
Dr. Dorian Koçi/
Në kuadër të 106-vjetorit të gazetës “Drita” 27 mars (1920–2026), kjo pjesë nga libri im “Pikëtakime historike, kulturore dhe identitare” sjell në vëmendje rolin e saj si një nga gurët themelorë të gazetarisë moderne shqiptare. Nën drejtimin e Veli Hashorvës, “Drita” ishte më shumë se një gazetë: një zë i fuqishëm për demokracinë, reformën shoqërore dhe ndërgjegjësimin kombëtar në vitet vendimtare të shtetformimit shqiptar.
Gazetaria moderne shqiptare i ka rrënjët e veta në humusin kulturor të qytetit të Gjirokastrës. Brenda një harku 10 – vjeçar (1920-1930) në qytetin e Gjirokastrës janë botuar gazetat: “Drita” e Veli Hashorvës (doli në Gjirokastër më 27 mars 1920-1924), “Demokratia” e Xhevat Kallajxhiut (doli Gjirokastër më 28 Nëntor 1925 dhe vijoi deri më 1939), “Labëria” dhe “Ideja kombëtare” (që dolën në periudhat kur censura ndërpreu botimin e gazetës “Demokratia”), “Fletore Popullore e Politike Kombëtare” (doli në Gjirokastër për herë të parë më 27 mars 1920), “Fletore popullore” e Petro M. Haritos (doli në Gjirokastër me dy dhe katër faqe më 3 nëntor 1923), “Neoshqiptarizma” dhe “Përpjekja Shqiptare” të Branko Merxhanit. Ky zhvillim i rëndësishëm kulturor qe vazhdimësi e përpjekjeve të elitës patriotike të qytetit të Gjirokastrës dhe e pjesëmarrjes së saj në ndërtimin e shtetit shqiptar që gjatë viteve të Rilindjes Kombëtare. Etapë e rëndësishme e zgjimit kulturor në Gjirokastër qe padyshim themelimi i klubit “Drita” më 1908 dhe hapja e shkollës “Liria” po atë vit në gjuhën shqipe.
Këta hapa të ndërmarrë nga patriotët gjirokastritë bënë të mundur përhapjen e ideve të nacionalizmës apo shqiptarizmës pasi krijuan një publik të masave lexuese të një gjuhës amtare që zëvendësoi përfshirjen aksiomatike të gjuhëve të shkruara në mendjet e njerëzve dhe shkatërroi solidaritetin e Krishterimit e Umatë islamike dhe gjithë solidaritetet e tjerë socialë duke i hapur udhën solidaritetit të gjuhës e kulturës shqiptare. Pushtimi grek i Gjirokastrës më 1913-1916 u përpoq të ndërpriste procesin e nisur të shtetndërtimit shqiptar, pasi Greqia pretendonte ta përfshinte Gjirokastrën brenda kufjve të shtetit grek në kuadër të pretendimeve të saj të hapura për të ashtuquajturin “Vorio Epir”. Këto përpjekje aneksioniste të Greqisë u kundërshtuan nga elita patriotike shqiptare e popullsia e Gjirokastrës. Më 1916, ky rrezik u minimalizua pasi Gjirokastra u përfshi në zonën e pushtimit italian pas tërheqjes së detyruar të ushtrisë greke. Në zonën e pushtimit italian u mbyllën shkollat në gjuhën greke dhe u hapën shkolla fillore në gjuhën shqipe, në të cilat dominonin mësues italianë dhe mësimi i italishtes filloi të zinte vendin e parë.
U hapën kurse të shkurtra për arsimtarë shqiptarë, si në Gjirokastër dhe Vlorë, ku morën pjesë 135 veta dhe u sollën nga Italia mjete mësimore dhe libra shkollorë. Ndërkaq, në qarkun e Vlorës dhe të Gjirokastrës qeveria italiane krijoi një administratë ushtarake, që drejtohej nga specialistë italianë. Në këtë zonë, numri i shkollavevijoi duke u rritur. Çdo shkollë kishte mësues shqiptar dhe mësues-ushtarë italianë. Mësimi i gjuhës italiane ishte i detyrueshëm. Për aftësimin e mësuesve shqiptarë në Vlorë u organizuan kurse të shkurtra; ndërsa në vitin 1917 u dërguan edhe 25 veta, ku ndoqën një kurs 3-mujor pedagogjik. Shkollat punonin sipas programit të shkollave italiane. Në vitin shkollor 1917-1918, në Gjirokastër u hap edhe një shkollë qytetëse me profil tregtar, ku të gjitha mësimet bëheshin në italisht. Në vitin 1921, kur Gjirokastrën e vizitoi senatori francez, Justin Godart, gjatë turit të tij në Shqipëri,kishte 11.000 banorë dhe 5 shkolla, me shumicën e klasave mikse. . Këto zhvillime të rëndësishme kulturore të ndërmarra nga italianët në Shqipërinë e Jugut hijezoheshin nga publikimi i Traktatit të Fshehtë të Londrës (26 Prill 1915), që parashikonte një copëzim të Shqipërisë londineze, si dhe dëshirën e italianëve për të aneksuar Vlorën dhe rrethinat e saj si pikë e rëndësishme gjeostrategjike në Adriatik. Në këto kushte politike e kulturore, të krijuara në Gjirokastër, si dhe pas kthimit në vendlindje të disa familjeve intelektuale gjirokastrite nga Turqia, si Kokalarët, Kokonatët, Alizotajt etj., lind edhe publicistika në gjuhën shqipe, si pasardhëse e traditës më të mirë të shtypit të Rilindjes Kombëtare.
