dhe Hënën nga anija është “vërtet mahnitëse”.
“Toka është pothuajse në eklips të plotë. Hëna është pothuajse në dritë të plotë, dhe e vetmja mënyrë për ta parë këtë është të jesh në mes të këtyre dy trupave qiellorë,” tha ai.
Koch shtoi se, megjithëse astronautët janë të emocionuar, ata kanë mundur të pushojnë dhe të flenë rehat në kapsulën Orion, e cila ka një hapësirë të brendshme të krahasueshme me një furgon kampingu.
Gjumi është vetëm një nga aspektet njerëzore që i shoqëron gjatë udhëtimit në kozmos.
“Të jesh njeri këtu lart është një nga gjërat më të bukura të këtij misioni,” tha Koch. “Ne jemi thjesht njerëz që përpiqemi të përballojmë ditën. Mund të shohim anën e largët të Hënës dhe të admirojmë madhështinë e saj, pastaj të mendojmë: ‘Ndoshta duhet të ndërroj çorapet’.”
Katër astronautët patën kohë të premten dhe të shtunën të flisnin me familjet e tyre, gjë që Wiseman e cilësoi si një nga momentet më të bukura.
“Ishte surreal,” tha ai. “Për një moment u bashkova sërish me familjen time të vogël. Ishte momenti më i bukur i jetës sime.”
Që nga nisja, ekuipazhi ka qenë shumë i zënë. Në orët e para testuan sistemet e jetesës në kapsulë dhe zgjidhën disa probleme teknike, përfshirë defekte në email dhe në tualetin e anijes, por në përgjithësi fluturimi ka shkuar mirë.
Në orën 12:41 të mëngjesit të së hënës, astronautët pritet të hyjnë në zonën e ndikimit gravitacional të Hënës, ku tërheqja e saj bëhet më e fortë se ajo e Tokës.
Fluturimi pranë Hënës do të ndodhë më vonë atë ditë dhe do t’u japë mundësinë të shohin pjesë të sipërfaqes që nuk janë parë kurrë më parë nga njerëzit. Këto zona nuk janë të dukshme nga Toka sepse ajo anë e Hënës është gjithmonë e kthyer larg saj.
Gjatë këtij kalimi, kapsula Orion do të arrijë një distancë rekord prej 252,757 miljesh nga Toka, duke thyer rekordin e Apollo 13.
Astronautët do t’i afrohen deri në 4,600 milje sipërfaqes së Hënës dhe do të bëjnë vëzhgime të detajuara, duke fotografuar kratere, kreshta dhe rrjedha të lashta lave, të cilat mund të ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë më mirë formimin e Hënës dhe të sistemit diellor.
Në fund të këtij vëzhgimi, ekuipazhi do të përjetojë një eklips diellor nga hapësira, kur Dielli do të fshihet pas Hënës për rreth një orë.
Pas kalimit pranë Hënës, astronautët do të nisin kthimin drejt Tokës, i cili do të zgjasë tre ditë. Ata pritet të rikthehen të premten me një ulje në Oqeanin Paqësor, pranë brigjeve të San Diegos.
Hansen tha se fluturimi deri tani ka qenë emocional, plot gëzim dhe habi. “Që në fillim ndihesh i përulur,” tha ai. “Fakti që vetëm katër prej nesh jemi këtu të sjell në gjunjë.” Ai shtoi se fotografitë e dërguara në Tokë janë mbresëlënëse, por përvoja reale është edhe më e jashtëzakonshme. “E di që fotot janë të mrekullueshme,” tha ai, “por më besoni, ajo që shohim këtu është në një tjetër nivel mahnie.”