
Artan Nati/
Napoleoni nuk lindi fisnik dhe as francez, megjithatë ai u ngjit në krye të Republikës dhe u kurorëzua perandor. Disa do ta quanin atë një despot maniak, ndërsa të tjerë ia atribuojnë përhapjen e idealeve liberale revolucionare franceze në të gjithë Evropën. E vërteta qëndron në mes. Napoleon Bonaparti është padyshim një anomali historike dhe ndihmoi në frymëzimin e teorisë së “Burrave të Mëdhenj” në studimet historike. Një perandor korsikan i Francës, një revolucionar i shndërruar në monark absolut, ishte po aq i talentuar si burrë shteti dhe si strateg. Të njëjtat tipare që e panë të ngrihej në pushtet lehtësuan rënien e tij. Ai dëshironte pafundësisht pushtet, famë, status, influencë dhe natyrisht fitore ushtarake. Kjo ambicie e lejoi atë të bëhej perandor dhe të dominonte Evropën, megjithatë e çoi gjithashtu në pushtimin katastrofik të Rusisë. Në përgjithësi, luftërat në të cilat ai luftoi, gjysmën e të cilave ai i nxiti, vranë midis 3 dhe 6 milionë njerëz. Megjithatë, ai gjithashtu e nxori pjesën më të madhe të Evropës nga feudalizmi dhe e çoi në epokën moderne pafundësisht.
Si përfundim ndoshta mund të themi se ai ishte shumë intelegjent dhe strateg brilant. Si ka mundësi atëhere që Bonaparte kishte një fund pa lavdi për vete si edhe për Francën. A mund ta quajmë të mënçur Bonapartin? Kjo është një pyetje që është shtruar shumë herë në historinë e njerëzimit, sidomos në momentet e transformimeve të mëdha shoqërore. Ky fenomen është përsëritur disa herë në historinë e kombit tonë dhe duket se ne nuk kemi nxjerrë mësime, ndoshta edhe për faktin se: ne mësojmë nga historia se ne nuk mësojmë asgjë prej saj. Drejtuesit e Shqipërisë demokratike të pas viteve 90, mund t’i akuzojmë për shumë çështje, por jo për mungesë intelegjence. Në fakt, shumë nga gabimet më të mëdha në historinë e njerëzimit, ashtu si edhe të vendit tonë, u kryen nga njerëz shumë inteligjentë që lejuan veten të konsumoheshin nga ideologji boshe, interesa egoiste ose arrogancë e pastër. Në fakt ekziston një ndryshim midis inteligjencës dhe mençurisë. Inteligjenca mund të përdoret për çdo gjë, përfshirë mashtrimin manipulimin dhe madje edhe justifikimin e ideve absurde. Megjithatë, mençuria kërkon diçka më shumë reflektim të thellë, përvojë dhe më e rëndësishmja, mendim kritik. E vërteta është se vetëm zgjuarsia nuk mbron askënd nga rrënimi.
Ajo që ne e quajmë inteligjencë është si të kesh në dispozicion kompjuterin më të fundit dhe më të fuqishëm, duke përpunuar informacionin me shpejtësi rrufeje, duke kujtuar çdo detaj të vogël dhe duke zgjidhur ekuacione komplekse në çast, që të lejon të thithësh informacione të reja, të mësosh aftësi të reja dhe të kuptosh botën përreth teje, është si të kesh një bibliotekë me libra në kokën tënde. Por çfarë mund të themi për mençurinë? Mençuria është aftësia jote për të përdorur përvojën dhe njohuritë e tua për të marrë vendime të mira. Bëhet fjalë për të kuptuar pamjen e përgjithshme, duke parë pyllin dhe jo vetëm pemët. Inteligjenca dhe mençuria, megjithëse të ndryshme, janë dy anët e së njëjtës monedhë, ato funksionojnë së bashku, duke plotësuar njëra-tjetrën. Pra me pak fjalë inteligjenca është fuqia e trurit tuaj, ndërsa mençuria është sistemi juaj i navigimit.
