Akad. prof. dr. Valter MEMISHA
Pjesa e dytë…
Në artikullin Naim be Frashëri, Jetëshkrim, M. Frashëri thekson se tradita shkrimore e shqipes ishte e vjetër dhe nuk duhet menduar se “Shoqëri e të Shtypurë Shkronja Shqip” hodhi hapin e parë në këtë hulli. Ai shkruan se “Mos pandehet se kjo shoqëri çpiku këndimnë dhe shkrimn’ e gjuhës shqip; gjuha shqip pak a shumë, është shkruar gjithnjë; më të vjetërat e libravet shqip që dimë janë: një libër e kthyer prej Pietro Budi (shtypur në Romë më 1664), dhe një tjetër prej Bogdanit më 1685. Këta dy priftër kanë shkruar libra për fenë, dhe në Shkodrë gjuha shqip është përdorur prej katolikëvet duke shkruar me letra latine, me nj’a 4 shkronja të çpikura; me qënë që përdorësh në kishë dhe ca pak në shkollat të priftërinjvet, në Shkodër janë shtypur dhe mjaft libra shqip, se n’atë qytet priftërit kanë një shtypëtore.”
Dihet se në mesin e shekullit XIX dhe në gjysmën e dytë të këtij shekulli filluan të hartoheshin alfabete të shumta. Madje shqipja shkruhej me alfabet latin, me alfabet turko-arab, me alfabet sllav, krahas të shkruarit me alfabete të krijuara nga atdhetarë të ndryshëm (Kujtojmë ndër të tjera, alfabetin e N. Veqilharxhit, të Dh. Toodrit etj.). Sipas M. Frashërit Shoqëri e të Shtypurë Shkronja Shqip bëri një punë të jashtëzakonshme drejt një alfabeti të vetëm. Sipas tij, “Themi pra që shoqëri e Stambollit kapërxeu e para trapn’ e thellë, dhe bëri shqipen një gjuhë me shpirt. Është vërtet që udha qe çelur, se Kristoforidh Elbasanasi kish 20 vjet që po merrësh me të kthyer ungjijtë në gjuhë shqip, dhe shoqëri e protestanëvet e Llondrës, kish shtypur më 1868 (në Stamboll), Psaltirin, shqipëruar prej Kristoforidhit; m’an tjetër Kamarda dhe De Rada, n’Itali, kishin mjaft vjet që mundohëshin të rëmojnë rregullat e gjuhës shqipe, dhe të shkruarat e këtyre Shqiptarëvet hoqnë ren’ e të diturvet t’Evropës mbi gjuhët t’ënë. Edhe Naum Veqilharxhi nga Vithkuqi, kish shprovuar dyzet vjet më parë, që të shkrojë gjuhën t’ënë dhe abetar’ e tij me ca shkronja të çpikura, ish shtypur më 1845. Po e shohëm se rruga qe çelur, ara ish lëruar, gjuha shqip kish zënë të zgjuhet, dhe shoqëri e Stambollit duke mështjellë mendjen’ e kohës në vetëhet të saj, çpejtoi këtë ngjallje të gjuhës sënë dhe i dha të bëjë një çap të math.”
