
Prof. Skender Asani/
Në tryezat e ftohta të Versajës, ku më 1919 diplomacia shpesh ushqehej me paragjykim dhe fuqia me përçmim ndaj kombeve të vogla, fjala dhe prania e Parashqevi Qiriazit u shndërruan në një tronditje morale për arkitekturën e padrejtë të vendimmarrjes ndërkombëtare, aq sa edhe një kundërshtar i deklaruar i Shqipërisë u detyrua të artikulojë një të vërtetë që rrëzonte narrativën kolonialiste: se një komb që lind një bijë të tillë nuk mund të quhet barbar.
Ky pranim, i nxjerrë jo nga simpatia, por nga imponimi i së vërtetës historike, ishte më shumë se një kompliment personal; ishte një akt kapitullimi intelektual përballë qytetërimit shqiptar, i cili, edhe pse i copëzuar politikisht dhe i rrethuar nga interesa grabitqare, dëshmoi se mbart në thelbin e tij kulturë, arsim, dinjitet dhe vetëdije shtetformuese. Në këtë kontekst, Parashqevi Qiriazi nuk qëndron vetëm si figurë historike, por si tezë politike e gjallë, si argument diplomatik i pakundërshtueshëm dhe si sfidë retorike ndaj çdo përpjekjeje për ta delegjitimuar Shqipërinë në skenën ndërkombëtare, duke e shndërruar zërin e saj në emblemë të rezistencës kombëtare dhe në dëshmi se historia shqiptare nuk kërkon mëshirë, por njohje.