![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2022/10/musa-380x233-1.jpg)
Paragjykimet dhe arbitrarja mbi të huajt. Shembuj mbi popullatat e Adriatikut lindor
“Mos i kritikoni të tjerët që të mos ju kritikojë Zoti, sepse kritika juaj do t’ju kthehet dhe ju do të mateni me të njëjtën masë që ju i matni të tjerët.”- Pasi që për të ekzistuar secili identifikohet në raport me tjetrin, fqinjët janë shënjestra e parë, të cilën kombet mundohen ta karakterizojnë sipas nevojës së tyre vetanake për ta treguar veten.
Prof. Dr. Musa Ahmeti
Center for Albanian Studies – Budapest
Një konsultim i thjeshtë me fjalorin, për termin “i huaj” tregon sa është i larmishëm, kompleks dhe shumëformësh perceptimi i “tjetrit”. Ky term mund t’i emërojë kombet ndërmjet tyre apo ato që nuk i përkasin grupit të cilit i referohet, njëkohësisht i huaji mund të emërojë një alter të njohur apo përkundrazi të panjohur. Pasi që për të ekzistuar secili identifikohet në raport me tjetrin, fqinjët janë shënjestra e parë, të cilën kombet mundohen ta karakterizojnë sipas nevojës së tyre vetanake për ta treguar veten. Kështu, historianët romakë kanë lavdëruar vlerën e disa armiqve të tyre për ta forcuar më mirë imazhin e vet si ngadhënjimtarë. Në kohët tona, një pjesë e madhe e barcoletave popullore thuren kinse mbi “karakteristikat” e kombit fqinj, barcoleta që shpesh nuk janë në favor të tyre. Për shembull, për të treguar individë jo të shkathtë dhe pak inteligjentë, francezët tregojnë barcoleta mbi belgët, kroatët mbi boshnjakët, shqiptarët e Shqipërisë e të Kosovës për njëri-tjetrin, etj, dhe reciprokisht boshnjakë e malazezët, dy kombe qëtregohen si përtacë. Grekët thuhet se janë homofilë, dhe skocezët njihen për kopracinë e tyre. Përveç barcoletave të buta mbi këta të huaj-fqinjë, raportet me fjalë me tendencë përçmuese pa të keqe, lindin për shembull sipas zakoneve të kuzhinës, kështu që anglezet i thërrasin francezët “frogs” dhe reciprokisht francezët i quajnë anglezët “rosbeef”.
Përceptimi i tjetrit, i të huajit, sjell kështu gjatë gjeneratave një numër të mirë stereotipash. Vetë termet “i çuditshëm” dhe “i huaj” na vijnë nga Mesjeta (shek XII dhe XIV, nga latinishtja extraneus.) Me afirmimin e gjuhëve të vendit, dhe popullarizimin e të të shkruarit, ky term vjen pas termit latin i cili përdorej në të gjitha tekstet zyrtare të Mesdheut verior, forenses (italianët kanë termin straniere nga extraneus, kurse anglezët, kanë mbajtur një formë të përafërt, foreigner). Koncepti i shtetit-komb ishte i panjohur gjatë periudhës mesjetare dhe, vetëm përkatësia një mjedisit kulturor, fetar apo gjeografik mundësonte dallimin e kombeve në mes vete. Qoftë për Statutet e qyteteve dalmate dhe shqiptare, qoftë për komunat italiane, i huaji, forestiero, është ai i cili “vjen nga jashtë”, ai i cili nuk vjen nga bashkitë dhe nga rrethi i tij, kështu që, në pikëpamje juridike, nuk i gëzon të drejtat qytetare. Për këtë arsye, dëshirojmë të kthehemi mbrapa në kohë duke shikuar disa dëshmi lidhur me ata që i përkasin një bote tjetër dhe mbi formimin e ideve në Mesjetë, së pari në pellgun mesdhetar në përgjithësi, dhe pastaj, nëpërmjet disa përshkrimeve të popullatave prezente, në bregun adriatik lindor.
