Pesëdhjetë vjet pas botimit të parë, ribotohet tregimi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë. Tregimi vjen në një botim kritik, me një pasthënie të shkrimtarit dhe kritikut Ag Apolloni./
Nga Alfred Beka/
Shumëkush e ka lexuar romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të shkrimtarit Ismail Kadare, por pak prej tyre e dinë se fillimisht ai është botuar si tregim. Pesëdhjetë vjet pas botimit të parë të këtij tregimi në revistën ‘Nëndori’, vjen ribotimi i versionit të parë të këtij tregimi. Libri është botuar para pak ditësh nga shtëpia më e re botuese në Prishtinë ‘OM’ dhe përpos tregimit të Kadaresë përmban edhe një studim mbi të nga kritiku letrar Ag Apolloni.
“Meqenëse ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’ (tregim), është proza e parë e botuar nga Ismail Kadare, ne vendosëm që sivjet me rastin e 50-vjetorit të botimit, si dhe me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, t’i bëjmë një botim kritik dhe kështu të nisim një projekt të madh të botimeve kritike të veprave të dalluara të letërsisë shqipe”, shprehet Xhemajl Avdyli, udhëheqës i shtëpisë botuese ‘OM’. Botimet kritike janë niveli më i lartë i botimit të një vepre, sepse shoqërohen me një analizë të thellë kritike dhe dallohen për seriozitetin dhe përkushtimin që kanë ndaj tekstit dhe autorit.
Pesëdhjetë vjet më parë, saktësisht në vitin 1962, tregimi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u botua në dy revista: fillimisht në “Nëndori”, pastaj me ca shkurtime dhe në “Zëri i Rinisë”. Avdyli tregon se ka botuar versionin e parë e kjo, sipas tij, do të thotë që është vënë në qarkullim një tekst burimor dhe pothuajse i harruar, nga i cili doli vepra më e njohur shqiptare. Tregimi botohet edhe me ilustrimet që e kanë shoqëruar atë në revistën “Nëndori”. Ai shton se përveç pjesës së studimit nga shkrimtari dhe kritiku Dr. Ag Apolloni, dhe dizajnit që është i ri, gjithçka tjetër ka vlerën e mbrojtjes së tekstit burimor.
Avdyli tregon se libri është botuar me të drejtën e autorit. “E kemi marrë të drejtën e autorit para disa muajsh. Me këtë rast do të dëshiroja ta falënderoj shkrimtarin tonë të madh Ismail Kadare, i cili me kënaqësi na e dha lejen për botimin e tregimit të tij”, shprehet ai.
‘OM’ është shtëpia botuese më e re në Kosovë. Avdyli tregon se ‘OM’ zyrtarisht është themeluar vetëm pak muaj më parë, ndërsa shton se është përkujdesur që botimet jo vetëm të kenë cilësi të botimit, por ato, sipas tij, duhet t’i kalojnë edhe një varg kriteresh, në mënyrë që më në fund lexuesit shqiptar t’i ofrohen libra me vlera të mirëfillta.
“Deri më tani ne kemi botuar romanin ‘Talianka’ nga Agron Y. Gashi, tregimin ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’ nga Ismail Kadare, si dhe jemi në proces botimi të librit ‘Fragmentet e gjësë’ nga Agron Tufa. Jemi përkujdesur që këtë përzgjedhje dhe vlerësim ta bëjë një ekip profesionistësh, si dhe duke u munduar që të jemi sa më objektivë, kemi themeluar një bord të përbërë nga shkrimtarë, historianë, përkthyes dhe njohës të kulturës shqiptare, si: Richard Berengarten, Hans-Joachim Lanksch, Robert Pichler, Agnes Altziebler, Giuseppe Napolitano etj. Shtëpia Botuese ‘OM’ nuk merret me botimin e librave ‘ad hoc’, por ka projekte afatgjata me të gjitha gjërat e detajuara”, tregon ai. Avdyli shton se deri në fund të këtij viti planifikon që t’i nxjerrë edhe dy tituj tjerë të rinj.
Avdyli thekson se qëllimi i kësaj shtëpie botuese është ta afrojë lexuesin tek literatura e mirëfilltë shqiptare dhe e huaj.
“’Om’ është organizatë në të cilën për botimin e një libri të ri nuk vendosë vetëm një njeri, as vetëm dëshira e autorit. Ajo është organizatë ku gjëja më e rëndësishme është vlera, dhe qëllimi kryesor është sjellja e këtyre vlerave të pakontestueshme para lexuesve shqiptarë. Kur kemi vendosur ta themelojmë këtë shtëpi botuese e kemi ndjerë thellë nevojën se lexuesit shqiptar tani më shumë se kurrë i duhet diçka më ndryshe, i duhen vlera të vërteta. Prandaj, ne kemi punuar shumë, kemi harxhuar energji të konsiderueshme në kompletimin e një stafi shumë profesional, si të bordit, po ashtu edhe të përkthyesve, në mënyrë që nesër, kur lexuesi ta ketë në dorë ndonjë nga botimet tona të mos ketë as më të voglin dyshim në vlerat e atij libri”, thekson ai.
Avdyli tregon se kjo shtëpi botuese tanimë e ka ekskluzivitetin e botimit të veprave të Ag Apollonit dhe Agron Tufës.