ASLLAN BUSHATI/
Viti 1990 kishte shumë ngjarje (të njohura tashë për publikun), të cilat bënë që “kazani” në Shqipëri të ishte në valim e sipër.Të marra së bashku ato, kishin ndikuar thellë në mjedisin e brendëshëm ushtarak të Shqiperisë ndoshta pak më shumë se tek qytetarët e tjerë. Këto e shumë të tjera formësuan në ndërgjegjen dhe mentalitetin e drejtuesve kryesor të ushtrisë dhe të ushtarakëve të rangjeve më të ulta, një lloje dyzimi mbi problemet madhore që kishin përpara. Ushtarakët, përvec familjes kishin parësore edhe detyrën (atëdheun) dhe patriotizmin. Por disa patriotizmin e shihnin të lidhur vetëm me detyrën ushtarake dhe familjen dhe disa të tjerë e shihnin atë të lidhur edhe me komunizmin që ishte në rrukullim për poshtë. Fryma e kolektivitetit dhe e veprimtarisë së përbashkët vecanërisht në Ministrinë e Mbrojtjes ,kishte filluar të plasaritej. Epitete me sens negative kundër njeri tjetrit, eproreve e vartësve pëshpëriteshin nën buzë jo rrallë. Në atë kohë unë mbaja postin e Zëvëndës Drejtorit të Kimisë. Kujtoj këtu një rast me një kolegun tim në fillim të shtatorit te 1990-tës, të cilin e pyeta se si mendon përse Komandanti i Përgjithshem po pyet vetëm intelektuale civilë për pluralizim dhe jo edhe ato ushtarakë ? Ai shkurt më kundër pyeti:”Po ti vërtet mendon se pluralizmi politik do të vijë edhe në Shqipëri?” I thashë se jam krejt i sigurtë se do të ta gezojmë para vitit te ri 1991. Ai me tha”Kurrë s’ka për të ardhur. Tradhëtarë”.E thashë këtë dialog të shkurtër me kolegun tim, jo per ta lënduar atë sot pas 32 vitesh, por vetëm si ilustrim të mjedisit të brendëshëm.Këto e shumë e shumë të tjera tregonin qarte se kazanin ushtark ishte ne valim para 20 dhe 21 shkurtit te 1991-shit. Ai priste vetem pretekst te cfrynte pjese nga nxehtesia e brendshme.
Rrezimin me 20 shkurt të munomentit të diktatori, në MM, shumë vetë e pritën si një gjëmë të madhe që i ndodhi kombit shqiptar, si një pabesi, poshtrim e dhunim i historisë dhe vlerave kombëtare. Disa të tjerë (përfshi edhe mu), si liri, clirim nga diktatura dhe hijet e saj, si hapsirë e re për një të ardhme më të mirë. Kjo ishte pra tablloja dyplanëshe me pak fjalë në sferat e larta të ushtrisë. Përballë njeri tjetrit, të gjithë të armatosur, të inatosur e nën trysninë e peshës së ngjarjeve shumë të vrullëshme të asaj kohe .
Në këtë klimë në mesditën e 21 shkurtit, në MM, nën drejtimin e ish ministrit Kico Mustaqi, u mblodhën kuadrot kryesore të aparatit Ministriesë dhe të Shtabit Pergjithshem. U lexuan disa komunikata operative për situatën poshtë në njësi e reparte dhe pastaj u hap debati se c’po ndodh me situatën politiko-ushtarake në tërësi. Pati arsyetime se situata është e rëndë dhe se ushtria duhet të luaj një rol parësor. Të tjerë pyesnin pse s’u mbrojt munomenti i Enver Hoxhës? Ose thjeshtë kush e tradhetoi Enver Hoxhën? Tradhëtarët të arrestohen dhe të pushkatohen po të jetë nevoja, thërrisnin disa gjysëm hapur e gjysëm kokë ulur. I ndodhur përballë këtyre pyetjeve dhe shumë të tjera të kësaj natyre të cilat bëheshin me mllef, nga vendi me leje e pa leje, ministri Kico Mustaqi u vu në pozita të vështira. Në këtë moment u kërku të lexohej deklarata e shkollave ushtarake që lajmeronte krijimin e “Komitetit Ushtarak për shpëtimin Kombëtar”, e cila i hodhi me shumë benzinë zjarrit , duke e bërë situatën shpërthyese. Kjo deklaratë kishte fragmente ultimative, ku ndër të tjera ishte ajo e marrjes së shtatores së Enver Hoxhës nga mjediset e shkollave ushtarake dhe montimi i saj në bazamentin e atij që u rrëzu. Duke mos parë rrugë dalje për këtë situatë dhe për të shkarkuar përgjegjësitë e tij, Kico Mustaqi tha se shpjegimet për të gjitha këto i kalojnë kuadrin e përgjegjësive të mija si ministër mbrojtje, prandaj qëndroni këtu sepse unë për 10-15 minuta do të sjellë para jush Komandantin e Përgjithshem që t’ju përgjigjet pyetjeve të shtruara. Edhe pas largimit të ministrit, thirrjet, bërtitjet, kërcenimet, batutat ofenduese, gjak nxehtësia, mllef deri në shperthim, vazhduan me zë të lartë disa prej të cilave i ndëgjoi edhe ish Presidenti Raniz Alia kur po ecte koridorit për të hyrë në sallën e mbledhjes i shoqëruar nga Kico Mustaqi.
