-refleksione për librin “Papagajtë e politikës” të Prof. Dr. Ago NEZHA, Mjeshtër i Madh-
Nga Albert R. HABAZAJ**/
Nëqoftëse mund të shprehemi metaforikisht që publicistika letrare shqiptare është Qytet Shkrimor i problemeve politiko – sociale të kohës, me penë të mprehtë dhe gjuhë figurative në Republikën e Letrave, libri “Papagajt e politikës” i gazetarit dhe shkrimtarit të njohur Ago Nezha është një vilë e këtij qyeti, apo thënë më ndryshe, një pallat me pesë kate në Qytetit Shkrimor të Publicistikës Letrare Shqiptare. Kati i parë emërtohet Inflacioni i vlerave, kati i dytë Dilema e partive, i treti Korrupsioni elektoral, kati i katërt Dialogu qytetar dhe kati i sipërm Krenaria e simboleve. 185 shkrime në 5 kapituj vijnë në librin “Papagajt e politikës” si një kontribut madhor për publicistikën bashkëkohore shqiptare, shkruar nga prof. dr. Ago Nezha, Mjeshtër i Madh.
E quaj nder e detyrim që për këtë libër të madh, të shprehem në trajtë sa më lakonike, sepse gjithshka e ka shkruar Profesori si një mjeshtër i fjalës së bukur, të pastër dhe të rëndë shqipe në 462 faqe libër: “Personalitet i Shquar i Qarkut të Vlorës”, “Personalitet i Shquar i Labërisë”, Prof. Ago Nezha është për gati 12 vjet, qysh nga 30 nëntori 2001 kryetar i Shoqatës Kombëtare Atdhetare – Kulturore “Labëria”, ndër më të shquarat në Shqipëri për veprimari kulturore atdhetare, saqë mund të themi që edukimin atdhetar e kulturor të brezave e bën shumë herë më mirë se vetë Babashteti. Prof. Nezha është kryetar i kësaj shoqate emërmadhe, ku Kryetar Nderi është akademiku Rexhep Qosja dhe anëtarë Nderi Dritëroi ynë i madh dhe shkencëtari Rexhep Mejdani.
“Papagajt e politikës”, si një prurje e fuqishme e gazetarisë së sotme ndërshqiptare më kujton kontributet e spikatura të Branko Merxhanit, Krist Malokit, Ismet Totos, të Konicës e Nolit, të Halim Xhelos etj., që shkëlqyen në vitet ’20 –’30 të shek. XX dhe që plotësojnë brilantisht antologjinë e mendimit shqiptar. “Papagajt e politikës” është një titull sa metaforik, aq dhe fatkeqësisht i dhembshëm për banorët e Vendit të Shqipes, siç na quanin të huajt.
Politikë do të thotë arti i të drejtuarit të shtetit; është me burim nga greqishtja –politiké. Papagalli vjen nga burim zoologjik dhe është zog i vendeve të nxehta me sqep të verdhë, të gjatë e të kthyer poshtë me pupla shumë ngjyrëshe, që ka aftësi të shqiptojë fjalë, duke imituar njeriun. Kemi papagall të gjelbër, të kuq. Kemi dëgjuar për papagall që mëson përmendësh, në mënyrë mekanike, që përsërit si papagall, kur thonë…
Me librin që kemi në dorë Prof. Ago Nezha na thotë se s’ka vetëm zogj që imitojnë njeriun, por ka edhe njerëz që imitojnë majmunin politikisht, moralisht, kombëtarisht. Është fjala për atë lloj specjeje me vetëdije segmentare , të kornizuar në vision, që flet a përsërit në mënyrë mekanike fjalët e një tjetri, pa u thelluar në ato që thotë, si papagall, por që në këtë rast shkakton dëme sociale të pallogaritshme.
Në këtë libër, që unë e klasifikoj publicistikë letrare, me një parathënie emblematike të filozofit dhe sociologut të shquar Prof. Dr. Servet Pëllumbi, redaktuar me përgjegjësi profesionale nga gazetari dhe shkrimtari i njohur Albert Zholi, ndjej hovin përparimtar dhe demokratik, me të cilin autori Ago Nezha i jep një shtysë pozitive dhe impulse të fuqishme gazetarisë bashkëkohore shqiptare. Ndjej e shijoj në këtë libër një formë të ndërgjegjes sociale dhe të kulturës shpirtërore të një individi, që nëpërmjet shkrimeve të botuara nuk përfaqëson më vetëm Ago Nezhën, Dukatin, Nivicën, Vlorën, Labërinë, por më shumë se kaq. Ai përfaqëson zërin shqetësues të intelektualit progresist shqiptar dhe, si pjesë e së tërës, plotëson ndërgjegjen kulturore të komunitetit shqiptar për të shpëtuar nga inflacioni i vlerave nëpër baticat dhe zbaticat e jetës shqiptare, për të respektuar hierarkinë e vlerave; për të kombëtarizuar qytetarisht partitë e paqarta në platformë që gufosin me fasada boshe meritokracie, nga kopeja e servilëve e dallkaukëve që bëhen ura të korrupsionit elektoral; që nëpërmjet dialogut qytetar dhe etikës së komunikimit të ndjejmë dhe t’i shërbejmë krenarisë kombëtare. Shpesh herë shkrimet e Prof. Agos më duket se kanë ngjyer penën e artit në gurrën kombëtare ku ka pirë ujë të kulluar edhe Çajupi ynë i pashok në satirën e tij realiste, si pikënisje, kuptohet në një trajtë të re, sidomos me fejtonin e njohur “Klubi i Selanikut” (1909), i vetëdijshëm për realitetin e zymtë të jetës në atdhe.
Sentencat e profesorit artikulojnë një elokuencë të shprehuri filozofik dhe shpërndajnë një bërthamë mendimi jetësor të vërtetë e moral, që ngrihen në nivelin e artë të fjalëve të urta, ardhur nga shekujt e mijravjeçarët e anonimatit gurgullues popullor. “Në demokraci jemi të një mendimi, që të mos jemi të një mendimi” e të tjera perla mendimi si kjo thënie e prof. Ago Nezhës e bëjnë më të kthjellët dimensionin filozofik të personalitetit krijues të publicistit të njohur, poetit dhe shkrimtarit të palodhur. Guximi qytetar, mprehtësia profesionale dhe përgjegjësia kombëtare janë tre piketa rajivëzuese të profilit të autorit, i cili me fjalëformimet e reja që peshojnë e pasurojnë fjalorin e gjuhës shqipe, e stolisin hijshëm semantikën e leksikut shqiptar, jep një kontribut serioz në publicistikën shqiptare.
Duke e pasqyruar jetën mbi bazën konkrete përmes fakteve, veprimeve, perzonazheve politikë, dukurive, ngjarjeve reale e konkrete sociale, duke patur si objekt pasqyrimi pikërisht tipiken faktike e konkrete sociale, në kuptimin e gjendjes ekzistuese mbi bazën e arsyetimit, të krahasimit, të përzgjedhjes së fakteve dhe të tipave socialë vertikalisht sipërorë, libri “Papagajt e politikës” ngrihet në nivelin më lartë përfaqësues të publicistikës së sotme letrare të angazhuar.
* ) Referim në promovimin e librit “Papagajt e politikës” të autorit Ago Nezha, mbajtur në universitetin “Pavarësia”, Vlorë, ditën e premte, 17 maj 2013, ora 11.00
**) Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “ Ismail Qemali”, Vlorë
fede says
IKU KOHA E PAPAGAJVE,KA ARDH KOHA E AKSIONEVE KOMBETARE!