Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova deklaronte vazhdimisht se pavarësia është zgjdhja më e mirë, në intervistat ekskluzive/
SPECIALE Gazeta DIELLI -VIZIONI RUGOVIAN PËR KOSOVËN E ÇËSHTJEN SHQIPTARE/
-Shqiptarët të organizohen, të forcohemi gjithkund aty ku jemi/-Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në intervistat ekskluzive që kam zhvilluar: Zgjidhja e çështjes shqiptare, nëse duam të hyjmë kështu, në mënyrë globale, shihet: Shqipëria si shtet, që është e njohur, Kosova e pavarur, shtet i njohur, i integruar në Bashklimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është një vend që i pari është interesuar për ne dhe na ka ndihmuar, dhe që na ndihmon vazhdimisht. Në Maqedoni shqiptarët gjithsesi të jenë element i shtetit, shtetformues; tash janë bërë hapat e parë, siç është Marrëveshja e Ohrit, pastaj integrimi i shqiptarëve në institucionet e tjera, që do të jenë element me rëndësi. Në Mal të Zi, poashtu, shqiptarët duhet të kenë një administrim të vetin, pra të kenë përfaqësim në nivel të Republikës së Malit të Zi në instiucione; edhe atje ka filluar një proces. Poashtu edhe në Preshevë, në Luginën e Preshevës, ka filluar një proces pozitiv; ka robleme, do të ketë probleme, por disponimet janë pozitive. Natyrisht, po e them në mënyre legale, ne, Kosova, do të interesohemi si shtet për shqiptarët në Mal të Zi, për Luginën e Preshevës, po edhe në Maqedoni, dhe nuk do të përzihemi në punët shtetërore, që të krijojmë çrregullime, siç dëshirojnë disa fqinjë ndaj Kosovës/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 19 Gusht 2018/ Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova deklaronte vazhdimisht se pavarësia është zgjdhja më e mirë, në intervistat ekskluzive që kam zhvilluar ka folur edhe për mundësinë e bashkimit me Shqipërinë, asnjëherë nuk kemi folur për ndarjen e Kosovës. Ndërsa, gjejmë në arkiva se, në një intervistë për median ndërkombëtare, kur është pyetur, është shprehur prerë për tërësinë dhe mosndarjen e Kosovës, duke theksuar se me ndarjen e Kosovës serbët kërkojnë pasuritë natyrore.
Në vitin 1992, në 8 qershor, gazeta gjermane me ndikim në Evropë e më gjerë “Der Spiegel”, duke theksuar se “Duket se politika e ndarjes së Kosovës ka qenë e vjetër në rrethin elitar serb dhe kjo ka qarkulluar prej fillim viteve të 90-ta”, e ka pyetur lidhur me këtë Dr. Rugovën, President i parë i sapozgjedhur i Kosovës. Në intervistën e gazetës gjermane, mes tjerash, kjo ishte pyetja dhe përgjigja: “Der Spiegel: Rrethi intelektual i serbëve është pajtuar ta ndajë Kosovën mes shqiptarëve dhe serbëve?
Rugova: Atëherë prapë do të jetonin një milion shqiptarë jashtë mëmëdheut. Gjithashtu serbët shikojnë me këtë “ndarje”, që secila tokë me pasuri natyrore t’i takojë asaj. Atëherë neve do të na mbetnin vetëm tokat pa vlerë. Ne nuk biem pre e këtyre politikave. Do pranonim një protektorat të përkohshëm të OKB-së, sepse do të ishte qesharake të mendohej se 8% e minoritetit serb të sundonte dhe të mundte me dhunë 2 milionë shqiptarë”. Viti 1992 ishte viti kur në 24 Maj, përkundër kërcënimeve të forcave serbe, mbi 89% të qytetarëve të Kosovës (me të drejtë vote) votuan për të zgjedhur Presidentin e Republikës së Kosovës dhe 100 deputetë për Parlamentin e Kosovës. Me shumicë dërrmuese të votave Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës, ndërsa partia e tij LDK fitoi shumicën absolute të vendeve në Parlament…
Po në atë vit të zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë, në dhjetor, në Bruksel, Presidenti Ibrahim Rugova takohet me sekretarin e shtetit të Amerikës Lorens Igëllberger, i cili i shpreh mirënjohje si lider i popullit shqiptar për kontributin në ruajtjen e paqes në Kosovë. Sekretari i shtetit Igëllberger siguroi Presidentin Rugova se nga shqiptarët nuk kërkohet që të heqin dorë nga objektivi i tyre për të ardhmen e Kosovës.
