Nga Hirësia e Tij +THEOFANI
Peshkop i Filomilisë/
Recension për librin studimor me titull: “Shën Pali në Dyrrach – Korrigjim i disa Shënimeve dhe Hartave të Dhjatës së Re”- “Saint Paul in Dyrrachium – Corrections of some Notes and Maps in the New Testament” të autorit Prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika.
Botimi në variantin e gjuhës angleze të librit “Shën Pali në Dyrrach – Korrigjim i disa Shënimeve dhe Hartave të Dhjatës së Re” nga “JOZEF” Publishing House 2024, 340 faqe, i Prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika, i përkthyer në anglisht nga Ilir Marleka, me titullin “Saint Paul in Dyrrach – Corrections of some Notes and Maps in the New Testament”, përbën një ngjarje me rëndësi në fushën e studimeve shkencore me temë nga disiplina e “Historisë së Krishtërimit”.
Ky studim është fryt i një pune gati 25 vjeçare të cilën autori e ka publikuar katër herë duke e plotësuar dhe përmirësuar që nga viti 2007 deri sa arriti në variantin e fundit, botuar në vitin 2023 nën titullin: “Shën Pali në Dyrrach – Korrigjim i disa Shënimeve dhe Hartave të Dhjatës së Re” Botimet Jozef 2023, i cili u botua edhe në anglisht në qershor 2024.
Vlerat kryesore të varianteve të këtij studimi ishin vënë në dukje gjatë viteve prej disa studiuesve amerikanë si Dr. Norman Wentth, Prof. R. Dean Davis, e shumë studiues shqiptarë si Peshkop Joan Pelushi – Mitropolit i Korçës, Prof. Viron Koka, Prof. Akad. Jorgo Bulo, Prof. Klara Kodra, Prof. Akad. Shaban Sinani, Dom Dr. Nikë Ukgjini, Dr. Thoma Qendro, Dr. Eris Rusi, Dr. Neli Naço, etj, të cilët autori i përmend me mirënjohje në hyrje të punimit të tij. Botimin në anglisht e paraprijnë tre vlerësime të bëra prej studiuesve të mirënjohur shqiptarë, si: Peshkop Joan Pelushit – Mitropilit i Korçës, Dom Dr. Nikë Ukgjinit dhe Fotaq Andreas.
Në këtë recension do të theksojmë vetëm arritjet më të spikatura të këtij studimi, të cilat vlejnë të merren në konsideratë prej qendrave studimore më të rëndësishme të “Dhjatës së Re” dhe prej “Shtëpive Botuese Biblike” në mënyrë që së shpejti këto arritje të zenë vend në botimet e ardhshme të “Dhiatës së Re”, komentarë të “Biblës”, në enciklopedi të ndryshme, si dhe faqe interneti.
Gjatë këtyre dyqind viteve të fundit, studiuesit dhe botuesit e “Biblës”, sidomos të pjesës së dytë të saj, të “Dhjatës së Re”, nuk i kanë rreshtur përpjekjet për ta pajisur këtë vepër madhore, me karakter hyjnor për njerëzimin, me një aparat shkencor sa më të përsosur. Ata kanë hartuar shënime shpjeguese teologjike për probleme të ndryshme dhe shënime sqaruese për jetën e autorëve, për kohën dhe vendin e hartimit të secilit shkrim të shenjtë. Për ta bërë më të kapshme punën misionare të Shën Apostull Pavlit, i quajtur ndryshe edhe si “Apostulli i Kombeve”, i cili ishe edhe përhapësi kryesor i “Ungjillit” në fillimet e Krishtërimit, studiuesit dhe specialistët e fushave të ndryshme të “Teologjisë”, si për shembull ata të “Historisë Biblike”, “Historisë Kishtare”, “Historisë së Qytetërimit Njerëzor”, “Arkeologjisë Biblike”, “Arkeologjisë së Qytetërimit Njerëzor”, etj., kanë krijuar dhe harta ku paraqesin përvijimet e udhëtimeve misionare të këtij apostulli të madh dhe të shquar. Mirëpo në shkrimet e shenjta, autorët e tyre, sipas regullit të kohës, nuk e kishin shënuar vendin dhe kohën e hartimit të këtyre shkrimeve. Në mjaft prej tyre ata nuk kishin shënuar as emrin e vet si autor. Këto mungesa nuk u plotësuan gjatë shek. të I-II-të M.K. (Mbas Krishtit) prej nxënësve të këtyre autorëve, të cilët i kishin njohur personalisht, por as edhe gjatë shek. të IV-ët M.K. prej Shën Jeronimit, tekstologut më të mirë të Antikitetit. Hartimi i shënimeve sqaruese se kur dhe ku u shkruan shkrimet e shenjta të “Dhjatës së Re” i mbeti detyrë shekujve pasardhës deri në ditët tona, kur ende hasen në këto shënime sqaruese pasaktësi të shumta.