Gazeta e parë në gjuhën shqipe në Gjirokastër është “Drita”(1920-1924) me editor patriotin dhe publicistin demokrat Veli Hashorvën (1892-1975). Veli Hashorva nuk ishte i panjohur për lëvizjen patriotike e kombëtare shqiptare. Ai ishte përfaqësues i një familjeje të vjetër gjirokastrite, të parët e të cilit kishin administruar financat e vilajetit të Janinës . Ai e kishtefilluar veprimtarinë patriotike në qytetin e lindjes, në Gjirokastër si anëtar i klubit “Drita” të themeluar më 1908. Më 1911 ai shkoi në Stamboll për studimet e larta për shkenca politike dhe u kthye në Shqipëri më 1912. Veli Hashorva së bashku me studentë të tjerë shqiptarë, përfshirë edhe mikun e tij Ali Këlcyra, i ndërpreu studimet e larta për arsye të shpërthimit të luftërave ballkanike. Si veprimtar i Lëvizjes Kombëtare, u ndoq dhe u përndoq nga forcat greke, kur ato pushtuan Gjirokastrën, më 1913. Për t’u shpëtuar përndjekjeve të mëtejshme, në maj 1915 mërgoi në SHBA, ku punoi pranë Federatës “Vatra”. Më 1916 botoi në Nju Jork gazetën “Vjosa”, me frymë politike kombëtare. Më 3 qershor 1917 zgjidhet delegat për kuvendin e Vatrës, që organizoi fushatën për mbledhjen e një shume prej 40.000 dollarësh (750,289 dollarë me kursin e sotëm) për të bërë të mundur që kolonia shqiptare e Amerikës të dërgonte dy përfqësues në Konferencën e Paqes – z. Mehmet Konica dhe z. Turtulli . Veli Hashorva u kthye në Shqipëri më 1919, kur Gjirokastra ishte ende nën zonën e pushtimit italian bashkë me Tepelenën. Sipas një letre të Luigj Gurakuqit, dërguar Parashqevi Qiriazit më 6 dhjetor 1919 nga Parisi, Veli Hashorva ishte këshilltar i “Vatrës” dhe po kthehej në Shqipëri bashkë me Kol Tromarën dhe Ilia Panon.
Pasi kishin qëndruar dy javë në Romë dhe pasi qenë takuar me Luigj Gurakuqin, Mehmet Konicën e përfaqësues të kolonisë së Stambollit, ata ishin kthyer në Shqipëri . Ndërkohë në Shqipëri ishte krijuar në dhjetor 1918, fill një muaj pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Qeveria e Durrësit me Kryeministër Turhan Pashë Përmetin. Qeveria ishte prej 14 anëtarësh. 1. Turhan Pasha (kryetar), 2. Preng Bib Doda (nënkryetar), dhe anëtarë: 3. Sami bej Vrioni, 4. Dr. Mihal Turtulli, 5. Myfit bej Libohova, 6. Imzot Luigj Bumçi, 7. Midhat bej Frashëri, 8. Luigj Gurakuqi, 9. Mehmet bej Konica, 10. Lef Nosi, 11. Mehdi Bej Frashëri, 12. Fejzi bej Alizoti, 13. Mustafa Kruja, 14. Pjetër Poga. Qeveria e Durrësit ishte nën ndikimin italian. Pro politikës së saj ishin Myfid Libohova, Fejzi Alizoti, Mehdi Frashëri, Sami Vrioni, Mustafa Kruja. Një traktat i fshehtë mes qeverisë së përkohshme të Durrësit dhe qeverisë së Italisë u nënshkrua nga ministrat Myfid bej Libohova, Fejzi bej Alizoti dhe këshilltari i Legatës italiane në Shqipëri, markezi Karl Durrazzo. Sipas tij, një komisar i lartë i Italisë kontrollonte dhe vendoste mbi punët e qeverisë shqiptare, si edhe për vendimet me rëndësi, si buxheti, ndërtimet, koncensionet, emërime e pushime në administratë. Italia e konsideroi këtë qeveri si një delegacion pranë qeverisë italiane, i cili pa lejen e Adetto Gobit nuk bënte asnjë shpenzim.