E objektivi ishte Pavarësia e Kosovës.
Që para afër tre dekadave, Dr. Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur.
“Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkombëtar si fazë kalimtare”, theksonte e ritheksonte Presidenti historik, Ibrahim Rugova.
Në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar në 22 Shtator 1994, referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të 26 deri 30 shtatorit 1991, që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, Rugova e vlerësonte “një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.
Me Presidentin Rugova bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, në Prishtinë, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës.
Kjo ishte intervista e parë e një Presidenti të Kosovës për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – ATSH, nga e cila po risjellim një pjesë të pyetjev e përgjigjeve:
PROJEKTI I LIDHJEVE KONFEDERALE TË KOSOVËS ME SHQIPËRINË LEHTËSON ZGJIDHJEN
Në kuadër të propozimeve e modaliteteve për zgjidhjet e mundshme për Bosnjën e ish-Jugosllavinë, ideja Juaj për mundësinë e lidhjes konfederale të Kosovës me Shqipërinë pati mjaft jehonë. A mund të lidhet kjo ide edhe me integrimet e dëshiruara kombëtare dhe me rikomponimet e paralajmëruara në Ballkan?
-Mua më vjen mirë që kjo ide pati jehonë dhe u prit mirë kështu në opinionin ndërkombëtar, po ashtu edhe në atë diplomatik dhe shtetëror. Një ide e tillë do të lehtësonte zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Siç kam thënë, nëse legalizohen lidhjet konfederale tash aktualisht mes serbëve të Bosnjës e Serbisë, atëherë patjetër duhet të legalizohen edhe për shqiptarët.
Siç dihet, në opcionin e tretë të Dokumentit – Deklaratës së Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, të aprovuar më 1991, qëndron edhe kjo – lidhjet konfederale apo bashkimi me Shqipërinë. Por, tri opcionet e atij dokumenti varen nga ndryshimet e kufijve të brendshëm dhe kufijve të jashtëm të ish-Jugosllavisë. Prandaj, një projekt i tillë i lidhjeve konfederale të Kosovës me Shqipërinë është më afër mendësh dhe mund të realizohet. Natyrisht, kjo do të lehtësonte shumë gjëra në integrimet shqiptare, në integrimet ballkanike e në integrimet evropiane, që janë një proces dhe duhet t’i shikojmë si një proces. Dokumenti që e përmenda më parë, është një dokument vërtetë me një vizion që na ka drejtuar deri tash në punën tonë të përgjithshme, të partive politike, edhe në krijimin dhe punën e institucioneve të Kosovës.
POLITIKA GLOBALE SHQIPTARE PO REALIZOHET
Shpesh theksoni politikën globale shqiptare, çfarë është kjo politikë e realizuar në praktikë dhe në këto kushte të ndarjes së shqiptarëve me shumë kufij?
-Praktikisht mund të themi se politika globale shqiptare edhe ka nisur të realizohet. Përkundër pengesave të shumta, që i ka sidomos Kosova, sot kemi kontakte të ndryshme, bashkëpunim, qoftë në planin kulturor, në planin arsimor, në planin politik. E kam thënë disa herë, por vazhdimisht duhet të përsëriten gjërat, se për herë të parë ne shqiptarët, nuk po shkoj më tutje, pas vitit 1912, pastaj 1918, sidomos pas ’45-tës, pra për herë të parë bashkëpunojmë në planin politik. Dhe, natyrisht, në këtë politikë globale shqiptare respektohet vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës, pastaj i shqiptarëve në Maqedoni, i shqiptarëve në Mal të Zi e në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Do të thotë e kemi një vizion se çka duhet të bëjmë në këtë drejtim. Dhe, mund të them se një politikë globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte. Për shembull, me politikë globale shqiptare mendojmë që sa më parë ky mur mes shqiptarëve të bjerë.