Po fillojmë me dy nga arritjet e rëndësishme të këtij studimi, që kanë lidhje me përhapjen e Krishtërimit në trojet Ilire, sot shqiptare; përmirësimi i hartës së udhëtimit të tretë misionar të Sh. Pavlit dhe krijimi i një harte të re për udhëtimin e katërt misionar të këtij apostulli. Të dhënat e reja, që nuk i kishin shfrytëzuar studiuesit e mëparshëm, Prof. Thanas Gjika i mblodhi gjatë leximit të tij të thelluar të tekstit biblik në vargjet e letrave drejtuar: Romakëve 15:18-19, 16:1-4, 21-23; Veprat e Apostujve 20:1-4; Titit 1:4-5, 3:12-13; Filipianeve 2:22-23, 4:24; Kolosianëve 4:7-10, 14; 2 Timoteut 4:9-13, 20-21, etj), si dhe në të dhënat e paraqitura prej historianit shqiptar Marin Barletit, historianit italian Daniel Farlatit, historianit grek Anthim Aleksudhit – Peshkop i Beratit (Partha antike), por edhe duke shfrytëzuar gjurmët e punës së Ap. Pavlit në trojet Iliro-Shqiptare që ruhen në toponime dhe legjenda shqiptare të lidhura me emrin e Sh. Pavlit. Të tilla janë emrat si; “Zona e Shën Palit” në Lindje të Tiranës, “Guri i Shën Palit” në Kabash të Pukës, “Kepi i Palit” që sot quhet “Kepi i Pallës”, “Lumi i Palit” në Jug të qytetit antik Buthrot (Butrinti i sotëm), që sot quhet “Lumi Pavlla”, etj.
Në këto dy harta të reja të përpiluara prej studiuesit Gjika në bashkëpunim me Ing. Aurel Kaçulinin, përvijohet puna misionare e Ap. Pavlit gjatë udhëtimit të tij të tretë misionar duke treguar edhe ndalesat në Bende të Tiranës (që sot quhet Shën Pal), në Sardë (Shurdhah), në Lissus (Lezhë), në Kepi i Palit (Pallës), Dyrrachium (Durrës), Apolloni e Fierit, Parthë (Berat), Guri i Qytetit në Përmet, Buthrot, Lumi i Palit (Pavlla), Nikopol të Epirit (Preveza), Korinth, Kenkrea, Neapolis, Filipí, Troas, Milet dhe derisa arrin në Jerusalem.
Ndërsa, për udhëtimin e katërt misionar të Sh. Pavlit, për të cilin nuk ka një hartë zyrtare po vetëm disa hamendje, në këtë studim është krijuar një hartë krejt e re. Aty sqarohet për të parën herë, duke u mbështetur në të dhënat e historianit Eusebius i Caesarea (Qesarisë), në letrat e Ap. Pavlit, sipas një gojëdhëne që ruhej prej popullit të Durrësit (Dyrrachium), deri në shek. e XIX-të M.K. (e cila përmendet prej Daniel Farlatit), etj, se këtë udhëtim ai e nisi nga Roma në fund të marsit të vitit 62 M.K., pasi u lirua nga burgimi i parë në Romë dhe e përfundoi po në Romë, në fund të qershorit të vitit 63 M.K. Aty janë shënuar qytetet kryesore ku u ai ndal përgjatë udhëtimit të tij të katërt misionar: Romë, Puteoli, Brindissium, Dyrrachium, Nikopol të Epirit, Kretë, Caesare (Qesare), Milet, dhe gjatë kthimit shënohen ndalesat në Nikopol të Epirit ku kaloi dimrin e viteve 62-63 M.K., në Korinth ku shkoi për të gjykuar ata që e akuzonin se ai ecte “sipas trupit” e jo “sipas Frymës”, kthim në Nikopol, vajtje në Dyrrachium, Brindissium, Puteoli dhe mbërritja në Romë, ku e arrestuan përsëri dhe e burgosën për të dytën herë. Pra, këtu sqarohet se apostulli nuk shkoi gjatë këtij udhëtimi në Mesdheun Perëndimor dhe në Spanjë, siç kanë sugjeruar disa studiues më pare, pa sjellë asnjë fakt real.