Presidenti ishte i zbehtë në fytyrë sikur po vinte nga ndonje ceremoni varrimi. Ai tha se ministri Kico Mustaqi e kishte njohur me disa nga shqetësimet e të pranishmeve dhe si fillim tha se ishte shumë i tronditur nga “huliganizmi” në qendër të Tiranës me shtatoren e Enver Hoxhës nën hundët e policisë dhe strukturave të Ministrisë Brendëshme. Ai u betu e stërbetu se nuk e kishte tradhëtuar askush veprën dhe idealin e Enver Hoxhës. Dhe në vazhdim tha se e kishte shkarkuar nga detyra e Ministrit të Punëve të Brendëshem Hekuran Isain, pikërisht për të mbrojtur vepren e Enver Hoxhës e në postin e tij kam emruar –tha-Gramoz Rucin. Në këtë moment filloi të lotonte (aktronye) duke lënë të kuptonte se e ndiente thellë në shpirt ato që thoshte me fjalë. Kjo e bëri një farë efekti psikologjik mbi të pranishmit. Dhe në vazhdim shtjelloi idenë se armiku i jashtëm po vepron fort dhe i lidhur ngushtë me ate të brendëshem. Klasat e përmbysura duan të kethehen në fuqi, dhe ata nuk duan vetëm rrezimin tim nga pushteti, por dhe të gjithë sejcilit nga ju në këtë sallë. Prandaj mos u ligështoni se vetëm të bashkuar mund ta perballojmë situatën dhe të fitojmë. Kam pergatitur dhe dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtë zakonëshme (duke e drejtuar nga salla), por mendoj –tha ai-se ajo është masë ekstreme. Kam krijuar Këshillin Presidencial dhe do të krijojmë një qeveri të re me figura të reja për të përmiresuar situatën. Këto e disa sllogane të tjera parafabrikat alla komunistëshe e ulën tensionin pak,por të pranishmit duke parë se Alia kishte në plan të largonte nga detyra edhe Kico Mustaqin në mënyrë gati ultimative i thanë se s’guxon kush ta largojë atë nga detyra e ministrit të mbrojtjes. Atëhere ai la të kuptonte se do ta merrte parasyshë këtë propozim, por si kërkese tha që të përsosen elementet kryesor të gatishmërisë vecanërisht në Tiranë me njësi ushtarake të spesializuara.
Presidenti u largu, mbledhja u mbyll, por tensionet mbetën të larta. Ndërkohe filloi puna për afrimin e njësive sulmuese nga disa rrethe dhe dislokimi i tyre në pikat strategjike për rreth Tiranës. Po ashtu filloi përgatitja për cvendosjen e bustit te diktatorit nga shkollat ushtarake për në qendër të Tiranës. Për këtë me 22 shkurt u bë nje përgatitje e përbashkët e kuadrove te MM-së dhe asaj të brendëshme në poligonin e Shkollës Bashkuar në Lazaret pranë Shtish Tufines, nën drejtimin e Kico Mustaqit dhe Gramoz Rucit. Në këtë stërvitje të përbashkët nuk di se kush hodhi idenë që kur të vendoset shtatorja e diktatorit në shesh në qoftë se demostruesit tentojnë ti afrohen krahas të tjerave të perdoren edhe lende helmuese shqetësuese kloropikrinë. Për këtë u urdhëru Drejtori i Kimisë të përgatiste një sasi të domosdoshme për këtë veprimtari dhe kështu u bë ku u pergatiten 110 “granata” qelqi të mbushura me nga 200 mililitra kloropikrinë. Kundërshtova hapur se ky është një veprim i gabuar por askush nuk më dëgjoi. Duke ditur rrezikun që ato paraqisnin i kërkova takim urgjent Shefit të Shtabit Përgjithshem Halim Abazi. Ai ishte një ushtarak i zoti, i kulturuar, i matur në vendimet që merrte dhe një shtetarët serioz. Pasi dëgjoi shpiegimet dhe shqetësimet e mia, ai mori në telefon në prezencen time Presidentin Ramiz Alia. I bëri të ditur se shteti ynë nuk kishte ligj për përdorimin e lëndëve lotuese kundër demostruesve dhe aq më keq që kloropikrina është lëndë shqetesuese luftarake dhe nuk ka garanci përdorimi. Dikush mund ta përdorë ate në mjedise të mbyllura që mund të shkaktojë edhe vdekje. Alia u pajtu me sygjerimet tona dhe u shpeh prerë:”urdheroj që ky mjet të mos përdoret nga askush”.
