Antonelo Preiti. Italiani i përzgjedhur nga Moxhi si njeriu që do të drejtojë Legjenden e kuqe . Drejtori i ri Antonelo Preiti dha nje koference per shtyp per gazetaret sportive.
“Puna ime me Partizanin filloi më 10 gusht ku edhe u bashkova me skuadrën në Kasha të Italisë. Jam mjaft i lumtur që jam pjesë e një klubi të madh dhe shumë prestigjioz si Partizani, ndaj të jem pjesë e këtij klubi më bën krenar. Besoj se është një eksperiencë e bukur dhe pasuron bagazhin tim të njohjes së një futbolli që e njoh tashmë sepse kam punuar shumë vite me klubet italiane.
Falënderoj presidentin që më zgjodhi, sigurisht me këshillë të Moxhit, për të punuar me drejtues që janë pjesë prej vitesh te Partizani si Genc Tomori. Prandaj kjo është një pikë e rëndësishme në karrierën time.
Kam shumë entuziazëm dhe dëshirë për të punuar dhe për të vendosur në shërbim të këtij klubi eksperiencën time për të arritur objektivat që klubi ka përcaktuar që nga fillimi i sezonit. E kuptoj që është një punë e gjatë, jemi vetëm në fillim dhe llogaritë do t’i bëjmë në maj kur të mbarojë kampionati.
Mendoj se organizimi i këtij klubi është shumë i mirë. Kam patur mundësi të njoh futbollin shqiptar që më parë prej shumë miqve, kam patur kontakte në Itali me lojtarë shqiptarë siç ishte Andi Lila te Parma. Njoh pothuajse gjithçka ndaj mendoj se mund të përshtatem lehtësisht dhe do të impenjohem për të bërë punën sa më mirë.
Do të jetë një punë shumë e madhe në grup. Kam punuar me shumë njerëz gjatë karrierës sime dhe jam vënë në dispozicion të të gjithëve. Nuk më pëlqen shumë fjala “unë”, më pëlqen fjala “ne”. Të gjithë bashkë mund të realizojmë një objektiv të madh.
Jam në dispozicion gjithnjë sepse punoj 24 orë, e dua dhe jetoj për këtë punë. Mendoj që do të jap një bashkëpunim të mirë, si të tjerët me mua. E nis këtë punë të re me shumë uri të madhe dhe përulësi dhe me kokën poshtë pasi nëse punohet fort do të arrijmë rezultate.”
Ndryshimi i klubeve italiane me ato shqiptare
“Vazhdimësia. Unë kam punuar me shume klube në role të ndryshme. Fati im që kam bërë vëzhguesin e talenteve në fillim të karrierës, kam shëtitur Europën dhe Amerikën e Jugut, kam qënë trajner 4-5 vite, kam qenë instruktor në disa shkolla futbolli.
Futbolli më ka dhënë shumë dhe kam fituar shumë sy sepse njoh shumë gjëra. Partizani është një klub shumë i organizuar me njerëz që kanë shumë dëshirë për punë dhe shumë kompetentë, ndaj vazhdimësia nëse Partizani e ruan si klubet e tjerë ku kam punuar do të jetë shumë e rëndësishme.”
Humbja me Laçin
“Ky është futbolli. Bën ndeshjen për 90 minuta, e menaxhon ti, dhe me dy kundërsulme të kundërshtarit mund të humbësh. Do e quaja një aksident të momentit, por ajo që është e rëndësishme është se skuadra u shfaq me personalitet. Humbja nuk i pëlqen askujt, por ndeshja e parë nuk ndryshon objektivat.”
Afrimet në merkato
“Mendoj që kam një eksperiencë të madhe me lojtarët e huaj që vijnë për herë të parë në një vend të huaj. Kam patur të bëj me lojtarë si Kuadrado te Udineze. Në vitin e parë ai kishte shumë vështirësi sepse vinte nga Amerika e Jugut, thuajse nuk luajti fare dhe shkoi në huazim në një skuadër të vogël si Leçe. U kthye prapë te Udineze dhe një vit më pas u shit për 40 milionë euro.
Ky është një shembull. Shembull tjetër është Paleta te Parma. U kthye për 4 vite në një lojtar shumë të rëndësishëm te Parma dhe më pas shkoi te Milani. Kur një lojtar i ri afrohet pranë një klubi, jo të gjithë arrijnë të ambientohen. Kjo është diferenca kur flitet për një futboll të organizuar. Në shumë raste atë që nuk e sheh në një muaj, mund ta shohësh në muajt dhe vitet në vazhdim.”
E vërteta e situatës së Çanit
“Shumë e thjeshtë, them se është folur shumë për të, një lojtar të cilin e njihni shumë mirë pasi ka qenë pjesë e kombëtares shqiptare. Unë e njoha në Itali në shumë skuadra ku ka luajtur. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për Partizanin dhe kur e morëm ishim të bindur, siç jemi tani, se do të jetë qershia mbi tortë. Ai, kur mbylli kampionatin në vitin e kaluar në Pizë, bëri një ndërhyrje për pastrimin e meniskut.