Një sukses tjetër madhor i këtij studimi është analiza kompozicionale e letrave të Ap. Pavlit, përcaktimi se cilat letra të tij janë letra të zakonshme dhe cilat janë letra të përbëra nga bashkimi i dy fragmenteve, që u përkisnin dy letrave të ndryshme të dëmtuara, për të cilat këtu jepet koha dhe vendi i saktë i hartimit të tyre.
Lidhur me ndërtimin e letrave të Sh. Pavlit, para studiuesit Gjika, disa studiues të mirëformuar si Jozef A. Fizmyer S.J., etj, kishin vënë në dukje në Komentarë të “Biblës” se katër letra kanonike të tij (“1 Selanikasve”, “Romakëve”, “2 Korinthianëve”, “Filipianëve”) ishin letra të përbëra nga bashkimi i dy pjesëve të ndryshme. Procesi i bashkimit të fragmenteve të letrave të dëmtuara në letra kanonike u krijua me synimin e mirë që të ruhej e të jepej sa më e plotë trashëgimia e shkruar e Sh. Pavlit dhe të ruhej nga dëmtime të mëtejshme. Studiuesit e “Biblës” kanë pranuar se këtë proces e kreu Peshkopi +Onesimos, ish-skallvi i liruar i Filemonit me të dhënat që kishte marrë në vitet 90-të të shek. të I-rë M.K.
Prof. Gjika përmes analizash të shumta mbi kompozicionin e letrave kanonike të Sh. Pavlit përcaktoi se edhe letrat kanonike drejtuar “1 Korinthianëve” dhe “Hebrenjve” janë po ashtu letra të përbëra. Meritë e rëndësishme e studimit është se ky autor, duke shfrytëzuar të dhëna të brendshme të këtyre letrave dhe të dhëna historike, gjuhësore dhe etnografike ka mundur të përcaktojë vendin dhe kohën e hartimit të secilës letër të dëmtuar, së cilës i përket fragmenti përkatës.
Këtu vlen të theksojmë tre përcaktime të reja të këtij studimi, ku sqarohet se nga letrat kanonike të përbëra drejtuar “Romakëve”, “Hebrenjve” dhe “2 Korinthianëve” njëra pjesë e tyre ishte hartuar prej Ap. Pavlit në qytetet Ilire; dy në Dyrrachium (sot Durrës) dhe një në Nikopol të Epirit (Prevezë).
I – Për letrën kanonike drejtuar “Romakëve” në shënimet sqaruese të “Biblës” shënohet si vend i hartimit Korinthi, ose porti Kenkrea dhe si kohë e hartimit është viti 57 M.K. ose 58 M.K. pa caktim muaji. Kurse studiuesi Gjika pranon mendimin e shprehur para tij se kjo letër kanonike është letër e përbërë nga bashkimi i dy pjesëve (Rom. 1-15 dhe Rom. 16) dhe sqaron konkretisht se kur dhe ku u hartua secila pjesë e saj. Sqarohet se pjesa e parë, Rom. 1-15, është një letër e plotë, të cilën ai e shkroi për të krishterë të panjohur të Romës gjatë qershorit të vitit 56 M.K. në qytetin Dyrrachium, ku ai punoi për të krijuar bashkësinë e parë me të krishterë (Kishën) dhe la aty si peshkopë dy nxënësit e tij, Caesarin (Qesarin) dhe Apollonin. Këta dy peshkopë përmenden tek “Menologjia” greke e Sirletit (“Leximet Mujore” të jetëve të shenjtorëve), e dhënë kjo që e ka përmendur edhe historiani italian Daniel Farlati në librin “Illyricum Sacrum” vëll. VII, e pas tij edhe shumë historianë të tjerë.
Për pjesën e dytë të letrës kanonike drejtuar “Romakëve”, Rom. 16, në këtë studim sqarohet se Ap. Pavli e shkroi në portin Kenkrea të Korinthit në mars të vitit 57 M.K., pasi dështoi komploti që i organizuan judenjtë kur ai do të niste lundrimin e tij drejt Jerusalemit. Këtë komplot e ka përmendur Shën Apostull Luka tek libri i tij “Veprat e Apostujve” (Veprat 20:3). Kjo pjesë e dytë e letrës kanonike drejtuar “Romakëve”, i përkiste një letre rekomandimi që Ap. Pavli e shkroi për 26 të krishterë të njohur të Romës, të cilët ai i përshëndet dhe me emra. Apostulli u’a rekomandon Feben, dhjakonen e kishës së Kenkreas, që ta prisnin e ta ndihmonin për çdo nevojë që të kishte, sepse, siç thoshte; “… ajo kishte mbrojtur shumë njerëz dhe mua vetë” (Rom. 16: 1-2), kështu Gjika sqaron se Feba kishte qenë një nga mbrojtëset e Sh. Pavlit kundër komplotit të judenjve.