Po ashtu politikë globale është se sot Shqipëria më shumë se kurrë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe çështjen e shqiptarëve në planin ndërkombëtar. Po ashtu, edhe Kosova me institucionet e saj brenda dhe jashtë e ndihmon Shqipërinë dhe në këtë plan ka një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe një marrëveshje që nuk e kemi pasur më parë ne shqiptarët. Kjo gjithësesi është një bazë, një element që premton realizimin e aspiratave shqiptare në përgjithësi. Besoj, shumë gjëra janë dëshmuar deri tash. Dhe, kur të kryhen disa punë tash, që i kanë rënë brezit tonë, do të bëhet një politikë globale shqiptare edhe më emadhe, edhe më e frytshme.
DOKUMENT I UNITETIT E INTEGRIMIT SHQIPTAR
Partitë politike shqiptare në ish-Jugosllavi edhe nëpërmjet një dokumenti të përbashkët kanë shprehur kërkesat dhe opcionin për zgjidhje, pos për Kosovën, edhe për çështjen shqiptare në Maqedoni e Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe në Mal të Zi. Cila do të ishte zgjidhja optimale në këtë moment?
-Tashmë e thashë se ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar. Atëherë kur enxorëm këtë dokument, që ka validitet edhe sot, opcioni i parë, nëse nuk ndryshojnë kufijtë e brendshëm, ishte një Kosovë e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Serbisë e Shqipërisë, që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër, të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale. Të gjitha këto pjesë shqiptare, të themi kështu, kanë deklarimin e vet, të popullit, referendumin në Kosovë, në Maqedoni, në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë dhe Memorandumin në Mal të Zi, që ka edhe vlerën e një referendumi.
Prandaj, në bazë të situatës që e kemi, ne qëndrojmë në realizimin e opcionit të parë, do të thotë punojmë në pavarësimin e Kosovës dhe që shqiptarët në Maqedoni të realizojnë të drejtën e popullit shtetformues në atë republikë. Po ashtu edhe shqiptarët në viset e tjera etnike në ish-Jugosllavi të realizojnë të drejtat, për të cilat janë deklaruar.
Në këtë plan janë realizuar mjaft gjëra praktikisht. Mos të harrojmë se në Preshevë e në Ulqin partitë shqiptare e kanë marrë pushtetin lokal. Ai është hap i parë, edhe pse tash komunat nuk kanë ndonjë pushtet as në Maqedoni, as në Preshevë e as në Ulqin, u bë ai centralizimi, që para shthurjes së ish-Jugosllavisë, kur filluan t’u merren kompetencat komunave. Tash ato kompetenca janë reduktuar edhe më shumë.
Ndërsa në Kosovë, ne, edhe pse të okupuar, kemi organizuar jetën tonë, kemi afirmimin e çështjes, projektit të pavarësisë. Në Maqedoni kemi hyrjen – prezencën në instiucione, gati të gjitha komunat shqiptare i kontrollojnë shqiptarët. Prandaj, është një punë, një proces, do të thotë edhe këtu janë realizuar gjëra praktike dhe pragmatike që shihen, janë rezultatet që shihen e që preken.
Kjo intervistë me Presidentin e Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, të cilën e zhvillova si korrespondent i ATSH, me titullin “POLITIKË GLOBALE QË SA MË PARË TË BJERË MURI MES SHQIPTARËVE” është botuar të hënen e 26 Shtatorit 1994 edhe në gazetën e vetme të përditshme shqipe në Kosovë, “Bujku”, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, e që ishte gazetë e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, dilte nga 18 janari i vitit 1991, pasonte dhe sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia të gazetës tradicionale kosovare Rilindja. Që atëherë nisëm edhe bashkëpunimet me ATSH-në, të parat bashkëpunime të një media të Kosovës me një media të Shqipërisë.Edhë në intervista të tjera që kam zhvilluar nëpër vite, në dhjetor 2002, presidenti Rugova theksonte përcaktimin e gjithmonshëm e prej shumë vitesh për Kosovën e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA, si pjesë e zjidhjes së çështjes shqiptare.
