Nga ARTUR AJAZI/
Mësuesit si njerëz, dhe profesioni mësuesit, qysh në shekullin e 18 unifikoheshin thjesht me një fjalë shumë filizofike, “edukonjës për të nxënë”. Dhjetra shekuj më parë, mbretërit dhe princërit, pajtonin mësues (edukonjës) për fëmijët e tyre, i përzgjidhnin ata mes më të zgjuarve madje duke i dhënë një status dhe trajtim të veçantë në oborret e tyre. Profesioni i mësuesit ka lindur nga nevoja për të mësuar, për tu bërë të ditur, për tu shkolluar, dhe për të perfeksionuar dijen në disa fusha. Mësues është një fjalë e madhe, e ëmbël, e dashur, me shumë kuptim dhe botë të pasur, dhe kjo nis e ngulitet për seicilin nga ne, nga fëmijëria dhe mbetet pas derisa ti bëhesh plak, duke ruajtur për njeriun që të ka mësuar shkrimin dhe këndimin, respekt e dashuri të veçantë. Mësuesit në Shqipëri kanë lindur herët, kanë lindur mes luftrash dhe përpjekjesh për liri e pavarsi, mes shtypjes pushtimit dhe vuajtjeve, fukarallëkut dhe nevojës. Mësuesit gjithmonë kanë patur një status të veçantë, pasi kanë qenë të veçantë, të butë, të ëmbël, të dashur dhe të ditur. Nuk bëheshe kollaj mësues më parë, duhej të kishe disa cilësi të veçanta – më tha njëherë miku im Mësuesi i Popullit Jani Sotiri, (sot nuk jeton ) dalë nga dare dhe oxhak i rilindasve që shkrinë jetën dhe pasurinë për mësuesinë në Kolonjë. Në Shqipëri mësuesia ka lindur si nevojë, si kurajo dhe guxim i një brezi që aspironte për pavdeksinë, trashëgiminë dhe lartësimin e gjuhës amëtare. Do të ishte pas Korçës në 1887, Elbasani, që në 1909 do të ngrinte me fondet e pasanikëve vendas, shkollë e mesme e njohur si Normalja, “bima” që hodhi farën e saj në gjithë vendin, duke nxjerrë mësues jo vetëm për Shqiperinë, por edhe Kosovën, dhe viset e tjera shqiptare. Nga Normalja, dolën mësuesit e parë, akademikët e parë, shkencëtarët e parë të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Tradita vazhdoi, u thellua, u zgjerua, u modernizua, dhe mësuesia u bë fushë më vehte për studime të mëtejshme. Bashkë me vitet, do të vinte edhe Universiteti i parë në Tiranë, ku do të dilnin breza të tërë mësuesish të talentuar, dhe që do të merrnin edhe grada shkencore. Shqipërisë kurrë nuk i kanë munguar mësuesit, kurrë nuk ka munguar dashuria dhe respekti për mësuesit. Gjatë 50 viteve të shkuara, ose më mirë të themi prej vitit 1945 deri 1990, Shqipëria numuronte 5 universitete, ku jepnin mësim ish-mësues që kishin marrë “gradën” e pedagogut, dhe që pergatitën mijëra mësues për brezat e rinj. Mësuesia ishte dhe mbeti një profesion i dashur i kërkuar nga maturantët e asaj kohe, dhe kjo duket në statistikat e studentëve që mbaronin këtë degë. Çdo vit universitetet tona deri para viteve 1990, nxirrnin mesatarisht 6 deri 8 mijë mësues të rinj për të gjitha ciklet dhe lëndët mësimore, ndërkohë që mosha mesatare e daljes ë tyre në pension ishte 50 vjeç për gratë dhe 55 vjeç për burrat. Kjo për faktin se mësuesit kishin dhe u vlerësohej roli, por dhe vështirësia në profesionin e tyre fisnik. Mësues kishte qyteti, por kishte edhe fshati më i largët malor, ndërkohë që kishte raste kur mësuesi nga Tirana emërohej në Has apo Vithkuq, Skrapar apo Mokër, dhe qëndronte atje për një periudhë të caktuar. Nuk mund të bëheshe nëndrejtor apo më lart akoma drejtor shkolle, në rast se ti nuk kishe e pakta 5 vjet pune si mësues, ndërkohë që kaloje nëpër disa “filtra” që lidheshin edhe me profesionin. Por vitet kaluan dhe ndryshimet politike në Shqipëri, natyrisht do të preknin edhe mësuesinë, pasi u prekën shkollat, universitetet, proceset mësimore në shkolla, nisën reformat rradikale, duke përfshirë edhe librin shkollor. Sot pas afro 25 vitesh, kemi një transformim rrënjësor të mësuesisë, fatkeqsisht të bërë jo nga specialistët e fushës, por nga aktorët e politikës, që shpesh nuk kanë patur lidhje fare me mësuesinë, dhe me arsimin. Në 25 vjet në sistemin tonë arsimor, janë kryer dhe implementuar, janë eksperimentuar dhe