Kur qytetarët e Tiranës moren vesh se shtatorja e diktatorit do të cvendosej nga shkollat ushtarake për në qendër të Tiranës, vunë barrikada në cdo 100 metra në Rrugën e Dibres per ta pamundësuar një gjë të tillë. Mijra vetë rrethuan shkollat ushtarake dhe hidhnin parrulla si: “poshte diktatori, rroftë demokracia, vetëm mbi trupat tona të vdekur mund të kalojë shtatorja e diktatorit” etj. Në të njejtën kohë demostruesit jashtë kontrollit filluan të qëllonin me gurë e sende të tjera të forta nga rruga për në thellësi të murit rrethues. Personeli i shkollave ushtarake i armatosur tërësish si në gjendje lufte pa autorizimin e Komandantit të Përgjithshem, filloi të hape zjarr mbi demostruesit. Kjo ishte pika më kulmore e dhimëshme sepse pati edhe të vrarë e të plagosur.
“ Komiteti Ushtarak” brenda shkollave ushtarake dhe në masmedia, filloi të deklaroje për mundesinë e vendosjes së gjendjes së shtet rrethimit në të gjithë vendin, dhe mundesinë e një qeverisje ushtarake. Këto e komplikuan akoma më shumë situatën sepse kishte formësuar elementet kryesore të një grushti shteti ushtarak. Por kunder kujt drejtohej ky grusht shteti shtrohej pyetja? E djathta ishte në opozitë dhe e pa formesuar akoma. Ramiz Alia ishte personi që Enver Hoxha i dorëzoi të gjitha pushtete para vdekjes. Sic kam marrë vesh më vonë nga i ndieri Azem Hajdari dhe Abdi Baleta, brenda ketij komiteti kishte paqartesi të shumta ideore e konceptuale se cfarë kërkonin e cfarë po bënin. Në veprimet e tyre shihej qartë një arrogancë e prepotencë e shfrenuar dhe munges llogjike deri në ekstrem. Edhe përpjekjet e disa negociatoreve të së djathtës kryesuar nga Neritan Ceka rezultuan të pa suksesëshme. Kështu qorrsokaku ku e futi veten ky komitet ushtarak me veprimet e vendimet që mori, (në një moment të vështirë për vendin) i la ushtrisë në dorë dopio gjashtën e pucit ushtarak, nje etiketim i pa merituar dhe i dënueshëm nga pikpamja kushtetuese e shoqërore. Zollumi do të kishte qenë akoma më i madh në qoftë se nuk do të ndërhynin në uljen e gjakrave e qetësimin e situates disa persanalitete te nderuar nga brenda shkollave ushtarake si ish eprorët e lartë Kostaq Karoli, Adem Copani etj. Ata ishin intelektuale me formim të qëndrueshëm, me përvoje në drejtim dhe vizionar të kulturës e mendimit ushtarak.
Atëherë si perfundim, cfarë ishte kjo marrëzi e formësuar si puc shteti ushtarak? Në gjykimin tim ishte një presion i krahut konservator komunisto-ekstremisto –enverist i Byrosë Politike te Partisë Punës ndaj Ramiz Alise, i zbritur me poshtë në MM dhe prej saj në shkollat ushtarake. Ata ndjeheshin të tradhëtuar nga veprimet e Ramiz Alisë dhe tërësisht të friksuar nga prognoza e së djathtës në formim. Ndjeheshin në një farë llahtari shpirtëror për krimet që kishin bërë gjatë rregjimit komunist dhe se ato mund t’ju këtheheshin si një ortek në stuhinë e kohës duke i lëshuar në fund të greminës politike e shoqërore.