Popullata mesjetare ka qenë shumë mobile. Nisjet për kryqëzata, delegacionet diplomatike dhe kishtare, aksionet ushtarake, udhëtimet e miqve të zanatit dhe të afaristëve kanë qenë raste të shumta për t’ia rrëfyer aventurat e veta të huajit, për të përpiluar raporte për mbretin e tyre, për të kaluar net të gjalla rreth vatrës. Njëri nga shembujt më të njohur të rrëfimeve të udhëtimit është “Libri i mrekullive” i Marko Polos. Sipas historianit Henri Bodet, relacionin me tjetrin evropianët e kanë krijuar sipas dy skemave. E para përmban afrimin e tjetrit, politik, ushtarak dhe socioekonomik. Raporti i dytë dominohet nga një gjendje shpirtërore që bashkon imagjinatën, vëzhgimin dhe përvojën. Ky raport krijon një realitet mitik. Në Mesjetë, dy elemente janë të rëndësishme për të kuptuar gjendjen shpirtërore mesdhetare perëndimore. Në njërën anë, ajo bazohet mbi një mit parahistorik të “fisnikut të egër” duke i akorduar presupozimet pozitive “primitive”, ai shquhet nga shpirtmirësia kristiane, gjë që e shtyn ta ketë një shikim pozitiv vis-a-vis tjetrit. Kështu, kur në shekullin VIII, Spanja visigote pushtohet nga arabët, kronistët e parë të krishterë shpjegojnë pushtimin si një dënim të Zotit për mëkatet e e të krishterëve, siç janë mendjemadhësia, herezia, epshi, etj. Ata do të shprehin interesimin ndaj arabëve dhe islamit vetëm atëherë kur të binden se pushtimi nuk është një epifenomen, por që muslimanët në gadishullin iberik po vendoseshin për një kohë të gjatë. Për shkak të nevojës, teologët e krishterë duan të njohin Kuranin dhe doktrinën e Muhametit për ta drejtuar më mirë një polemikë me kolegët muslimanë dhe për ta mbrojtur kristianizmin. Imazhi i tjetrit është bërë kështu edhe më kompleks për shkak të nevojës mbrojtëse. Edhe e kundërta është e vërtetë. Gjatë luftës së vitit 1571 në mes të Venedikut dhe Portës së Lartë, Giovanni Battista Giustiniano tregon një pjesë të ngjarjeve në Ditarin e tij. Kështu, dy murgj zihen peng afër Zarës nga ushtria otomane. Njëri nga murgjit, Franizzo, tregon ”legjendën e shenjtorëve të tyre dhe Turqit dëgjojnë, të mahnitur. Njëri nga ta, i cili është ipeshkvi i tyre thotë që Mesia ishte miku i Profetit Muhamet dhe që Muhametit ia donte të mirën.”
Libri i Amin Malufit, Kryqëzatat nga vështrimi i arabëve, mundëson kuptimin më të mirë të perceptimit të kristianëve nga bota arabe gjatë një periudhe gjithashtu konfliktuoze. Kuptojmë, në mes të tjerash, se termi “të huajt” në botën e Lindjes së Afërt, përfshin para së gjithash jobesimtarët, bile më shumë dallimin në mes të kombeve. Gjithashtu besimtarët, myslimanët flasin për humbjet ushtarake (përveç ndarjeve të brendshme në mes të vetë shefave të shteteve) si një vullnet i padepërtueshëm i Perëndisë. Për t’i përshkruar kryqtarët gjatë masakrës të qytetit Maare në dhjetor 1098, kronisti Ussama Ibn Munquidh, i lindur tri vjet para kësaj ngjarjeje, flet me fjalë të ashpra “Të gjithë ata që pyetnin për frankët shihnin në ta shtazë të egra superiore në kurajo dhe në flakë luftarake, por asgjë më shumë, ashtu si shtazët që janë superiore për nga forca dhe dhuna.” Kronistët dhe historianët dëshmojnë edhe për arrogancën, fanatizmin dhe egërsinë e frankëve. Në vitin 1140, Ussama, kësaj radhe si dëshmitar okular, sheh i tmerruar praktikën e ordalisë-gjykimet e ndryshme të Zotit me hekur, ujë apo zjarr, si në Jerusalem, kurse për arabët e shekullit XII drejtësia është një procedurë serioze që përmban aktakuzën, mbrojtjen, dëshmitë dhe aktvendimin mbi dënimin, në përputhshmëri me Kuranin. Pushtuesit perëndimorë janë për ta asgjë më shumë se barbarë.
