Nga Mithat Gashi*/ Gazeta “DIELLI”/
Në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, Partia Demokratike fitoi vetëm 29 për qind të votove, pra doli me 43 deputet, shtatë ma pak se në vitin 2013, LSI fitoi 19 deputet, tre ma shum se në zgjedhjet e maparshme, dhe Partia Socialiste fitoi 74 deputet në parlamentin me 140 vende, nantë ma tepër se ne zgjedhjet e vitit 2013. Vëzhguesit ndërkombëtarë theksuen që votimet ishin përgjithësisht të rregullta, dhe ambasada e SHBAs në Tiranë deklaroi që “incidentet nuk ishin aq të përhapuna sa me ndryshue rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve”. Pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte 46.7 për qind, 7 pikë ma pak se në 2013.
Ky rezultat ka shkaktue shum reagime mbrenda Partise Demokratike (PD). Nji pjesë e anëtarëve të PDs, si Besnik Mustafaj, Eduart Selami, Selami Xhepa, Ilir Rusmajli, Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Edith Harxhi, Genc Ruli, Majlindë Bregu, etj. kanë kërkue dorëheqjen e menjihershme të kryetarit të saj, Lulzim Basha. Kritikët e quejnë marrëveshjen që bani Basha me Edi Ramën mbas protestës së vazhdueshme për tre muej në “çadrën e lirisë”, gabim dhe dështim. Ish-kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, në rrjetet sociale ka shkrue, “Nese Basha nuk jep doreheqjen e parevokueshme, demokratët duhet të marrin fatin në dorë, me protesta dhe forma të ndryshme demokratike ….” Majlindë Bregu ka theksue, “Kërkoj heqjen dorë nga një qasje qorre dhe shurdhe e drejtimit dhe funksionimit të PD-së. Nga një mënyrë që e ka në përmbajtjen e saj vetëshkatërrimin e ngadaltë, por të pandalshëm të çfardo organizate, pavarësisht emrit që ka…. Ta konceptosh këtë moment si momentin kur PD-ja duhet të ndahet: me Lulzimin “e ngrirë”apo kundër Lulzimit “të shkrirë”, është gabim. Ta kthesh sot, tani, PD-në në një shesh për përshesh, pasi shqiptarët na dhanë 190 mijë vota minus, më zi se në zgjedhjet e ’97-ës, është gabim.”
Siç shihet nga shum politikanë dhe analistë, Lulzim Basha asht ba nji objekt qitës për të metat dhe dobësitë e vetë PDs, e cila ka humbë besimin e bazes elektorale që ka pasë, tue përfshi të përndjekunit politik, dhe të shpronësuemit.
Heqja apo mosdoreheqja e Bashës nuk do t’a ndryshoje gjendjen e PDs. PD-ja duhet të rishqyrtojë dhe përcaktojë misionin e vet për të rifitue besimin e elektoratit që ka pasë për ma se 20 vjet.
Në nji takim me vatranët që pat Lulzim Basha me 20 mars 2016, në shtëpine e Vatrës në New York, vërejta që fushata elektorale e Bashës përqëndrohej në nji listë të gjatë me të këqijat që Partia Socialiste i ka prû vendit. Nuk dukej qe PD-ja kishte ba vetë-reflektim. Nga fundi i diskutimeve, mora fjalën përshendetëse dhe mbasi i dorëzova Bashës kopjen e nji peticioni për Kosovën shkrue nga une në vitin 1997 dhe nënshkrue nga ai (Basha) ndërmjet mikut tim, të ndjemit, Dr.Barend Cohen, thashe:“Duhet të theksojmë që të gjitha të mirat dhe të këqijat që ka tejkalue dhe po kalon populli shqiptar janë si rrjedhojë e politikanëve që kanë qeverisë vendin tone gjatë këtij nji-çerek shekulli.”
