“Në zbatim të ligjit, Prokuroria e Përgjithshme ka ngritur strukturën e posaçme, e cila do të verifikojë integritetin e subjekteve të këtij ligji. Bazuar në tagrin e tij ligjor, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që të paraqesë materialet paraprake mbi subjektin e ligjit, Elvis Rroshi, me funksion Kryetar i Bashkisë Kavajë.
Kërkesa e Prokurorit të Përgjithshëm mbështetet në faktin se, në formularin e vetëdeklarimit të këtij subjekti, ka të dhëna të pasqaruara, të cilat kërkojnë verifikim më të thelluar”, thuhet në njoftim.
Sipas ligjit është KQZ institucioni që bën verifikimin e formulareve të vetëdeklarimit, por në rastin e kryebashkiakut Elvis Rroshi, ku ai pranon se ishte ndaluar dhe dëbuar nga Gjermania është institucioni i Prokurorisë që duhet të bëjë verifikimet.
Pak ditë më parë, Partia Demokratike kërkoi nga Prokuroria që të ndërpresë mandatin e kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, pasi në formularin e dekriminalizimit ai nuk kishte sqaruar se pse ishte ndaluar në Gjermani.
Ndërkohë, kryebashkiaku sqaroi se ishte dëbuar nga Gjermania për shkak se nuk kishte dokumente si shumë shqiptarë të tjerë në atë kohë.
Prokuroria: Ngrihet struktura e posaçme
Gjithashtu, Prokuroria e Përgjithshme thekson se duke nisur nga java e ardhshme do të ftojë në takim për koordinimin e veprimeve me organet e tjera shtetërore që kanë struktura të posaçme për zbatimin e tij.
Për këtë arsye, Prokuroria e Përgjithshme ka ngritur strukturën e posaçme, e cila do të verifikojë integritetin e subjekteve të këtij ligji.
“Prokuroria e Përgjithshme, krahas angazhimit të saj, pret dhe mirëpret çdo informacion apo indicje nga institucionet përgjegjëse dhe qytetarët mbi rekordet e mundshme kriminale të zyrtarëve, brenda apo jashtë vendit, për të cilat janë parashikuar ndalimet përkatëse në ligjin ‘Për Dekriminalizimin’”, thuhet më tej.
marika says
keta jane llumrat,koco kokedhima,elvis roshi e shume te tjer,qe rama mban pas vehtes per te mbajtur pushtetin.