Kohët e riaftësimit ishin pak më të gjata sesa parashikohej. Kemi bërë një punë graduale gjatë grumbullimit në Kasha, duke u munduar të mos e sforconim më shumë se duhej. Kjo na dha të drejtë, edhe pse shpesh nuk u stërvit me normalitet. Mendoj se Çani nga nesër, në ndeshjen e Kupës, do të jetë në dispozicion të trajnerit për të luajtur apo jo. Pastaj këto janë vendime që i merr Iuliano, por lojtari do të jetë në dispozicion.”
Pritshmëritë e mëdha për blerjet e reja
“Unë pres shumë nga 25 lojtarë, jo nga 3 lojtarë. Të jap një shembull të sezonit të kaluar, për vështirësitë e Ekubanit në fillim. Mendoj se e nisi nga pankina. Ne mendojmë se kemi në dispozicion një grup të mirë për objektivin tonë. Ky është një problem që trajneri nga java në javë e menaxhon grupin dhe ato që do të zbresin në fushë kundër rivalëve.
Ka disa rregulla, mund të luajnë vetëm 4 të huaj, ne shpresojmë që gjatë rrugës të vendosim në kushtet e duhura ato lojtarë që kanë ardhur për të dhënë maksimumin në Superiore. Por si më ka mësuar eksperienca, duhet të kesh edhe durim, sepse me siguri nguti nuk sjell rezultate të mëdha. Ju dhashë shembujt e Kuadrado dhe Paleta të shumë viteve më parë, ndaj gjykimet e nxituara nuk janë shpesh korrekte, pozitivisht apo negativisht.”
Situata në skuadër pas pezullimit të Hoxhës dhe me titullarë në stol
“Unë mendoj se harmonia dhe atmosfera e grupit është e duhura. Ka konkurrencë, në fushë shkojnë 11 lojtarë. Pankina nuk është e gjatë, por maksimumi janë 18 futbollistë për ndeshjen, në maksimum luhen 4 lojtarë të huaj. Ne kemi 25 lojtarë ndaj në mënyrë të pashmangshme bëhen zgjedhje teknike që mund të penalizojnë për një javë një lojtar, e një tjetër në atë pasardhëse. Është normale që duket se klubi nuk ka harmoni, por ky ka shumë dëshirë, është shumë profesional. Ne presim shumë nga çdo lojtar i veçantë.”
Si do të ndihmojë me eksperiencën e tij te Partizani
“Unë uroj që të jap mbështetjen time, siç thashë më parë, me ndihmën e të gjithëve, është punë ekipi. Do të jem gjithmonë pranë skuadrës, pranë trajnerit nëse ka nevojë për shumë gjëra. Pranë klubit për cilëndo zgjidhje që kemi nevojë, të kenë edhe lojtarët një figurë drejtuese gjithmonë në krah.
Shpresoj të transmetoj profesionalizmin, imazhin tim dhe korrektësinë për të folur. Jam mësuar të them gjithmonë atë që mendoj, si për mirë, ashtu edhe për keq. Kjo duhet të jetë ndihma ime për të gjithë, jo vetëm për skuadrën, klubin, trajnerin, drejtuesit, etj. Kjo është një punë që bëhet bashkë, nëse duam rezultate. Duhet të ecim të gjithë në të njëjtin drejtim.”
Sa i njeh kundërshtarët për kampionatin dhe kë duhet të ketë kujdes
“Asnjëherë të mos kemi frikë në jetë. Shumë respekt për kundërshtarët. Nuk jam një person që nuk njeh dhe nuk ka dëshirë të njohë, kam gjithmonë dëshirë të mësoj. Kam uri të mësoj për futbollin edhe pas 30 viteve në futboll. Skënderbeu, Kukësi e Partizani ishin ekipet më të mira. Skënderbeu tregoi me kalimin në Ligën e Europës cilësinë e tij.
Laçi e tregoi duke luajtur me ne se kishte organizim të mirë. Unë mendoj se shumë njerëz flasin dhe nënvlerësojnë potencialin e futbollit shqiptar. Unë nuk e kam nënvlerësuar sepse njoh shumë futbollistë shqiptarë në Europë, të cilët po paraqiten mjaft mirë. E tregoi Kombëtarja para Panuçit me De Biazin, e tregoi me kalimin e turit edhe Skënderbeu. Ky është një futboll në rritje dhe nëse je i vëmendshëm, i përqendruar dhe i përulur dhe nëse nuk nënvlerëson askënd në çdo ndeshje, mund të arrish objektivat.
Ndaj me shumë dëshirë duhet përballuar çdo ndeshje se çdo ndeshje është e vështirë. Edhe pse ndonjë skuadër mund të ketë mangësi cilësore, me siguri është e organizuar mirë dhe sidomos ka gjithmonë dëshirë të tregojë në ndeshjet në Tiranë se mund të na vendosin në vështirësi. Frikë nga askush, respekt për të gjithë.”