Filip Guraziu/
” Çka asht gjuha e Nanës ?
Gjuha e Nanës asht dashni, kujtesë, shpresë.
Gjuha e Nanës asht dhimbje, emocion, poezi.
Gjuha e Nanës asht siguri, mbrojtje, krenari.
Gjuha e Nanës asht identitet
Për ne Gegët, gjuha e Nanës asht Gegnishtja.”
Harresa e gjuhës së nanës na privon prej faktorëve bashkëformues, të cilët shoqnojnë, plotësojnë dhe zbukurojnë botën shpirtnore dhe jetën emocionale të nji personi, familje, shoqnie dhe, në përgjithësi, të nji kombi. A i keni ba ndonjiherë pyetje vetes se çka jemi, kush jemi dhe cilët do të ishim pa gjuhën e nanës, pa Gegnishten ? A do të mundeshim na me shprehë ndjenjat, emocione dhe çdo gja tjetër që lidhet me botën shpirtnore të kësaj jete tokësore, tue harrue gjuhën e Nanës?
Ekziston nji praktikë gjuhësore që po zbatohet ende me “dhunë” në shoqninë shqipfolëse që prej kohës së Kongresit famëkeq politik ( i ashtuquejtuni gjuhësor) të vitit 1972: në punë , shkollë etj. përdoret gjuha e kongresit, kurse në jetën private vazhdohet me gegnishten.
Kjo praktikë ushqen DYZIMIN. Po, fatkeqësisht sot na jetojmë të dyzuem, jemi qenie të dyzueme ! Humanoidë me dy ftyra, me dy karaktere, me mungesë identiteti dhe personaliteti, me të kalueme mjegullnajë dhe të ardhme pa orjentim, mbasi “ai që nuk e din se prej kah vjen, nuk mund ta dijë as edhe ku shkon.”
Kjo praktikë, padyshim, demostron dëshminë rrënqethëse të transformimit të ndërgjegjës dhe të identitetit për 70% të shqiptarve ku flitet gegnisht. Dami kulturor dhe shpirtnor që i bani dhe po i ban shoqnisë shqipfolëse ai “kongres” asht vështirë të matet apo të llogaritet; Në radhë të parë ai vendim përçau tue nda në dy pjesë shqiptarët, mbasi nuk projektoi nji gjuhë zyrtare bashkuese për të dy kryedialektet e shqipes: Gegnishtes dhe Tosknishtes, por dënoi “për jetë” Gegnishten, tue eleminue prej përdorimit paskajoren, urën lidhëse të kulturës së lashtë shqipe me gjuhët europiane, si dhe reduktoi fjalorin e gjuhës shqipe, tue mos përfshi në te sinonimet që të ofron gegnishtja, për mos me kujtue të tjerat…
Pasojat e atij vendimi kanë sjellë nji situatë të vështirë në plotkuptimin e fjalës; të rijtë sot nuk mund të lexojnë ma P.Vasen, F. Shiroken, K.Kristoforidhin, At Gj.Fishtën, D.N.Mjedën, D. Anton Zanonin, D.N. Niken, At Sh. Gjeçovin, H.Mosin, L. Gurakuqin, E.Haxhiademin, P.J. Rroten, P. Anton Harapin, E.Koliqin, Migjenin, Z.Palin, M.Camën, A.Pipen, S.Rrepishtin, Gj.Shllakun, P.Gjeçin, G.Deden, P.B.Palaj, D.L. Shantojen, D.N. Zadeja, M.Toptanin, J.Bageriin, H.Sharofin, Haxhi I. Dalliun, M.Greblleshin, Imz. V.Prendushin, P. Donat Kurtin, Injac Zamputi, Kolë Ashta, Kolë Kamsin, Arshi Pipa, Q. Draçinin, H. Gjylbegun, P.Z.Pllumin, At K.Gjolajn, Imz.F.Illian, Imz. Z.Simonin, Pader Meshkallen, M. Krasniqin, A.Pashkun, H. Nelen, S. Rroten, E. Tedeschinin, Z Benussin, A. Bushatin, L.Shllakun, A. Shkanjetin, E. Pikolinin, Gj.Zezajn e shumë e shumë kolosë të tjerë të kulturës gege për arsyen e thjeshtë, sepse nuk i kuptojnë! A ka ma faqe të zezë se kjo? A nuk demostron kjo tendencën drejt tjetërsimit të ndërgjegjes dhe të identitetit së popullsisë shqiptare ?
Lexues të nderuem, dëshiroj të mirëkuptohem. Këto rreshta nuk duhen kuptue si veprim kundër tosknishtes që ka marrë sot vendin e gjuhës së “njësuar letrare” ose, si quhet shpesh , “të standardit”, mbasi për tosknishten si dhe për kontributin kulturor patriotik ‘ pro shqiptar ‘ të personaliteteve me origjinë prej tosknije, unë përkulem me respekt të thellë, por si tentativë pro shqiptarizmit që nëpërmjet ruejtjës së rrajve tona të herëshme e të përbashkëta, por që mbijetojnë te Gegnishtja, të krijojmë kushte reale për homogjenizimin kulturor gjuhësor me pasojë bashkimin shpirtnor dhe patriotik të popullit shqiptar.
Asht ” Klithma e Rozafës” që i detyron moralisht të tanë personalitetet e fushës gjuhësore, kudo që ata ndodhen, për me ndërmarrë veprimin e shumëpritun të rishikimit të vendimeve të Kongresit të vititi 1972.
Vëllazen e motra: Bashkimi shpirtnor i shqiptarëve asht pafundësisht ma i randësishëm për ” botën shqiptare” se sa egoizmi ideollogjik përçamës që na la trashigim diktatura e mallkueme.