SHOQËRIA E STAMBOLLIT
Në artikullin Shoqëria e Stambollit (1926), M. Frashëri shkruan se “Puna e parë e Shoqërisë qe të trajtuarit e një abeceje për gjuhën shqipe. Mënyra e përdorur prej Konstantin Kristoforidhit në përkthimet e shkrimeve të shenjta, ishte rrëfyer e metë: i dituri elbasanas kishte marrë nga një palë shkronja të veçanta dhe krejt të pangjara për secilin prej dy dialekteve. Nuk dimë ç’bisedime rrodhën në mbledhjen, se nuk kemi procesverbalet e tyre, as edhe ndonjë prej anëtarëve s’është kujtuar të na lerë kujtimet e tij…. Ajo që dimë, është se shkronjat e pranuara qenë ato të Sami Frashërit, i cili i gdhendi vetë, me dorën e tij mbi çelik, germat, që këshillonte. Prapë s’dimë cilët qenë gjymtyrët më aktivë të mbledhjes, kryetar i së cilës ishte Sami Frashëri. Naimi në atë kohë s’kishte ardhur akoma në Stamboll. Por, në mungesë të kujtimeve dhe dokumenteve, botojmë këtu tekstualisht kanonizmën e Shoqërisë, duke i ruajtur besnikërisht ortografinë. Kjo mënyrë shkrimi, si edhe stili dhe gjuha, na bindin se kanonizma ka dalë nga pena e të ndjerit Jani Vreto. E panevojshme të themi se abece-ja e kësaj kanonizme është ajo e abetares, domethënë abece-ja e Stambollit, siç u quajt më vonë dhe në të cilën u ndryshuan germat d, e, l, r, s, z.”
4. Mid’hat Frashëri, me formim iluminist, e sheh shpëtimin e gjuhës e të kombit te hapja e shkollave shqipe. Ai shkruan i indinjuar “Po m’i madh’ i turpeve, është të mospasurit shkolla shqip! Qysh mund të jemi shqiptarë, pa mësuar mirë në shkolla gjuhën e bukur, që flet mëma dhe áti? Qysh mund të quhemi të qytetëruar, pa punuar gjuhën tonë? Pa pasur libra në të? Gjuha harrohet, po s’qe e shkruar në libra dhe një komb, po të humbasë gjuhën, humbet dhe kombësinë.”
Dhe me të drejtë ngre zërin për gjendjen e shkollimit në trojet shqipfolëse në fundin e shekullit XIX. Ai shkruan (më 1899) se “Është vërtet dëm i madh në këtë shekull, që gjithë kombet kanë shkolla dhe fletore në gjuhët e tyre, ne shqiptarët rrimë të paqytetëruar! Pa vajtur në shkollë e pa mësuar, qysh do të shquhemi nga të egërit? Na dridhet zemra kur mendojmë që grekët, turqit, bullgarët dhe serbët kanë me qindra shkolla në vendit tonë dhe ne s’kemi më tepër se dy! Të huajt vijnë ndër ne, çelin shkolla dhe ne shqiptarët hyjmë n’ato, mësojmë gjuhën e huaj dhe kështu humbasim kombësinë tonë! Të huajt, duke parë që ca shqiptarë mësojnë gjuhën’ e tyre, pa pasur turp thonë që ai vend i Shqipërisë, duhet bashkuar me të huajin; nga ai shkak, greku thotë që Janina është imja, serbi thotë kështu për Kosovën dhe bullgari kërkon Manastirin!”
Duke njohur, si rrallë tjetër gjendjen e shqiptarëve dhe synimet e fqinjëve për copëtimin e trojeve, ai e sheh të domosdoshme dhe shpëtimtare nga kjo gjendje hapjen e shkollave shqipe. Ai shkruan se “Duke mos pasur shkolla shqip, ca nga ca harrojmë gjuhën tonë: në anët e Gjirokastrës flasin greqisht dhe në Tetovë e në Prizren turqisht e sllavisht! Të kishim shkolla, s’bëhej kjo mynxyrë. Do kuptuar mirë kjo fjalë: duke humbur gjuhën, humbet dhe kombësinë njeriu. Nuk besoj të mos e dini të tërë, që jemi në gojë t’ujkut, se greku, bullgari, serbi dhe malazezi duan të na zhbëjnë.”
“Ç’FITUAM NGA KONGRESI I MANASTIRIT?”