“KOSOVA E PAVARUR NË NATO E NË BE DHE NË MIQËSI TË PËRHERSHME ME SHBA”, ishte titulli i intervistës ekskluzive me Presidentin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, që e zhvillova për gazetën tradicionale Rilindja në fundvitin 2002. Presidenti Rugova më priti në Rezidencën Presidenciale në Velani-Prishtinë derisa isha kryetar i Këshillit Drejtues dhe Kryeredaktor i Gazetës Rilindja, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë.
Nga intervista e botuar në Gazetën Rilindja në 31 Dhjetor 2002 – numër festiv për Vitin e Ri 2003 po sjellim këtë pyetje e përgjigje lidhur me zgjidhjen e çështjes shqiptare: RILINDJA: Shqiptarët jetojnë në trojet e veta etnike edhe në disa vende të rajonit, si në Maqedoni, në Luginën e Preshevës në Serbi, në Ulqin – Mal të Zi. Si e shihni të ardhmen, zgjidhjen e çështjes shqiptare, duke pasur parasysh edhe këtë fakt? Lidhur me këtë ekziston qe mëse një dekadë edhe Dokumenti i opcioneve i partive politike shqiptare.
PRESIDENTI RUGOVA: Po, është Dokumenti i ‘tri opcioneve’. Këtë
politikë, për fat të mirë, e kemi bërë të gjitha partitë politike të trojeve shqiptare, dhe ai dokument i ka dhënë frytet e veta, do të thotë jemi organizuar. Zgjidhja e çështjes shqiptare, nëse duam të hyjmë kështu, në mënyrë globale, shihet: Shqipëria si shtet, që është e njohur, Kosova e pavarur, shtet i njohur, i integruar në Bashklimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është një vend që i pari është interesuar për ne dhe na ka ndihmuar, dhe që na ndihmon vazhdimisht. Në Maqedoni shqiptarët gjithsesi të jenë element i shtetit, shtetformues; tash janë bërë hapat e parë, siç është Marrëveshja e Ohrit, pastaj integrimi i shqiptarëve në institucionet e tjera, që do të jenë element me rëndësi. Në Mal të Zi, poashtu, shqiptarët duhet të kenë një administrim të vetin, pra të kenë përfaqësim në nivel të Republikës së Malit të Zi në instiucione; edhe atje ka filluar një proces. Poashtu edhe në Preshevë, në Luginën e Preshevës, ka filluar një proces pozitiv; ka robleme, do të ketë probleme, por disponimet janë pozitive. Natyrisht, po e them në mënyre legale, ne, Kosova, do të interesohemi si shtet për shqiptarët në Mal të Zi, për Luginën e Preshevës, po edhe në Maqedoni, dhe nuk do të përzihemi në punët shtetërore, që të krijojmë çrregullime, siç dëshirojnë disa fqinjë ndaj Kosovës.
Po e theksoj për ju, e kam theksuar edhe më parë, në Evropën Juglindore, në këtë pjesë të Evropës e të botës, popujt duhet ta njohin njëri-tjetrin: edhe historikisht, edhe në pikëpamje politike, edhe shtetërore, sespse kjo mungon. Për fat të keq, shumica e popujve në rajonin tonë kanë pasur atë logjikën e dominimit, kanë injoruar shqiptarët në përgjithësi, nuk i kanë njohur, ose janë përpjekur edhe të bëjnë eliminime të ndyshme. Prandaj është një plan perspektiv, për të cilin ne si Kosovë do të punojmë në të ardhmen. Duhet të njohim njëri-tjetrin në rajonin tonë, përndryshe mund të ketë probleme. Mirëpo, është pozitive se në përgjithësi tash në rajonin tonë shikojnë nga Evropa. Këtë nuk e kishim deri para disa vjetësh. Ndërsa ne, shqiptarët, në përgjithësi, kemi shikuar gjithmonë e shikojmë nga Evropa, nga integrimet evroalantike.