Në kushtet e një protektorati italian, qeveria e Durrësit e kishte të vështirë të ndërmerrte hapa që kishin të bënin me çështjen e Vlorës, hinterlandin e saj. Gjirokastra, pas presionit të qarqeve patriotike shqiptare, i dorëzua qeverisë së Durrësit më 21 dhjetor 1919 dhe trupat italiane u tërhoqën, por vazhdonin të mbanin të pushtuar hiterlandin e Vlorës duke përfshirë edhe qytetin e Tepelenës. Në janar të vitit 1920, Veli Hashorva mori pjesë në Kongresin e Lushnjës si një nga përfaqësuesit e Gjirokastrës. Populli i Gjirokastrës i përcolli me entuziasëm përfaqësuesit e tij në Kongresin e Lushnjës.Më 8 janar 1920, kur nga Gjirokastra u nisën për në Kongres delegatët Veli Hashorva e Kiço Koçi, në një miting, populli thërriste : “Në Lushnjë, në Lushnjë”, “Jemi me Lushnjën!” . Mbajtja e Kongresit të Lushnjës ndeshi në kundërshtimin e qeveritarëve të Durrësit dhe të pushtuesve italianë. Por, më në fund, ai arriti të mbahej dhe mori vendime shumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. Vendimet e tij ngjallën jehonë të madhe në qarqet patriotike shqiptare dhe u pershendetën ngado. Aty u arrit një bashkim politik i të gjitha shtresave e grupimeve politike, që shpejt dha frytet e saj.
Përvoja e Veli Hashorvës si gazetar në SH.B.A., si editor i gazetës “Vjosa” dhe kontributor në gazetën “Dielli”, si edhe qëllimet e rithemelimit të shtetit kombëtar shqiptar që u shpalosën në Kongresin e Lushnjës, e nxitën për të themeluar gazetën “Drita” në Gjirokastër. Numri i saj i parë doli më 27 mars 1920, dy muaj pas Kongresit të Lushnjës dhe në ditën e konstituimit të Këshillit të Lartë me 37 anëtarë, që konsiderohet si parlamenti i parë shqiptar. Sipas kujtimeve te Veli Hashorvës, emrin “Drita” të gazetës ia ka propozuar Petro Poga, ish-ministër i Drejtësisë në qeverinë e Vlorës dhe një nga drejtuesit e gazetës “Drita” në gjuhën shqipe në Stamboll më 1884 . Numri i parë i gazetës u bë fshehtazi për t’ia bërë surprizë popullit. Ceremonia e vogël e çeljes së gazetës u bë në oborrin e shkollës fillore “Drita”, ku ishin thirrur një grup qytetarësh, midis tyre edhe disa gra, kryetari i bashkisë, prefekti dhe zëvendësprefekti i qytetit etj. Këtu drejtori përgjegjës i gazetës, Veli Hashorva mbajti një fjalim modest: “Zotërinj, jam i lumtur pa masë që kam nderin të flas në qytetin tim që jam lindur dhe rritur, për herë të parë përpara një shumice patriotësh, të cilët janë edhe njerëzit më të zgjedhur të Gjirokastrës. Po ajo që më lumturon më tepër është rasti gazmor që shkaktoi këtë mbledhje, i cili do të mbetet i çmuar në historinë e qytetit tonë dhe në jetën time personale”. (“Drita” Nr.2, prill 1920).
Një nga rezultatet e para të Kongresit të Lushnjës qe organizimi dhe mbështetja e Luftës së Vlorës e cila garantoi tërësinë territoriale të Shqipërisë të njohur ndërkombëtarisht më 1913.Për këtë arsye që më 1919 qe krijuar komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, si reaksion kundër qeverisë së Durrësit, e cila me sjelljen e saj fataliste ndaj rreziqeve të copëtimit, po pengonte fillimin e një lëvizjeje të armatosur për të zgjidhur problemin e territoreve shqiptare që ishin ende nën pushtimin italian dhe francez. Përfaqësues të kësaj rryme mendimi në qarqet patriotike shqiptare ishin Turhan pashë Përmeti, kryeministri i qeverisë së Durrësit, Mustafa Kruja – ministër e Myfit Bej Libohova ministër pa portofol, që kishte ndikim të madh në Libohovë e Gjirokastër. Në kujtimet e tij, Ali Këlcyra shkruan se në dhjetor 1919, Myfid Libohova që u kthye nga Parisi e Roma(…) mbajti një fjalim në Vlorë e sidomos në Gjirokastër përpara parisë së vendit dhe tregoi se ishte pothuaj e pamundur shpëtimi i indipedencës e sidomos tërësisë tokësore të Shqipërisë. Si gogol tregonte natyrisht pushtimin grek që tmerronte gjithë popullin patriot. Me të tilla fjalime Myfidi me shokë(…) donin të bindnin popullin se e vetmja shpresë shpëtimi ishte kërkuarja e protektoriatit italian.