Veç argumenteve, arsyetimeve dhe sqarimeve të tjera bindëse duam të përmendim se Ap. Pavli e shkroi në Dyrrachium letrën kryesore drejtuar “Romakëve” (Rom. 1-15), që sipas disa autorëve dhe studiusëve të ndryshëm është etiketuar dhe quajtur edhe si “ungjilli” i tij, sepse aty ai kishte kohë të mendonte dhe të meditonte qetësisht për të formuluar mësimet themelore të Besimit të Krishterë dhe jo në Kenkrea, ku pas dështimit të komplotit të judenjve, ai ngutej të nisej sa më parë për të arritur në Jerusalem në festën e Rrëshajeve (Pentikostisë/Pesëdhjetores).
II – Për letrën kanonike drejtuar “Hebrenjve” shumica e studiuesve të sotëm shprehen se ajo nuk është shkruar prej Ap. Pavlit, kurse Prof. Gjika mbështet mendimin e Etërve të Kishës, të cilët e quajtën atë pa hezitim “Letër të Shën Pavlit” dhe sqaron se kjo letër kanonike është letër e përbërë nga bashkimi i dy pesëve të shkruara prej tij. Pjesa e parë sipas analizave të këtij studiuesi përfshin vargjet në letrën drejtuar Hebrenjve 1:1-11:40, dhe quhet “material predikimi”, të cilin ai e shkroi në prill të vitit 60 M.K. për ta pasur si material bazë gjatë predikimit gojor që u mbajti judenjve jo të krishterë të Romës në takimin e dytë që ai organizoi si i arrestuar në shtëpinë që mori me qira. Stili i kësaj pjese të letrës sqarohet këtu se është stili i një omilie, që u predikohet gojarisht dëgjuesve të një auditori që janë përpara autorit dhe jo stili i një letre që shkruhet për lexues, që ndodhen larg autorit të letrës.
Prof. Gjika e çimenton sqarimin e vet duke sjellë të dhënën që ka ofruar Sh. Ap. Luka, sipas së cilës Ap. Pavli gjatë takimit të dytë me judenjtë e Romës u foli “…nga mëngjesi deri në mbrëmje” (Veprat 28:23).
Pretendimin e studiuesve të sotëm se letra drejtuar “Hebrenjve” nuk është shkruar prej Sh. Pavlit, mbasi gjuha e saj i përket dialektit të greqishtes së Aleksandrisë që nuk ngjan me greqishten e letrave të tjera të tij, Prof. Gjika e hedh poshtë duke sjellë sqarimin e Origjenit, njërit nga Etërit e Kishës, cituar sipas botimit: “The Orthodox Study Bible” – NT and Psalms, 1997. Origjeni ka sqaruar se këtë letër Ap. Pavli e kishte shkruar në aramaisht, pra në gjuhën amëtare të judenjve të Romës, kurse variantin që riprodhohet në “Dhjatën e Re” e kishte përkthyer në greqisht vetë Ap. Luka.
Kurse pjesa e dytë e letrës kanonike drejtuar “Hebrenjve” që përbëhet nga vargjet Heb. 12:1-13:25 sqarohet se është një letër kurajuese drejtuar Kishës së Jerusalemit e shkruar prej Sh. Pavlit gjatë udhëtimit të tij të katërt misionar, në muajin maj të vitit 62 M.K., kur apostulli pasi u nis nga Roma për të shkuar në Jerusalem, u ndal në Dyrrah për të pritur Timoteun (Heb 13:23-24). Por meqënëse ky u vonua, ai mori Apollonin si shoqërues dhe vijoi rrugën drejt Jerusalemit (Titit 3:13).