Brenda Evropës perëndimore, “barbarët” shpesh janë të tjerët. Liber Sancti Jacobi i shekullit XII i përshkruan galicienët si “më afër kombit tonë francez se të racave të paditura të Spanjës”. Më gjerësisht, barbarët janë kombet jashtë Evropës Perëndimore, si baskët, galët, irlandezët dhe sllavët. Në botën arabe, paragjykimet ekzistojnë gjithashtu. Mund të citojmë si shembull sociologun dhe historianin e ditur Ibn Khaldun (1332-1406). Edhe pse është me origjinë jugarabike, i lindur në Tunis, i lavdëron berberët në Prolegomenet e tij dhe insiston mbi superioritetin e civilizimit të Spanjës myslimane, kurse ka një paragjykim të fortë kundër arabëve. Megjithatë në Muqaddimat e tij, të hartuar në vitin 1377, shkruan që “Zoti është arab” dhe kristianët nuk kanë tjetër mundësi veçse të konvertohen. Edhe më zi, pavarësisht nga paanshmëria që ai mundohet ta mbajë, megjithatë tregon paragjykime të mjedisit të tij dhe të kohës së tij, gjë që e shpjegon mendimi i tij për zezakët: “Eshtë një njerëzim inferior, më afër shtazëve budallaqe [se njerëzve].” (I, kap. II, nr. 23). Po aq sa egërsia e supozuar e kryqtarëve mund të shpjegohet nga ana e tyre përdorimi i dhunshëm i armëve, sa kemi në këtë citim, një gjykim krejt arbitrar. Koncepcion i “tolerancës” është krejtësisht i ri në botën mesjetare dhe gjykimet e vlerave fitohen më pak nga halli i objektivitetit, se sa nga një a priori të bazuar mbi përkatësinë religjioze, kulturore, bile edhe politike.
Imazhi i një vendi të pasur dhe me bollëk tërheq valë të migrimit të popullatave në kërkim të një të ardhmeje më të ndritshme. Kështu Felix Italia tërheq kroatët dhe shqiptarët qysh në shekullin e XIV. Bashkësi kombëtare vendosen dhe sjellin me vete stereotipe:” Sllavonët (kroatët) janë të gjithë burra të rinj të fortë, pak të trashë, shpesh me mjekër dhe sy të zi, shumë të ndryshëm nga ata anglezë të cilët i kanë sytë e zbehtë dhe hundën fort të gjatë.” I huaji shpesh supozohet të jetë një shkaktar i problemeve dhe burimi i të gjitha të këqijave – asgjë nuk ka ndryshuar nga këto mendime as në kohët tona – gjë që i mundëson kronistit Monaldo Leopardi të mendojë në Annali di Recanati– se shqiptarët “janë një popull që i tejkalon të gjithë popujt e njohur deri më tani për vrasjet, vdekjet dhe infeksionet, i cili gjithmonë ka sjellë murtajën në qytetin e Recanatit (…)” Por, kontributi pozitiv i këtyre po të njëjtëve imigrantë është evident dhe kronisti i cituar më herët detyrohet të pranojë se shqiptarët “kanë kontribuuar shumë për përmirësimin e kulturave në fshatrat tona, të cilat, përpara, ishin gati të paditura.”
