
Prof. Dr. Romeo Gurakuqi/
Parimet e qeverisjes demokratike, të përgjegjësisë dhe llogaridhënies, shteti i së drejtës, sundimi i ligjit, barazia e shtetasve para ligjit, ndarja e pushteteve, kontrolli dhe balanca, roli i Parlamentit, roli i institucioneve të pavarura, funksioni i organeve të mbrojtjes së shtetit, si dhe roli i pozitës dhe i opozitës, që nga dje, në Shqipëri, janë zëvendësuar me Institutin e Besës.
Shpikje dhe “racionalizim” allashqiptar i së Drejtës Publike në një vend europian.
Profesorëve të së Drejtës Publike u ka dalë punë t’u japin shpjegime studentëve të fakulteteve të jurisprudencës. Nuk do ta gjejnë askund një institut të tillë, të konceptuar në këtë mënyrë.
Jo vetëm kaq, por kur mendon se Strukturat Zbatuese të Besës do të kenë vëmendje asimetrike, domethënë do të jenë të shurdhëra ndaj ankesave që do të bëhen kundër atyre tipave të cilëve u janë dhënë me qesim institutet dhe organizmat kinse të pavarur, le të themi, si shpërblim për uljen e çmimit të shitjes së organizatave politike, atëherë vështirësia e shpjegimit të Besës do të jetë në përmasa rrëzuese.
BE-ja duhet të shohë me vëmendje se si, në një vend kandidat, parimet e shtetit të së drejtës, llogaridhënia dhe pavarësia e institucioneve rrezikojnë të zëvendësohen nga një “Institut i Besës”, i panjohur për rendin juridik të bashkësisë.
Mbasi, me këtë “institut” të pazakontë mund të kamuflohet zëvendësimi i përgjegjësisë ligjore dhe institucionale, me besnikërinë personale e politike, pamjaftueshmëria e një qeverisjeje që u shërben vetëm një pjese të popullit të regjimentuar, më propagandën dhe zgjidhjet e pjesshme, kalimtare.
Përndryshe, e gjithë sfida e politologëve, juristëve dhe studiuesve, në këto ditë të nxehta të gushtit, kur me shpejtësi rrufe po bëhën aq shumë tendera te padobishëm nga kancelarët e telekomanduar, është të zbulojnë fazën ku ndodhet demokracia shqiptare dhe rendi juridik shtetëror.