III – Letra tjetër e shkruar prej Ap. Pavlit në trojet Ilire është letra e katërt e tij shkruar për Kishën e Korinthit, prej së cilës ruhet fragmenti 2 Kor. 10:1-13:14. Studiuesi sqaron se ai e shkroi në mars të vitit 63 M.K. pasi kaloi dimrin e viteve 62-63 M.K., kur kishte marrë lajme se disa korinthianë mendonin se nuk ecte “sipas Frymës, por “sipas trupit” (2 Kor. 10:2) dhe ai pasi nisi këtë letër premton se do të shkonte “…për të tretën herë në Korinth”, për të gjykuar këta njerëz (2 Kor. 13:1-2). Pasi shkoi në Korinth për të tretën herë, ai nuk pati sukses në gjyqin ndaj kundërshtarëve të tij, të cilët, sipas një gojëdhëne e futën në një vozë dhe e rrokullisën nga lartësia e kodrës ku ishin mbledhur. Vajtjen e tretë në Korinth, Prof. Gjika e vërteton edhe me sqarimin që vetë Ap. Pavli i shkroi Timotheut pasi u kthye nga udhëtimi i katërt misionar: “Erasti qëndroi në Korinth” (2 Tim. 4:20).
Në këtë libër ka dhe shumë arritje të tjera, që meritojnë vëmendje lidhur me përcaktimin e kohës dhe vendit të hartimit të letrave/librave të të gjithë autorëve të “Dhjatës së Re”, si edhe me pasurimin dhe saktësimin e mëtejshëm të jetës së autorëve dhe të shoqëruesve të tyre, por ne do të përmendim këtu vetëm martirizimin e dy apostujve kryesorë, të Sh. Ap. Pjetrit dhe të Sh. Ap. Pavlit.
Kisha e Krishterë, që herët e kishte pranuar faktin se këta dy apostuj ishin martirizuar më 29 qershor të vitit 64 M.K., ditën e masakrës së madhe që shkaktoi Perandori Nero, prandaj për shumë shekuj me radhë, Kishat Ortodokse, Romano-Katolike dhe ato Protestane i përkujtonin këta dy martirë më 29 qershor të çdo viti. Mirëpo studiuesit e jetës së Sh. Pavlit, V. Rev. W. J. Conybeare & V. Rev. J.S. Howson në biografinë e tyre “The Life, Times and Travels of St. Paul” të vitit 1869, vepër e plotë dhe me vlera shkencore, duke pasur parasysh planin e Ap. Pavlit për të shkuar në Spanjë (Rom. 15:23-24), sugjeruan se apostulli pas daljes nga burgimi i parë në Romë shkoi në Spanjë e mandej edhe në anët e Mesdheut Lindor, mirëpo zgjatja e këij udhëtimi duke u endur në Mesdheun Perëndimor dhe atë Lindor i detyroi këta dy studiues që ta shkëpusnin martirizimin e Sh. Ap. Pavlit nga martirizimi i Sh. Ap. Pjetrit. Për Sh. Pjetrin ata mbajtën datën tradicionale 29 qershorin e vitit 64 M.K., kurse për martirizimin e tij sugjeruan një datë tjetër gjatë vitit 67 M.K. ose vitit 68 M.K. Ky përcaktim i tyre ndikoi më vonë tek studiuesit dhe autoritetet e Kishës Romano-Katolike, gjë që shkaktoi amulli përsa i përket datës së martirizimit të këtyre dy shenjtorëve.
Studiuesi Gjika me të dhëna që i ka nxjerrë nga letrat e fundit të Ap. Pavlit “2 Timoteut”, “Filemonit” dhe “Kolosianëve” e ka riafirmuar datën 29 qershor 64 M.K. si ditën e martirizimit të Sh. Pjetrit dhe Sh. Pavlit, po ashtu si e pranon dhe Kisha Ortodokse në kalendarët e saj dhe në shërbesat që i kushton kësaj dite.
Në përfundim mund të themi pa hezitim se studimi “Saint Paul in Dyrrach – Corrections of some Notes and Maps in the New Testament” 2024, për nder të shkencave historike dhe letrare shqiptare, përbën një kontribut me vlera të rëndësishme në historinë e fillimeve të Krishtërimit lidhur me shpjegimet bindëse për kohën e fillimit dhe të përfundimit të katër udhëtimeve misionare të Ap. Pavlit, për kohën dhe vendin e hartimit të librave që përbëjnë “Dhjatën e Re”, për autorësinë e të gjitha shkrimeve, pra edhe të letrave të dëmtuara, si dhe për pasurimin e jetës së autorëve të këtij Libri të Shenjtë, të një rëndësie të madhe, të veçantë dhe me vlera të pazëvendësueshme në historinë e qytetërimit njerëzor.
Boston, Massachusetts
25 gusht 2024