Imazhi shpesh diktohet nga narratori dhe nga qëllimet e tij. Kështu, një satirë bizantine e shekullit XV, e quajtur Mazarine, i quan shqiptarët si hajna dhe qenie të dhunshme, gjë që tregon Julian Amery në poemën e tij, Songs of the Eagle në shekullin e XX, në të cilën shqiptarët dalin si të pamposhtshëm dhe krenarë, xhentëlmenë të mëdhenj, po edhe dhe si hajdutë të mëdhenj, që vëjnë nderin para burrërisë. Kronisti Dukas gjithashtu i shekullit XV, në Historia Turco-Byzantina i cilëson shqiptarët si një racë barbare, duke i vënë në një pozitë si kombet e tjera të Ballkanit, të konsideruar si derra apo qenë. Sa i përket kësaj, njëra nga kënget e para epike shqiptare vështirë do ta mbronte të kundërtën kur mësojmë se narratori fillon duke u lavdëruar me këto fjalë “Hapa Derën e Shllavunit…vodha e vashëzën m’shtrat.” Përkundrazi, murgu dominikan Gulielm Ade, apo i quajtur ndryshe edhe Pseudo-Brokardus, provon të tregojë dominim të tepruar të ortodoksëve serbë në shekullin e XIV dhe mbron shqiptarët, që dalin kësaj radhe trima dhe heronj të mirë. Ata, sipas një anonimi të vitit 1571, pra shqiptarët, dhe veçanërisht ata të Ulqinit, nuk i donin të huajt, për shkak të disa emocioneve që ishin të inspiruar nga të hequrit dorë të Medesë nga Zhazoni, dhe gjejmë këtu një përzierje në mes të mitologjisë dhe arsyes politike. Vërtet Giovanni Battista Guistiniano, në vitin 1553, shpjegon se emri latin i Ulqinit ishte Olchynum, pastaj Colchynium sipas popullit të Colcive, sepse themeluesit e parë të qytetit kishin ardhur nga Colshii, një vend në veri-lindje të Mesdheut, mbasi kapiten të tyre kishin pasur Absirtin, ardhur për t’u hakmarrë për Medenë. Giustiniano ka pak fjalë për përshkrimin e popullatës. Megjithatë ai nënvizon se qyteti i Ulqinit është i një rëndësie të madhe për domenin e Shqipërisë, i banuar nga një popull antik ende pak i nënshtruar ndaj turkut. Kjo popullatë përbëhet nga grupe të tëra të ardhur nga Shqipëria dhe të cilet ende kanë shpresë se do të kthehen nën flatrën e Republikës së tyre. Toni që ka ai është neutral: “banorët janë të ndarë në fisnikë, qytetarë dhe bujq” (…). Përveç këtyre tri llojeve të banorëve, ka relikte të familjeve të ndershme të ardhur nga Shkodra, Durrësi dhe nga anë të tjera si familjet e Brunave, të Palmatotëve dhe Brutave, pasardhës të Mark Antonios”
Dy çështje janë më kontraverze: në njërën anë “endacakllëku” i supozuar i shqiptarëve dhe, në anën tjetër, feja e tyre. Mbi pikën e parë, një kronikë anonime, Anonymi descriptio Europae Orientalis, e vitit 1308, pohon se shqiptarët nuk kanë as qytete as kala, që banojnë nëpër çadra dhe ndërrojnë vendbanimet vazhdimisht. Gjithashtu autori thotë se disa regjione të Shqipërisë, si Këlcyra, Tomori, Pulati dhe Dibra u janë nënshtruar shqiptarëve endacakë. Ai bie në kundërshtim me vetveten kur thotë se Durrësi është i tyre dhe në zonat që ata kanë pushtuar, zotët shqiptarë jetojnë aty dhe nuk lëvizin kurrë. “Endacakllëku” i menduar i shqiptarëve në shekullin e XIV, për të cilin don të dëshmojë autori anonim del në të vërtetë si një interpretim i tepruar i lëvizjeve të migrimeve shqiptare kah perëndimi qysh prej vitit 1280, për shkak të varfërimit të qyteteve dhe të mjerimit në fshatra. Duke mos shikuar me distancë këto lëvizje, anonimi sjell një ide të gabuar mbi fenomenin e migrimit shqiptar gjoja për ta asimiluar popullatën me endacakë. Në mënyrë të tërthortë kjo demantohet nga rrëfimi i udhëtimit i murgut britanez Simon Simeonis të vitit 1322, që tregon se shqiptarët jo që nuk janë endacakë, por edhe se kanë zakone krejtësisht të ngjashme me grekët.
