
FALËNDERIM PUBLIK
Të dashur bashkëkombës, bij e bija të denja të kombit shqiptar!
Po e nisim një vit të bukur me arritje të mëdha, me shpresë dhe urime për një jetë edhe më të mirë — një jetë normale e të lumtur, me begati dhe harmoni mes nesh.
Pas fitores historike të Kryeministrit Albin Kurti me koalicionin Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Demokratike e Krishterë e Kosovës, kam marrë qindra urime në mënyra të ndryshme, së bashku me falënderime për kontributin tim në këtë fitore.
Meqë nuk kam mundësi t’i përgjigjem secilit veç e veç, përmes këtij njoftimi në rrjetet sociale dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve nga zemra për urimet tuaja të sinqerta, të cilat po më vijnë nga të gjitha trojet shqiptare, nga individë të të gjitha partive politike, të njohur dhe të panjohur.
Kjo ma ngroh zemrën dhe më bën të besoj se shumë prej jush e kanë kuptuar drejt angazhimin tim të sinqertë, pa asnjë interes personal, vetëm në interes të shtetit të Kosovës dhe të kombit shqiptar.
Një përjetim i veçantë për mua ishte vizita në zyrën time e motrës shqiptare nga Peja, znj. Servete Haxhiajdini, e cila më dhuroi një buqetë me lule si shenjë mirënjohjeje për kontributin tim kombëtar.
Kur një motër dhe nënë shqiptare bën një përpjekje të tillë për të shprehur respekt, është një nder dhe krenari e paimagjinueshme dhe e pakufishme. Nuk ka asgjë më të madhe.
Faleminderit, e nderuara znj. Servete; faleminderit, përkrahës të mi!
Në mënyrë të veçantë dëshiroj të falënderoj mediat e respektuara Bota Sot, Gazeta Dielli, Illyria, Gazeta e Alpeve, Voal.ch (Voice of Albanians), Plava dhe Gucia, televizionin e komunitetit në Michigan, Albanian TV of America, si the Facebook dhe X për mundësinë që më kanë dhënë të shpreh vazhdimisht pikëpamjet e mia.
Ju ftoj të gjithëve që, secili në mënyrën e vet dhe me mundësitë që kemi, të vazhdojmë ta ndihmojmë kombin tonë të lavdishëm dhe vendet tona të origjinës, si dhe të forcojmë miqësinë me mikun tonë të pazëvendësueshëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Borxhi ndaj kombit nuk shlyhet kurrë plotësisht.
Zoti e bekoftë kombin shqiptar dhe kombin amerikan!
Gëzuar Vitin e Ri 2026 të gjithëve!
Me respekt të veçantë,
Agim Aliçkaj
Drejtor Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane
New York, 31 dhjetor 2025