5. Në artikullin “Ç’fituam nga Kongresi i Manastirit?”, botuar në gazeta “Lirija”, 1908, Mid’hat Frashëri e vlerëson lart këtë ngjarje historike dhe shkruan se “Kongresi u godit fort mirë, se pemët e tij na kënaqën të gjithëve. Tani, pra, themi se shkrimi i gjuhës sonë u rregullua, themi se abeceja u njësua; tani do të mbledhim gjithë fuqinë, për të shkruar dhe për të përparuar gjuhën, pa humbur kohën në zihje e në grindje të abeceve. Tani gjithë dëshira jonë do të jetë për të sjellë në dritë vepra të nevojshme, për të përhapur mësimin dhe për të lulëzuar gjuhën, libra shkollarë, diturakë dhe letrarë… Ky bashkim i abeceve, kjo ndarje nga një çështje bizantine, që na nxinte faqen gjer më sot, është pema e parë e kongresit.”
Dhe vazhdon më tej vlerësimin për këtë ngjarje, duke nënvizuar: “Po ka dhe një pemë tjetër, që është mbase më e madhe dhe më e bukur. Edhe kjo pemë është bashkimi i shqiptarëve. Vërtet gjer më sot kombi ynë s’ishte bashkuar, për të bërë një punë të duhur për vendin. Ishte, pra, një ngjarje e re për ne kjo mbledhje, ku pamë shqiptarë të ardhur nga veriu e nga jugu, nga lindja e nga perëndimi, ku pamë krah për krah gegë e toskë, të krishterë dhe myslimanë, hoxhë dhe priftërinj. Ahere kuptuam se vërtet paska një komb dhe se vërtet ky komb qenka i gjallë!”
Artikullin e përshkruan fund e krye besimi, shpresa, e ardhmja e kombit shqiptar. M. Frashëri shkruan në mbyllje se “Dhëntë pra zoti dhe ky kongres qoftë si themel i një bashkimi të përjetshëm, si agim i një jete të re, i një jetë urtësie dhe vëllazërie. Oh, tani që i pamë shqiptarët bashkë, tani shpresën e kemi të fortë, tani zemrën e kemi të ngrohtë! Tani dimë që qenkemi dhe ne të zotë për urtësi dhe për bashkim. Një vëllazëri në mes të mendjeve dhe të zemrave tona u rrënjos; dhe ato rrënjë do të na japin gjithnjë fuqi të re. Mbledhja e Manastirit, sikundër na rrëfeu neve fuqinë tonë, ashtu dhe botës u tregoi qenien dhe rrojtjen e një kombi shqiptar. Bota, që na pandehte se s’jemi të zotë për asnjë vepër qytetarie, ajo botë, ndër të edhe armiqtë tanë, kuptoi tani që shqiptarët s’qenkan ashtu si i pandehnin, s’qenkan aq “të egër” sa thuhej. Ky kongres, kjo shenjë e parë që dhamë për qytetari, na shtoi nder përpara syve tanë dhe përpara syve të botës. Le të tregohemi, pra, gjithnjë të zotë, që ta mbajmë dhe ta shtojmë këtë nder.”
GJUHA E PËRBASHKËT LETRARE DHE GJUHA E ZYRTARE E SHTETIT TË PAVARUR SHQIPTAR
Një nga problemet më të rrahura në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX është dhe ai i gjuhës së përbashkët letrare, i gjuhës zyrtare i shtetit të pavarur shqiptar. Më 1 prill 1909, pak muaj pas Kongresit të Alfabetit, që u mbajt në 14-22 nëntor të vitit 1908, Mitat Frashëri shkruan artikullin A do të kemi një të vetëm gjuhë literare shqip, ku, ndër të tjera thekson se “Në mes të kaqë vështirave të tjera, kemi dhe ndarjen e gjuhës’ sënë. Sa- do-që gjuha është një dh’e vetme, s’mund të mohohetë ndryshimi i madh që është në mes të dy dialekteve toskë dhe gegë, pa numëruarë dhe nënëdialektet e tjerë. Sot po shkrojmë pothua në çdo dialekt dhe shumë herë një librë mbetet e pakuptuarë prej të tjerëvet. Për një komb të vogëlë dhe të dobëtë si ne, kjo ndarje dhe çarje është një e vështir’ e madhe, një rezik i vërtetë, që s’muntta shikojmë me gjak të ftohtë. Është, pra, nevoj’ e madhe që të kemi për shqipen tënë në të shkruar një të vetëm dialekt, një të vetëm gjuhë literate, e cila nxihet dhe të përdoret prej tërë kombit tënë, si kundrë që të gjithë kombet e qytetëruarë një të vetëm dialekt letrar kanë.”