Pika e dytë, do të thotë besimi fetar i shqiptarëve në shekullin e XIV, u ka sjellë më shumë telashe kronistëve të kohës. Autori i përshkrimit anonim thotë se në zonat e Shqipërisë qendrore, banorët nuk janë “as vetëm katolikë, as vetëm skizmatikë” dhe “nëse dikush do të shkonte që t’ua sjellë fjalën e Zotit, ata do të bëheshin vetëm katolikë”. Murgu dominikan Gijom Adam, në Directorium ad Passagium Faciendum të vitit 1332, pohon nënshtrimin Kishës Romane të banorëve të Shqipërisë; shqiptarë si latinë me prejardhje. Në të kundërtën, dhjetë vjet më herët, Simon Simeonis, mendon se “të gjithë shqiptarët janë skizmatikë dhe krejt të njejtë me grekët sa u përket riteve, kostumeve dhe zakoneve.” Dy shekuj më vonë, pas shpalljes së aktit të Bashkimit, me koncilin e Firencës në vitin 1439, kur një shumicë kishtarë dhe njerëz të popullit në rajonet greke, Epir dhe Thesali, refuzojnë t’i bashkohen doktrinës latine, Dukas ngazëllen: “Populli, i ashpër dhe armik i së bukurës, kjo rrënjë e hamendjes, kjo degë e lavdisë së kotë, kjo lule e mendjemadhësisë së rremë, ky llum i popullit të grekëve, ky nënçmim i gjallë i cili urren të gjithë popujt e botës, atë që kishte ndodhur e konsideronte si të pavlefshme.” Këto mendime të mprehta nga një anë dhe që tregojnë nga ana tjetër se për ta përshkruar një popullatë se sa vështirë është të kuptohen fenomenet komplekse dhe që shpesh nga ana e vëzhguesit mesjetar – pse të mos thuhet edhe atij modern, fatkeqësisht – ekziston një tendencë për ta thjeshtësuar realitetetin. Popullësia shqiptare është edhe sot një nga shembujt e rrallë të bashkëjetesës paqësore të tri feve të ndryshme brenda një kombi.
Popullësia kroate e Dalmacisë nën sundimin venedikas nuk tregohen më të mira në përshkrimet e sindikëve të Republikës, të ngarkuar me punën e raportimit të ngjarjeve në kolonitë për zotin e Venedikut. Në raportin e tij të vitit 1553, Antonio Diedo thotë se “dalmatët janë nga natyra përtacë”- gjë që thuhet edhe sot nga kroatët e viseve të tjera. Katër vjet më vonë, konti i Zarës, Antonio Mikael, nuk tregohet më i butë. I përshkruan banorët e fshatrave të Zarës si persona që nuk nënshtrohen, shumica e të cilëve janë hajdutë, pasi janë afër kufijve turq dhe të cilët më shumë merren me rrëmbime dhe me vjedhje sesa me punën e tokës. Kur flet për banorët e Splitit, në vitin 1583, kapiteni Nikola Korer thotë se janë “të fortë, krenarë, të gatshëm ta vjedhin ushtrinë e turqve.” Një rektor venedikas i ngarkon në Lettere de Rettori me një faj tjetër në kulmin e luftës së Qipros. Përveç urisë dhe sëmundjes, sipas tij, e keqja tjetër ështe se populli nuk mendon për arsyet e vërteta të dëmeve të tij, por thotë se zoti i ka braktisur. Shumë gjëra të paligjshme bëhen, për të cilat nuk ishte mundur të ëndërrohet në kohë të tjera, por ai nuk ka zemër t’i dënojë. Banorët e Splitit janë shumë bestytë, kanë praktika bestyte dhe nuk duan t’i besojnë të vërtetës; kanë tendencë t’ia teprojnë me shumë mosmirënjohje, për çka pendohen më vonë.
Edhe mercenarët e angazhuar në armatat dhe flotat venedikase janë objekt përshkrimi. Kur Antonio Diedo vajton sjelljen e banorëve të qarkut të Zarës, ai lavdëron cilësitë e mercenarëve kroatë, të cilët janë kalorës të mirë, që jetojnë gjithmonë jashtë vendit të tyre dhe burra të mirë nga të cilët Republika mund të presë shumë. Sa u përket vllehëve të angazhuar nga Republika gjatë luftës së vitit 1571 mbi tokën dalmate, edhe pse flitet për një bandë pijanecësh të vendosur në qytet, Antonio Giustiniano thotë se” sono brava genti e valorosa” pasi që kishin zënë rob katër spiunë turq më 21 gusht, duke precizuar “ma molto cupida e effrenata”. Venedikasit kanë shumë pak respekt për italianët. Ne vitin 1575, Antonio Giustinianino mendon se kalatë e Kameni Ingradit dhe të Solinit, afër Splitit, janë marrë nga turqit për shkak të italianëve. Prej se roja e këtyre kalave u është besuar atyre, “ato janë marrë në mënyrë miserabël.“ Përveç asaj në Split gjendet një kompani e përbërë nga 38 ushtarë këmbësorie, italianë, të vlerësuar si “mediokër”.
Më kontraverze është pozita e uskokëve të Senjit, mercenarë të Oborrit Austriak, për mbrojtjen e territorit prej turqve. Kur venedikasit kanë nevojë për shërbimet e tyre gjatë konflikteve të armatosura me Perandorinë osmane, fjalët lavdëruese nuk mungojnë. Në vitin 1575, Antoanë Giustiniano mendon se janë “bellisima gente”, që megjithatë duhet të përcillen nga afër, sepse kanë tendenca të vjedhin dhe të vrasin posa të shkojnë në Senj. Gjashtë vjet më vonë, pushteti venedikas paguan 57 uskokë në Dalmaci dhe sindiku Basadona mendon se “nuk janë krejtësisht të panevojshëm”. Po ashtu, kur uskokët rrënojnë një fortesë turke afër kanalit të Novigradit, raportuesi venedikas Zane mendon se ky aksion është “një favor i madh për kauzën e Pushtetit të Senjorit”. Përkundrazi, kur uskokët sulmojnë forcat e luftës venedikase ose anijet e tyre tregtare, janë përdorur fjalët më të zeza për t’i përshkruar. Njëri nga kronistët e shekullit XVII, Minuccio Minucci jep versionin e piratëve të Senjit në Historia degli Uscocchi të vitit 1602. Sipas tij, ata janë “njerëz të egjër, të lindur jo vetëm për të ecur, por edhe për të vrapuar këmbëzbathur nëpër male dhe nëpër shkëmbinj.”
Edhe turqit fqinjë janë objekt i përshkrimeve më të ndryshme, toni i të cilave ndryshon sipas raporteve politike që kanë dy fuqitë aktualisht. Raportuesit ankohen shpesh nga kryelartësia dhe nga krenaria e tyre, sikurse edhe nga mizoria e tyre. Megjithatë, gjatë periudhave të paqes, citojnë shembuj më miqësor; u drejtohen atëhere kështu “cari uomini turchi, et il glorioso Sultano.” Në vitin 1574, një rektor venedikas përshkruan anekdotën e një çifti dashnorësh në Zarë, ku vajza Maria është dalmate dhe djali, Adel, është turk. Ai e përshkruan me këto fjalë “djaloshi jo më i vjetër se tetëmbëdhjetëvjeçar, është i bukur, mban rroba të bukura, është i pasur, ka prona të ndershme dhe vjen në vendkëmbimin e quajtur pazar (…) Turqit e quajnë Adel, dhe ne Adelino bello.” Pra, në periudhë paqeje, turku fiton më shumë cilësi. Eshtë e nevojshme këtu të precizohet termi “turk” sa mund të fshehësh identitetin. Të përkujtojmë kështu se për popullatat e Adriatikut lindor nën dominimin venidikas quhet “turk” çdo qyetetar i Portës, nga cilado fe qoftë ai. Mirëpo brenda perandorisë otomane, turku është ai i cili i përket besimit mysliman, për dallim nga qytetarët e tjerë.
Pavarësisht nga mendimet e shprehura ndaj të tjerëve, ndonjëherë arbitrare apo të bazuara, dhe jashtë kontekstit mental të mbushur me besim fetar, ajo që prek më shumë mendjen moderne është mënyra direkte, bile emocionale, dhe pa ngurrim etik me të cilën të diturit e mesjetës gjykojnë pjesëtarët e një bashkësie tjetër. Prej atëherë, prej Renesansës në Shekullin e Lumjerëve, Perëndimi është prekur nga era racionaliste dhe fjalimet mbi tolerancën, mbi argumentimin shkencor dhe nga motorë të tjerë për arritjen e një mendimi të quajtur “objektiv.” Tashmë duket e paparmendueshme të quhet cilido komb me emra: “shtazë të egra”, “primitivë”, dhe ajo “politikisht korrekte” kërkon përdorim të formave shumë më të buta të cilësorëve të vlerësuar si degradues ndaj ciliësdo bashkësi qoftë. Eufemizmat janë në modë: nuk thuhet më “zezak”, por “njeriu me ngjyrë”, “i verbët” por “që nuk sheh,” “Bota e tretë” për “Vend në zhvillim”, etj. Në anën tjetër shoqëria bashkëkohore ka njohur një proces të fortë të laicizimit, ku përkatësia fetare është një punë më shumë private, që luan rol, a priori, për formimin e një mendimi. Por, këtij laicizimi, zhvillimit të fortë teknologjik dhe zhvillimit të mendimit shkencor të shekullit tonë XXI, ne vazhdojmë t’i paguajmë haraçin e ideve të fituara dhe skemave mentale që vijnë nga mesjeta.