tjetërsuar, reforma të huazuara nga sistemi arsimor francez, italian, anglez, amerikan, gjerman, madje dhe kinez. Në procesin e reformimit të arsimit shqiptar, nuk ka mbetur pa futur “hundën” e tij asnjë kryeministër, duke referuar dhe porositur sikur të ishte “Zeusi” e duke lënë në hije specialistët . Gjithmonë në këto 25 vjet, çdo qeveri dhe çdo kryeministër, është marrë përgjatë gjithë mandatit, veçanarisht me arsimin. Duke gjetur rastin për të sulmuar paraardhësin e tij politik, gjithmonë ka gjetur një pretekst dhe është marrë me arsimin, me mësuesit. Sot figura e mësuesit është degraduar, mësuesi sot nuk ka rreputacionin dhe rëndësinë e dikurshme. Ai është lehtësisht i thyer, i fyer, i tallur nga nxënësi i tij, i cili ka një status të veçantë sot. Ministria e Arsimit, çdo 4 vjet nxjerr urdhëra, udhëzime dhe vendime të reja, që i japin dinjitet dhe respekt vetëm nxënësit, i japin prioritet vetëm nxënësit, tolerojnë vetëm nxënësin, dhe ndëshkojnë mësuesin. Mësuesit sot po shihen nga nxënësit si njerëzit që e kanë detyrim ligjor dhe institucional, të shpjegojnë mësimin, të durojnë maksimalisht fishkëllimën e nxënësit, celularin e tij, fjalët e tij banale, fyerjet dhe jo rrallë edhe ndonjë dorë të ngritur ndaj tij. Mësuesi pas këtyre situatave ( gjithmonë bazuar mbi udhëzimet e MAS viti 2012-2013) ka detyrimin ta qortojë, ta marrë pranë vehtes dhe ta afrojë e edukojë, ti kërkojë arsyen e sjelles së keqe në klasë, dhe kurrë të mos e ndëshkojë apo nxjerrë nga klasa. Në rast se kjo gjë hyn tek “edukimi nxënësit” dhe lartësimi dinjitetit të mësuesit, dakort. Por realiteti flet ndryshe. Sot në shkollat tona ka një shthurje pa kthim të nxënësve, një eufori të shfrenuar të tyre duke nisur nga klasat e ciklit të ulët, ku shpesh mësuesit i përmenden “të drejtat e fëmijëve, ankesa tek drejtori arsimit, dhe denoncimi në polici për fyerje”. Dy vjet më parë mësuesit u kthyen në dordolecër, pasi ata u pajisën me kartela dyngjyrëshe, nga njëra anë e verdhë, dhe nga ana tjetër e kuqe. Ideja ishte se kur nxënësi të prish mësimin ti nxirri kartelën e verdhë, kur vazhdon nxirri kartelën e kuqe, por vazhdo mbaje në klasë. Shpikje të tilla zyrtarët e MASH asokohe thanë se i parë gjatë vizitës në Danimarkë e vende të tjera nordike. Sa diletantë aq edhe të paditur. Por pavarsisht atyre që janë bërë me mësuesit, që duke i detyruar të japin mësimin pothuajse çdo ditë me nerva të tendosura, specialistët dhe profesionistët e arsimit duhet të hartojnë sa nuk është vonë një rregullore të veçantë që mbron dhe jo degradon mësuesit. Sondikata e Mësuesve pothuajse është inekzistente, anemike, dhe e keqpërdorur, gjë e cila me kohë ka krijuar mendimin tek mësuesit se “është shtojcë e çdo qeverie, dhe nuk mbron asnjëherë të drejtat tona”. Mësuesit duhet të rimarrin vendin që u takon, duhet të ringrejnë imazhin dhe dinjitetin, duhet të shihen si pasuri e çmuar, por edhe të selektohen nga të paaftët dhe abuzantët. Në dy dekadat e fundit, universitetet tona po nxjerrin mësues të dobët, dhe kjo verifikohet dhe konstatohet në shkollat ku ata gjejnë vendin e punës. Kjo është pasojë e defekteve të trashëguara nga fakultetet, ku shpesh student provimin e merr me lekë, ndoshta pa vajtur asnjë ditë edhe në leksione, por ky mbetet një problem që kërkon një vëmëndje të veçantë nga strukturat e tjera të MAS dhe shtetit. Duke u rikthyer tek mësuesit, mendoj se deri sot asgjë nuk është realizuar asnjë pikë e programit politik të asnjë partie që ka qeverisur këtë vend. Pavarsisht se kanë premtuar shumë për rolin dhe vendin e mësuesit, politika i ka përdorur mësuesit për fushatat elektorale, për tu marrë votat, dhe për ti vënë të parët pastaj në hanxharin e “reformave dhe largimeve nga puna”. Duke i dhënë dinjitet mësuesit i kemi dhënë më shumë dije nxënësit, më shumë partneritet dhe bashkëpunim mes tyre, ndërsa e kundërta do të sjellë jo larg një bilanc brezash me mungesë dijesh, pa dëshirën për tu shkolluar.