Në 12 Shkurt 2005, në ditën e jubileut të 60 vjetorit të Rilindjes, kjo gazetë tradicionale e Kosovës sillte intervistën tjetër eksluzive që kisha zhvilluar me Presidentin e Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
Titulli i intervistës në faqen 1 e 2 ishte “PAVARËSIA E KOSOVËS ËSHTË E MIRA E TË GJITHË QYTETARËVE DHE DO TA QETËSOJË RAJONIN”. Në vitim të intervistës titulli në faqen 3 ishte “Shumë institucione ndërkombëtare e kanë kuptuar se Pavarësia e Kosovës duhet të bëhet sa më shpejt”, ndërsa titulli në faqen 4: “Rilindja ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës”.
Me këtë rast Presidenti Rugova më priti përsëri në Rezidencën Presidenciale të tij në Velani, ku biseduam gjatë dhe si kryetari i Këshillit Drejtues dhe Kryeredaktor i Rilindjes i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60 vjetorit të kësaj gazete tradicionale të Kosovës, të punar me ar e argjend nga argjendarët e Prizrenit, qytetit historik ku në 12 Shkurt 1945 doli numri i parë i gazetës së parë shqiptare të Kosovës që u bë e përditshme.
“Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo
zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e Pavarësisë, të jemi një antar i
bashkësisë së kombeve të botës së lirë”, ka theksuar Presidenti Rugova në intervistën ekskluzive në jubileun e 60 vjetorit të gazetës Rilindja.
“Edhe bashkësia ndërkombëtare, shumë institucione të ndryshme ndërkombëtare,
kanë kuptuar se Pavarësia duhet të bëhet edhe të realizohet sa më shpejt, çfarë do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës”, ka deklaruar Rugova.
“Unë insistoj, edhe nstitucionet e Kosovës, që sa më parë të njihet
Pavarësia e Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë, direkte, pra nga Shtetet e
Bashkuara të Amerikës, nga Unioni Evropian, që pastaj do ta njihnin edhe
fqinjët tanë. Kjo është rruga më e mirë, edhe më e drejtë, edhe më më e
shëndetshme për situatën në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, tha
presidenti Rugova në intervistën për gazetën Rilindja.
Presidenti i Kosovës vlerëson se njohja e Pavarësisë do t’i rregullonte edhe
marrëdhënet e brendshme. “Edhe për minoritet, grupet etnike, është edhe një
fitore, është edhe një përfitim nga Pavarësia”, tha Presidenti Rugova.
Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët
tanë, ka theksuar Presidenti Rugova dhe ka shtuar se “këtë, një pjesë e fqinjëve, pjesa
më e madhe, kanë filluar ta kuptojnë.”
“Njohja sa më e shpejtë e Pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe
qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, ka
deklerësuar Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive për gazetën Rilindja të jubileut të 60 vjetorit, botuar në 12 Shkurt 2005, nga e cila po risjellim një pjesë të pyetjeve e përgjigjeve: RILINDJA: Ju vazhdimisht theksoni garancitë për të drejtat dhe interesat e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Në një Kosovë të ardhme me standarde të plotësuara që çojnë në integrimet evroatlantike dhe me status pavarësinë, që është vullnet i shumicës dërrmuese, çfarë do të jenë të drejtat dhe garancitë për të gjithë qytetarët, për të gjitha komunitetet?
PRESIDENTI RUGOVA: Do të jenë sipas normave ndërkombëtare, që janë paraparë në kuadër të Unionit Evropian, të OKB-së, pastaj edhe të normave tona brenda Kosovës – do të thotë garanci dhe mundësi të zhvillimit edhe të ruajtjes së identitetit të tyre. Prandaj, ne edhe në këtë gjendje që jemi, pra nën mbikëqyrje, nën administratë ndërkombëtare, kemi bërë mjaft. Sot, gjuhët e të gjitha komuniteteve përdoren në Kosovë edhe zyrtarisht edhe praktikisht, pastaj mos të flasim për mundësitë e ndryshme, në emisionet edhe në Televizionin Publik të Kosovës, radiot private, tekstet, shkollat. Plus, ne edhe i financojmë ekstra, për shembull, për komunitetin serb vendbanimet e tyre, që kanë buxhet special nga komunat përkatëse. Dhe, jemi mjaft tolerantë, që me kohë ata do të kuptojnë dhe do të fillojnë integrimin e tyre.