Nacionalizmi shqiptar e sidomos “Mbrojtja Kombëtare” ishin rreptësisht kundër kësaj propagande. Kundërshtimi i këtyre mendimeve fataliste dhe përgatitja e mbështetja për të organizuar Luftën e Vlorës do të gjente hapësirë të gjerë në faqet e gazetës “Drita”. Në një nga artikujt e gazetës “Drita”, shkruhej: …. Vlora është tona, është e Shqipërisë, dhe as kurrë s’do pranojmë çdo zgjedhje apo marrëveshje që mund të bëhet për të…. Fuqitë e mëdha mund t’ia falin Italisë Vlorën me sa hinterland që të duan. Po shqipëtari nuk do të bindet, është për ne e shtrejtë dhe e shenjtë ….”. Veli Hashorva merr pjesë në Luftën e Vlorës si vullnetar e korrespondent gazetar i luftës. Ai raporton në faqet e gazetës drejtpërdrejt nga fronti i luftës: Të gjitha vendet përveçse Llogarasë ranë nën sulmet e shkëlqyera të shqiptarëve. Ai është një nga anëtarët e komisionit të Gjirokastrës që shpallin fitoren e Luftës së Vlorës dhe organizojnë ceremoninë e rastit. Në shpallje shkruhet: Qytetarë, Vlora e shenjtë, e cila mban ekuilibrin e jetës dhe atdheut, u çlirua nga gjaku i çmuar dhe heroizma e racës, e cila lavdëron sot flamurin e triumfit të lartë . Në të njëjtën kohë, gazeta “Drita” do të dilte në mbrojtje të Avni Rustemit, kur ai po gjykohej në Paris për vrasjen e Esat pashë Toptanit. Gjirokastra protestoi në mbrojtje të Avni Rustemit. Më 29 nëntor 1920 në qytet u zhvillua një miting i madh, pas të cilit iu dërgua një mocion gjykatës së Parisit: “I lutemi zhurisë së lartë të kombit francez, fisnik e liberal, të nxjerrë të pafajshëm Avni Rustemin, ekzekutorin e fajtorit me tradhti të lartë, Esat Toptanin dhe të marrë në konsideratë se Avniu veproi kështu për të shpëtuar Atdheun”. Protestat ishin në mbarë vendin, madje edhe në vende e miq në gjithë bota, nën presionin e të cilave Avniu u lirua. Pa kaluar asnjë muaj, pikërisht më 25 dhjetor 1920, në orën 7 të mëngjesit ai del në limanin e Vlorës. U prit nga një shumicë e madhe njerëzish. Në bashkinë e Vlorës, Avniu mbajti një fjalim dhe priti urime nga populli. Gazeta “Drita” e Gjirokastrës i uron mirëseardhjen në Atdhe, duke shkruar: “Merrni pra urimet e popullit, bekimet e të vdekurve, uratat e prindërve dhe përhirimet e miqve. Mirse na erdhe Avni Rustemi!”.
Vitet ‘20 janë edhe fillimet e demokracisë parlamentare në Shqipëri. Grupet politike dhe partitë që do të rreshtohen në parlament, shpeshherë do të kenë ngjyra lokaliste, krahinore, por ndonjëherë do të ndikohen dhe nga shoqatat e grupimet që i kanë votuar. Veli Hashorva është një nga organizatorët e shoqërisë “Drita” (1921-1924). Shoqëria “Drita” ishte klub demokratik, arsimor, kulturor e politik që e ushtroi veprimtarinë e vet në Gjirokastër. Është quajtur edhe klubi i “Opingarëve”, meqë kishte për simbol një palë opinga, që personifikonin njerëzit e thjeshtë. Organi i vet ishte gazeta “Drita” që drejtohej nga Veli Hashorva. Shoqëria “Drita”arriti rezultate të mira gjatë fushatave të zgjedhjeve për organet e larta të pushtetit më 1921 dhe më 1923. Veprimtarinë e vet demokratike e liberale e përforcoi sidomos gjatë Lëvizjes që Qershorit në 1924 që Fan Noli e Ali Këlcyra e kanë emërtuar si Revolucioni i Qershorit 1924. Shoqëria “Drita”që në zgjedhjet e vitit 1921 u rreshtua kundër Myfit Libohovës dhe përkrahësve të tij në prefekturën e Gjirokastrës. Shoqëria “Drita”duket se ishte frymëzuar nga ide socialiste që kishin filluar dhe kishin zënë rrënjë në mjedisin shqiptar. Ka shumë të ngjarë që ashtu si dhe studentë të tjerë në Stamboll Veli Hashorva të lexonte idetë socialiste në gazetën Turk Huku (Drejtësia turke) që propagandonte ide socialiste.
Shoqëria “Drita” mori pjesë në Kongresin e Shoqërive që u mbajt në Vlorë, ku u formua konfederata “Atdheu”. Në një njoftim në Revistën Agimi që botohej në Shkodër, njoftohet se më 3 qershor të vitit 1921 Shoqëria “Drita” e Gjinokastrës deklaroi bashkimin me federatën “Atdheu”, tue qenë pranë dhe z. Avni Rustemi, i cili u zgjodh kryetar i mbledhjes së përgjithshme. Pjesëtarët e qendrës “Atdheu” të Gjinokastrës u zgjodhën këta zotni: Kryetar z Petro Poga, Sekretar z Veli Hashorva me tre pjesëtarë të tjerë qi janë z Kiço Koçi, z Hasan Xhiku dhe z Beso Gega.
