Behie Alushi/
Në datat 9-10 Gusht, në qytetin e traditës dhe mikpritjes është mbajtur si çdo vit, Panairi “Traditë, Kulturë, Shije Delvinjote.” Ky aktivitet, i organizuar nga Bashkia Delvinë dhe financuar nga Këshilli i Qarkut Vlorë ishte një mundësi unike jo vetëm për banorët por edhe për vizitorët, të cilët zgjodhën këtë qytet për t’u njohur dhe promovuar produktet tradicionale të zonës, trashëguar brez pas brezi.
Panairi mblodhi së bashku artistë, artizanë dhe biznese të ndryshme jo vetëm nga Delvina por dhe rrethinat, të cilët ekspozuan në sheshin “Sulejman Delvina” përveç të tjerash edhe objekte të trashëgimisë kulturore të zonës dhe jo vetëm, që nga punimet e dorës deri tek arti, këngët dhe vallet e bukura tradicionale.
Kjo festë e pasurisë kulturore dhe trashëgimisë qytetare delvinjote, ngjiti në skenë grupe artistike të ftuara të cilat sollën traditën e bukur të zonave të tyre. Në këtë edicion, pjesëmarrësit patën kënaqësinë të ndjekin performancat e këngëtarit të njohur të muzikës tradicionale shqiptare Ylli Baka shoqëruar nga banda e tij e talentuar muzikore të cilët e bënë të paharrueshme këtë atmosferë magjike dhe festive.