Nga B.Kastrati/Partia Demokratike e cilësoi antikushtetues projektligjin e qeverisë për disa ndryshime në statusin e nëpunësit civil, që sjell shkatërrimin e administratës dhe konsensusit historik. Me anë të një deklarate për shtyp, deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, tha sot se “Kryeministri Rama shkeli Kushtetutën, përbuzi Gjykatën Kushtetuese dhe nuk hoqi dorë nga qëllimi i tij antikushtetues për të zhbërë me çdo kusht administratën publike dhe për ta mbushur atë me militantë socialistë”. Ai vlerësoi se “ky projektligj është antikonsensus, sepse jo vetëm është gatuar pa asnjë konsultim publik dhe pa opozitën, por ai po ndryshon tashmë edhe vetë ligjin, që u bë me konsensus një vit më parë. Me këtë akt, duke prishur një konsensus historik në të shkuarën, Kryeministri po i vë minat përsëri konsensusit politik për të ardhmen. Ky projektligj është antireformë”. Për PD-në, tha Bylykbashi, ky projektligj shkon kundër kërkesës së Komisionit Europian që reforma e miratuar në maj 2013 të zbatohet me shpejtësi. Në deklaratë thuhet gjithashtu se “Qeveria po mban peng hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë të paprecedente”. Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, tha dje në një konferencë shtypi, se ndryshimet që Qeveria ka propozuar në ligjin për Nëpunësin Civil janë konsultuar edhe me partnerët ndërkombëtarë, edhe është tentuar të diskutohen me opozitën në Shqipëri. Por, opozita e PD tenton të bllokojë e të mos dëgjojë, me shpresën se gjërat në Shqipëri do të ngecin, tha Harito. Ajo shprehu vendosmërinë për të ndërmarrë reformat e nevojshme, brenda kornizës ligjorë, në përputhje me standardet ndërkombëtare, në konsultim me partnerët e huaj, e për aq sa mundemi, në konsultim edhe me opozitën.