Veli Hashorva nën ndikimin e kushteve shoqërore e kishte bërë të vetën devizën për një përparim të shpejtë, aq të nevojshëm në Shqipërinë e asaj kohe, ende të paurbanizuar. Ky përparim zakonisht perceptohej si një kontradiktë midis elitës së vjetër shqiptare, të formuar në kohën e Perandorisë Osmane me një nostalgji të theksuar për privilegjet e trashëguara nga ancient regime dhe të rinjve që kërkonin një modernizim sa më të shpejtë, të bazuar në merita dhe përparim kulturor. Të gjitha këto grupime si Shoqëria “Drita”në Gjirokastër, “As i Pashës as i Beut” në Elbasan do të jenë shumë të ndjeshme ndaj pushtetit politik dhe sidomos, çështjes së tokës, që përbënte një pikë kyç në marrëdhëniet e barazisë qytetare. Shumica e çifligarëve dhe elitës së vjetër politike nuk dëshironin që të bëhej një reformë agrare pasi pretendonin se toka ishte e trashëgueshme; ndërsa intelektualët e rinj, që vinin nga shtresat e mesme pretendonin se tokën çifligarët e kishin fituar si rezultat i privilegjeve që kishin pasur në Perandorinë Osmane ndaj ajo duhej t’i nënshtrohej reformës agrare. Ndërkohë që shumica e fshatarëve kishin në zotërim më pak se 1.8 ha tokë dhe shumë të tjerë nuk kishin fare, shtatë familje të mëdha, të ashtëquajturit çifligarë, me prona mbi 2000 ha, kontrollonin zona të gjera fushore të Shqipërisë Perëndimore e qendrore. Në këtë kohë edhe përfaqësues të rëndësishëm të pronarëve të mëdhenj të tokave si ishte Ali Këlcyra deputet i Gjirokastrës në parlamentin shqiptarmendonte se çifligarët duhet t’i japin fshatarit një pjesë toke si pronë, për të mundësuar hapjen e rrugës drejt reformës agrare .
Veli Hashorva do ti shpallte hapur bindjet e veta politike dhe etikën e gazetarit që në numrin e parë të gazetës “Drita”, që më shumë se një program gazete i ngjan një programi politik prej shtatë pikash. Pika një, tre dhe shtatë i vinin theksin te bashkimi i popullit shqiptar pa dallim feje e krahine te lufta kundër çdo sjelljeje që dëmton interesat kombëtare. Pika e fundit shpallte moton e shqiptarit të ri në vitet ‘20: Shqipëria për shqiptarët. Në të njëjtën kohë, Veli Hashorva, si modeli i parë i gazetarit modern shqiptar shënon në programin e tij moton bazë të gazetarisë: “do flasëm atë që do besojmë se është e vërtetë pa u ndrojtur e pa mbajtur anë”, “se do kritikojmë punën e kujdo po të mos jetë e pëlqyer”, pika gjashtë . Si demokrat përparimtar Veli Hashorva kërkonte që nëpërmjet faqeve të gazetës “Drita” të ndërmerrte reforma sociale për të fuqizuar liritë individuale të njeriut dhe të ndalte zakonet e vjetra e të papëlqyera.
Gazeta “Drita” u mirëprit në qarqet intelektuale në Shqipëri e diasporë. U dërguan shumë urime për botuesin e saj që mori iniciativën në një situatë kaq të vështirë. Për të kanë shkruar gazeta “Politika” e Halim Xhelos, gazeta “Omonia – Konkordia” e avokat Dilos, gazeta “Kuvendi” që botohej në Romë, gazeta “Dielli” që botohej në Amerikë etj. Kjo e fundit shkruante: “doli një Dritë”, një llambë që do t’iu tregonjë udhëtarëve në mjegull udhën e drejtë për në limanin e shpëtimit. Jemi të sigurtë që “Drita” nën drejtimin e atdhetarit Veli Hashorva do të mund të përmbushë qëllimin e saj të shenjtë dhe përtej kufirit të saj. (“Drita” Nr. 9, Maj 1920, Xhafo Poshi).
Programi kombëtarist i gazetës “Drita” ndihmoi shumë në edukimin nacionalist të lexuesve të saj. Ky program ndihmoi shumë edhe në emancipimin e shoqërisë tradicionale shqiptare, kur në faqet e saj kërkohej barazimii të drejtave të gruas njëlloj me të burrit, arsimimi i saj. Në këtë rast ai duket se ka qenë një dishepull i mendimeve tëideologut të Rilindjes Kombëtare, Sami Frashërit, që respektohej shumë nga mërgata dhe studentët shqiptarë në Stamboll. Në librin e vet “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet” ai shkruan për gratë shqiptare se niveli i kulturës dhe arsimit, lartësia shpirtërore, edukata e grave shqiptare, e nënave të ardhshme që do të rrisin brezat e qytetarëve dhe drejtuesit e ardhshëm të mëmëdheut ka rëndësi të dorës së parë për të ardhmen e kombit e të familjes.Më 23 mars 1921 themelohet Shoqëria “Kundra Bastijes”, ku bënin pjesë rreth 100 gra e vajza. Shoqëria harton një manifest ku kërkohej respektimi dhe përparimi i tyre. Argumenti i tyre ishte: “Me përparimin e grave e vajzave përparon edhe Mëmëdheu.” Në krye të grave gjirokastrite ishte mësuesja e nderuar Urani Rumbo, e cila e boton këtë manifest në faqet e gazetës “Drita”.
