
Nga Eugjen Merlika/
“Këtë vëllim me analiza, shkrime si edhe konsiderata, të gërshetuara edhe me kujtime në person të parë, ia kushtoj t’im Eti të ndjerë. Endjej detyrim moral ndaj Tij këtë përkushtim sepse, ndonëse Ai ia përkushtoi të gjithë jetën Atdheut të Tij, të cilin e deshi më shumë se edhe familjen e tij, përgjatë diktaturës u cilësua tradhëtar i vendit e vetëm tradhëtar.
Kur festoheshin përvjetorë të Gjimnazit të Shkodrës, televizioni shqiptar jepte fotografinë e trupit mësimor të këtij gjimnazi e cila kishte në qendër të saj një njollë me laps kopjativ me të cilën vërtet maskohej fytyra e themeluesit si dhe drejtorit të parë të këtij gjimnazi, Xhevat Korçës, por edhe kureshtja e shikuesit. Përjashtim bënte fotografia e çetës së Themistokli Gërmenjit, ku 17 vjeçarit Xhevat Korça nuk ia maskonin fytyrën sepse ,,,, nuk e dinin se qe Ai, e kështu çdo 28 Nëndor, ne familjarët e tij, e kishim një kënaqësi tek e shikomim në ekranin televiziv luftëtarin për pavarësi të cilin diktatura e mohonte duke e deformuar historinë siç vazhdohet edhe sot e kësaj dite!
Nga ana tjetër e ndjej detyrim ndaj Tij këtë përkushtim edhe për faktin se shumë ngjarje e rrethana të cilat i kujtoj përgjatë teksteve të shkrimeve, unë i di se janë pasojë e të qënit bir i Tij e kësisoj i kam përjetuar e Ai, që nga Amëshimi, do të më dënonte rëndë në qoftë se unë do t’i deformoja. Orientimi i Tij, busulla e Tij , ishte drejtësia, qoftë edhe në dëmin e Tij!
Prandaj edhe unë i kam hedhur në letër pikëpamjet e mia, kujtimet e mia si edhe konsideratat e mia, i prirur vazhdimisht nga orientimi se si do të më gjykonte im atë!
DËSHMIA E SINQERTË E MËRGIM KORҪËS
Nëse do të ketë ndonjëherë një bilanc të asaj çfarë duhet të ishte shkruar dhe asaj çfarë duhej të ishte fshirë nga letrat shqipe, në raport me Shqipërinë e pesëdhjetë viteve të komunizmit, ky libër do të mbetej. Kam dyshimin e madh se në asnjë vend të bllokut lindor, regjimi nuk ka patur fatin komod që ka patur në Shqipëri. Për komunizmin shqiptar u prodhuan mijra dhe miljona faqe të shkruara për të mbajtur atë në këmbë dhe thuajse asgjë për t’a ndriçuar errësirën e tij, pas rënies. Shqipëria është thuajse i vetmi vend që nuk ka dokumentuar aksidentin e saj më të madh historik.
Mërgim Korça, i ka skruar këto faqe, me shqetësimin e një qytetari të dorës së parë, për të lënë më bibliotekat tona, dëshmitë e tij. Duke patur fatin të jetë djali i Xhevat Korçës, ai ka mundësinë të sjellë nga afër kujtimin e tij dhe për figurat e anatemuara nga komunizmi dhe sidomos për gjenitë e letrave shqipe, klerikët e mëdhenj shqiptarë, katolikë, bektashianë apo myslimanë si edhe figura të tjera të politikës dhe shtetit shqiptar të viteve 40 – të. Libri i tij ndryshon nga një libër i zakonshëm kujtimesh edhe pse mbështetet kryesisht mbi kujtesën e tij kulturore, familjare dhe politike, Ai nuk merr përsipër gjithçka. Ai merr përsipër vetëm diçka, që e ka njohur dhe e ka përjetuarpersonalisht dhe familjarisht, Për kërë arsye në këtë libër gjen shkrime që thyejnë tabu për rolin pozitiv të qeverive shqiptare gjatë luftës së Dytë botërore, ashtu si gjen fakte tronditëse për fatin e dia emrave të mëdhenj të historisë shqiptare. Me të njëjtën qetësi për ta vizatuar me ngjyra dëshminë e tij, gjen zhgënjime për miq të indoktrinuar nga komunizmi, ashtu siç gjen vlerësime reale për ish komunistë që e patën mundur që gjatë komunizmit dogmën në raport me shoqërinë. Në këtë aspekt shkrimet e Mërgim Korçës, nuk janë një përpjekje e sforcuar për të paraqitur komunizmin ashtu siç duhet paraqitur, por një përpjekje për të paraqitur atë ashtu siç ishte, me të gjitha nuancat e tij. Dhe këto faqe të bindin për antivlerat e regjimit, më shumë se filmat bardhë e zi apo kujtimet e ngjyrosura, që po e trajtojnë komunizmin si një telenovelë nostalgjikësh.
Mero Baze
Mërgim Korça
Mërgim Xhevat Korça është inxhiinier mekanik. Ka projektuar dhe zbatuar sisteme origjinale makinerish bujqësore disa dhe unikale në llojin e tyre, Ka mbrojtur studime edhe në fushën e motorëve. Si rezultat është i laureuar me titullin më të lartë në fushën shkencore;”Punonjës i shquar i Shkencës dhe Teknikës”. Krahas shkencës Mërgimi, i ndikuar nga i ati, ka patur gjithë jetën pasion gjuhën dhe letërsinë. Për pesëdhjetë vite nuk shkroi asnjë rrjesht në kushtet e diktaturës që sundonte në Shqipëri. Mbas rënies së regjimit komunist, emigroi në Sh.B. A,, ku banon edhe sot. Ai u është përkushtuar analizave me karakter historik, duke patur si synim të hedhë dritë mbi të vërteta historike që u shtrembëruan nga ideologjia komuniste, e cila ndërhynte në çdo qelizë të shkencave shoqërore.
Ndër studimet e tij më të rëndësishme janë analizat që u bën personaliteteve madhore intelektuale, fetare si edhe patriote të nëpërkëmbura dhe të përbaltura nga ideologët si edhe kalemxhinjtë e diktaturës komuniste. Vlen të veçohen shkrimet rreth Patër Gjergj Fishtës, hirësisë së tij Baba Rexhepit, Patër Anton Harapit, Peshkopit Iriné Banushit, Hirësisë së tij Imam Vehbi Ismailit, etj. Ka bërë edhe analiza për ngjarje historike si p.sh. Kryengritja e Malësisë së Madhe e dimrit 1945. Cjithashtu ka edhe shumë shkrime edhe intervista për martirë të Kombit, pa lënë më një anë edhe gjykime të drejt peshuara dhe objektive edhe për kriminelë që dëndur e më dëndur po vazhdojnë e paraqiten si “heronj”.
Shkrimet e tij karakterizohen nga dy veçori: së pari nga themelet e shëndosha dhe vërtetësitë e fakteve të qëmtuara që ai paraqit. Nga ana tjetër e shquan paanësia e studjuesit i cili mundohet hap mbas hapi shtegun, përgjatë të cilit e udhëheq lexuesin, t’a shmangë nga mllefet si edhe paragjykimet të cilat, si trashëgimi e diktaturës, e kanë shpërfytyruar historinë e shkruar deri më sot. Në ShBA ka arritur të bëjë pjesë në trupin pedagogjik të Wayne State University.