Dhe më tej ndalet te zgjidhja. Ai pyet “ Cila do të jetë ky dialekt? A do të marrim një nga të dy degat e mbëdha të sotme -toskërishten a gegërishten a po do të marrim no një dialekt në mes të dyvet? Është thënë shumë herë që të miret dialekti i Elbasanit, si një gjuh’ e përmesme dh’ e kuptuarishme prej të gjithë shqipëtarëvet. Për këtë qëllim do të shkruhesh dhe të nxihesh dialekt’ i Elbasanit – a no një tjatër afërë – ashtu si flitet prej popullit a me pak ndryshim? Po na edhe një e vështirë tjatër: këtë dialekt të përgjithshim, kush do të na e mësojë? Sot për sot as no një veprë të madhe kemi në gjuhë t’Elbasanit, as no një shkronjëtore kemi, që të na rrëfejë në fjjeshtësi tëntyrev rregullat e asaj gjuhe. I vetëmi shkronjës nga Elbasani, Kristoforidhi, ka përdorur jo dialektin e vendit të tij, po një gjuhë të përzjerë. Edhe pa një veprë të mirë, pa një udhëheqës të mbaruarë, s’munt të mësohet me gjithë bukurit’ e saj një gjuhë letrare.”
Për të dhënë një përgjigje sa më të argumentuar, “për të paturë një zgjidhje të kësaj çështjeje kaqë të rëndë për ne (kupto kaq të rëndësishme V. M.,), ai i drejtohet Gjergj Pekmezit, njërit nga njerëzit që “kanë bërë studime mbi gjuhët dhe dialektet shqipe”, i cili, ndër të tjera, në vitin 1908 kishte botuar një gramatikë të gjuhës shqipe në Vjenë. Ky gjuhëtar i kthente përgjigje, të cilën M. Frashëri e ka përfshirë tek artikulli A do të kemi një të vetëm gjuhë literare shqip. Po ndalem pak gjatë në këtë artikull, sepse gabimisht pjesa dërrmuese e tij në vëllimin e parë të veprave të zgjedhura, të këti personaliteti historik jepet si shkrim i tij, por nga ballafaqimi me artikulli në revistën Diturija” ai i përket Gjegj Pekmezit. Me pak fjalë M. Frashëri ka kthyer përgjigje përmes fjalëve të gjuhëtarit të njohur. Gjergj Pekmezi shkruan se “Sot përdoren, sikundër e dini fort mirë, të dy dialektet (ndënëfolijet) gegërishteja dhe toskërishteja si gjuhëra literare (të përbashkëta) ndë Shqipëri, njëri ndë Gegëri e tjetëri ndë Toskëri, njëri ka për themel dialektin e Shkodrës, tjetri munt të thuhet, disa dialekte të Toskërisë.”
Sipas këtij gjuhëtari, “ gjuha letrare (e përgjithçime) e Gegërisë ka për themel dialektin e Shkodrës, sepse të tërë shkrimtarët të Gegërisë a po ata që janë mësonjës së gjuhës shqipe ndë Gegëri, a janë Shkodranë a po kanë qenë atje nga disa vjet, dyke nxënë ndë ndo një shkollë të Shkodrës. Të vetëmen shtypshkronjë, që kemi pasur gjer sot në Shqipëri, ka qenë edhe është ndë Shkodër, ku janë shtypur shumë libra të kishës, të shkruara shkodranisht, të cilat janë përdorur dhe përdoren prej katolikëve. Po jo vetëm librat e kishës, por edhe librat e shkollës janë shkruar prej shkodranëve, më të pastajmet, kanë përdorur, mjerisht, orthografinë (drejtshkrimin) e të ndyerit Kristoforidhi, e ashtu duket gjuha si fare e huaj, një gjuhë që s’flitet asgjëkundi në Shqipëri; shumë kanë vuajtur mësonjësit me këta libra, dyke i ndërtuar sipas gjuhës, qi flitet, për të lehtësuar mësimin ndë shkollë. Duket sheshazi se burimi i gjuhës letrare të Gegërisë është dialekti i Shkodrës.”