Gazeta “Drita” i kushtonte një rëndësi të veçantë arsimimit të popullsisë. Dhe për këtë në faqet e saj shkruhej se duhet të hapim shkolla shumë, – fillore e të mesme dhe të kemi një ligj për detyrim shkollor. Vëllai më i vogël i Veli Hashorvës, mësuesi dhe përthyesi i njohur Ali Hashorva nën ndikimin e të vëllait do të përfshihej në lëvizjen arsimore dhe demokratike në Shqipëri. Ai kishte mbaruar “Corso Preparatorio” për arsimtar të hapur nga italianët në Gjirokastër. Si kreu me sukses atë kurs, më 24 tetor 1919 nisi karrierën e arsimtarit. Mësues i dalluar, plot vullnet e gjallëri, punoi dy vjet në shkollat e qytetit të Gjirokastrës. Falë prirjeve të tij, trashëgimisë familjare dhe bashkëpunimit me të vëllanë, Veliun, Aliu nuk mbeti vetëm brenda mureve të shkollës, por u fut me përkushtim në veprimtarinë shoqërore, për të cilën koha kishte aq shumë nevojë. Kur në korrik 1921, me nismën e Avni Rustemit, u krijua në Gjirokastër “Lidhja e Mësuesve”, kryetar i saj u zgjodh Xhafo Poshi, kurse sekretar Ali Hashorva. Koha kërkonte shumë dhe Ali Hashorva, inteligjent dhe zelltar për studim, do të kërkonte edhe më shumë prej vetes. Prandaj, me ndihmën e të vëllait, në gusht 1921 u hodh në Apenine dhe u regjistrua në Kolegjin Arbëresh të Shën Mitrit në Koronë (Kalabri), ku shkonin dhe shumë shqiptarë të tjerë, për të kryer shkollën e mesme.
Veli Hashorva, si sekretar i shoqërisë “Drita” në Gjirokastër, do të radhitej te përkrahësit e Lëvizjes së Qershorit, 1924 dhe një nga mbështetësit e qeverisë së Fan Nolit. Në dy zgjedhje parlamentare në mars të vitit 1921 dhe 27 dhjetor 1923, shoqëria “Drita” mbështeti deputetët e grupimeve demokrate liberale kryesisht kundër influencës së Myfid bej Libohovës në prefekturën e Gjirokastrës. Ky antagonizëm ndaj Myfid bej Libohovës vinte si një reminishencë e qendrimeve proitaline gjatë Luftës së Vlorës si dhe frymës konservatore e tradicionale që Libohova përfaqësonte në mendimin politik shqiptar të kohës. Përkrahja që Myfid Libohova filloi t’i jepte Ahmet Zogut duke u rreshtuar në Partinë Përparimtare të pronarëve të mëdhenj të tokës do të kritikohej në faqet e gazetës “Drita”. …Bashkimi i Myfitit me njerëzit e Ahmet Zogut na jep të kuptojmë se të gjithë këta janë marrë vesh me njëri-tjetrin. Po kështu, në po këtë numër të gazetës “Drita” do të botohej “Shpallje e Grupit Demokrat” ku do pasqyrohej programi elektoral i këtij grupimi të rëndësishëm liberal demokrat përsa i përket reformave që do ndërmerreshin në Shqipëri. Në numrat 151 dhe 152 Gazeta “Drita” bën thirrje për të votuar kandidatët e grupit demokrat, duke shënuar me të mëdha emrat kandidatëve. Është pikërisht kjo arsyeja që me rastin e moszgjedhjes si deputet të Myfit bej Libohovës në zgjedhjet e 27 dhjetorit 1920, gazeta “Drita” duke përshëndetur fitoren e Popullorëve, shkruante: Me këtë fitore “i dhanë të kuptojë Beut të Libohovës se Shqipëria është e shqiptarëve dhe jo çiflig i atij me shokë. Ashpërsimi i betejës politike në zgjedhjet e dhjetorit 1923 kishte ashpërsuar dhe ligjërimin politik në Shqipëri. Myfit Libohova u sulmua me furi në parlamentin shqiptar edhe për veprimet e kundërligjshme gjatë zgjedhjeve (dhjetor 1923), duke provuar se argumentet e tij nuk kishin bazë logjike e shumë më pak ligjore.
