Nga Marjana BULKU/*
– Vendimet e vështira kërkojnë njerëzit e duhur pranë, ata që dijnë ta ruajnë dhe mbrojnë nderin me NDER dhe jo me VRER./
– Ata janë diku në veprat e tyre të përditëshme pa zhurmë e bujë e që Vatrën e bëjnë po aq të përjetëshme sa edhe historia e saj duke e dashur, shkruar dhe respektuar sistematikisht për të, madje edhe pa pretenduar ta drejtojnë atë./
Pyeta një njeri të madh ( intelektual dhe patriot i mendimit dhe veprimit) mbi
zhvillimet e fundit në Vatrën Pan-shqiptare si dhe mbi opsionin e kandidimit të
tij si kryetar i kësaj Federate, më të vjetrës dhe jetëgjatës në historinë
shqiptare brenda dhe jashtë kufijve ku jetojnë shqiptarët, e cila këto
ditë janari pritet të zhvillojë zgjedhjet e radhës .Dhe përgjigja
e tij ishte e thjeshtë:
“Jo, është një karrige shumë e lartë ajo ku dikur janë ulur Noli e Konica.”
E mora këtë përgjigje jo thjeshtë si një “Jo” por si një reflektim mbi situatën e pazakontë që krijojnë ambicjet e vogla të cilat i shndërron në konflikte dhe akte aspak të këndëshme pikërisht mos reflektimi i thellë për çka duan ti ofrojnë kësaj Zonje qindravjeçate që na ruajti nderin si komb në ditët më të vështira dhe historinë si pasqyrë e realiteteve të njohura e të panjohura, të lashta e të reja.
Ajo “JO” e prerë e njeriut që nuk reshti kurrë së shkruari për Vatrën edhe pse detyrat dhe angazhimet e shumta e tejkalojnë normalen, m’u duk si një thirrje e fortë pêr të parë dhe kuptuar thellë brenda vlerave tona, atyre që nuk thërrasin, shajnë, ngrejnë zërin apo rebelohen, ato janë të shkruara në vepra e akte , ngjarje e ndodhi të nxitura nga vullnete të jashtzakonshme të cilat prodhojnë individualitete që nuk ke rast ti takosh rëndom. Ky lloj protagonizmi intelektual dhe patriotik, njerëzor dhe mendimtar sistematik i bën ballë çdo lloj protagonizmi karrierist, konfliktual që sot është bërë i përditshëm në media, politikë, shoqëri dhe kudo.
Ajo -Jo – e prerë nuk është pafuqi as joshpresë as kapitullim ndaj progresit apo udhëkryqeve plot sfida me të cilat arena shqiptare po përballet si brenda Shqipërie po ashtu edhe jasht saj por një thirrje për maturim dhe urtësi e pse jo debat të hapur të arsyjes ku arsyjes i duhet lënë gjithmonë vend. Ishte një thirrje për të vënë në krye të Vatrës, në mos jo një korife, si Noli e Konica, të paktën një shqiptar që bota e njeh pak më përtej lagjes së vet.
Ka disa jo refuzuese që të fusin në mendim përballë po-ve që u bien gjokseve në vetën e parë dhe rrjeshtave pro atyre kundër e ku të gjithë humbasim, kohën, vlerat.
Se ç’mu kujtuan sot ( pêr dreq) kreshnikët e Shqipërisë së veriut që netëve të gjata të dimrave të egër matnin arsyetimin, jo me votë por me thellësi mendimesh e veprimesh. Vendimet e vështira kërkojnë njerëzit e duhur pranë, ata që dijnë ta ruajnë dhe mbrojnë nderin me NDER dhe jo me VRER.
Ata janë diku në veprat e tyre të përditëshme pa zhurmë e bujë e që Vatrën e bëjnë po aq të përjetëshme sa edhe historia e saj duke e dashur, shkruar dhe respektuar sistematikisht për të, madje edhe pa pretenduar ta drejtojnë atë. Në fakt Vatra më shumë se askujt tjetër është e atyre dhe ata më shumë se askush tjetër janë Vatranët e vertetë.
- Marjana Bulku eshte anetare e Kryesise se Vatres.
Janar 2020