
Në jubileun e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, Aristotel Spiro vjen me studimin e tij të ri «Për një drejtshkrim shqip modern».
Në këtë studim ai vlerëson si një ngjarje madhore Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, meqenëse realizoi unifikimin e kodit të komunikimit gjuhësor midis shqiptarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Autori vëren megjithatë se, pavarësisht arritjeve, në Kongresin e Drejtshkrimit kaluan disa pasaktësi shkencore, që lidhen kryesisht me parimet e drejtshkrimit, të cilat u formuluan gabim. Parimi themelor i drejtshkrimit shqip u formulua si parim fonetik, por në të vërtetë është parimi fonologjik.
Në bazë të drejtshkrimit të shqipes duhet vënë domosdoshmërisht koncepti i grafemës, që mungon nga Rezoluta e Kongresit, ndërsa parimi fonetik nuk është dhe nuk mund të jetë parimi themelor i drejtshkrimit të një gjuhe që përdor shkrimin alfabetik, sikundër është edhe gjuha shqipe.
Një gabim tjetër i Rezolutës së Kongresit është se bën fjalë për një «parim morfologjik» në drejtshkrimin shqip, i cili vërtet mund të ekzistojë në gjuhë të tjera me drejtshkrim të vjetër, por në shqip nuk ekziston. Sipas Aristotel Spiros, ka ardhur koha që këto gabime dhe pasaktësi të ndreqen.
Ai vëren se në praktikën drejtshkrimore shqipe kanë ndodhur disa ndryshime, të cilat është mirë të formulohen si rregulla drejtshkrimi. Kështu, ai propozon që të standardizohet shkrimi i toponimeve të huaja të përbëra prej dy fjalësh pa vizë në mes. Kështu, emrat e qyteteve Nju Jork, Tel Aviv etj. të shkruhen pa vizë në mes, dhe jo me vizë, siç përcaktojnë rregullat e «Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe».
Gjithashtu, ai argumenton se duhet konsideruar edhe parimi ndërsemiotik në drejtshkrimin e shqipes. Ky parim përfshin sidomos shkrimin e emrave të përveçëm të huaj sipas alfabetit origjinal, dhe zbatohet në mënyrë të veçantë në stilin shkencor dhe administrativ juridik.
Duke iu referuar inventarit të grafemave, ai jep argumente se alfabeti i shqipes përbëhet nga 27 shkronja dhe jo nga 36, sikundër mendohet, meqenëse dyshkronjëshat janë të zbërthyeshme në grafema të tjera, të cilat e kanë zënë vendin e tyre në alfabet. Ky numër nuk e ndryshon sistemin shkrimor të shqipes dhe as vlerën kombinatore dhe fonetike të dyshkronjëshave, të cilët vazhdojnë të përdoren njësoj si deri tani, por pa qenë pjesë e alfabetit shqip, meqenëse nuk mund të llogariten si shkronja të veçanta.
A. Spiro përfundon se «Drejtshkrimi i një gjuhe duhet të jetë aq konservativ, sa të mos e pengojë risinë dhe aq inovativ sa të mos e trazojë gjendjen konservuese. Drejtshkrimi duhet të jetë konservativ nga detyra dhe inovativ nga nevoja. Gjendja konservative duhet të zgjasë aq sa drejtshkrimi të mos duket i vjetruar, ndërsa veprimi rinovues duhet ndërmarrë atëherë kur rezultati ngjan i natyrshëm dhe nuk tingëllon si i huaj brenda sistemit gjuhësor».
Libri hapet me një parathënie nga Suela Mino, drejtoreshë e Shtëpisë Botuese «UET PRESS».
Ditën e shtunë, më 19 nëntor 2022 në stendën e Panairit të Librit, UET PRESS organizon promovimin e këtij studimi në prani të autorit.