Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, (PDIU) reagoi sot lidhur me deklaratën e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke, Kostandinos Kutras, për zgjedhjen e kryetarit të PDIU, Shpëtim Idrizi, si zëvendëskryetar i Kuvendit të Shqipërisë.
Në një njoftim për shtyp të PDIU-së, theksohet se “votimi i kryetarit tonë, deputet prej disa legjislaturave në Kuvendin e Shqipërisë, në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë, Rregulloren e Kuvendit dhe një marrëveshje politike qeverisëse, është një akt i brendshëm sovran i institucioneve tona më të larta”.
“Na duket e çuditshme sesi një zyrtar i lartë i një shteti fqinj që ka probleme të mëdha, me pasoja të rënda për gjithë Europën, gjen kohën të komentojë aktet tona të brendshme, rutinë e veprimtarisë së parlamentit. Është fakt se shumica e re, me një shkallë shumë të lartë pavarësie në vendimmarrjen e vet, e ka bërë të qartë njëkohësisht se është në favor të marrëdhënieve miqësore me Greqinë, në respekt të parimeve të njohura të sovranitetit, mosndërhyrjes në punët e brendshme të njeri tjetrit, të sanksionuara mes të tjerave dhe në Traktatin e Miqësisë midis dy vendeve tona”, thuhet ne njoftim.
Sipas PDIU-së, edhe votimi i Idrizit është brenda kësaj fryme miqësie dhe bashkëpunimi me Greqinë, me fqinjët tanë, me gjithë aleatët tanë strategjikë.
Në lidhje me cilësimet politike, vijon njoftimi, ne do donim të thonim se programi i PDIU-së, pozicionimet e saj politike, nuk kanë kurrfarë «perceptimi irredentist, të lidhur direkt me të kaluarën e tmerrshme fashiste dhe naziste të Europës». “Përkufizime të tilla kanë në bazë një falsifikim historik, prej të cilit ne kujtonim se Greqia e sotme e qeverisur nga e majta, me histori të përbashkët lufte me partizanët tanë, do të ishte e çliruar. Po e ndihmojmë pak zyrtarin grek ta kuptojë këtë falsifikim”.
“Ne e refuzojmë plotësisht si të padenjë deklaratën e fundit të autoriteteve greke”, përfundon njoftimi.