Dhe në vend te pyetjeve, shtova, “Kam disa shqetëtime për të cilat nuk kërkoj përgjegje nga ju Z. Basha, por shpresoj të reflektoni mbi qendrimin e Partisë Demokratike në lidhje me këto tema:
1) Vartësia e tepërt e qytetarit shqiptar në institucionet shtetnore: Qytetarët kanë krijue përshtypjen se po te veshën me karrigen e shtetit, pasunohen. Kjo asht si rrjedhojë e propogandave partiake që u bahet votuesëve në mënyra tue (TE) ndryshme, sidmos gjatë procesit elektoral. E keqja asht se çdo punë shtetnore, lidhet me mbështetjen politike që nji qytetar i jep apo nuk u jep nji partie politike gjatë fushatës zgjedhore. Qytetarët kanë përshtypjen se po të fillojnë nji punë në shtet, do të pasunohen dhe do të rregullojnë gjendjen ekonomike. Mvartësia në këtë mënyrë në institucionet shtetnore nuk e zhvillon ekonominë e vendit; e damton atue (ATE) dhe kjo lidhet me shqetësimin tjeter;
2) Pasunimi i zyrtareve ma të naltë të qeverisë që kalon çdo cak të normalës dhe etikës njerëzore. Ministra dhe zyrtarë të naltë që kanë qenë dhe janë në qeverisje kanë akumulue pasuni dhe po të përdorim metodat ma të fundit statistikore do te deltë që probabiliteti i akumulimit të miliona dollarëve në nji kohë shum të shkurtë të dhjetra zyrtarëve të shtetit shqiptar asht jashtë normalës.
3) Vonimi i ngritjës së nji tribune gjyqsore për të gjykue krimet e komunizmit: Kanë kalue 25 vjet dhe ju, se bashku me kryesinë e Partisë Demokratike, duhet të keni nji pozicion të kthjelltë mbi këtë çashtje. Dekomunistizimi i vendit nuk mund arrihet pa nji tribunë gjyqësore që të merret me krimet e komunizmit, të paktën për hirë të historisë, dhe për hirë të së vërtetës;
- Kthimi i pronës, i tokave, që sistemi komunist i konfiskoi me dhunë: Ligji 7501 u vu në korrik të vitit 1991 në kushte jo normale, ku 170 deputetë socialist (komunistë), 75 deputet të partisë demokratike (nji pjesë ish-komunistë) dhe 5 të partisë Omonia. Mbrenda 8 ditëve u mueren vendime, për të cilat, edhe nga ana teknike nuk kemi informata të kthjellta se sa deputet ishin pro dhe sa ishin kundra, por dihet që të gjith deputetët kanë qenë të ndikuem nga mentaliteti komunist sa i përket konceptit të pronës private.
5) Forma e regjimit: Ne vitin 1997, në kushte të vështira dhe të pa-përshtatshme u ba nji referendum për të vendosë formën e regjimit. Shum burime tregojne që votat ishin me shumicë në favor të morarkisë, por pati manipulime. Pavaresisht bindjeve të mija politike sa i përket formës së regjimit, duhet të përsëritet referendumi. Populli ka të drejtë, që me vota të lira, të vendosë formën e regjimit.
6) Se fundi, asht keqardhje që reforma në drejtësi, për të cilën, debatohet sot, asht presion nga Amerika, dhe jo vullnet politik i shqiptarëve.
PD-ja, në sy të popullit, paraqitet si parti e djathtë. A ka veprue si e tillë? Nuk e di a do te kishte ndryshue rezultati i votave me 25 qershor në qoftë se PD-ja do të ishte pozicionue kthjelltë në temat e naltpërmenduna. Por detyrimisht, PD-ja duhet të ripërcaktojë misionin e saj po të dojë me vazhdue si forcë politike në të ardhmën. Për ndryshe, edhe atë elektorat që e ka do t’a humbe.
New York, 2 korrik 2017
*Mithat Gashi asht anëtar i Federates Panshqiptare të Amerikës, Vatra, dhe shërben si Charman i Vatra’s Educational Foundation.