RILINDJA: A ka vend për frikën se Pavarësia rrezikon interesat e ndonjë komuniteti në Kosovë, siç mundohen ta paraqesin disa qarqe e propaganda?
PRESIDENTI RUGOVA: Jo, jo, s’ka frikë, sepse bashkësitë etnike, komunitetet, apo minoritetet, duhet të pranojnë edhe vullnetin e shumicës. Natyrisht, si shumicë, pra si shumicë shqiptare, ne do të kujdesemi të bëjmë një shtet me norma demokratike, me norma integruese të brendshme dhe me garantimin e të gjitha të drejtave.
Natyrisht, s’dua ta komentoj një propagandë negative që bëhet për një komunitet a tjetër, se ka frikë, etj. Por, mos ta harrojmë, është frika e shumicës, momentalisht, e shumicës shqiptare për të ardhmen. Prandaj, me njohjen e Pavarësisë do të hiqet kjo frikë dhe marrëdhëniet njerëzore do të relaksoheshin, do të ishin shumë më të lehta, sepse të gjithë e kemi përjetuar luftën, situatat e rënda, humbjet, etj. Dhe, unë po them, njohja e Pavarësisë do t’i rregullonte edhe marrëdhënet e brendshme. Edhe për minoritet, grupet etnike, është edhe një fitore, është edhe një përfitim nga Pavarësia. Në shtetin e Kosovës nesër do të jenë, edhe sot janë, deputetë, ministra, nuk mund të bëhen lehtë. Prandaj, janë edhe përfitimet praktike, njerëzore, që edhe ata do t’i kenë dhe do të jenë të garantuara.
RILINDJA: Ju vlerësoni se Pavarësia e Kosovës është edhe në të mirën e vendeve fqinje, se do ta qetësojë rajonin. Si janë kuptuar dhe pritur këto mesazhe Tuajat në fqinjësi?
PRESIDENTI RUGOVA: Në fqinjësi, me Shqipërinë kemi marrëdhënie të mira, siç e dini, të gjithë shqiptarët në këtë pjesë të Evropës dhe të botës, janë deklaruar për Pavarësinë e Kosovës, do të thotë e përkrahin vullnetin politik.
Me Maqedoninë, kemi marrëdhënie të mira në ngritje e sipër, edhe atje tash ka mendime më pozitive se, nuk iu pengon Pavarësia e Kosovës. Mali i Zi në heshtje, ne kemi marrëdhëine të mira në qarkullim, etj.
Ndërkaq, për Serbinë dihet, ata i kanë ato pretendimet e tyre, ngarkesat historike, etj., që dëshirojnë të dominojnë, etj. etj. Por, do të ishte mirë edhe për vetë Serbinë që, ata do të merreshin me punët e veta dhe nesër ne të gjithë si vende të pavarura, pra Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi nëse do veç apo bashkë me Serbinë, Serbia, Bosnja, të integrohemi, të jemi në Unionin Evropian, dhe kjo është zgjidhja më e mirë, edhe perspektiva e të gjithëve, do të kishte efekt pozitiv për të gjithë fqinjët tanë. Këtë, një pjesë e fqinjëve, pjesa më e madhe, kanë filluar ta kuptojnë.
RILINDJA: Ju lutem, çfarë janë tash marrëdhëniet e Kosovës me vendet fqinje dhe si i shihni në të ardhmen marrëdhënet e një Kosove të pavarur me fqinjët e saj, shtetet e tjera në rajon?
PRESIDENTI RUGOVA: Po, gjithsesi, me njohjen e Pavarësisë do të ndërtojmë më lehtë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe do të ndërtojmë. Unë thashë, me Shqipërinë janë të mira, me Maqedoninë janë në ngritje e sipër, me Malin e Zi ka marrëdhënie, me Serbinë momentalisht janë të bllokuara, sepse është një vend që nuk i njeh dokumentet e Kosovës, nuk e njeh ende atë që ka ndodhur pas vitit 1999, pas ndërhyrjes së NATO-s. Do të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të gjithë, pastaj pas njohjes së Pavarësisë, është shumë më lehtë, sipas normave ndërkombëtare të fqinjësisë së mirë dhe të interesit reciprok.
