
Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë ka publikuar vëllimin “Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë” përgatitur nga Prof. as. Dr. Haxhi Ademi dhe bashkëpunëtorja e jashtme Dr. Lumturie Kurtishaj-Sopa.
Ky botim sjell për herë të parë një përmbledhje të dokumenteve arkivore origjinale që ndriçojnë periudhën më të tensionuar të historisë së afërt të Kosovës. Dokumentet, transkriptuar nga Arkivi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, ofrojnë dëshmi të drejtpërdrejta për shqetësimet dhe përpjekjet institucionale të Shqipërisë ndaj zhvillimeve dramatike në Kosovë në fund të viteve ’80 dhe fillimin e viteve ’90.
Fund të viteve ’80 shënojnë një kapitull vendimtar për Kosovën, kur Federata Jugosllave po shpërbëhej dhe autoritetet serbe po forconin pushtetin represiv. Dokumentet pasqyrojnë shkeljet e të drejtave të njeriut, presionet politike dhe sociale, përpjekjet për kolonizimin e Kosovës, si dhe reagimin e institucioneve shqiptare për të ndërkombëtarizuar situatën dhe mbrojtur popullsinë shqiptare.
Botimi përfshin raporte diplomatike, analiza statistikore mbi shpërnguljet, raportime mbi represionin juridik dhe përdorimin e ligjeve penale ndaj shqiptarëve për shprehje paqësore të mendimit politik. Gjithashtu, trajtohen edhe propagandat mediatike serbe dhe gjendja ekonomike dhe sociale, duke ofruar një pamje të plotë të sfidave të kohës.
Ky vëllim u ofron studiuesve, historianëve dhe publikut burime autentike për të kuptuar situatën historike dhe diplomatike të Kosovës, duke dëshmuar angazhimin e Shqipërisë dhe qëndresën e popullit të Kosovës për liri, barazi dhe dinjitet kombëtar.