Studiuesit kanë arritur në përfundimin se mënçuria është e pavarur nga çdo karakteristikë tjetër, nuk ka të bëjë fare me arsimin, klasën shoqërore ose profesionin. Ka njerëz të shkëlqyer me arsim të lartë dhe tituj shkencor, që veprojnë në mënyrë krejt irracionale dhe kundërproduktive, ashtu siç ka njerëz të përulur, pa arsim të lartë dhe të mesëm që demonstrojnë mençuri të madhe dhe janë tepër racional dhe me mendim kritik. Zgjedhjet e fundit treguan se ne nuk kemi mësuar asgjë nga e kaluara, ndërsa drejtuesit e qeverisë dhe partive politike vazhdojnë duke fajësuar njeri tjetrin për këtë situatë absurde. Retorika vazhdon si më parë dhe politikanët duken të kënaqur me situatën, pavarësisht teatrit që luajnë. Duket si një teatër absurd ku vendi, të rinjtë, shtresa e varfër e pensionistët janë duke pritur shpëtimtarin që nuk duket askund. Rama deklaron se vetëm ai e vendos se kur do të largohet, ndërsa Berisha thotë se vetëm Zoti mund ta largojë atë nga pozicioni i tij. Po të ndalojmë një moment dhe të shikojmë përreth, duket sikur gjithçka po bëhet më iracionale, që vendimet e rëndësishme po merren pa asnjë ndjesi logjike, që absurditeti është bërë normë, Kjo duket si në jetën e partive politike ashtu edhe në qeverisjen e vendit dhe jetën parlamentare.
Indiferenca, por shpesh edhe reagimi ynë njerëzor nuk është vetëm një tipar qesharak ose i padëmshëm, por është një forcë shkatërruese që vepron në heshtje duke formësuar botën në të cilën jetojmë. Në mediat sociale, informacioni i rremë përhapet më shpejt se sa verifikohet, faktet në politikë, udhëheqësit e paaftë ngrihen në pushtet dhe marrin vendime që ndikojnë jetën tonë të përditshme. Të gjitha sa thamë më lart na bën të mendojmë se papërgjegjshmëria dhe indifernca nuk është vetëm një e metë individuale, por një forcë kolektive që po e gërryen shoqërinë nga brenda. Nëse nuk e kuptojmë se si funksionon, jemi të dënuar të përsërisim të njëjtat gabime brez pas brezi. Pra si mund ta identifikojmë dhe luftojmë këtë papërgjegshmëri që na çon në zgjedhjen e politikanëve inteligjent, të papërgjegjshëm dhe aspak të mënçur.
Pyetja e vërtetë është nëse jemi të gatshëm të rezistojmë apo do të vazhdojmë të jemi thjesht një tjetër figurë në këtë teatër të madh të mediokritetit. A do të vazhdojmë t’i gjejmë gabimet te politikanët e zgjedhur prej nesh, apo te vetja jonë? A do t’i gjejnë partitë politike armiqtë te kundështarët apo tek vetja e tyre? Ai që i gjen armiqtë te të tjerët thjesht ëndërron. Ai që i gjen armiqtë te vetja zgjohet dhe transformohet.
Në nivel kolektiv, dizajni institucional është çelësi. Ne mund të ndërtojmë sisteme që shpërblejnë të vërtetën, kompetencën dhe llogaridhënien. Mendoj se duhet t’i ulim perënditë tona në tokë përpara se ata të na shkatërrojnë tokën nën këmbët tona. Më mirë t’i shohim liderët tanë si njerëz përpara se ata të na shohin ne si numra. Besimi ynë për mënyrën se si e shohim botën kalon përmes të kuptuarit tonë dhe jo përmes asaj që ata na tregojnë se si të mendojmë dhe besojmë. Ne të gjithë jemi të barabartë dhe jo disa më të barabartë se të tjerët. Është koha të fajësojmë veten nëse ata shkaktojnë një ferr në tokë. Arësyeja nuk është se po na tradhëtojnë, por jemi ne që po tradhtojmë veten, që po ua dorëzojmë mendimin dhe fuqitë tona atyre. Dhe kush janë ata?, Njerëz si ne dhe në shumicën e rasteve janë më të këqij, sepse kanë luajtur lojëra me besimin tonë, kanë manipuluar dëshirat tona.
Duke i trajtuar ata si perëndi ose njerëz me inteligjencë të veçantë, ne i dorëzojmë fuqitë tona, forcën e të menduarit kritik. Pyetja është se kujt ia dorëzojmë? Njerëzve që e vetmja gjë që dinë më mirë se ne, është se si të na manipulojnë. Ne mendojmë dhe veprojmë në të njëjtën mënyrë dhe shpresojmë të kemi një rezultat shumë më të mirë. Në realitet, ne presim që ujqërit të bëhen vegjetarianë. Të jesh një udhëheqës efektiv nuk qëndron në përjashtimin e inteligjencës ose mençurisë për të favorizuar tjetrën. Përkundrazi, kërkon integrimin harmonik të të dyjave. Gjithmonë duhet të synojmë të zgjedhim udhëheqës të mençur që mund të përdorin strategjikisht aftësitë e tyre
njohëse, duke futur në vendimmarrje empatinë, përulësinë dhe një qasje të orientuar drejt së ardhmes.