RILINDJA: Marrëdhënet e realiteteve të reja mes Kosovës dhe Shqipërisë, edhe sipas shumë vlerësimeve, janë bërë shembull për rajonin. Ky zhvillim erdhi pas thyerjes së kufirit të hekurt që ekzistonte një periudhe të gjatë të kufizimeve të mëdha dhe ndalimeve të marrëdhëieve dhe komunikimeve. Si e shihni të ardhmen e këtyre dy vendeve, jo vetëm në marrëdhëniet e tyre, por edhe në integrimet evroatlantike?
PRESIDENTI RUGOVA: Po, ne gjithsesi do të kemi gjithnjë e më shumë marrëdhënie të mira me Shqipërinë në të gjitha fushat. Ju e dini, tashmë kemi edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë, pastaj, marrëveshje të ndryshme për bashkëpunim ekonomik, kulturor, etj., dhe gjithsesi do të ndikojë pozitivisht ndërtimi, nuk është e tepërt ta themi, i Autostradës Prishtinë – Durrës, që do të hapte edhe një lidhje tjetër të Kosovës me botën. Dhe, gjithsesi synimet tona, të të dy vendeve, janë integrimi në Bashkimin Evropian, pra Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera, dhe kjo është perspektiva dhe në këtë plan po punojmë me të gjithë.
RILINDJA: Ju lutem, edhe një pyetje që ka të bëjë me të ardhmen: Si e shihni zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve edhe në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës? Në fillim të viteve 90-të, këto çështje ishin të përfshira në Dokumentin e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, që Ju e udhëhiqnit, dhe vlerësohet se në realitetet e reja janë apo do të jenë në proces të realizimit.
PRESIDENTI RUGOVA: Ai është një dokument i rëndësishëm, si i themi Dokumenti i tri opcioneve që ishin atëherë. Dhe, natyrisht, koha e vërtetoi se opcioni për Kosovën e pavarur doli zgjidhja dhe mori legjitimitet gjithnjë e më të madh edhe tek ne edhe në botë. Dhe, siç e dini, atje, në atë dokument, insistohet që shqiptarët në Maqedoni të jenë element i shtetit të Maqedonisë, që ka filluar të realizohet, pastaj shqiptarët në Mal të Zi të kenë administratën e vet dhe të gjitha të drejtat, e po ashtu edhe në Luginën e Preshevës. Tash ka progres edhe në Mal të Zi, në Luginë të Preshevës gjërat po shkojnë më ngadalë, por ka një progres të vogël në këto çështje dhe natyrisht do të insistohet që të realiziohen. Pra, ky ishte ai vizioni që e patëm atëherë dhe që po funksionon. Dhe, mund të them, ishte dokumenti që shqiptarët e kuptuan se duhet të organizohen, duhet të forcohemi gjithkund aty ku jemi. Sot, edhe njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës.
PAVARËSIA E KOSOVËS, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.
“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë Ibrahim Rugova në 6 Tetor 2005, në takimin e parë me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.
Më pak se një muaj para se të kaloi në amshim njeriu që bëri epokë, Presidenti historik Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së, partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, në 23 dhjetor 2005, regjistrova fjalët-mesazhin e tij, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit.
Para 12 viteve, më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik të Pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, në kryeqytet.
“Presidenti Ibrahim Rugova ndërroi jetë”, bënte të ditur Presidenca e Kosovës në komunikatën e dërguar në 21 Janar 2006, në mesditë.
“Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, prijësi i Kosovës në vitet e mëdha të procesit për pavarësi të vendit tonë, ndërroi jetë sot (e shtunë) në ora 11:38.
Presidenti Rugova ndërroi jetë në shtëpinë e vet në Prishtinë, duke pasur përreth familjen e tij, mjekun personal me stafin ndihmës nga vendi, sidhe mjekë amerikanë”, thuhej mes tjerash në komunikatën e Presidencës së Kosovës.
Ibrahim Rugova ka lindur në 2 Dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut.