Në festën e 75 viteve, Pëllumb Kulla lexon fjalimin e 90 vjetorit/
10 janar 2015 SAN MARINO – SOHO, New York,NY/ nga Dalip Greca/
Manhattan, NY- Ditëlindja e 75-të e Pëllumb Kullës është konceptuar si një festë më shumë se familjare,me pjesmarrje të artistëve dhe gazetarëve, ku surpriza apo sekreti nuk i kanë rezistuar dot deri fund tundimit të vetë Pëllumbit, por edhe organizatores. Edhe pse ftesat e miqëve janë bërë telefonike, fshehurazi Pëllumbit, duke i “vjedhur” atij numrat e telefonave, duket se ka qenë aktori Zef Mosi, ai që e zbuloi, (gjë që vetë Pëllumbi e kundërshtoi seriozisht). Në pritje të ardhjes së vonuar të Pëllumbit në San Marino restorant, thashethmnaja lakoi për nxjerrje sekreti edhe emrat e Gazmir Shtinos, Gëzim Gjyrezit, Gavrosh Levonjës, Bujar Verzivollit, Valentin Veizit, por asgjë nuk u vërtetua. Madje, nuk u vërtetua as hipoteza se sekreti doli nga familja,-Xhuli e lau veten duke thënë se ende nuk e dinte se ditëlindja e kujt po festohej, ndërsa për Erën, të bijën e artistëve, doli garant Flladi. Ditbardhi duke qenë se filmonte, nuk u përzie në debate.
Po ç’rëndësi ka se kush e nxori sekretin?! Surprizat nuk munguan. Festa e 75 vjetorit të regjisorit, shkrimtarit, publicistit Pëllumb Kulla, u organizuar me 10 janar 2015 në restorantin San Marino me pronar shqiptarin Sammy Gashi. Restoranti ndodhet në pjesën e poshtme të Manhattanit, zonë shumë e preferuar, veçanërisht nga artistët.
KRONIKË E EKRANIZUAR
Për të ruajtur ”sekretin” Pëllumbi erdhi i fundit në festën e ditëlindjes së tij të 75-të, por për pak mbeti pa karrige… Era, e bija, organizatorja, që formalisht tentoi ta ruante sekretin edhe pasi festa filloi, gëlltit vërejtejet e pazëshme të të atit. Por shumë shpejt e bija do të fitonte duartrokitje e të pranishmëve, madje edhe buzëqeshjen e Pëllumbit dhe duartrokitjet e Xhulit, tek do të shfaqte një video-foto montazh, që shpalosi me humor jetën 75 vjeçare të babait të saj. Fotografitë dhe filmimet nisin që nga 10 Janari i vititit të lindjes(1940), kur Pëllumbi erdhi në këtë botë pa dashjen e tij dhe me të qarat e parreshtura trembi Zemblakun. Edhe pse ishte kohë lufte, të qarat e Pëllumbit shurdhuan krismat e luftës. Me tekst dhe pamje plot humor, shfaqen fotografi që nga fëmijëria e Pëllumbit, ku përkrah parakalojnë edhe portrete të njerëzve të famshëm, që kanë lindur po me 10 Janar 1940, më pas fotografitë shpalosin kronikën e Pëllumbit,- fëmijë i praptë, shkollar i devotshëm, punëtor nga halli,- Gjyshi i pushkatuar nuk e lejoi të kalonte pengesën për në Akademinë e Arteve në vitin 1959, por një vit më pas ai arrin të kualifikohet, edhe pse gjyshi mbeti prapë i pushkatuar, pas akademisë- regjisor në estradën e Vlorës, por shfaqet sërish hija e gjyshit të pushkatuar, që nga dashuria e madhe që ka për nipin, nuk e lë rehat që nga varri, dhe e shtyn në “braktisjen” e skenës, për “ degdisjen” në guroren e Shashicës; pasi u kalit në gjirin e klasës punëtore emrohet në estradën e Fierit, ku shkëlqeu për 18 vite, duke u bërë Kulla i humorit shqiptar. Në vitin 1990 ai do të linte Fierin për të shkuar pedagog në Akademinë e Arteve, ku mezi e patën pranuar, për t’u bërë edhe Dekan, ndërsa dy vite më pas nisi rrugën e diplomatit; më 1992 Sekretar për Kulturën dhe Shtypin në Ambasadën e Shqipërisë në Bonn, Gjermani dhe një vit më pas Ambasador në Misionin Shqiptar pranë OKB, në Nju Jork (1993-1997).
Rruga e jetës shoqërohet me fotografi, filmime, intervista me humor, batuta, që të shkulin së qeshuri… Duket se grupi që ka punuar për paraqitjen e rrugëtimit të Pëllumbit, ka qenë mjaft i impenjuar dhe ka punuar kolektivisht; ata kanë gjetur mundësi që të intervistojnë edhe amerikanë, që flasin për shkrimtarin e publicistin Kulla, madje edhe pakistanezo-amerikanët, paskëshin dëgjuar për madhështinë e penës së Pëllumbit! Jo vetëm kaq, por për ditëlindjen e tij paskej dëgjuar edhe Kryeministri rus Putin, edhe presidenti amerikan Obama (që këndoi për Pëllumbin “Happy Birthday To You”, edhe udhëheqësi i Koresë së veriut Kim Jong Un, ky i fundit dërgoi mesazh special).
HUMOR MJESHTROR NGA AKTORË E AMATORË
Festimi i ditëlindjes të regjisorit dhe shkrimtarit më kulmor të humorit dhe satirës nuk mund të konceptohet pa humor. San Marino kthehet kështu në një skenë të improvizuar ku aktorë dhe jo aktorë, ish profesionistë dhe amatorë, kanë krijuar një situatë të ngarkuar me humor. Krahas Xhuli Kullës, Zef Mosit, Pranvera Veizit, konkurojnë Alba Bungo, Vili , Era e Flladi Kulla. Eksperimenti është i sukseshëm. Të qeshurat shoqërojnë çdo batutë. Alba Bungo duket se ka marrë përsipër të zëvendësojë mungesën e të atit, Lekës, (që ka shkuar në Shqipëri të këshillojë Kryeministrat dhe Pëllumbi betohet se të gjithë ata që marrin këshilla nga Leka kanë fund të palavdishëm). Leka u ka dhënë nerv e të qeshura përvjetorëve të tjerë të shokut të tij, veçanërisht atij të 70-vjetorit, edhe pse Pëllumbi në shtyp e paditi për shpifje Lekën… Humori nga jeta e përditshme interpretohet bukur dhe të qeshurat nuk kanë të pushuar. Zef Mosi me Pranvera Veizin duartrokiten gjatë. Vili duket se i ka shkuar kot talenti, Flladi është i lirshëm dhe i sigurtë, Alba, po ashtu. Tekstet plot humor duket se aktorët i kanë zgjedhur pa ndihmën e autorit të njohur të cilit po i festojnë ditlindjen, si për t’I thënë “estradat e Shqipërisë ta kanë nevojën, por jo ne!”
Thumbat dhe satira kanë mbetë për në fund. Era ka menduar një lloj “hakmarrje” ndaj të atit që nuk ia ruajti sekretin e kësaj feste. Ajo e sulmon Pëllumbin me komentet nga gazetat e Tiranës, që nuk i lënë gjë pa i thënë,për shkrimet që boton, duke gjuajtë herë me të majtën e herë me të djathtën. Kur gjuan të djathtën, shahet se shpërdoroi shpërblimin si ambasador, kur shan të majtën, i kujtojnë se ka ngrënë edhe në kohë të Enverit dhe e ka bërë për të qeshur atë….Nuk ka nevojë që të sajojë, Era i ka marrë batutat të gatshme nga gazetat online, komente te lexuesve militantë. Pëllumbi vetëm qesh…
PËLLUMBI NGATËRRON FJALIMET, LEXON ATË TË 90 VJETORIT
Qershia mbi tortën e ditëlindjes së 75-të ishte vetë fjalimi i Pëllumbit. Duke qenë se ai nuk ishte dakord me këtë darkë festive,tha se nuk ishte parapërgatitur. Ai jep sqarime për të ftuarit se kur ishin mbledhë si familje e kishin lënë se festa nuk do të bëhej.Ky ishte vendim i formës së prerë. Por fëmijët dhe zonja kishin marrë përsipër të aplikonin stilin surprizë. Ai betohet se e ka marrë vesh lajmin vetëm një ditë më parë.Të gjithë e besuan.
Pëllumbi rrëfehet: “Nga një anë u bë mirë që e mora vesh (edhe pse me vonesë), nga ana tjetër jam lodhur duke bërë prova se si të befasohem. Se unë jam aktor i keq dhe m’u desh të hap sytë, të bëj sikur hutohem, sikur emocionohem që të mos ua prishja qejfin fëmijëve. Po, siç e patë, e luajta keq. Unë prandaj u bëra regjisor se jam aktor i dobët. (Në fakt këtë e ka thënë Leka Bungo). Të gjithë aktorët që nuk bëjnë hajër, bëhen regjisora dhe çuditërisht, sa më aktor i keq të jesh, aq regjisor më i mirë bëhesh. Nga ne, hiqjani rolin e Sali Protopapës, aktori më i keq ka qënë Piro Mani. Ju e keni parë se çfarë regjisori ka dalë ai! Zeusi i regjisorëve!… Belaja më e madhe pas dështimit në provat për habinë e surprises,” vazhdon jubilari, “është se nuk pata kohë të bëja një fjalim për falenderim, për ju që do të më vinit, një fjalim përmbledhës për jetën time. Se nuk kisha një për 75 vjetorin. Nuk e mendoja se do t’i lodh duke i mbledhur miqtë njëherë në pesë vjet. Ama, si sistematik që jam, kisha përgatitur fjalimet për 80 vjetorin deri 100 vjetorin.… Mos habitet njeri se tërë jetën më kanë uruar u bëfsh 100 dhe unë nuk ua prish miqve. Aq më tepër që “u bëfsh 100” më kanë uruar dikur, kur ishim tonët edhe dy Presidentë republike! Dhe urimi i komandantëve nuk është urim, por urdhërim. Kështu gërmova për fjalimet, por i kemi bërë valixhet rrëmujë se përgatitemi për trasferim në Florida dhe nuk e dija ku m’i pat vënë Xhuli. Gjeta vetëm njërin nga ata, dhe atë do t’ju lexoj. Atë të 80 vjetorit!… Jo, qënka i 90 vjetorit! Nuk ndryshon gjë, se edhe atëherë të ftuar po ju, do të jeni. Sinqerisht nuk pata kohë për një fjalim sonte!”
Dhe ai nis të lexojë fjalimin që ka përgatitë për vitin 2030:
“Të dashur miq!
Viti 2030 na ka hapur udhën dhe ja ju prapë u lodhët …(Ëh?! Duhet të jetë “u mblodhët”) të festojmë ditlindjen time. Ju faleminderit! Ja vitet kalojnë sa hap e mbyll sytë. Unë vërtet jam rënduar pak, por do pajtohem me gjendjen. Nuk do të jem më ai llastari i hollë, elegant siç isha kur isha 75 vjeç. Aha, ai trup më del në ëndërr por nuk e arrij ta kem më! Por edhe në këtë moshë kam plot me se të gëzohem…”
Fjalimi më pas bëhet konkret në emra. Pëllumbi parashikon të ardhmen e familjarëve dhe miqëve të vet që ka sonte në festë se si do të jenë ata në 90 vjetorin e Pëllumbit. Prashikon suksesin e nipit dhe të mbeskave, por humori i shkon së shoqes, Xhulit….” Ime shoqe edhe në këtë moshë të avancuar 84 vjeçare,dha provat e mori më në fund patentën e automobilit. (Pëllumbi nuk do të jetë më i punësuar si shofer i saj). Pas një trainingu 40 vjeçar. Po e mori patentën atë ditë që na mbaroi leesa dhe dorëzuam makinën. Edhe nuk e rinovojmë dot se … se ashtu e kemi punën! Xhuli thotë “ta kishim edhe ca ditë vetëm ta parkonja njëherë, se ëndërr e kisha dhe në kurs isha më e mira në parkim paralel….”
Më pas, Pëllumbi, i drejtohet një miku të vet ish të përndjekur: Zija Lepenica dje (në 2030-tën) na gostiti në Arthur Avenue se sapo mori këstin e dytë për vitet e burgut dhe flitet që kryeministri I maxhorances aktuale të 2030 Ilir Meta do të japë brenda këtyre pesë vjetve që vijnë, këstin e tretë”…. Dhe humori vazhdon; ai sheh në 90 vjetor Gavrosh Levonjën, që në 2030-tën kuron gazetën më të madhe shqiptare online dhe vetë sapo mbaroi librin me kujtimet nga turnetë e kombëtares së basketbollit. Ai e pati të lehtë se kujtimet ia plotësonin kolegët e tij basketbollistë të emigruar në Amerikë, Kujtim Kasmi, Lulzim Tela e të tjerë. “Siç e vutë re,” thotë Kulla, “gjatë tranzicionit, kategoria më e suksesëshme e shqiptarëve, ishin basketbollistët shtatlartë. Ata bile arritën që njërin prej tyre për nja dy vjet ta nxjerrin deri kryeministër”…
Në fjalimin e Pëllumbit parakalojnë me nota humori miqtë e shokët… Ai i sheh ata me sytë e 2030-tës: “Gazmir Shtino e ka shtuar humorin. Vazhdon u tregon barzeleta pensionistëve amerikanë dhe ata shkulen së qeshuri. Ia kam zili Gazit e nuk ia kuptoj sekretin: gjen barzeleta shumë të bukura, apo amerikanët gajasen se ai ua tregon në anglisht?”…
Të qeshurat dhe duartrokitjet nuk rreshtën gjatë gjithë darkës…. (Fotografite i shihni ne facebook)
EMIGRANTI USA. says
Zoti Pellumb, bashke me urimin te behesh edhe 100 vjet, gjithnje me xhulin dore perdore. Te roni e te gezoni si cift vajzat tuaja, te cilat shpresojme te jene shkolluara dhe te fejuara apo te martuara. I dahur Pellump, duke te uruar shendet dhe jete te gjate, dshirojme tju shohim po aq aktiv, jo vetem ne krimtarin artistike, ne te cilen ke shkeqyer, pore edhe si analist, publicist per shume probleme te shoqeris shqiptare, ketu ne Amerike e sidomos ne atdheun tone te dashur, ku here pas here jepni intervista mbreslenese, realiste, duke qene analist, kritik, ndaj dukurive negative qe pengojne prosperitetin e vendit tone. Edhe nje here URIME, SHENDET DHE JETE TE GJATE, PERSONALISHT DHE FAMILJARISHT, SI GJITHNJE KRIJUS I PASHTERSHEM I NDERUAR DHE RESPEKTUAR. Persona si ju jane nder i kombit per gjithe shqipataret kudo qe jane, sidomos ne qe jemi ne SHBA, krenohemi me jeten e vepren tuaj.
Sadik Elshani says
Gezuar, shendet, gezime, lumturi!
Ruzhdi says
Bukur shume, por te mos harroje Z Pellumb se ne vitin 2030 Shqiperia do t’ia kete kaluar Amerikes dhe shume prej shokeve te tij prezent do ta ftojne edhe humoristin e madh ne Shqiperi?
Z. Greca a nuk tha gje Pellumbi per marrshimin e madh ne France?!! Hahaha
Jorgji Davidi says
Edhe 100 vite te tjere Pellumb Kulles! Te gjithe sebashku, ju shqiptaret qe jetoni ne Amerike, paci gezime, harmoni e miresi mes njeri-tjetrit! Ishalla keshtu u befte i gjithe kombi shqiptar, anembane botes, kudo qe jeton!