Kurse për arealin gjuhësor jugor po ky gjuhëtar shkruan se “Në Toskëri, përkundrazi, kanë dalë shkrimtarë prej disa këndeve të Toskërisë e prandaj gjuha letrare e Toskërisë është një kullim jo vetëm i një dialekti të Toskërisë, por i disave. Munt të thuhet se dialektet e Gegërisë janë shumë më larg njëri prej tjetrit sesa dialektet e Toskërisë; shkajkun e sheh kushdo, po të hedhi një vështrim mbi një kartë dheshkronje po shumë më lehtë do të kuptoj, ay, që ka qenë ndë ato vise dhe qi njef marrëdhënjen ndër mest të gegëvet e të toskëvet.”
Gjithnjë sipas Gjergj Pekmezit, “Kështu gjindet sot çështija e gjuhës letrare, më duket mua, se sa për sot është edhe mirë që përdoren, kështu si thamë, këto dy dialekte në Shqipëri, ndryshe do të ishte shumë më rëndë për përlindjen tonë. Për të lehtësuar mësimin, do të ishte nevojë cili-do mësonjës të përdori jo vetëm ndë Gegëri gegërishten e ndë Toskëri toskërishten, po edhe atë dialekt që e flet ay, që do të mësohet t’a shkruaj, e t’a këndoj gjuhën e ti. Përveç kësaj, edhe vetëm ndërimi i një pune prej kaqë vjetëve është, pas mendjes sime, për sot as i mirë, as që munt të bëhet për nji herë.”
MIDHAD FRASHËRIT DHE PROBLEME TË KULTURËS SË GJUHËS
Pasi bën parashtrimet e nevojshme, të pasqyruar në shkrimin e M. Frashërit A do tëkemi një të vetëm gjuhë literare shqip, Gjergj Pekmezi nënvizon se “Por, më tjatër anë, këto që thamë, as pak s’munt të na ndalojnë që tashi të nisim e të mendohemi përmbi një gjuhë të përgjithshime, e cila të jet’ për të tërë Shqiptarët, sikundër që kanë bërë kombet e qytetëruarë, me të tjera fjalë, të mendohemi përmbi shërimin e një plage aq të rezikshme për më shpejt. Është e rrezikshme, thashë, sepse neve, si gegë ashtu edhe toskë, si të krishterë ashtu edhe muhamedanë një komp jemi, edhe një komp lypset të jetë si një trup (korp), një trup që ka një shpirt, edhe shpirti i një kombi është gjuha që flet, gjuha jonë është kuptohet vetëm një gjuhë, e ka dialekte, sikundër kanë të të tëra gjuhët të botës, pandajza edhe gjuha literare të jetë nji, si gjuha ashtu edhe veglat e gjuhës lypseshe të ishnin një soj, dua të them, se do të ishte mirë të kishim vetëm një alfabet, vetëm një orthografi (drejtshkrim), një terminologji për dituritë etj., se një komp kaqë i vogël, si kundër që jemi sot ne, të jetë i ndarë, të mos jetë ndër punë të gjuhës i bashkuar, do-me-thënë, ay s’munt të roj, e do mos do sot a nesër do ta hanë kombet, që e kanë pranë.”
