PAVARËSIMI ENERGJETIK I KOSOVËS, PREJ SOT…/
-Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) prej sot operon i pavarur, duke hapur kështu një histori të re si zonë rregulluese brenda bllokut Shqipëri-Kosovë/
-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti: Pavarësimi energjetik sukses i përbashkët i Kosovës dhe miqve ndërkombëtarë/
-Kosova dhe Shqipëria lidhen edhe me “autostradë” energjetike – historiku…/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 14 Dhjetor 2020/ Prej sot Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) operon i pavarur, duke hapur kështu një histori të re si zonë rregulluese brenda bllokut Shqipëri-Kosovë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, pavarësimin energjetik të Kosovës e vlerësoi si një sukses të madh për vendin.
“Kjo është një arritje e madhe, e cila ka ndodhur, pasi që KOSTT-i ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me marrëveshje dhe tani po operon i pavarur”, tha Kryeministri Hoti, ku shtoi se, nga sot është vënë në funksion edhe linja e re me Shqipërinë.
Ai nënvizoi se mbështetja e Qeverisë së Kosovës për sektorin energjetik do të jetë maksimale, ngaqë stabiliteti energjetik është parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit, për rritje të investimeve të brendshme dhe atyre të jashtme, si dhe në funksion të mirëqenies së qytetarëve.
Këto komente Kryeministri Hoti i bëri gjatë vizitës sot në KOSTT, ku ishte i shoqëruar nga Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi.
Në 29 Shtator 2020 Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, njoftonte se Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE), trup i Rrjetit Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji Elektrike (ENTSO-E), vendosi që Marrëveshja e re e Kyçjes, e nënshkruar në 30 Qershor 2020, në mes të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe ENTSO-E, të hyjë në fuqi, me ç’rast e bën të mundur pavarësimin energjetik të vendit tonë.
Kryeministri Hoti theksonte se ENTSO-E vlerësoi që KOSTT ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me marrëveshje dhe është e gatshme të operojë e pavarur nga Serbia, si Zonë Rregulluese brenda Bllokut Rregullues Kosovë-Shqipëri.
“Nga e drejta jonë dhe mbështetja e miqve u bë i mundur pavarësimi energjetik”, deklaronte Kryeministri Hoti Në 29 Shtator 2020.
MPJD URON FILLIMIN E OPERIMIT TË BLLOKUT ENERGJIK KOSOVË-SHQIPËRI
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës, përshëndetë fillimin operimit të pavarur energjetik të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, si dhe fillimin e operimit praktik, të zonës së re rregulluese energjetike, Bllokut Rregullues Kosovë-Shqipëri.
Deklarata e dërguar sot nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës thekson se, kjo është një arritje e madhe për Kosovën, si në planin e brendshëm e gjithashtu edhe në atë të përmbushjes së sovranitetit shtetëror të Republikës së Kosovës, në fushën e energjisë.
Themelimi dhe funksionalizimi i bllokut të mëvetshëm të kontrollit energjik Kosovë-Shqipëri, do të forcoj bashkëpunimin energjetik dhe ekonomik kombëtar, si dhe do të garantojë më shumë siguri të operimit dhe balancimit të të dy sistemeve elektro-energjetike.
Me këtë rast, Kosova dhe Shqipëria, do të kenë mundësi që t`i shkëmbejnë rezervat në kuadër të dy tregjeve energjetike dhe të ofrojnë më shumë energji për qytetarët dhe bizneset e të dyja vendeve.
Presim që ky bashkëpunim të avancohet tutje me themelimin e bursës së përbashkët të energjisë, në kuadër të së cilës do të mundësohet që edhe palët e tjera tregtare të bëhen pjesë e saj.
KOSOVA DHE SHQIPËRIA LIDHEN EDHE ME “AUTOSTRADË” ENERGJETIKE – HISTORIKU:
Në 28 Qershor 2016 është finalizuar “autostrada” energjetike, projekti më i rëndësishëm energjetik – Linja e interkoneksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë, e cila ka një gjatësi totale prej 241.1 km, nga të cilat 151.1 km shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 km në territorin e Kosovës, duke i hapur kështu rrugë tregut të përbashkët të energjisë.
Ceremonia e inaugurimit u zhvillua në kryeqytetin shqiptar – në Nënstacionin Tirana 2, me pjesëmrrjen e përfaqësuesve të Shqipërisë e Kosovës.