Në situatën e tensionuar që ndoqi periudhën janar 1924 deri në vrasjen e Avni Rustemit më 22 prill 1924, gazeta “Drita” mbrojti kauzën e opozitës dhe të luftës kundër konservatorizmit që tashmë përfaqësohej me qeverinë e Shevqet Vërlacit. 20 Prill 1924, ora 9.30 njoftohet nga Tirana drejtori i gazetës për plagosjen e Avni Rustemit. Të nesërmen Gjirokastra u mblodh në një miting të madh ku folën Veli Harshova e Ramiz Harxhi, në mes të një pikëllimi të përgjithshëm. Populli u shpërnda duke shfryrë kundër Ahmet Zogut dhe Shefqet Vërlacit…. Dita e hënë dhe deri gjysma e së martës shkoi në heshtje. “Drita” shënon se “plumbi Avniun e kishte marrë në krahun e mengjërt midis brigjeve 7 dhe 8, i goditi mushkërinë dhe ngeli përmbi stomak”. Gjithë qytetarët, anëtarët e shoqërisë demokratike “klubi i Opingarëve”, protestojnë me telegrame drejtuar qeverisë dhe spitalit civil të Tiranës, ku ishte shtruar Heroi, Avni Rustemi. Ai kaloi 48 orë i dergjur në plagët e rënda. Në fjalimin që mbajti, ndër të tjera Veli Harshova u shpreh: “Aleksandri i madh, kur vizitoi varrin e Akilit, tha: “Lum ti Akil që gjete një Homer, i cili këndoi trimëritë tuaja”. Dhe për Avniun tha: “Në vend që të gjendej një vjershëtor i tillë që t’u këndonte trimërive të tua, u ndodh një dorë atdhetari, Ramiz Harxhi që vajtoi me një poezi të goditur”. Klubi i Opingarëve në Gjirokastër ishte kthyer në një bërthamë demokratike liberale që mbështeste pa rezerva opozitën e asaj kohe të kryesuar nga Fan Noli.
Reagimi për vdekjen e Avni Rustemit në të gjithë vendin qe i ashpër sepse ajo ishte me të vërtetë një tragjedi. Shtypi i opozitës, ku bënte pjesë dhe gazeta “Drita” nxitoi të denonconte bashkëfajësinë e Zogut në vrasje.
Gazeta “Drita” mbështeti pa rezerva qeverinë e Fan Nolit, duke i kujtuar përherë në shkrimet e saj zbatimin e programit politik të qeverisë, si edhe përshpejtimin e reformave sociale në vend. Në artikullin e saj të 2 korrikut 1924, “Programi i qeverisë”, gazeta “Drita” e Gjirokastrës, komentonte dhe propagandonte programin e Qeverisë së Nolit e sidomos pikën pesë: Shrranjosje e feudalizmit, shlirim i popullit dhe vendosje definitive e demokrasis në Shqipëri, shkruante se “çrrënjosja e feudalizmit është konditë themelore për qytetërimin e Shqipërisë. Mirëpo qeveria e Fan Noli nuk i përmbushi pritshmëritë entuziaste të shtypit të opozitës që prej kohësh kërkonte reforma më të thella sociale në Shqipëri. Shqiptarët e ardhur nga Amerika dhe përkrahës të Nolit, të shpërndarë në qarqet Korçë, Ersekë, Përmet, Gjirokastër, Kurvelesh e Tepelenë nuk përbënin ende një shumicë në Shqipëri.
Mungesa e iniciativës dhe e vendosmërisë së Nolit për të nisur nga ndryshimet, nuk vinte aq nga shkaku se nuk gjente përkrahjen e kabinetit, sesa nga fakti tjetër që ende ai nuk ishte bindur se shoqëria e prapambetur shqiptare qe e përgatitur për të t’iu nënshtruar qilizmave serioze politike e sociale. Kësaj të fundit, i shtohej qëndrimi i rezervuar dhe sinjalet shqetësuese që arrinin nga jashtë. Fuqitë e Mëdha i ndiqnin me kujdes zhvillimet në Shqipëri dhe veprimet e qeverisë që kishte ardhur në pushtet me dhunë. Sipas tyre, qeveria, përpara se të bënte reforma, duhet të zhvillonte zgjedhjet për t’u legjitimuar. Noli, ndonëse ishte i ndjeshëm ndaj qëndrimit të ndërkombëtarëve, prapë nuk ia vuri veshin kërkesave të tyre për legjitimimin e qeverisë. Por kjo nuk do të thoshte se ai i shpërfillte. Përkundrazi, duke qenë diplomat me përvojë e duke i njohur mekanizmat që vepronin në qarqet politike, të cilët drejtonin fatet e botës, Noli i kushtoi vëmendje të madhe. Madje, siç u duk dhe më pas, atë do ta shqetësonte aq shumë njohja ndërkombëtare e qeverisë sa problemet e jashtme do të zinin më shumë vend në veprimtarinë e tij sesa ato të brendshmet.
Në numrin e saj të fundit më 20 dhjetor 1924, katër ditë para hyrjes së Zogut në Tirane, editori Veli Hashorva do të shkruante: Të bashkuar para rrezikut. Populli shqiptar me tepër se kurrë sot, duhet të jetë i bashkuar si një trup i vetëm kundër armiqve të vet. Vetëm po të jetë i bashkuar do ta kapërcejë edhe këtë rrezik që i turret mbi krye Shqipërisë sonë” . Thirrja e patriotit demokrat nuk do të gjente mbështetje në organizimin e masave efikase nga qeveria. Në Gjirokstër, ashtu si edhe në kufijtë verilindorë situata ishte në disfavor të qeverisë së Nolit. Myfit Libohova përkrahës i Zogut kishte përqendruar forca pranë kufijve të Shqipërisë dhe marshoi drejt Gjirokastrës më 24 dhjetor. Populli i Gjirokastrësishte i prirur jo vetëm kundër Myfit Beut, por shikonte me dyshim të madh dhe ishte gati të kundërshtonte një lëvizje që vinte prej Greqie. Megjithatë, shpejt u gjend pa kurrfarë udhëheqjeje, qoftë politike, qoftë ushtarake. Dhe situata u kthye edhe këtu në favor të forcave kundërrevolucionare. Vetë anëtarët e qeverisë, me Fan Nolin në krye dhe disa forca të pakta qeveritare u tërhoqën në Vlorë. Prej këndej rreth 300-500 veta ikën në Itali. Po aq u larguan dhe nëGreqi.
Rrëzimi i qeverisjes së Fan Nolit dhe kthimi në pushtet i Ahmet Zogut do të sillte edhe mbylljen e gazetës “Drita”. Në këto kushte, Veli Hashorva si kundërshtar i hapur politik i Myfit bej Libohovës, do të linte atdheun dhe do emigronte në Turqi. Dhe në Turqi do të vdiste në vitin 1975. Në vitet ‘60 ai dërgoi kujtimet e tij, që ruhen në arkivin e familjes Hashorva dhe në Arkivin e Institutit e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanalogjike.
“Drita” si gazeta e parë e hapur në gjuhën shqipe në Gjirokastër, ka meritën e veçantë se themeloi në ligjërimin publik shqiptar ligjërimin antiimperialist, duke bërë thirrje për organizimin e Luftës së Vlorës e bashkim kombëtar. Nëpërmjet një shkrimi të titulluar “Fuqia vetë”, gazeta shprehej: Nuk duhet të rrimë duarkryq, çdo derë është e mbyllur për ne, në çdo portë që trokitmë, nuk na u përgjigj njeri. Tani na mbeti të vështrojmë hallin tonë vetë. Ky është i vetmi shpëtim, e vetmja fuqi që duhet t’i mburremi, është fuqia e vet. Në qoftë se shqiptarët do të përdorin fuqinë e vet, le të sigurohemi që Shqipëria shpëtoi. Atëherë bota do ta kuptojë se jemi gjallë e që rrojmë nën hijen e flamurit kuq e zi me shkabën dy-krenare. Zgjohu pra o shqiptar! Nuk është aq vonë për punë…vendos fatin tënd me duart e tua dhe mosprit të shpëtojë i huaji…mund ta humbasim Shqipërinë përjetë potë rrimë të mpirë, po do ta fitojmë lirinë tonë nëqoftëse lëvizim dhe tregojmë gjallëri (“Drita Nr.3 prill 1920). Ky ligjërim nuk ishte anti italian, por shkonte në frymën e ligjërimit që shprehte Ali Këlcyra, publikuar në gazetën “Drita” se …Unë kam pasur respektin më të madh për popullin liridashës italian, (por) isha rreptësisht kundra politikës makiaveliste që bënte në Shqipëri, Sonino, Nitti, Titoni dhe komanda (ushtarake) e Vlorës.
Ishte ky qëndrim i patriotëve shqiptarë që bëri të mundur shndrrimin e politikës italiane nga një politikë pazaresh me fqinjët e Shqipërisë në një politikë mbështetëse për tërësinë territoriale dhe mbështetjen e shtetit shqiptar pas Luftës së Vlorës. Po kështu gazeta “Drita” rezulton të jetë organi i parë i shtypit shqiptar në Gjirokastër që themelon ligjërimin modern e demokratik kundër shtresave tradicionale konservatore që e mbanin Shqipërinë ende në një muze feudalizmi të vonë, ku dinjiteti e personaliteti i njeriut vlerësoheshin pak dhe liritë e shtresave më të gjera të popullsisë për arsim e prosperitet ekonomik ishin të nëpërkëmbura. Në këtë mënyrë, gazeta “Drita” ka qenë shkolla e parë e gazetarisë në Gjirokastër, që shtroi udhën për hapjen e gazetave të tjera të mëvonshme që lanë gjurmë në kulturën shqiptare. Publikimi dhe editimi i të gjithë numrave të saj që ndodhen në Bibliotekën Kombëtare do t’i japë shumë më tepër informacion publikut të sotëm shqiptar mbi fillimet e modernizmit dhe evolucionin e shoqërisë dhe të kulturës shqiptare të viteve ‘20.