Që të krijohet një gjuhë e përgjithshime, duke u ngritur mbi të folmen qendrore të shqipes (nënkupto elbasanishten), sipas Gj. Pekmezit, në radhë të parë kjo e folme duhet njihet, të studiohet, të përpunohet e të mësohet. Ai shkruan se “Po si munt të vërtetohet kjo dëshirë kaqë e nevojshme? Si kundër thamë, që të dy këto gjuhëra literare, që përdoren sot në Shqipëri e kanë burimin e tyre afro ndër anat e Shqipërisë; qendri i Shqipërisë mjerisht na ka mbetur fare e huaj a po i pa njohur; dialektet e qendrit të Shqipërisë që janë pa dyshim më të kthjelltë, nuk i dimë, a po më mirë të themi, palcën e shqipes, s’e njohim as pak, po për të vërtetuar dëshirën e nevojshme që e përmendmë, lypset do mos do ndë vent të parë qendrin e gjuhës t’a njohim e t’a mësojmë dhe ashtu, pa dyshim, dyke mësuar, do të mundemi me kohë ta gjejmë ndër këto dialekte të qendrit, edhe kërthizën e gjuhës sonë, të cilën duhet t’a mësohim e pastaj t’a përhapim ndë për tërë Shqipëri. Këtë themel për gjuhën literare nga dalë lypset t’a forcojm pastaj, dyke marë lëndë të mirë e të bukurë prej të tjerëve dialekte të Shqipërisë.
Në këtë artikull të M. Frashërit, gjejmë dhe një çështje tjetër thelbësore të trajtuar nga Gj. Pekmezi, atë të rolit të shkollës e të librit në përhapjen e variantit të përgjithshëm a të një gjuhe të vetme letrare shqipe. Ai shkruan se “Pas këti dialektit lypsen shkruar edhe tërë librat e shkollës. Ndë Shqipëri të mesme, pra lypset të dërgojm njerëz të njoftun pak me filologjin, që t’a mësojn atje gjuhën, a po regullat e gjuhës, jo vetëm të gramatikës (shkronjëtores), po ca më tepër të sintaksit, të mbledhin e të shtypin shumë përalla, kënga e të thëna të popullit, po shkruar ashtu si kundër i kallëxon populli, që pas pak kohe të kemi një thesor të bukur e të madh. Kjo është e vetmja mëndyrë, pas mendjes sime, për të shpëtuar prej një rreziku të madh fort.”
7. Midhad Frashërit në artikuj të ndryshëm trajton dhe probleme të kulturës së gjuhës. Në shkrime si “Thjeshtësija është bukuri në gjuhë”, “Shqip kuvendojmë, apo çorbë trazojmë” etj., thotë se gjuhën duhet ta ruajmë, ta mbajmë gjallë e të pastër nëpër burimet e saj. Sipas tij, “Një shqiptar kur merr pendën në dorë dhe zë të shkruajë, një mijë të vështira i dalin përpara: nuk gjen dot fjalë, nuk i lidh dot këto fjalë dhe të shumtave s’u di ortografinë. Duke qenë se gjuhën e flasim, këto të vështira e çuditin njeriun dhe mestohet pse ca gjuhë që nuk i di dhe aq mirë për të folur, i shkruan më lehtë dhe më drejt. Ndaj “Çdo shqiptar ka për detyrë të përpiqet të flasë dhe të shkruajë drejt dhe pastër gjuhën e tij”
Për këtë studiuesi Emil Lafe shkruan se “Lumo Skëndoja nuk merr përsipër të jetë ai vetë magjistri i normës letrare, por u bën të ditur lexuesve gramatikat kryesore të shqipes të botuara deri në atë kohë (e K. Kristoforidhit, e S. Frashërit, e P. Vasës, e G. Meyer-it, e Gj. Pekmezit) “që munt të këndohenë me shumë fitim”, duke veçuar në këtë mes “Shkronjëtoren” e Samiut, si “një shkronjëtore e mbaruarë që çdo Shqipëtar duhet ta këndoj dhe ta studojë me shumë re.” Ai ankohet se “mjerisht gjer më sot s’kemi akoma nonjë sintaks për gjuhët tënë dhe ay që të nisnjë përmbledhjen e një libre së tillë jemi sigurë që do t’i bënjë një shërbim të math shqipesë.”