Projekti ka vlerën 75 milionë euro dhe u financua nga Qeveria Gjermane përmes bankës KfW nëpërmjet kredive të zhvillimit. Me linjën e interkoneksionit 400 kV, Shqipëria dhe Kosova do të mund të përfitojnë për shkak të kombinimit të burimeve të prodhimit të energjisë. Shqipëria e bazon prodhimin e energjisë në 95 për qind nga hidrocentralet, ndërsa Kosova nga termocentralet.
Në 17 Dhjetor 2015, në Kosovë u bë inaugurimi i Projektit “Rregullimi Sekondar Frekuencë-Fuqi Kosovë-Shqipëri” dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë. Inaugurimi u bë pasi në “autostradën” energjetike të Kosovës drejt Shqipërisë u bë edhe energjizimi testues i linjës së re interkonektive të tensionit të lartë 400 kV deri në kufi, e cila lidhë nënstacionet Kosova B dhe Tirana 2, duke kaluar nëpër territorin kosovar në zonat e 8 komunave – Obiliq, Vushtrri, Drenas, Malishevë, Rahovec, Gjakovë, Deçan e Junik dhe të mëse 45 fshatrave.
Në linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, në pjesën kosovare në fund të muajit Shtator 2015 u përfundua me ngritjen e të gjitha shtyllave elektrike. Ngritja e shtyllës së fundit elektrike – 239 u bë pranë kufirit në Qafë Morinë, ndërkohë që ishin shtruar mbi 50 km përçues elektrikë.
Në 21 Dhjetor të vitit 2013, në praninë e ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ministrit të atëhershëm të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli, dhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë në atë kohë, Peter Blomeyer, në hapësirat e Lidhjes Shqiptare në Prizren, në një ceremoni solemne, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri.
Në Forumin e Nivelit të Lartë me temën “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, i zhvilluar në Prishtinë në fillim të Marsit 2016, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës dhe mbështetur nga USAID-i, pjesëmarrësit u pajtuan se një komponentë shumë e rëndësishme për stabilitetin e furnizimit dhe operimit të sistemit është tregu i përbashkët i energjisë elektrike me Shqipërinë.
“Plotësimi i gjenerimit të energjisë elektrike të Shqipërisë – i bazuar kryesisht në hidro dhe i gjenerimit të Kosovës – i bazuar kryesisht në thëngjill, është konsideruar si alternativa më e lirë dhe e sigurt për furnizim të përbashkët të dyja vendeve, duke eliminuar kështu mungesën sezonale”, u theksua në përfundimet e Forumit të Nivelit të Lartë “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, në Prishtinë.
29 SHTATOR 2020 – FJALA E MINISTRIT TË EKONOMISË DHE AMBIENTIT, BLERIM KUÇI, PAS HYRJES NË FUQI TË MARRËVESHJES KOSTT DHE ENTSO:
Lajm i madh për Kosovën në energji!
Pas një angazhimi afatgjatë të rrjetit tonë të transmisionit KOSTT si dhe disa qeverive me radhë, sot hyri në fuqi marrëveshja e kyçjes KOSTT dhe ENTSO-E.
Kjo marrëveshje:
· E bën Kosovën palë të barabartë me rrjetet tjera të transmisionit në Evropë.
· Mundëson operimin si Zonë e përbashkët Rregulluese Kosovë-Shqipëri.
· Ndal padrejtësinë e vazhdueshme që nga paslufta, ku Serbia ka inkasuar të hyrat nga energjia tranzite që ka kaluar nëpër rrjetin e Kosovës, dhe
· PËRFUNDIMISHT kjo marrëveshje kornizon kufijtë energjetik të Kosovës.
Përtej entuziazmit dhe suksesit të jashtëzakonshëm, kjo marrëveshje prodhon edhe shumë obligime teknike të operimit, për të cilat KOSTT-i në vazhdimësi ka dëshmuar përgjegjësi dhe kapacitet të lartë të menaxhimit.
Kurse ne si Qeveri, jemi duke punuar fuqishëm për të shtyrë përpara opsionet mbi zgjidhjen e problemit të inkasimit në veri të vendit, si problem i trashëguar që nga paslufta.
Dua të falënderoj partnerët tanë ndërkombëtar, të cilët na mbështetën në vazhdimësi në këtë proces.
Shpresoj që kjo do të reflektohet edhe në zgjidhjen e problemeve energjetike në veri, sepse përtej çdo problemi politik që mbretëron në atë pjesë, kjo është çështje e sundimit të rendit dhe ligjit.
Çdo konsumatorë ka të drejtë të patjetërsueshme për qasje në furnizim dhe shërbime me energjie elektrike, dhe po ashtu çdo konsumatorë duhet të paguajë për furnizimin dhe shërbimet në mënyrë të barabartë në gjithë territorin e Kosovës.